JUL QEZARI DHE ISMAIL KADARE TEK MALI I ROBIT

0
77

Ismail Kadare 

INTERVISTË-PRESS

Nga MYSLIM PASHA, 24.09.2013

«Ku ishe ? Ku po shkon ? Afër Golemit, ku janë ndeshur Qezari dhe Pompej, atje ku është një emër robi, atje ku ka kaluar rruga » Egnatia », ku ka vilën Ismail Kadare? Tek Pishat e buta, apo tek Bunkeri i madh… ? Oh tani, po ! U orjentova !»

«Ç’ne!? Mos na habisni ! Jul Qezari dhe Ismail Kadare sëbashku në malin e Robit? Haje ujk e qoftë larg! Kaq shekuj shkuar përtej, në rropamë vitesh, ata janë takuar… por dhe nuk janë takuar … »

2061 vjet më parë Jul Qezari ndodhej në këtë rreze vëzhgimi duke bërë inspektim poshtë Malit të Robit, në betejën e tij të famshme për marrjen e Dyrrhachiumit. “Bellum Civile” u zhvillua midis dy gjigandëve Romakë, Jul Qezarit që kish zbritur në Rrugët e Bardha, më të kaptë të Qafës së Llogarasë, në Palasë, dhe Pompeut që vinte nga Maqedonia, përgjatë Egnatias, për t’u ndeshur me Qezarin, në një nga periudhat më të rëndesishme, të historisë së Botës.

“Qezari “ siç thuhet në kujtesën historike aq të njohur “ e përdorte penën si edhe shpatën…” takohet… me shkrimtarin tonë të madh… që nëse perifrazojmë një kritik letërsie “ Kadareja Universal, krijon një hartë e një kulturë të tërë, të historisë….folklorit, politikës dhe katastrofave të saj. ” Apo nuk takohet?

“ Mosmarrëveshja” e Kadaresë u shkrua brenda Kontinentit, në gjeohapësirën që në përfytyrim lidh Parisin dhe Malin e Robit, aq larg po dhe shumë afër. Ç’mund t’i lidhë të dy vendet që kanë njohje krejt të ndryshme, në tingëllim, gjeohistori, art, përparim dhe rrënjë ? Malin e Robit s’e njeh kush…Parisin e sjellin në agimin e mendjes, si një dritë që vizaton hopin e papaërlyer të zhvillimit të Botës. Kurse Mali i Robit, ka vetëm një fjalë që do të përgjërohej ta kishte secili vend në rruzull, ”Njeri” që e bën aq shumë intrigues këtë hapje paradoksale e cila na sjell barazvlerën e shkuar më tej. Tek ky “Rob” Kontinental, na paska ardhur edhe Jul Çezari.

Jul Çezari 

2. “DO TA NJIHNI TË VËRTETËN DHE E VËRTETA DO T’IU BËJ NJERËZ TË LIRË… »

Kështu, thuhet në Ungjilli sipas Gjonit, 8:32, për të na drejtuar në objektiv të kujtesës së të vërtetave historike e gjeografike, njëkohshëm. Ne rrekemi që t’u afrohemi atyre, por vetëm sa krijojmë qasje pas qasjesh. Përafrohemi, por kurrë s’mundemi të arrijmë buronjën e parë. Kësilloj edhe në hullinë e hulumtimit dhe kërshërisë së gjithsecilit, kudo që është, në çast kërkon orjentimin se ku ndodhet, në cilin truall, në cilën rrënjë a shpirt njeriu, në ç’shënjë natyrore, në ç’ bashkësi njerëzore, në ç’kodrinë , në ç’mal, në ç’udhë, në cilin ulli, apo pishë-flamur… në ç’kresht e në cilin breg…e në cilën erë… që fryn…pastaj tek cili katund, fis i parë, kullë e parë, apo cilin njeri të njohur që ka lënë gjurmë…?

Ajo që lë mbresë dhe thirret e kërkohet lidhet me vepra, ngjarje historike, bëma, luftra, pushtime, përmbytje, tërmete…

Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndryshe nga të tjerët, fqinjë apo më tej, është gjithnjë si një minierë e sapohapur, mbasi për kushte të cilat tanimë dihen, ka qënë vonuar kërkimi dhe gjetja e duhur.

Tek ky Mal Robi, me këtë toponim ( vend-emër), me këto gjurmë historike, me këtë pozicion gjeografik, kjo kodrinë, ky qytet harkor e plazhor buzëdetar, tash, mbërthyer nga një « xhungël qytetore” personazhet tanë takohen, sigurisht.

