Jozefina Topalli, si nuk drejtohet një Kuvend

0
45

Nga Blerina Gjoka

Për herë të parë në një progres-raport të Komisionit Evropian për Shqipërinë, në kritikat që i bëhen institucioneve, përmendet me emër dhe kritikohet, të paktën në një paragraf të plotë, një titullar institucioni. Zakonisht zyrtarët evropianë ruajnë një lloj etike dhe gjuhe diplomatike në kritikat e tyre, duke u rezervuar në emrat konkretë e duke ecur gjithmonë me motivin “këmbanat bien për ata që kanë veshë”. Por, në raportin e së martës, ata s’janë mjaftuar me tam-tam-et e daulles kur kanë kritikuar funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë, por kanë etiketuar Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli si problemin kryesor të këtij institucioni deri në konstatimin se është shkelur Kushtetuta e vendit nga drejtimi i saj. Komisioni Evropian ka parë nga rekordet e punës së zonjës Topalli një shembull konkret se si nuk duhet drejtuar një parlament i një vendi demokratik.

Nga raporti, i shkruar e zezë mbi të bardhë dhe me një gjuhë që Zonja Topalli e flet mirë, kuptohet se Kuvendi i Shqipërisë këtyre zotërinjve evropianë vetëm si një Kuvend nuk u ngjan. Në këtë Kuvend që e drejton prej 5 vitesh nënkryetarja e PD-së, nuk ka kontroll mbi ekzekutivin, axhenda e punës vendoset nga kryetarja dhe jo nga forumi i zgjedhur për këtë punë, prodhon ligje me standard të ulët, që rrëzohen më pas nga Gjykata Kushtetuese, dhe ajo që është më e rënda shkelet Kushtetuta e vendit.

Me pak fjalë, përfytyrimi që Brukseli ka për Kuvendin e një republike parlamentare si kjo e jona, është si një kuvend privat apo një biznes personal i Jozefina Topallit. Citojmë konkretisht: “Pozicioni i kryetares së parlamentit është keqpërdorur, në veçanti duke ushtruar influencë disproporcionale në vendosjen e një agjende legjislative afat-shkurtër, ndryshe nga vendimet e përbashkëta të konferencës së kryetarëve. – Politizimi i administratës së parlamentit dhe stafit të ekspertëve është i dëmshëm për organizimin e përgjithshëm të aktiviteteve. – Pavarësisht parashikimeve kushtetuese, ka mungesë të kontrollit efektiv të parlamentit mbi ekzekutivin dhe parlamenti nuk funksionon si një organ i pavarur. – Cilësia e ligjeve të kaluara nuk ka qenë gjithmonë e një standardi të përshtatshëm”.

Një ditë pas publikimit të raportit, Topalli nuk shfaqi asnjë shenjë se e kishte lexuar atë, por në të kundërt i paraqiti Drejtorit për Zgjerim për Ballkanin Perëndimor në KE, z. Pierre Mirel, statistika të ligjeve e konventave që janë kaluar pa praninë e opozitës. “Pavarësisht nga sfidat që ka pasur Kuvendi dhe nga vështirësitë e krijuara nga bojkoti, me durim dhe vullnet të palëkundur bashkë me shumicën e deputetëve, është arritur që gjatë një viti të miratohen 300 ligje, vendime dhe rezoluta, të cilat kanë bërë të mundur që 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të vendosin në mënyrë unanime, heqjen e vizave për shqiptarët,” tha Topalli.

Topalli është një nga figurat kryesore të partisë në pushtet, PD-së. Ajo i ka rezistuar dy herë mocioneve të opozitës në mandatin e saj të parë, momente që i dhanë më shumë dëshirë për t’u shfaqur si një personazh i fortë i mazhorancës. Gjatë qëndrimit në krye të Kuvendit i vuri vetes detyrë që të mos mbyllet në zyrë dhe të presë seancën e radhës, por ta përdorë këtë post si një mënyrë për të promovuar veten në arenën politike në vend dhe atë ndërkombëtare. Ajo shpiku termin “diplomaci parlamentare” për të justifikuar në fakt rolin që mori si një ministre e Jashtme me vizita jashtë vendit e takime pa fund me personalitete ndërkombëtare, ku fliste për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e vendit në BE.

Mund të jetë kryeparlamentarja që ka udhëtuar më shumë jashtë shtetit, duke ia kaluar pa frike jo vetëm ministrit të Jashtëm, por dhe kryeministrit, me të cilin për hir të së vërtetës shfaq marrëdhënie shumë të mira. E njëjta gjë s’mund të thuhet dhe për marrëdhëniet e saj me presidentin e Republikës, Bamir Topi, me të cilin ndante divergjenca qëkur ishin në një parti, ndërsa tani nuk kanë fare komunikim si dy nga zyrtarët më të lartë të shtetit. Brenda partisë, ku është numri dy për nga hierarkia strukturore, ka ndikim në vendimmarrje të rëndësishme dhe pse ato janë në një linjë me dëshirën e kryetarit Berisha.

Asaj i atribuohet “spastrimi” i partisë nga njerëzit e Topit, të cilët nuk u kandiduan për deputetë në vitin 2009, apo në “ndëshkimin” e kritizerëve në mënyrë të hapur pa kokëçarje për pasojat, siç ishte rasti i shkarkimit të Aleksandër Biberajt nga detyra që mbante në Këshillin e Evropës. Ardhja e të rinjve pranë PD-së në vitin 2005 dhe katapultimi i tyre në poste të larta partiake dhe ekzekutive ka shfaqur herë pas herë shenja ankthi tek “gruaja e hekurt” e PD-së dhe siç flitet rëndom në korridoret e kësaj partie ajo i ka parë ata si rrezik permanent për të ardhmen e saj në krye të partisë, veçanërisht Lulëzim Bashën, i cili vazhdon të jetë që prej 2005-ës kanakari i Berishës.

Jozefina Topallit i pëlqen shumë të flasë për Evropën dhe në gjuhën e saj mbizotëron teza e integrimit të Shqipërisë në Evropë, që rëndom ajo e quan ëndrra më e madhe e Shqiptarëve, ambicia më sfiduese e mazhorancës, etj, por në këtë moment do të ishte e nevojshme ndoshta për karrierën e saj politike që lexonte atë çfarë Evropa thotë për Topallin dhe punën e saj.