KA NEVOJTARË E IDHUJTARË, POR JO QYTETARË

0
48

Mustafa Nano

“Ju gazetarët e keni fajin”, më tha dikush, duke iu referuar “Zululandit” të djeshëm, ku unë në thelb theksoja se ne shqiptarët jemi tifozë të politikës, e jo pjesëmarrës në demokraci, dhe se identiteti politik i secilit prej nesh përcaktohet nga devocioni ndaj leader-it, e jo nga devocioni ndaj ideve, vlerave, programeve etj. Të njëjtën gjë thosh dhe një lexues i “Shekullit”, opinioni i të cilit ishte publikuar në rubrikën e letrave të lexuesve; mbronte tezën se, në ndryshim nga ajo që ndodh në Francë, gazetarët shqiptarë fokusohen më shumë te leader-i, dhe më pak tek idetë, programet e premtimet.

Nuk e kam hiç të vështirë të bie dakord me ta (dhe me shumë të tjerë, që mendojnë si ta) mbi përgjegjësitë që ka mass-media në zhveshjen identitare që u është bërë të pasionuarve pas politikës në Shqipëri. Por po bëj një saktësim: mass-media më shumë e ka shfrytëzuar, se sa e ka krijuar këtë gjendje.

Në ethosin politik të shqiptarëve vihen re qartazi dy elementë, të cilët përcaktojnë në një masë të madhe zhvillimet e këtushme: ne ose dimë të shitemi, ose dimë të adhurojmë; me fjalë të tjera, kush nuk di të shitet, di të adhurojë; me fjalë të tjera akoma, kush nuk është mercenar, është fanatik. Ne na duhen pjesëmarrës në demokraci, por është e pamundur që këta të fundit t’i gjesh te njerëzit që rendin pas nevojës, apo pas idhujve. Për fat të keq, kjo kategori njerëzish është e madhe në Shqipëri; është aq e madhe, sa i jep tonin gjithë jetës. Sipas meje, nuk është se këta ekzistojnë për shkak të gazetarisë që bëhet; më shumë është e vërtetë bash e kundërta: gazetaria që kemi, ekziston për shkak të tyre.

E dini ç’më ndodh mua? Të gjitha herët që rrekem të merrem vënçe me problemet reale të vendit, impakti publik i shkrimit është zero (vini re: nuk po them “pothuaj zero”; po them “zero”; zero me xhufkë). Dy shkrime, për të cilat kam pasur një feedback kohët e fundit, kanë qenë njëri me titull “Jam i lumtur që nuk jam diplomuar në Harvard”, dhe tjetri me titull “Kur nuk njihet ABC-ja e demokracisë dhe e shtetit ligjor”. Në të parin “pickoja” Dritan Priftin lidhur me dënglat prej harvard-iani, e në të dytin “dërrmoja” Jozefina Topallin për ligjërimin prej kryqtareje ndaj opozitës.

Ç’të keqe ka? Jo, asnjë të keqe nuk ka, pasi të dyja problemet e trajtuara më duken bajagi të rëndësishëm. Por puna është se nuk pata asnjë çikë feedback për shkrimin tim “Rrena kolosale e 3.2 miliardë eurove”, në të cilin merresha me një çështje edhe më të rëndësishme, me atë të borxhit publik që po rritet në mënyrë të frikshme. Nuk u bë i gjallë askush, qoftë dhe për të më thënë: ia ke futur kot! Dhe ky fakt bën ndokënd prej kolegëve të mi të hezitojë pak, kur i vjen të shkruajë për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, pensionet etj.; të hezitojë prej frikës se lexuesi do shkrime për Berishën e për Ramën.