3. KOMBI SHQIPTAR KA GJEOGRAFINË DHE HISTORINË E VET.

Ky Mal, ka qënë i “Robit” ? “ Je, Rob Zoti” . “Rob” këtu në Shqipninë e Kavajës i thonë “Njeriut të shtëpisë”, I kujt “Robi”, apo i kujt “Njeriu” ka qënë kjo majë e bukur? “ “… si puna e asaj shprehjes “robt e shtëpisë” …që do të thotë “ gjindja e shtëpisë” Mali i Robit është mali i Njeriut “ …kur fjala “njerëzit” ose “gjindja” zevëndësohet natyrshëm nga fjala “robt” … kjo “është shenjë e vërtetë që dëshmon më mirë se gjithçka pranimin e robërisë…” ( Kadare , fq 133).

Në dy dhjetvjeçarët e fundit shkrimtari ynë i madh, ka firmosur disa nga veprat e tij, në dy gjeohapësira, njëra në Francë, dhe tjetra në malin e Robit, dimër e verë, si një simbolikë e një shtrirjeje kontinentale të veprës së tij të sotme, çka i shkon përmasës së saj të jashtëzakonshme. Këtu tek Yrti i Malit të Robit ai ka një shtëpi që përfshihet në kompleksin e vilave ( siç e quajnë disa…) të emërtuara në fillim si Kompleksi Hënor i vilave, në këmbë të një kodrine me emër të çuditshëm dhe e aq intrigues për një krijues. Kadare, më tej viteve të fundit, qëndronte këtu, si gjatë stinës së dimrit por edhe në verë, kur dilte shpesh në vetminë medituese në fillimgjirin e Durrësit, pak më në veri, se sa derdhet Geshnika e Parakrishtit në det, ndërkaq Helena shëtiste po kështu e vetme në shpinë të një Bunkeri të Artilerisë së Rëndë, me përamsa të frikshme.

Kohët e fundit ata nuk janë parë më, ndofta se bregu është “sulmuar “ nga Deti kundruall, i cili me një duf të paparë, grryen, përthith, përplas, depoziton leshterikë dhe ndërpret shëtitjet e këndshme në breg. Bunkeri i madh Komunist, është tanimë i rrënuar, në pajmen e tij ciklopike, kur syrin e tij të vetëm, e ka pa dritë. Radhoj i parë i bunkerëve të vegjël që i përkisnin vijës së parë të ndeshjes me armikun në kryeurë, tani jetojnë të fundour në botën e përmbytjes detare, jashtë parashikimeve të projektuesëve ushtarakë të fortifikimit.

Vilat janë në thellësi, pas Bunkerit, në drejtim të Jugut përmidis pishave të buta, e që prej aty ato krijojnë një trekëndësh me malin e Robit dhe Bunkerin Komunist që po jep shpirt.

Kjo kodrinë mbi det, për sheshinën dhe rrafshultën buzëdetare duket shumë e lartë, bart një emër që veprave të Kadaresë iu shkon për shtat. A duhet të ketë qënë, ky vend, një përzgjedhje e veçantë për të ndërtuar këtu një shtëpie Shkrimtari ? Apo thjesht një përkim rastësor si mundësi blerjeje dhe ndërtimi në një kënd ku gjatë kohës së komunizmit ishin mbjellë pishat e buta të cilat pse të mos themi se kanë qënë gjetja më e mirë për ta ruajtur këtë breg.

“Mosmarrëveshja” ndër veprat më të fundit të Kadaresë, në Shqipëri nuk i është bërë jehona e duhur, si rrjedhojë e krizës morale dhe intelektuale që ka pësuar shoqëria shqiptare, jo më pak edhe prej krizës letrare që vijon ende, prej një dashakeqësie përthithëse dhe makute e vlerave të epërme që e kanë lënë këtë vepër, në hije, sikur të mos ishte shkruar kurrë. Hulumtimi dhe krijimi letrar shumëpërmasor ngërthen brenda vedi të paktën nja dhjetë romane të koncentruara për fatin tonë historik, për raportet tona me vetveten.

Një pjesë e kësaj vepre është shkruar tek ky Yrt, futur tanimë, në kujtesën historike të Ilirisë, Perandorisë Romake dhe gjithë Botës. Aty Jul Qezari humbi por edhe “fitoi” një betejë…ndërsa Ismaili duke e pasur fushën e betejës si hapësirë- kohë të krijimtarisë së tij artistike për të cilën ka besuar dhe beson, se për hir të Artit ia vlen të jetosh në këtë Dhé Kontinental.

“Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet në Evropë, historinë e vet e ka në Evropë, qytetërimin e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse të shtrohet ky absurditet që është makabër po ta shikosh nga një anë të një populli a duhet të jetë në Evropë apo duhet të dëbohet. Në pjesën e tij më barbare formulimi është bërë i tillë që kombi shqiptar se ka vendin këtu dhe nuk është keq që të dëbohet nga kontinenti.” ( Kadare. Komente gjatë një ceremonie në kolegjin universitar AAB në Prishtinë ku ju dha çmimi “Ali Podrimja”)

Shkëmbi i Kavajës  

4. PARTHINË PA ASPARAGIUM

Pushtimi dhe robëria Romake mbi Iliri kish rënë rreth një shekull, para vitit 48 Pr. Kr. Mbreti Gent ka qënë i fundit sovran i Ilirise Antike.

Parthinët siç i quan dhe pranon Qezari, ishte bashkësia Ilire, brenda dhe në krahë të së cilës do të zhvillohej kjo ndeshje të madhe. Parthinët e Labeatët në veri kanë qënë aty dhe kanë duruar marrshimet fushatat mësymëse dhe mbrojtëse, e sipas të gjithë gjasave mund të jenë tërhequr në relieve më të lartë dhe më të maskuar.

Rrotull ishte fryma, qarkullonte gjaku Ilir, gjallonte dhe përndizej në ngashërim Dheu i tyre, këtu gurgullonte një gjuhë që s’e dimë ende se ç’trajtë kish e ç’rrënjë në të sotmen shqipe…thellë ishte shpirti që i kërkonte, për të qënë bashkë. Ajo Frymë, sot e kësaj dite, mbetet misteri dhe përmasa e tij, është e pranishme e prapë e pashpjegueshme, siç e thotë Kadare.

Dy Romakët e Mëdhenj ndesheshin, në një Teatër të dyzuar, ku zhvillohej tragjedia e luftës për Sundim në Siparin Romak dhe po kështu, tragjedia e mbijetesës së Dheut dhe Shpirtit Ilir. Studiues të huaj, në mënyrë vijimore, për dymijë vjet e më shumë kërkojnë gjurmë të Qezarit, Pompejt, Antonit…në Iliri. Tek Shkomi i Kavajës, ku ishin vallë, fortifikimet e Pompejt, dhe a ka gjurmë të Qezarit ? Në Romanat ( Romanët) hulumtuesit nga Europa, ngjiten për në Seferan, dhe pak më në perëndim për të kërkuar atë ledhin e madh në Manskuri, ku ndahej teatari i përgjakjes, midis të dyve.

Kërkohen shenja të Asparagiumit…afër Gosës, Çermës apo Rogozhinës…afrohen pak më këndej, tek një fortifikim fushor pikërisht atje ku ndodhet bash Bunkeri Komunist të cilin po e përmbyt deti. Brejtësit, natyrshëm, i ke me vete, aluvionët që vijnë me përmbytje, deti që gërryen, shtegëtime popujsh, kryqëzata, antropologji ndryshimore IliroArbërore, pushtime dhe perandori të tjera, vjen mandej komunizmi, qyetërim i kohës, zaptimi i hapësirave deri këtu tek plazhet dikur të virgjër dhe tash me ndërtime mizore të cilat quhen “zhvillimore qytetore”, me ligjet që çaplehen, me kadastra që tjetërsohen. Sëfundi dhe Mohsat2)

MANASTIRI I ARDENICES

5. DREJT TEMPULLIT TË ARTEMISËS

Ndeshja do të kryhej në troje të Durrësit (Dyrrhachium) krahut jugor të Erzenit ( Arsen), e Romanat ( Romanët ) përfshirë si në një amfiteatër, përmidis radhojve kodrinorë që nisin nga Manza, në kurrizoren e cila zgjatet e zbret deri në Peqin ( Klodiana). Pastaj në përkim me rrjedhën e Genusus ( Shkumbinit ) që vjen më në perëndim, në fushë ku shënohet një qëndër urbane tjetër, me një emër sërish romak, Asparagium. Periferi përmbyllëse por edhe përhapëse, mbetet Deti në perëndim.

Brenda kësaj gjeohapësire që si teh ndriçues ka Durrsin antik, përmblidhen një shumësi pikash të relievit, toponime, herë në gjuhën shqipe, e herë në atë romake që zjarrmojnë në kthetra lufte, mësymjesh, shtigjesh, kalimesh, fortifikimesh, ku dy Romakët e Mëdhenj vendosnin fatin e tyre në troje Ilirike të pushtuara. Egnatia e kish kreun në Durrës, në këtë kryeurë ku do të ishte kulmi i ndeshjes. Ndërkaq pika të tjera: Arapaj, Romanat, Petra ( shkomi i Kavajës), Shmhill ( për Tilaj), Geshnika ( përroi Leshnika , ndofta ) në jug të Kavajës, vijon Darçi në veri të saj, pastaj siç e thamë Deti në Perëndim.

