Jozefina presidente? Nonsense!

1
68

Nga Arben Çokaj, 18.05.2012

Po, është e mundur. Jozefina Topalli mund të bëhet presidente, edhe pse kjo mund të jetë një zgjidhje fatkeqe për Shqipërinë. Por përderisa presidenti zgjidhet tek ne në këtë mënyrë, dhe përderisa politika shqiptare ka rënë në këto duar që është tani, atëherë logjika të shtyn të mendosh, se Berisha do e zgjedhë vetë presidentin dhe nëse nuk ka një kombinim të arsyeshëm forcash për ta ndalë vrullin e tij, ai do të zgjedhë Jozefinën si Presidente të vendit.

Një ish-drejtues i lartë i PD-së, në kohën kur mbeti disi në hije në 2005-n, më tha se Berisha donte vetëm kamikazë. Në atë kohë, shumë eksponentë të PD-së, që dinin të mendonin dhe kishin edhe një reputacion intelektual, po zëvendësoheshin një nga një me përfaqësues mendjelehtë e kamikazë. Besoj se të gjithëve na kujtohet, zëvendësimi i Pjetër Arbnorit, Vili Minarollit, Ferit Hotit etj. me Jozefina Topallin, Bujar Nishanin, Majlinda Bregun, Sokol Olldashin, Arenca Trashanin, Astrit Patozin, etj… Më pas do të vinte vetvetiu largimi nga PD i Besnik Mustafajt, Preç Zogajt, etj. Pra, PD-së po i rridhte truri me ardhjen në pushtet të Berishës në 2005-n dhe më pas. Por Berisha vazhdon ta mbajë pushtetin megjithatë, me një stil të ri autokratik të ushtrimit të pushtetit, të blerjes e vjedhjes së votave dhe një sistemi mafioz të shtrirë në vend, që përndjek, përgjon, ngacmon e godet çdo kundërshtar e kritik.

Tani Berishës i janë rralluar njerëzit afër tij, që dinë të mendojnë, që kanë vetë-respekt e identitet intelektual. Ata janë zëvendësuar me prototipe si Flamur Noka, Eduard Halimi, Viktor Gumi Mesila Doda, etj., (pa harruar këtu edhe kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli), të cilët ngjajnë më shumë me kamikazë politikë, që nuk dinë të mendojnë, por vetëm zbatojnë lepe-peqe me agresivitet urdhërat të urdhërdhënësit, pa e ditur çfarë bëjnë e ku po shkojnë. Dhe Berisha nuk harron t’i shpërblejë kamikazët e tij…

Berisha ka ndërtuar një pushtet dhune e mafioz në vetvete dhe i ka larguar ose janë larguar vetvetiu, janë vetë-përjashtuar, të gjithë ata politikanë brenda PD-së, që kanë patur një staturë intelektuale apo identitet publik. Ata që kanë mbetur në skakierën politike afër tij, por jo edhe aq të besueshëm, janë teneqizuar aq shumë, sa e kanë kthyer veten e tyre në mbijetues të politikës dhe jo në politikanë që mund të ofrojnë një vlerë, që i vlen vendit.

Pra, sot të gjithë e shohim, që Berisha do ta vërë presidentin, ose presidenten vetë, nëse nuk gjendet një mënyrë për ta penguar. Dhe atij i ka mbetur vetëm një gogël nër dorë: Jozefina Topalli, të cilës çuditërisht i beson, sepse janë me kohë pjesë e të njëjtës agjenturë. Për të rregulluar ekuilibrin e forcave kamikaze në PD, Berisha e filloi me emërimin e Lul Bashës si Kryetar Bashkie në Tiranë, dhe tani për t’i dhënë frymëmarrje krahut të Lulit në PD, që drejtohet nga e bija, Argita, që të marrë PD-në në dorë pas disa vjetësh, ai synon të bëjë Jozefinën presidente, në mënyrë që nga njëra anë ta kontrollojë mirë presidencën, e bashkë me të sistemin e drejtësisë, shërbimin sekret, etj. si dhe njëkohësisht ta heqë qafe Jozefinën nga punët e partisë, sepse Jozefina deri tani ka qenë një shkop në rrotë në organizimin e partisë për krahun e Argitës dhe Lulit.

