Jozefina ose politikania e leshit

0
27

Nga Ilir Yzeiri, 19 Prill 2013

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja se përse përdorimi i fjalës “lesh” nga Jozefina Topalli në një seancë parlamentare në shprehjen “do të ikni edhe ju për lesh” shkaktoi neveri, mosaprovim, fyerje, rrugaçëri, amoralitet, pra gjithçka të ulët që ka sjellja e një femre.

Si ka mundësi që gjithë këtë perversitet e bart vetëm një fjalë, vetëm një shenjë. Semiologët e kanë shumë të lehtë ta kuptojnë përse, ashtu siç edhe mund ta shpjegojnë mirë socio-psiko-linguistët. Në fillim më duhet të sqaroj nocionin e shënjueshmërisë, që shumë thjesht është përmbajtja kuptimore që rrjedh nga bashkimi i të shenjuarit me shenjuesin.

Por le të vijmë te shenja “lesh”. Pa pretenduar se analiza ime semiologjike do të jetë shteruese, po përpiqem, edhe për shkak të profesionit si pedagog i komunikimit tash disa vjet, të jap ndonjë shpjegim.

Në shqip ne për të shenjuar objektin biologjik të kafshëve dhe të njerëzve “qimen”, pra, kemi shenjat “flokë”, “qime” dhe “lesh”. Të duket sikur secila prej tyre shenjon një objekt të specifikuar.

“Qimet” janë zakonisht fijet e holla që gjenden në disa pjesë të trupit të njeriut dhe të kafshëve që unë për etikë nuk po i përmend.

“Flokët” shenjojnë qimet që gjenden në kokë përgjithësisht dhe “leshi” shenjon më së shumti qimet e bagëtive, por edhe qimet në shumës që gjenden në trupin e njeriut qoftë në kokë qoftë në pjesët intime të tij.

Semilogët cognitivistë thonë se brenda shenjës është shumë e dukshme ana ikonike e saj, pra imazhi. Secila shenjë na sjell edhe një imazh të caktuar. Mjaft të përmendim fjalën “peshkatar” dhe menjëherë në mendje do të na vijë deti, një varkë, një burrë i thinjur me kapele dhe me bluzë me vija.

Këtë pjesë të shenjës kanë më shumë në përbërje edhe frazeologjitë. P.sh. themi “flokë dëbore” dhe jo “lesh dëbore”, “shpëtoi për një qime” dhe jo “shpëtoi për një lesh”.

Pse? Mund të ketë shumë arsye, por ajo që duket në këtë rast është se shenja “flokë” sjell menjëherë imazhin e flokëve të njeriut pra të asaj pjese me qime që ndodhet në kokë. Shenja “qime” sjell imazhin e një fijeje të hollë floku, ndërsa shenja “lesh” sjell imazhin e një tërësie qimesh që ndodhen ose te kafshët ose te pjesët intime të njeriut.

Ndaj edhe në frazeologji ato shenjojnë zakonisht veprime të ulëta denigruese dhe porno-folklorike. “Shkoi për lesh” ka kuptimin që iku në mënyrë të turpshme, iku si leshi që bie kur qethim bagëtinë dhe e merr uji ose si qimet kur rruhemi në pjesët intime. Kjo shprehje është zakonisht karakteristike për ligjërimin vulgar të meshkujve dhe në tavolina informale.

Në gojën e një femre, kjo shprehje e bën përdoruesen e saj që të ngjajë me ato femrat sarhoshe të bareve të natës ose të ngjajë me ato femrat e angazhuara në politikë në kohën e komunizmit. Femra të tilla zakonisht nuk e kanë ndjenjën e turpit dhe të drojës dhe kanë më shumë hormone mashkulli rrugaç sesa të femrës së përkorë.

Në imazhin kolektiv ruhet bie fjala figura e Ramize Gjebresë apo e Musine Kokalarit apo e grave shkodrane që përshkruan Lucia Nadin.

Ruhet edhe imazhi i Lajes, i gruas që i jep gjithçka partisë dhe meqenëse i ka dhënë gjithçka partisë, mund t’i japë edhe gojës si e sa të dojë.

Në këtë kuptim Jozefina do të ruhet në imazhin kolektiv si politikania e fjalëve të pista ose siç thotë dhe ajo vetë si politikania e leshit.