Të dy pikat: Petra ( Shkomi i Kavajës ) dhe Mali i Robit, janë dy karakoje relievi mbi det, që shikojnë njëritjetrin. Lufta ishte e Romakëve, Dheu që vuante ishte joni, këtu ish shpirti dhe rrënja që ruheshin vetiu. Qezari përshkruan kuadrin dhe panoramën e këtij teatri, të cilin për shkak të ndryshimeve të mëdha natyrore në kohë e hapësirë, sot përbën vështirësi në identifikim. Të mbërrije në Durrsin siujdhesor, duhej të zotëroje më parë rrethinat kodrinore, e të hyje gjer këtu do të duhej të kaloje që nga Orikumi, përmes një një fushe të pyllëzuar, lagunëzuar, ku qëndrat e banuara ishin shkëndija buzë Vjosës ( Aos) , Semanit ( Apasus) dhe Shkumbinit ( Genusus) të cilët krijonin Dheun fushor, ku s’kish ura gjëkund dhe Qezari përshkruan vahet ku kalonte ushtria, lagunat, godullat, kënetat trishtuese që zaptonin hapësirën, të mbërthyer në mbretërinë e e pasigurisë. Durrsi ish pikë e fillimit të “Egnatias” së famshme, me lagunën në shpinë, me portat e tij, (i përmend Apiani ) tempullin e Artemisës të cilat kishin rëndësi për mësymejn e Qezarit.

Mali i Robit

6. INTERMEZZO E PARË ME NJË BUNKER KOMUNIST

Studiuesit ushtarakë shqiptarë, kanë përdorur një fjalë të re në fjalësin e termave ushtarake “kryeurë” për “atë mbërritje, kapërxim si mbi një urë, prekje, hedhje në truall, zbarkim bregor, prej hapësirës detare në Dheun Kontinental, si kreu i mësymjes dhe lëvizjes në këtë Dhe që zë të pushtohet e ku fillon teatri i Luftimeve.”

Bëhet fjalë për “kryeurë” të armikut. Fjala është e bukur dhe ngjit, por edhe shumë dramatike, njëkohshëm. Për këtë “kryeurë” fillon odiseja e një kalvari robërues të një formacioni studimor të disa gjeneralëve shqiptarë aty nga fundi i viti 1966, të cilëve iu dha detyra që të studionin Artin ushtarak në përgjithësi dhe t’ia përshtatnin atë Shqipërisë e cila tanimë e kish filluar vetizolimin tragjik. Duhej të përgatitej që me Art Lufte të përballonte rrethimin Imperialisto Revizionist. Teoria e Luftës, strategë të mëdhenj, të të gjithë kohrave, përvoja që s’mungonin, strategji, taktika, fortifikim etj dukej sikur të ishin kaq të afërta dhe kaq të njohura… Bëheshin llogaritë, sërish e sërish dhe ato nuk dilnin, që nuk dilnin…për dreq.

Mos jemi currufjapsur!?” thanë gjeneralët.

Një Shqipëri e cila kish dalë me bujë nga Traktati i Varshavës dhe nuk kish bukë në sofër, nisur nga idelogjia dogmatike marksiste i jepte urdhër gjeneralëve që të gjenin “gurin filozofal” të shpëtimit nga Rrethimi Fantazmagorik. Partija duhet ta gjente këtë, medoemos. Ata shkruanin dhe grisnin. Beqir Balluku vinte vërdallë. “Kryeura” s’duhet të ndodhë. Këmba e armikut nuk duhet të prek Dheun. Në këtë lavjerëës që lëkundej me vdekjen në kolovajzë, provoheshin njëri pas tjetrit grupe, gjeneralë, që në ato pesë gjashtë vjet u futën në labirinthe që s’i kishin hamenduar kurrë me “ teori rrëshqitjeje” ( ato që pranonin “Kryeurën e Armikut” dhe tërheqjen në male.) Pastaj zezona e “Tezave të Zeza” “ teoria e Kalimit” kur vijnë “dy vezët e Beqir Ballukut që goditen me njëratjtrën”, gremina e Petrit Dumes dhe Hito Çakos e pas saj…një katrahurë ushtarake.

Gjithçka kishte lidhje më qënien dhe mosqënien e Kryurës. Mehmet Shehu, futet në lojën e zgjidhjes dhe të moszgjidhjes, si të ishte një krijim orgjinal “ gati “Guri Filozofal” i përballjes me Koalicione Armiqësh…dhe….dhe…ja një prej pjellës së Projektit Bunkeror të Fanarit Ndriçues si Shqipëria e mallkimit… ky Bunker i Artilerisë së Rëndë, i vendosur këtu, me qëllim që asnjë mjet luftarak, asnjë frymë e këmbë pushtuesi, të mos gjallonte në breg, të asgjësoheshin atje në thellësi.