Me krahun radikal të saj, me shtrirjen e pushtetit përmes fuksave e përgjimeve, Jozefina vjen e dyta në radhë pas Berishës, e cila mund edhe të konsiderohet sot si “The untouchable” (e paprekshmja). Kjo ka kohë që është vënë re, sa edhe prokurorët në Shkodër e Lezhë, kur bie fjala për Jozefinën, ata nuk duan ta përmendin as emrin e saj fare. Dhe një burim i besueshëm nga Prokuroria e Përgjithshme, më pati thënë një herë se kur bëhet fjalë për Berishën apo Topallin, nuk ka prokuror në Republikë, që guxon të merret me ta. Kjo është e frikshme, shokuese për një sistem drejtësie në një Republikë demokratike, aq më tepër që pushteti i çiftit çmendurak Berisha – Topalli po bëhet absolut, nëse nuk ka forcë apo kombinim forcash, që t’i ndalë ata në marrëzinë e tyre.

Me zgjedhjen e Jozefinës si presidente, Berisha synon të mbrojë krimet e tij dhe të familjes së tij, (jo se nuk e ka bërë këtë deri tani me presidentin Topi), por Berisha parashikon se PD mund edhe të humbasë pushtetin në 2013, se nuk i ka të gjitha gjërat në dorë, ndaj shpreson që sido që të ndodhë, ai do të jetë i mbrojtur. Nga ana tjetër, zgjedhja e Jozefinës si presidente, do e çimentojë edhe më shumë pushtetin në duart e Berishës, dhe nuk ka dyshim, se me simptomat dhe natyrën e tij të sëmurë e determinuese, Berisha synon që t’i ‘fitojë’ zgjedhjet edhe në 2013, për një mandat të tretë.

E gjitha kjo ka dobësinë e vet. Pushteti i Berishës dobësohet më shumë, pikërisht atëherë kur ai mendon se i ka të gjitha në dorë. Ngaqë drejtohet nga një tru i sëmurë, bashkëngjitur me mafien rajonale, ai do e dreqosë pushtetin në mënyrë të padurueshme, nëse e merr edhe postin e presidentit për vete, me emërimin aty të Jozefinës. Them ‘emërim’, sepse në të vërtetë kështu po ngjan shtrirja e pushtetit politik të Berishës mbi institucionet e pavarura, apo mbi ato që zgjidhen me votën e lirë. Berisha po i uzurpon të gjitha institucionet me njerëzit e vetë kamikazë, një e nga një.

Me Topallin presidente, Berisha do të bëjë si të dojë, ndonëse fundi mund të jetë i hidhur edhe për ata të dy. Qarku vicioz që kjo kokë e sëmurë ka krijuar në politikën shqiptare në këto 22 vjet demokraci të supozuar, do të vijë në fund duke ngrënë krijuesin e vet. Nuk ka dyshim që mund të ndodhë, që në një moment, ashtu si Berisha ra në konflikt me të gjithë presidentët e deri-tanishëm, përveç me veten e vet, që me marrëzi shkatoi edhe ’97-n, ashtu mund të ndodhë edhe me Jozefinën, e cila duke qenë një servile e tejskajshme dhe e nënshtruar deri në ekstrem para Berishës, ka marrë edhe tiparet e tij për nga mënyra e ushtrimit të pushtetit. Ajo do të synojë ta mbajë Berishën gjallë në parti dhe të mos lejojë rotacion derisa të vijë koha që ajo, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente, të synojë kreun e PD-së, nëse nuk ndodh që ajo të mos bindet dhe t’i kthejë dorë Berishës, kur të bëhet presidente, po e pa se interesat e saj cënohen. Kështu si shkojnë gjërat këtej, gjithçka pritet. Kot nuk thonë: “Bëm baba, të të ngjaj!”

Është me rëndësi themelore për këtë vend në ditët e sotme, sado e vështirë të duket, parandalimi i zgjedhjes së presidentit nga Berisha. Lëvizjet e fundit të Metës, nëse nuk synojnë rritjen e çmimit, ndoshta mund ta pengojnë Berishën, që ta vendosë presidentin vetë. Por a mund t’i besohet Metës, pas gjithë asaj që ka bërë deri tani për mbajtjen gjallë të një pushteti mizor dhe të ç’ekuilibruar? A mund të pritet të kemi një grupim forcash, një kombinim të tyre, kombëtare e ndërkombëtare, që ta ndalojnë këtë njeri të sëmurë e të shitur të zgjedhë presidentin vetë kësaj here? Se po iu la në dorë atij, kjo dihet se kë do të zgjedhë ai. Dhe pasojat merren me mend, gjithashtu.

