Kabllogramet: Ankth brenda PD për largimin e Berishës – Bojaxhiu: Shpresojmë të humbë PD, që të largojmë Berishën

0
38

Nga Alban Qato

TIRANË: 04/09/2011.. Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme dhe Berisha ka forcuar pozitat brena partisë së tij. Brenda PD-së po shfaqen zëra kundër, por asnjë prej tyre nuk ka fuqinë të dalë publikisht kundër kryeministrit.

Një ndër këta zëra është ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili i ka thënë Ambasadës Amerikane në Tiranë se “për të mirën e PD-së, Berisha duhet ti humbë zgjedhjet. Ajo është e vetmja mënyrë që ai ti hapë rrugë emrave turinj që ndodhen në parti”. Në analizën që i bën Ambasada Amerikane situatës vëren se dy pasuesit e mundshëm të Berishës në parti janë Jozefina Topalli dhe Bamir Topi. Por nga ana tjetër asnjë prej tyre nuk ka fuqi të përballet me të. Më poshtë kabllogrami i zbardhur nga Wikileaks për këtë çështje:

Titulli: PD po shikon (me kujdes) drejt jetës

Datë 20 nëntor 2008

Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Ambasadori Xhon Uidhers
Material konfidencial, deklasifikohet më 12/18/2019

Shtatë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009, kryeministri Sali Berisha e mban partinë e tij nën një kontroll të fortë. Ai ka pothuajse kontroll të plotë se kush hyn në listat e votimit dhe nuk ka rivalë brenda partisë. Berisha duket se do të mbetet në krye të partisë në të ardhmen.

Gjithsesi, shumë brenda PD-së, përfshirë këtu të rinj, aktivistë partiakë ambiciozë dhe rivalë potencialë të Berishës kanë filluar të përplasen me të në lidhje me sundimin e tij 20 vjeçar në krye të partisë. Edhe pse nuk ka shanse që të kryhet një sfidë ndaj regjimit të Berishës përpara zgjedhjeve, shumë prej tyre po pozicionohen me kujdes për një PD pa Berishën. Disa prej tyre shpresojnë që PD të humbasë zgjedhjet pasi kjo është e vetmja mënyrë për të lëvizur Berishën dhe për ti hapur rrugë gjeneratës së re të drejtuesve në PD.

Berisha po i drejtohet zgjedhjeve parlamentare duke pasur kontroll të plotë mbi partinë e tij. Edhe pse ka disa fraksione të vogla, asnjë prej tyre nuk paraqet rrezik për Berishën. Rivalët kryesorë për drejtimin e partisë janë presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por ata kanë shumë pak organizim dhe mbështetje brenda partisë. Një burime brenda PD-së i tha ambasadës se “nuk ka asnjë fraksion Topi” ndërsa mbështetësit e Topallit janë shumë pak. Ata vijnë nga zona e saj e lindjes, Shkodra.

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka marrë hapa të vegjël për tu distancuar qetësisht nga Berisha dhe të forcojë imazhin e tij. Por shumë vëzhgues e shohin Mustafajin në këtë pozicion pasi ai do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme brenda PD-së për postin e kryetarit të Tiranës dhe nuk ka ndër mend të sfidojë Berishën…

Fakti që Berisha e mban partinë me dorë të hekurt nuk ka ndaluar njerëz brenda PD-së që të ëndërrojnë një ditë pa Berishën, edhe nëse kjo do të thotë që partia të humbasë keqas zgjedhjet.

Gjergj Bojaxhi, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it i ka thënë Ambasadës se edhe pse është mbështetës i PD-së, “në mënyrë intelektuale” ai shpreson për një humbje të PD-së verën e ardhshme si të vetmen mënyrë për të larguar Berishën nga kreu i partisë dhe për ti hapur rrugën drejtuesve të rinj.

Bojaxhiu e përshkoi prespektivën e PD-së si të zymtë në aksin Tiranë-Durrës. Por ai thotë se partia nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të rrijë me Berishën teksa përgatitet për zgjedhje. Bojaxhiu ka parashikuar se fitorja e PD-së në zgjedhje do të ishte një gjë e keqe për të ardhmen e partisë, pasi do të zgjaste qëndrimin e Berishës në krye të partisë dhe do të shtynte reformat që i nevojiten aq shumë kësaj partie.

Shumë rreziqe potenciale qëndrojnë këto muaj përpara Berishës dhe PD-së teksa zgjedhjet po afrohen. Përpjekjet e qeverisë kundër korrupsionit vlerësohen nga votuesit si të dështuara. 92% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është shumë i përhapur. Hetimi i Gërdecit mund të implikojë anëtarë të familjes Berisha, një rezultat që do të ishte shkatërrues politikisht për PD-në. Anëtarë të qeverisë mund të goditen me akuza korrupsioni në lidhje me projektin e rrugës Durrës-Kukës…

Berisha, pavarësisht shumë hapave të gabuar të kohëve të fundit, shqetësimeve mbi shëndetin e tij dhe thashethemet se po bëhet pengesë për partinë, mbetet politikani më i urtë dhe me tru i Shqipërisë. Një shembull i mirë i instinkteve të tij politike është greva e urisë së LSI-së dhe mënyra se si ajo ia ngeci përgjegjësinë Partisë Socialiste. Berisha dhe Edi Rama me siguri kanë bërë një marrëveshje për të përjashtuar LSI-në dhe partitë e vogla nga KQZ-ja. Por ti hedhësh fajin për impasin PS-së, është të hapësh edhe më shumë krisjen që ka e majta e paorganizuar dhe e ndarë…