Ky Bunker që po jep shpirt se nuk shtiu asnjë predhë në jetën e tij me Topa të Mëdhenj. Ai ka mbetur një ulok. Këtu, në breg, ka pasur disa “Kryeura” si ajo e Flotës së Pompejt deri ditën e pushtimit fashist në datën 7 prill, në të gdhirë, pati edhe dy Kryeura të vogla njëra tek Shkomi i Kavajës dhe tjetra tek Mali i Robit. Fashistët bënë ritin luftarak të pushtimit duke e goditur me çekanin e kohës historinë e Dheut tënë… Ismail Kadare ndjehet keq me veprën e tij, të shkruar në buzë të Bunkerit që po mbytet dhe në këmbë të një kodrine, ku Jul Qezari bënte Rekonicion atje ku është ndërtuar vila e shkrimtarit të madh.

7. SHKOMI KAVAJËS, MANSKURI, AGANAS, GESHNIKE

Në njërin prej momentet, ndofta nga më vendimtarët për fatin e Betejës së madhe, dy kodrinat bija të Detit e Dheut Ilirik, ishin bërë bazë e dy Romakëve të Mëdhenj: Petra ( Sasso Bianco = Shkomi i Kavajës) i famshëm për pamjen e tij skulpturore natyrore kundruall Detit, ishte pozicioni i Pompeius, ndëkaq, mali i Robit, bashkëshkrirje dy gjymtyrësh në një hark rrethi me rreze 5.5 km për nga drejtim të detit, ishte për Qezarin. Nga thellësia e kodrave teatri luftarak përfshinte pothuajse të gjithë rrjedhën e ujrave prej Manskurije, Seferan, Kanaparaj, Berberaj dhe Aganas. Këtu ishin pozicionuar dhe lëviznin kohortat dhe legjionet romake.

Legjoni IX siç mendonte Qezari nuk duhej t’i shqitej buzëdetit e bëhej fjalë rrotull Robit. Shtrirja e krahëve deri në Tile e kodrat e saj i kërkonte me insitim Pompej. Legjioni IX ishte përcaktues për pushtimin e kodrave para Pompejt. Rruga ishte pak a shumë kjo : Seferaj, Kodër Koçe, Paljemoh (përmbi Golem). Njëra nga kolonat Pompejane, kishte zaptuar kodrat e Tilajt, para se të vinin Qezarianët. Një kolonë e tretë u vendos, pastaj, në Malin e Robit.

Pas disa ditësh sipas rrëfimit të Qezarit, ai u ndodh në fushën e Betejës për Durrësin ku ishte dhe synimi i asaj lufte. Kapërxeu muret rrethuese duke u shtrirë edhe në veri. Mos harroni se e gjithë fusha e sotme e Durrësit ka qënë laguna e tij. Ai luftonte në istmin verior ( Durrësi kishte dy hyrjE , dy istme që e lidhnin me dheun në thellësi të lindjes ) U zhvendosën forcat në thellëi të vargut kodrinor dhe teatri luftarak u zgjerua me synime strategjike. Kulmi ishte në lartësinë 256, përmidis Manskuri dhe Seferaj. Në Seferaj, Qezari, kurse në Tile, Pompej. Në rikthim në Durrës, siç e thonë studiuesit, kjo betejë, paraqitet në qasje moderne në tërë panoramën e saj.

Lufta më vonë u zhvendos në zonë jugore të vijave Cezarjane, në fushëtirën ndërmejt Lumit Geshnike ( kështu e quajnë për atë kohë ujëshumë, sot ai është përrua) duke qëndruar këtu tek Shtëpia e Kadaresë, në drejtim të jugut, jo më shumë se 650 metra ishtë atëherë rrjedha e lumit.

Këtë pyll të dikurshëm e përmend vet Cezari në veprën e tij. Ai ndodhej në majë të kodrinës së Robit, e të dhënat i merrte nga zbuluesit. Këtu përmenden edhe zbulues që lëviznin në fushëbeteje por edhe pirgje të ngritura “castellis” për të vëzhguar. Në një largësi prej 750 metrash ndidheshin Pompejanët të cilët u sulmuan në befasi. Qezari rrëfen në veprën e cituar se ai udhëhoqi vet 33 kohortat e tij, kundër kampeve të Pompejt. Ai shfrytëzonte të gjithë vendstrehimet që paraqiteshin. Ishin dy grupe sulmi: i majti dhe i djathti. Grupi i djathë kishtë detyrën “rrethuese” duke kaluar prej tij deri në Geshnike e pastaj të sulmonte nga anash dhe nga prapa. Kjo kolonë e mbrojur nga drunjtë e pyjeve të lartë, duke mos patur një vëzhgim të qartë, u ndodh para ledhit dhe dheut të ngritur.

