Nga programi i I. Babaramos
Në takim me krerët e policisë
Berisha ish ftuar në televizionin News 24. Në Programin e Babaramos. Dhe aty u fol dhe për incidentin midis një oficeri të lartë të policisë dhe zv.ministrit të rendit. Më poshtë është pjesa e intervistës që ka të bëjë me këtë çështje. Me ca paranteza të mijat.
Pyetje: Duket një fushatë shumë e tensionuar, pse është e tillë?
Përgjigje: Unë dënoj kategorikisht çdo akt dhune. [Këto incidente] një festë ndër më të bukurat periodike kushtetuese që është fushata elektorale, e cenojnë, e dëmtojnë, e shëmtojnë. [Sa i shtruar është ky kryeministri ynë! Sa i arsyeshëm! Sa të drejtë ka, teksa thotë këto gjëra!]
Pyetje: Çfarë roli do të kenë forcat e Rendit? Zoti Prençi pretendon se ka marrë një urdhër të paligjshëm nga zv.ministri i Mbrojtjes “për të shtypur militantët e PS-së në Bathore të dielën”.
Përgjigje: Ky është një proces në hetim. Të dy palët kanë paditur në Prokurori njëri-tjetrin, le të hetohet. Si është? Një gjë është e sigurt, që policia ka vetëm një urdhër, të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është porosia e prerë që drejtorit të Përgjithshëm, ministrit në detyrë, i është lënë nga Kryeministri i vendit. Një gjë është e sigurt, ata kanë zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme.
[Sa respekt ka kryeministri për organet e hetimit e për prokurorinë! Ky i jep llapës për të na shpjeguar e rrëfyer një puç të tërë fantomatik, që u krye nga medemek lavire e horra bulevardi me thika me helm e me stilolapsa-pistoleta, dhe e mban llapën kur është puna që bëhet një denoncim i qartë nga brenda policisë. Dhe në fund na thotë një gjë shumë të sigurtë: policia jonë zbaton ligjin në mënyrë të paanshme]
Pyetje: Ju keni kërkuar shpjegime nga dy protagonistët e kësaj ngjarjeje?
Që të dy më kanë dhënë shpjegime. Njëri me shkrim, tjetri me gojë, që të dy janë adresuar në Prokurori, le të bëhet hetimi. Jo vetëm në Prokurori, por edhe në mënyrë administrative dhe do të dalë e vërteta. [Këmbëngul Babaramo, këmbëngul dhe Berisha. “Të hetohet”, thotë. Sa respekt ka ky njeri për procesin e pavarur hetimor!]
Pyetje: Çfarë shpjegimesh ju ka dhënë zoti Premçi?
Përgjigje: Deri sa zoti Prençi i është drejtuar Prokurorisë dhe zoti Peka po ashtu, lë të lemë Prokurorinë të hetojë. [Prokuroria? Dmth prokurorët e asaj puçistes së bulevardit? Heu, por qyshkur kështu?]
Pyetje: Po Prokuroria mund t’i zgjasë hetimet pa fund. Kemi një fushatë elektorale, çfarë garancish kemi që zoti Peka nuk do të japë më urdhra të paligjshme?
Përgjigje: Të plota garancitë. Të gjitha veprimet e kryera në të gjitha rastet kanë qenë thellësisht ligjore, tërësisht apartiake. Kjo është e vërteta jashtë çdo lloj zhurme, veprimet që janë kryer në të gjitha rastet, kanë qenë tërësisht ligjore. Unë kam besim të plotë se policia do t’i përmbahet ligjit. [Në këto rrethana na duhen garanci, dhe kryeministri nuk përton të na i japë “të plota”. Ka mbi njëzet vjet që na thotë “unë ju garantoj juve”]
Pyetje: Zoti Peka çfarë shpjegimesh ju ka dhënë, e ka mohuar të ketë dhënë një urdhër për të çuar këto forca në Bathore?
Përgjigje: Çështja është në hetim, gjersa është në hetim nuk besoj se është çështje për t’u diskutuar në media dhe nga Kryeministri i vendit. [Hm, Babaramo kërkon ta zërë mat e ta fusë në kurth, në mënyrë që ai të çbalancohet e të thotë ndonjë gjë, që do kompromentonte procesin e hetimit apo qëndrimin e tij. Por kryeministri ynë është i kujdesshëm; pastaj, të gjithë e dimë, se ai nuk fut hundët në punët e organeve të tjera kushtetuese. Apo jo?]
Pyetje: Zoti Prençi vërtetë është një polic në profesion, por ka qenë anëtar i Partisë Demokratike, anëtar e Këshillit Kombëtar të saj, i akuzuar për ngjarjet e 14 shtatorit. Nuk njihet si një polic militant i së majtës, ka qenë me të djathtët, si ka mundësi që akuzoi eprorin e tij?
Përgjigje: E vërteta është se eprori i tij, drejtori i Policisë së Tiranës, ka mbajtur një qëndrim ligjor dhe të paanshëm. Se çfarë është zhvilluar dhe se si ka ndodhur midis ministrit në detyrë dhe zotit Prençi, kjo do të qartësohet dhe do të hetohet. [Këtu e nxorri pakëz kokën. Mbajti anë. Mori në mbrojtje Pekën, atë që ka dhënë urdhër të “shtypen militantët e opozitës”. Nëse s’do e kish bërë këtë gabim, intervista do ish e përkryer, e panjollë. Siç i ka hije atij vetë.]
Pyetje: Opozita kërkoi shkarkimin e zotit Peka.
Përgjigje: Opozita ka të drejtat e veta. [Sic!]
Pyetje: Ju do ta dëgjoni këtë kërkesë?
Përgjigje: Jo nuk kam asnjë arsye. Çështja është në hetim. Kaq është e gjitha. [Mund të bëj një koment timin? Problemi është shumë i thjeshtë. Ka dalë një zyrtar i lartë i policisë së Republikës, dhe denoncon zv.ministrin që ka dhënë një urdhër “për të shtypur socialistët e Bathores”. Në këtë mes nuk ka se çfarë të presësh. Prokurorët kanë punën e tyre, sigurisht, por ndërkohë nuk do ish keq që zv.ministri të pezullohej. Ose le të pezullohen të dy në pritje të përfundimit të hetimit. Pse? Për të mbrojtur nderin e policisë. Për t’mos e komprometuar këtë të fundit në këtë fushatë të tensionuar elektorale. Mirëpo Berisha s’ka për të ecur kësaj ane. Ai ka logjikën e vet: “Një bandit nuk është bandit nëse i shërben atij. Kushdo tjetër që denoncon banditët e tij është bandit]