1 COMMENT

  1. Artikulli i juaj perveç shqetesimit nuk shpreh asnje gje tjeter, dhe shqetesimi ne kete rast luan rolin e justifikimit i cili nuk te ndihmon asnjehere.
    Ju jeni duke u ankuar dhe ankimi nuk e zvogelon veshtirsine.
    Ne kete ankese ka nje keqardhje per veten dhe per popullin, por keqardhja te mban ne skllaveri.
    Eshte e lehte te heqesh dore, por duhet besim per te kaluar pertej. Kur nuk arrin ne destinacion ne kohen e duhur, ose ke qendruar ne vend, ose ke xhiruar rrotull, si ne shkretetire.
    Duke xhiruar ne shkretetire perfiton mentalitetin e shkretetires dhe ne vend te shikosh se sa rruge ke bere, shikon se sa rruge ke per te bere dhe kjo te tmerron.
    Kur “lirine” e merr shume shpejt, krenaria eshte “bisha” qe do te konsumoje.
    Refuzoje qe te shpresoje, qe te mos zhgenjehem, produkti do jete negative.
    “Nese nuk pret asgje te mire qe te ndodh, at’here nuk ke per t’u zhgenjyer kur nuk ndodh.”
    Mentalitet i gabuar, frut i nje jete me mendje te lidhur.
    “Kur nuk ke nje vizion profetik, populli behet i shfrenuar.” Fjalet e Urta 29:18
    Eshte ora te zgjohemi, jane duke u tallur me ne, jane duke na bere inkoshient.
    Bota eshte duke ndryshuar, raporti shtet qytetar duhet te marre permasa te reja.
    U kemi deleguar: jeten tone, kursimet tona, politiken, drejtimin, organizimin, te ardhmen tone.
    Ka ardhur koha qe te na pergjigjen per te gjitha keto.
    John Kenneth Galbraith ka thene :
    “Vjeshta e 1929 qe rasti i pare ne te cilin njerezit mashtruan veten e tyre.” (behet fjale per krizen boterore te vitit 1929)
    S’duhet te lejojme qe gjerat te perseriten dhe prandaj duhet te zgjohemi dhe zgjimi fillon me mosbesimin.
    Mos i besoni askujt, shqyrtoni dhe analizoni, pastaj vendosni.
    Ka ardhur koha e plebishiteve dhe referendumeve, ku gjithçka qe vendoset nga shteti te kalohet nepermjet filtrit te sovranit.
    Dhe sovrani nuk jane “perfaqsuesit” e emeruar nga partite, por ata qe populli do t’i zgjedh dhe do t’i aprovoje nepermjet votimit.
    Prandaj ky proces duhet te filloje me zgjedhjen e Presidentit.
    I takon atij pastaj qe te beje pjesen e dyte dhe me te rendesishme:
    – Nje qeveri te perkohshme qe te pergatis zgjedhjet e reja dhe ligjin e ri te votimit, nga i cili do te dalin perfaqsuesit e popullit, te ndershem dhe te pergjegjshem per rolin e tyre.
    Eshte ky sistem qe po na ben skllever dhe s’kemi perse ankohemi per drejtuesit e partive.
    Thomas Jefferson ka thene:
    “Per te ruajtur pamvarsine tone, nuk duhet t’i lejojme legjislatoret tane qe na ngarkojne me nje borxh te perjetshem, duhet te bejme zgjedhjen tone ndermjet kursimit dhe lirise apo ndermjet mireqenies dhe skllaverise. Duhet te vendosim kursimin (ekonomik) nder te parat virtyte republikane, dhe borxhi publik eshte rreziku me i madh qe duhet t’i frikesohemi. Eshte detyre qe çdo brez te paguaj vetem borxhin qe ka krijuar.”
    Dhe per ta mbyllur, po shtoj se ka te drejte Albin Kurti thote: “Ne s’jemi fajtore per mungesen e lirise ne te kaluaren, por jemi e do te jemi pergjegjes per vazhdimesine e mungeses se saje ne te ardhmen, jemi pergjegjes dhe per ata qe ende s’kane lindur. Ne po i sakrifikojme ata, duke mos sakrifikuar vete; ne po i rrezikojme ata neser, duke mos rrezikuar vete sot.”

Comments are closed.