Në krye të kolonës ndodhej kavaleria e cila e kish kaluar të çarën, duke i prirë këmbësorisë. Këtu në Geshnike, ndeshja pati n jë ç’orjentim të madh vetëm për faktorin e pamjes dhe mosorjentimit. U krijua një gjendje paniku. Qezari dhe urdhër për tërheqje.

8. INTERMEZZO ME MOHSA2

Ardhja e Qezarit në Iliri, ka një fillesë gati mitike. Nuk është dashuri me një pushtues Perandorak as për t’i thurur lavde dhe ringritur legjendë, se ai nuk ka nevojë për to, por për t’i thurur himn Detit e Dheut Ilirik në kërkim të rrënjëve të gjakut të ëndrrës…tek gishti dhe maja e penës dhe e shpatës së Qezarit kur rrëfen për Parthinët. Jemi shumë herët për të folur për Kombet. Jemi në prani të Qezarit, orjentohemi, vijmë në po ato Dete, Dhera, Lumenj e Qafa ku marrim pika orjentimi të përbashkëta. Këtu u shkruan kumte të mëdha si gjurmë në letërnjoftimin (ID-së ilire të paraKrishtit).

Mohsi i Madh, Sali Berisha, shpërillës ndaj kombit të vet, me pankarta të mëdha hiqet si Nacionalist dhe nga vepra projekton të shesë hapësira detare, përmidis Korfuzit dhe Rrugëve të Bardha poshtë Qafës së Llogorasë, aty ku zbriti dikur Qezari. Është historia që ngjitet ashtu njëshkolonë drejt Qafës së Llogarasë. Ky Mohs blasfemoi mitin e Eneas në Sarandë dhe Buthrotis. Ishte ai që hapi tunelet dhe rezervat e armëve e municioneve luftarake ndërsa kishin rënë piramidat dhe ai që barutin komunist e përflaku prej makutërisë.

Një Mohs tjetër na thotë “ Hë lëre atë! Ç’është ai trekëndesh në det. Për ca peshq ! “ Të tjerë nxjerrin gjuhën tek takohen… Kadare me Qezarin, në Parakrisht e Paskrisht, njëherej, sepse mitin ata e quajnë dukuri e tejkaluar trillim dhe ëndërr, ngrejnë pluhurnajë e zhurmë shurdhuese… kur s’mund ta pranojnë përdëllimin ndaj këtij Dheu Kontinental Arbëror kur na vijnë histori, dëshmi, rrëfime shkrime të vet Qezarit, Plutarkut, Apianit etj.

Mohsat janë pjesë e “vetvetes shqiptare” për të grryer atë vetvete, duke çuar në “rrezik të zbehjes” ( shiko Kadare, “Mosmarrëveshja”) që mund të thuhet edhe …“fazë e parë e shuarjes” sikur të qe, një funebër e vërtetë, të sulmosh gjuhën shqipe, zanafillën ilire të Arbërorëve, Gjergj Kastriotin, Nënë Therezën deri tek UÇK-ja me ndajshtime skizofrenësh. Kjo është xanxa e shqiptarofobëve, për të dëmtuar kombin e tyre.

“ Si janë shqyptarët dhe Shqypnija ?’ “ pyet vetveten Fishta dhe Djalli i përgjigjet: “ Si i don Anmiku ” Ndërkaq Jul Qezari i veshur tebdil lundron para 2061 vjetësh përmes Lumit Seman për të mbërritur në deltë pranë Karavastasë.

9. “MOS U TREMB. ME VETE KE QEZARIN DHE FATIN QË TË NDJEK PAS.”

