John Withers diplomati erudit, observatori i saktë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri

0
106

Nga Çlirim Hoxha

Ish Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zoti John Withers, ka qenë kohët e fundit në fokusin e të gjithë medieve kombëtare në Shqipëri. Shkak për këtë u bënë kabllogramet që Wikiliks publikoj gjatë këtyre muajve dhe ku radiografohej e gjithë politika shqiptare me gjithë liderët e saj.

I gjithë opinioni në Shqipëri dhe jashtë saj u njoh me bëmat e politikës shqiptare të këtyre viteve të fundit. Të gjithë mësuam se si diplomacia amerikane punon, se si ajo qëmton dhe raporton në departamentin e shtetit të gjitha fenomenet dhe ngjarjet që ndodhin në një vend. Njohja nga afër e situatës në shtetet e botës, është një nga masat esenciale të sigurisë që Shtetet e Bashkuara marrin në kuadër të ndërtimit të politikave të tyre globale dhe rajonale.

Pavarësisht se, publikimet e kabllogrameve diplomatike nga ana e Wikiliksit dëmton deri diku imazhin e Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër ato i tregojnë mbarë njerëzimit se si punon diplomacia e shtetit demokratik më të fuqishëm të botës. Unë mendoj se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë krenare për funksionimin e plotë dhe të suksesshëm të observatorëve diplomatik anë e këndë botës.

Pikërisht kjo e ka bërë diplomacinë e Shteteve të Bashkuara një diplomaci luajale, të aftë dhe të kudogjendur. Vet ngjarjet e ndodhura në 11 shtator 2001 i detyruan Shtetet e Bashkuara të merrnin masa dhe të shumëfishonin kapacitetet e tyre diplomatike nëpër botë. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm situatën politike dhe ekonomike në vendet e tyre mike dhe partnere, duke kontribuar në përmirësimin e demokracive në këto vende.

Publikimi i kabllogrameve diplomatik të ish Ambasadorit John Withers, tregon problemet e mprehta të politikës konfliktuale në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit që ka mbërthyer zyrtarët e lartë të shtetit, ku dalim me emër dhe mbiemër disa ministra dhe drejtuesish qeveritar. Tragjeditë, si ajo e Gërdecit, rruga Durrës- Kukës, apo problemet e zgjedhjeve të qershorit 2009, janë pjesë e investigimeve të pandërprera që diplomacia amerikane bërë në vendin prezent. Nuk thonë kot se, amerikanët i dinë të gjitha, ndryshe nuk do ta menaxhonin dot situatën në shtetet e Bashkuara e mandej në të gjithë botën. Kam pasur fatin të njihesha nga afër me zotin Withers, gjatë takimeve që janë organizuar. Më ka bërë përshtypje të madhe erudicioni i atij diplomati, i cili ëndërronte vetëm libra.

Gjatë një pritje të posaçme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, unë e pyeta: – A e keni pasur të vështirë të punoni gjatë këtyre tre viteve me politikanët konfliktual në Shqipëri? – Ai mu përgjigj: – Aspak. Fakti që të gjitha palët e duan Amerikën ma ka lehtësuar shumë punën. – Kjo përgjigje nuk ka nevojë për koment. Amerika nuk bëhet me asnjë palë. Një pyetje tjetër drejtuar zotit Withers kishte të bënte me jetën e tij pas mbarimit të mandatit diplomatik dhe daljes në pension. A e dini si më tha? – Po diskutoj me gruan se ku do të jetojmë pas përfundimit të misionit diplomatik dhe daljes në pensin. Kemi fiksuar dy qytete të vegjël rreth Washingtonit. Në njërin prej tyre ka shumë biblioteka, por taksat janë të larta, kurse në qytetin tjetër taksat janë më të ulëta, por nuk ka shumë biblioteka.

– Dhe ku keni vendosur? – e pyeta unë. – Vendosëm të jetojmë në qytetin që ka shumë biblioteka, pavarësisht taksave të larta. – Ja, ky ishte John Withers, një diplomat erudit, i etur për dije dhe studime deri në fund të jetës. Zoti John Withers rridhte nga një familje diplomatësh karriere. I ati i tij kishte shërbyer prej shumë vitesh në shërbimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara anë e këndë botës. John Withers ishte rritur me diplomacinë, duke u bërë edhe vet diplomat karriere. Më tregoi vet pjesë nga jeta e tij e formimit si diplomat. Pata rastin ta prisja zotin Withers edhe gjatë një aktiviteti në Vlorë, ku kemi bërë edhe disa foto së bashku, ashtu si në ambasadë.

