Mustafa Nano
Zululand
Në Shekullin e para tri ditëve u publikua një lajm, i cili na bënte me dije që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka shpërblyer veten me një pagë mujore extra, që kap shumën 73,2 mijë lekë. Ç’është kjo pagë extra? Janë dieta që Jozi ia jep vetes si shkodrane që punon në Tiranë, d.m.th janë pará, të cilat një nëpunësi të shtetit shqiptar i lipsen për të përballuar koston e jetesës në rrethanat kur punon larg shtëpisë. Mirëpo, nga e njëjta gazetë marrim vesh që Jozi jeton në Tiranë. Madje, ajo na e paska shtëpinë në zonën më chic të metropolit, mú në mes të Bllokut. Dhe janë të shumtë ata, që e konfirmojnë këtë pretendim të gazetës së Kokëdhimës.
Epo si është e mundur, atëherë? Ja, këtë pyetje kam ditë që ia bëj vetes, duke mos qenë asnjë çikë në gjendje të kuptoj se si Kryetarja e një Parlamenti mund ta lëshojë veten në nivele kaq banale të abuzimit me postin. Më provokoi – përveç të tjerash – një si déjà vu të shpifur kjo ngjarje. Kanë kaluar më tepër se njëzet vite, por e mbaj mend si të ketë ndodhur sot veprimin e një tekniku të telekomit, i cili vinte çdo muaj tek unë (isha inxhinier në telekom ato mote) duke mbajtur në duar formularë shërbimi të mbushur me informacion të rremë lëvizjesh nëpër fshatra. I duhej firma ime; ndryshe, financa nuk i jepte dieta. Ishte tekniku më hileqar, më dembel, më llafazan e më i paturpshëm i ndërmarrjes.
Dhe ja, puna e sjell që njëzet vite më pas, veshi të më zërë prapë një histori me lëvizje të trukuara medemek jashtë vendit të banimit, e me dieta të përfituara si shpërblim për këto lëvizje. Por këtë herë nuk janë në lojë teknikë telekomi; bëhet fjalë për Kryetaren e Parlamentit shqiptar, e cila ka shtënë në punë një mekanizëm më vulgar sesa tekniku “im”. Ky i fundit thjesht shtonte ndonjë lëvizje më tepër në hartën e udhëtimeve të shërbimit, që njimend i bënte. Ndërsa Jozefina jonë stis udhëtime që kanë për destinacion qytetin, ku ajo praktikisht banon!!!! Dhe përfiton një dorë të mirë lekësh.
Kam pritur (si shumë të tjerë), që Topalli ta përgënjeshtronte këtë lajm. Kam qenë i sigurt që do ta bënte këtë gjë. Kam dashur, madje, që ta bënte, pasi më dhemb kur përfytyroj personalitetin numër dy të shtetit tim duke plotësuar e nënshkruar formularin e dietave me të dhëna të rreme. Të kuptohemi, nuk kam një mendim të mirë për të, por kjo nuk do të thotë se kam menduar që ajo mund të merret me marifete financiare 20 qindarkëshe. Përkundrazi – po e përsëris – jo vetëm s’e kam menduar, por as e kam dëshiruar. Prandaj, do të gëzohesha pa masë, nëse ajo do ta përgënjeshtronte këtë lajm.
Ju lutem, bëni një përgënjeshtrim, zonja Topalli!