Jua bëj më keq se në 21 janar….

0
35

Dr. Migena Aleksi

Votimi për anëtarin e ri të KLD, për disa ishte nje test për aritmetikën e mazhorancës në parlament, për të tjerë ishte një provë gjenerale për votimin e ardhshëm për Presidentin. Ishte padyshim edhe shpërtallja e radhës me pandehmën se Berisha do të lejojë ndonjëherë një votim për të cilin është i bindur se nuk e fiton. Me të drejtë u komentua dje se Berisha e dëshmoi hapur që nuk do të lejojë në asnjë rrethanë të bëhen zgjedhje të cilat mendon se e nxjerrin të humbur.

Por, mbi të gjitha ngjarjet e së enjtes në Kuvend, do të memorizohen për episodin shpërthyes në fund të seancës. Në një video e cila është realizuar me celular deputeti Taulant Balla, shihet kryeministri i vendit që lëshon nga podiumi i Kuvendit fjalët: “E provuat më 21 janar. Doni ta provoni përsëri? Këtu jam, jua bëj më keq se më 21 Janar”.

Kush vrau dhe pse u vranë demonstruesit e 21 janarit ka qenë e qartë që prej fillimit. Ky krim i asaj dite kur siç thotë Kadare “në skenë u thirr vdekja”, ndodhi në sytë e mijëra dëshmitarëve dhe në fokusin e dhjetëra kamerave. Gjatë muajve që pasuan, ky kryeministër u përfshi personalisht në pengimin e hetimeve, në spekulimin me kronologjinë e ngjarjes, e më pas dolën në dritë provat me ndërrim tytash, prishje gjilpërash e fshirje serverësh.

Por thirrmat e tij të enjten në Kuvend janë prova më e qartë që 21 janari nuk ka lidhje me të ashtuquajturën “përgjigje ndaj dhunës”, me historitë me puce fantazmash apo shëmtinë fyese të marrëzive me çadra pistoletë. Kryeministri pohoi se 21 janari ishte një krim me paramendim. Prandaj u qëllua ndërkohë që demonstrata ishte shkrehur, prandaj u qëlluan njerëz me duar në xhepa, prandaj u qëllua pas shpine një turmë në ikje.

Vrasjet dhe terrori i mëpasëm mbi protestues e kalimtarë në bulevardin e Tiranës nuk kanë patur lidhje me atë që ndodhi në demonstratë, por me atë që nuk duhej të ndodhte më pas. E pohon kryetari i Këshillit të Ministrave dora vetë. Pohon se ka vrarë me skenarin e qartë për të frikësuar dhe nënshtruar opozitën dhe se është i gatshëm ta bëj përsëri. “jua bëj më keq se në 21 janar…” (!)

Dhe opozita në fakt është nënshtruar. Asnjë opozitë në botë nuk do tërhiqej pas 21 janarit. Asnjë opozitë në botë nuk do ti lejonte vetes ti thoshte popullit të vet: tani, pasi ju vranë dhe ju përdhunuan, dilni e protestoni vetë. Asnjë opozitë në botë nuk do hiqej për hunde kështu gjithë këta muaj shkatërrues për vendin. Kjo nuk ka të bëj me stilet, fjalimet, mënyrat, apo qoftë edhe programet. Ka të bëj me zemrën. Opozita për fat të keq nuk ka zemër.

Për këtë shkak aftësia e saj për të krijuar frymë, për të ngjallur realisht shpresë përballë dikujt që jo vetëm vret e dhunon por edhe guxon ta shpallë botërisht autorësinë e krimit, lë shumë për të dëshiruar. Mbi të gjitha është e trishtueshme ajo nuk arrin të kuptojë se shkalla e kurajës civile të qytetarëve varet nga veprimet e saj, dhe jo e kundërta.