Ai erdhi në bibliotekën Publike “Shefqet Musaraj” të qytetit, ku zhvillo një takim interesant me nxënësit e shkollave të mesme dhe student të universitetit “Ismail Qemali” që flisnin gjuhën angleze. Takimi u zhvillua në Amerikan Corner (Këndin Amerikan). Pas atij takimi, zoti Withers u takua në ambientet e Hotel “New York” me pjesëtarë të familjeve që kishin strehuar hebrenj gjatë Luftës së dytë Botërore. Kërkoi që të isha edhe unë pranë tij në atë takim. Por, do të takohesha përsëri me zotin Withers gjatë pritjes që ai rezervoi me rastin e 4 korrikut, ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, si dhe në përvjetorin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Në të gjitha këto takime konstatova se kisha të bëja me një diplomat erudit, i cili përfaqësonte më së miri kastën e personaliteteve të diplomacisë amerikane, që kryente në mënyrë të përkryer detyrën që i ishte besuar nga demokracia e madhe botërore e Shteteve të Bashkuara. Ambasadori Withesr ishte një filozof konceptual, i matur dhe i përpiktë në deklaratat e tij. Ai ishte një diplomat me vizion të qartë përtej horizontit diplomatik shqiptar, çka e tregojnë edhe kabllogramet e publikuara nga Wikiliks. Janë të kota tentativat e politikës qeverisëse në Shqipëri, e cila po përpëlitet kohët e fundit të mohoj dhe anatemoj ish Ambasadorin John Withers.

Po e shohim se si zyrtarët e lartë të këtij shteti, të cilët janë cituar në kabllogramet e Ambasadorit Withers, po dalin një e nga një për të mohuar atë çka e mësuan të gjithë shqiptarët. Shqiptarët mësuan se, çmendon diplomacia amerikane për politikanët tanë. Atyre që u ka djegur kanë dal me vrap që të mbrojnë veten, të tjerët kanë heshtur sipas shprehjes së njohur; heshtja është kapak floriri. Të heshtësh do të thotë të reflektosh dhe të reflektosh do të thotë të marrësh veten nën kontroll. Në fakt, hesht ai që nuk e ka mizën nën kësulë dhe kërcen përpjetë ai, të cilit i djeg keq dhe kërkon të shpëlaj opinionin duke dalë në medie.

I takon Prokurorisë që të gjitha akuzat që hidhen në qarkullim duhet ti provoj. Prokuroria për këtë gjë është. Ajo nuk duhet të pres që dikush të bëjë kallëzim pranë saj, por me iniciativën e saj të hetoj akuzat që hidhen në publik përmes medies. Ku ka zë nuk është pa gjë, thotë populli. Këta zëra duhet ti hetoj prokuroria për të nxjerrë në dritë esencën dhe të vërtetën. Wikileaks arriti të publikoj kabllogramet e vitit 2008-2009 e me radhë, por sa kabllograme kanë dërguar diplomatët amerikan gjatë këtyre 20 viteve për politikën dhe situatën në Shqipëri?! Me mijëra kabllograme kanë kapërcyer Atlantikun duke informuar Shtetet e Bashkuara, departamentin e shtetit për situatën në këtë vend.

Nuk është e thjeshtë të fitosh miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhen prova, duhet vetëmohim dhe sakrifica, duhet qëndrueshmëri politike. Në një shtet, i cili ka vetëm 20 vjet që ka dal nga regjimi komunist dhe që shumë nga politikanët kanë qenë pjesë e atij regjimi, nuk mund të ketë besueshmëri absolute për Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht nga politika e ditës e Kryeministrit Sali Berisha, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta harrojnë vitin 1995-1996, kur Berisha iu kundërvu edhe Amerikës lidhur me sovranitetin e Shqipërisë.

Ishte koha e lulëzimit të piramidave, ku përqindjet e larta mbanin njerëzit me bukë dhe ku banania shkelej me këmbë. Rënia e piramidave nxori lakuriq përpara botës kalanë prej rëre që lejoj dhe ngriti Berisha. Kundërvënia që Berisha i bënë ambasadorit John Withers, nuk e fsheh dot korrupsionin galopant që ka mbërthyer çdo qelizë të jetës politiko-ekonomike shqiptare. Me kabllogramet e tij zoti John Withers ka dhënë një kontribut të pashembullt në njohjen e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Ai ka demaskuar kastën qeverisëse dhe Wikiliks njohu shqiptarët më bëmat e qeveritarëve tanë, përmes observimit diplomatik të Ambasadorit të larguar, të respektuarit John Withers. Punën e ambasadorit John Withers po e vazhdon tani ambasadori tjetër i Shteteve të Bashkuara, i nderuari Aleksandër Arvizu. Shtetet e Bashkuara janë vend solid në politikë dhe diplomaci. Kush mendon se Amerika mbështet këtë apo atë emër apo forcë politike, kur të gjithë shqiptarët e duan Amerikën, gabon rëndë. Shtetet e Bashkuara mbështesin Shqipërinë dhe popullin shqiptar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të demokracisë, integrimit dhe përparimit.