Ju thashë që Olldashi nuk ka faj!

0
24

Nga Mero Baze, 16 Nëntor 2011

Para gati një muaji gazeta Panorama ngriti një stuhi ndaj Ministrit Olldashi, i cili realisht kishte nënshkruar një kontratë monopol me një kompani të grupit Ulaj, të cilës i jep të drejtën të çajë gjithë rrugët e Shqipërisë në drejtim të pikave doganore dhe të shtrojë në to një rrjet të fibrave optike që do të përdoren për transmetim të dhënash dhe lidhje me vendet fqinje. Gazeta kishte të drejtë në shumë pika, sidomos në faktin që kontrata ishte monopol, që rrugët po prisheshin siç u prishën pa paguar asgjë kompania, dhe mbi të gjitha kishin të drejtë në historikun e asaj kontrate, e cila kishte ardhur pasi u ishte anuluar një kontratë e ngjashme katër kompanive të tjera që e kishin lidhur ndërkohë një kontratë të tillë. Shkeljet e Olldashit ishin flagrante dhe të frikshme për nga guximi për t’i firmosur. Deri këtu gazeta shkoi mirë.

Problemi që unë ngrita në atë valë polemikash ishte se sulmi i Panoramës nuk ngjiste, pasi nuk thoshte autorin e vërtetë të asaj kontrate. Ai ishte Sali Berisha, pasi kompania përfituese është thuajse pronë e Familjes së tij, ose më mirë të themi bashkë me kompaninë jetojnë në të njëjtin pallat ku ai ka disa apartamente për Familjen.

Pas kësaj fare papritur polemika u shua, Olldashi u shfaq në një debat thuajse kompromisi në një ekran të pushtetit dhe gjithçka u harrua.

Paralel me këtë projekt privat të Familjes, Ministri Pollo kishte shpallur një tender publik për të ndërtuar diçka të ngjashme. Përplasja me projektin e kompanisë që kishte favorizuar Olldashi, e detyruan Pollon disa herë të shtynte tenderin deri sa më në fund e bëri. Dhe përfundimi ishte më tragjikomik. Edhe këtë projekt e fitoi si konkurrente e vetme kompania Gener 2, pronë de facto e të njëjtit person që ka përfituar dhe projektin e firmosur nga Olldashi.

Pra, debati që ngrihej në fillim ishte pse ky biznesmen të kishte monopol për 40 vjet për një biznes që ka të bëjë me sigurinë tonë kombëtare, dhe pse binte ndesh me një projekt zyrtar të qeverisë siç ishte ai i zotit Pollo. Si për ta shuar këtë kontradiktë dhe për të na treguar të gjithëve se kur ka problem qeveria me Familjen, çështja zgjidhet duke vendosur Familja, Berisha ia dha të dyja shanset një njeriu, njeriut në pallatin e të cilit banon.

Kjo i shpjegon të gjitha. Shpjegon pikë së pari pse u hesht fare papritur ndaj Sokol Olldashit, i cili realisht kishte bërë shkelje skandaloze në atë kontratë më shumë se klienteliste. Shpjegon faktin pse Ministria e Ekonomisë “nuk gjeti” shkelje në kontratën e Olldashit dhe mbi të gjitha tregon faktin pse “disidenti” Pollo futi bishtin në shalë dhe i harroi të gjitha duke ja dhënë dhe ai nën shembullin e Olldashit këtë biznes të njëjtit njeri.

Kjo është një situatë më shumë se skandaloze. Pas disa vitesh kur Berisha s’do të jetë më në pushtet, kompania e tij do të jetë banka e të dhënave për gjithë shqiptarët, do të na transmetojë të dhënat tona në banka, në internet, në lidhjet telefonike e televizive, pra do të jetë “Big Brother-i” që do të na vëzhgojë jo vetëm pas qeverisë, por dhe përtej varrit. (Vetë ka premtuar që do jetë dhe tridhjetë vjet, kurse kontratën e ka bërë dyzetë vjet).

Por kjo është një histori që dhe mund të ndryshohet nga ndryshimi i pushtetit, jo domosdoshmërisht duke i rënë më qafë këtij investimi vetëm pse është i Berishës, por për ta liberalizuar dhe për ta hequr monopolin si koncept ekonomik nga Shqipëria.

Ajo që nuk korrigjohet për momentin është përunjësia e turpshme e çdo individi ndaj një biznesi të Familjes Berisha. Olldashi, që ka mundësi të jetë afër Berishës dhe që ja lexon në fytyrë dëshirat, firmos pa frikë një kontratë skandaloze, Irfani që ka keqkuptimin që është me Doktorin e sulmon, dhe kur shikon që në vend që të kapë Olldashin, ka kapur Berishën, fut bishtin në shalë dhe ikën, Pollo në fillim reziston se mendon që po bëhet biznes pa “dijeni” të Berishës, por kur ndesh vështrimin e tij pyetës, tërhiqet dhe ai me bisht në shalë e ia jep dhe ai tenderin e vet të njëjtit njeri.

Kjo është një situatë e papërfytyrueshme dhe për vende si Bjellorusia apo ndonjë ish- republikë sovjetike ku gjithçka i takon sulltanëve të rinj. Dhe mbi të gjitha dëshmi se këtu Berisha nuk ka nevojë më të urdhërojë, mjafton që ata që janë rrotull ta kuptojnë se ç’duhet të bëjnë. U thashë qysh më herët se Olldashi nuk kish faj që nuk trembej nga Panorama. E takon më shpesh Doktorin se Irfani.