Gjithaçka që përshkruhet këtu, nuk është fantazi po një përshkrim mbresëlënës, bartur nga Apiani ( shiko II.56, po kështu lexo: tek G. Veith ). Këtu është dhënë në ligjërimin e gjedhes shqipe rrëfenjore, të thukët. Ngjarja shtjellet në Dheun e Ilirëve Parthinë ( Pardhinë = Të bardhët.) në lumin Seman ( Apsus). Fushimi i legjioneve ishte vendosur në rrëzë të kodrave të Urës së sotme të Kuçit, në breg të Semanit ( Apsusit)

…. Qezari befas jep urdhër që të përgatitej një barkë, ndër më të mirat, nga ato që mund të lëviznin lirshëm, për të vëzhguar brigjet e lumit. Ishte koha për të të shkuar në mensë, për të ngrënë darkën. Errësira kish zaptuar thyerjen e lumit. Ndërron veshjen e tij të njohur. Po kësilloj, bën edhe me pamjen e flokëve. Vesh një pelerinë të thjeshtë kundër shiut dhe erës. Barka ishte shumë afër hyrjes së mensës, që gjendej në anë të kthesës së Semanit. Barkëtari kish marrë urdhër që të nisej në mision vëzhgimi, me një zbulues ( …kështu kish njoftuar përgatitësi i misionit.) Qezari hyri me të shpejtë në barkë pa bërë zë. Lloha mbi lum sëbashku me erën e sillnin kanosje të natyrës që duhej marrë parasysh, ndërkaq barkëtarit iu bë shënjë që të vijonte misionin, se vetëm kështu nuk do të pikaseshin nga armiku. Anija e vogël, mori rrugën me shpejtësi mes lëkundjeve edhe më të mëdha, drejt perëndimit, ku turrej lumi Seman, në grykëderdhje, pranë Lagunës së Karavastasë.

Deti që u hap në deltë ishte në një trazim edhe më të madh. E gjitha dukej si një çmenduri e vërtetë, sepse as një gjurmë flote nga Pompej nuk dallohej në det, e as hëna Ilirike nuk dukej gjëkund; veç kaësaj nga çasti në çast barka mund të përmbysej. Qezari fshehurak i “ tjetërsuar” në mes të barkës, nxinte më shumë se nata lagunore. Ai e kish marrë një vendim. Meqënëse nuk po dukej flota armike, Romaku i trillit i vetoi në mendje për t’u nisur drejt e në brigjet Apenine, për të marrë pjesën tjetër të flotës që i kish mbetur atje. Barkëtari po rrebelohej, duke sharë. Qezari me të shpejtë zbuloi pak kryet dhe i tha: “ Mos u tremb. Me vete ke Qezarin dhe fatin që të ndjek pas.”

Janë fjalë yjore po dhe kaq njerëzore të vullnetmadhit Romak, pasqyruar, tanimë, në literaturën memorialistike të gjithë botës. Këto u thanë në Deltën e Semanit dhe Semani i mban mend. Tallazi i Detit Ilirik ishte si Cunam. S’mundi t’i dilte mbanë drejt brigjeve nga kish Dheun e tij, ndaj u kthye sërish në antirrjedhë të lumit, nga QezarMit në QezarNjeri.

10. EPILOG ME MALIN E ROBIT DHE EMBLEMËN E DIKURSHME

Nga Vila e Kadaresë dhe Bunkeri komunist, deri në Gosë tërhiqeshin, gati në shpartallim dhe tërheqje Legjionet e Qezarit. Deri këtu nuk është më shumë se një vrap pele. Kurse në histori përbën dy mijëvjeçarë.

Këtu në Gosë nuk kish mbërritur ende fisi i idhnakut Gjon Muzaka ( një nga Inspiruesit e Mohsave Arbërorë) që e kish rrënjën dikund në Malësitë e Oparit. Në kapërxim të Gensusit ( Shkumbinit) Ismail Kadareja ecën që tash dymijë vjet përmes legjioneve të fjalëve shqipe. Atë e çuan për “ të nohur jetën” , për t’i mësuar fjlaën e re “autokritikë” tek rrjedha e fundme e Semanit, përmidis Kolkondasit dhe Karavastasë, pikërisht aty ku ky lum nxori në bregun e shelgjishteve dhe zhukës, trupin e Shën Kozamit.

Instruktori i Komitetit të Partisë i fliste: “Shoku Kadare, do të shkoni në një mbremje dëfrimi me çupat e Agimit” ku vajza më e bukur e Kolkondasit ish porositur të kërcente me të. Po Kadarea kish në mendje shtegëtimin i një Embleme… sikur zbriste nga hëna e Oparit dhe Gorës, në kërkim të Heraldikës së Muzakajve.

Një simbol i jashtëzakonshëm, i rrjedhës së dy shatrivanëve, (jo të buronjave ujore), por të naftës. Nuk dihet me siguri, në ish naftë në vetrrjedhje apo serë e zezë, shtresë e lëngshme bituminoze. Që nga lashtësia vjen dëshmia e shkruar për Nymfeun që digjej mbi Dhé. Se, siç e thotë ëndërra arbërore e transmetuar gjer më sot, …një lum nafte i nëndhëshëm fillon në një zgafellë gjeologjike, poshtë fushave naftëmbajëtëse të Rumanisë, duke përshkuar pothuaj gjithë Ballkanin dhe në një shtresë fatsjellëse ngrihet në një nivel më të epërm, sapo hyn në Arbëri në krahë të Manastirit të Ardenicës si një kumt i lumit i qasjes së tij kurrizore, poshtë nja tremijë metrash. Nuk është Marinëza, që mori flakë në vitin 1959, por një shtresë gjeologjike shumë më e thellë. Kumti u provua me një çpim të thellë, por lumi nuk e dha veten dhe ndërroi mendje. Sipër erdhën dëshmi të shtresës së kapur me gjurmë nafte por që e fshehu sërish bishtin. Apo është, lojë e saj, sikundër dhe shtegëtimi i Semanit i cili për dymijë vjet ka turfulluar nga njëri skaj në tjetrin.

Naftëkërkuesit shqiptarë e thonë se nëpër një ndezulli mitike kurrizi i lumit të naftës afrohet pikërisht në Kodrën e Ardenicës, atje ku u bë Kurorëzimi i Donikës së Arianitëve me Gjergj Kastriotin. Çifti vinte nga Kanina, më 21 prill 1451, shoqëruar nga Princat shqiptarë, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri. Ata po udhëtonin nëpërmjet rrugës së “Muzakies” nga Kanina në Ardenicë në një Ceremonial festiv gjitharbëror të cilin Idhnaku i Muzakajve e shmang. Ata e përshkonin të njëjtën rrugë që bënë dikur Legjionet e Qezarit në tërheqje, për të mbërritur sa më parë në Apolloni.

Qezari ulërinte por kokën nuk e kthente pas. “Mos e kthe!” i thosh vetvetja. I vetoi në mëndje vetvrasja, në buzë të Apsusit ( Semanit) siç do t’i vinte, kësilloj, edhe në Betejën e Spanjës. Herë futej në vorbull ujore e herë dilte sipri. “Mos e kthe kokën pas! “ thosh prapë fanitja. Mortja iu shfaq përsëri edhe gjatë natës. …Pompeu kish bërë gabimin fatal por ama, i kish dhuruar jetë armikut të tij, kur nuk e kish ndjekur në rrëzë të Malit të Robit, ndërsa Qezari tërhiqej në një lëmsh alarmi të jashtëzakonshëm. Nymfeu flakërinte në jug të Apolonisë apo më tej rrjedhës së Aosit ( Vjosës) (ndofta në Selenicë ).

…Tek buza e bunkerit komunist që po e gëlltit Deti, qielli i Ismailit nuk e ka dritësimin e duhur, ndërkohë që përfytyron “ një Brilant të Madh të Bashkimit Europian miliarda herë më të çmuar se çdo pasuri i varur në këtë qiell…” me heraldikën e Muzakajve në Emblemën e Dikurshme. Ashtu sikundër edhe Qezari, ai nuk e ktheu kokën pas. Në revoltën artistike dhe metafizike penetron ndërgjegjen, prej Ferri Dantesk deri tek Njeriu = Rob në Malin e Robit.

Thotë Ismaili më pas “…Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, Shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt original… Ishte njëlloj mbretërie e vdekjes, ku në mes ishim ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë e jona gjendej ndërkaq matanë në kohën që ne ndodheshim këtej…ngrirja e kohërave, ecja e tyre mbrapsht, mbetja në vend. Ishin aty makthet, përpëlitjet e ndërgjegjes, mungesa e shpresës. …me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk”. (Ismail Kadare: “Ftesë në studio”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 175-176).

1) çamur= rrëmujë
2) Mohsa = Mohues, fjalë Kadareane, për të gjithë ata që mohojnë Dheun, gjakun, frymën dhe shpirtin, historinë, traditën, e Kombin Arbëror.
3) ” Ipse prosperrime semper ac ne ancipiti quidem umquam fortuna praeterquam bis dimicauit: (a) Semel ad Dyrrachium, ubi pulsus non instante Pompeio negauit cum uincere scire,. “(b)- Iterum in Hispania ultimo proelio eum desperatis rebus etiam de concis cenda nece cogitauit..” – “Ai luftoi gjithmonë me shumë sukses dhe kurrë nuk e pati fatin e keq e të dyshimtë me përjashtim të dy rasteve: (a) në Durres kur ai u zmbraps, duke menduar se Pompeu i Madh nuk po e ndiqte nga pas, të cilit i kishte thënë… se ishte i paaftë të fitonte me të. (b) në Spanjë ,gjatë betejës së fundit, kur gjërat morën kthesë për keq, ai mendoi te bëjë vetvrasje…”

MYSLIM PASHAJ