Jo vrasësit “me sy mbyllur”! *

0
33

Shkruar nga Simon Ulndreu.

Prodhimi, kultivimi dhe trafikimi i substancave narkotike është kthyer në një shqetësim global. Diskursi politik mbi parandalimin e substancave që vrasin “me sy mbyllur” dhe rehabilitimin e viktimave të trafikut po bëhet gjithnjë e më intensiv. Nga ana tjetër, disa opinionistë janë të mendimit se lufta kunder drogës është një mision i dështuar dhe se fenomeni mund të thjeshtëzohet duke legalizuar prodhimin dhe shitjen e saj. Në fokus të statistikave shifrat e frikshme tregojnë se, prodhuesit dhe trafikantët kanë rinovuar teknikën dhe strategjinë, per t’ju shpëtuar politikave të shtërngimit, të kontrollit dhe të dënimit të narkotrafikantëve. Dueli ka pamjen e një paradoksi, që shoqërohet me një numër të madh arrestimesh nga njëra anë, dhe shtimin e prodhimit, përmirësimin e cilësisë dhe uljen e çmimit të produkteve narkotike ana ana tjetër. Numri i përdoruesve po rritet gjithashtu në permasa të frikshme, ndërsa pasojat e narkotrafikut shkojnë deri tek shkatërrimi i jetës dhe vdekja e parakohshme e viktimave. Sikur të mos mjaftonte kjo, fenomeni krijon probleme akoma më të rënda, duke rritur koston sociale dhe rrezikun e sigurisë edhe për jopërdoruesit. Në këtë mënyrë beteja kundër drogës po shfaqet gjithnjë e më komplekse, gjithnjë e më unike dhe si e tillë, parashikohet të jetë një betejë jo vetëm e gjatë, por edhe e vështirë…..

E gjendur brenda këtij shqetësimi global, Shqipëria nuk mundt t’i shpëtojë shënjestrës së trafikantëve. Në favor të tyre vijnë edhe disa avantazhe, të cilat ne jemi mësuar t’i neglizhojmë. Ato janë të natyrës politike, ekonomike dhe shoqërore, për të cilat duhet një studim më i thellë. Megjithatë droga po vret çdo ditë, ndërsa akoma nuk ka një projekt strategjik për të myllur prodhimin apo kultivimin, si dhe për të shkëputur viktimat prej varësisë së saj.
Në kushtet reale, debati publik për parandalimin e prodhimit dhe të kultivimit të drogës është i pashmangshëm. Edhe sikur vendi t’mos kishte asnjë bimë të dyshimtë, përgjegjësia për të mbyllur korridoret e trafikut, buron nga detyrimi i aleancave dhe marrëveshjeve me partnerët tanë të sigurisë.
Por Shqipëria po promovon një sjellje specifike. Pas dështimit të sistemit specifik totalitar, ne kemi ndërtuar si me magji sistemin specifik pseudodemokratik, i cili është akoma shumë larg nga sistemi i shtetit ligjor, ekonomisë formale dhe ëndërrës për t’u bërë europianë të vërtetë. Madje, sistemit të kaluar i kemi shtuar edhe disa borxhe, të cilat do t’i paguajnë ne ose pasardhësit tanë. Ne kemi arritur në një pikë ku tregu është ngopur tashmë me deklarata, premtime dhe mashtrime, ndërsa trafikantët kanë sfiduar jo vetëm rregullat e brendshme, por edhe ato ndërkombëtare. Tani Shqipëria e gjen veten në qendër të shqetësimit europian për kultivimin dhe trafikimin e bimës me origjinë shqiptare. Shifrat marramendëse, të cilat mund të tejkalojnë edhe buxhetin vjetor të shtetit, janë një dimension i frikshëm mbi shoqerinë, mbi vetë shtetin, mbi qeverinë dhe politikat e zhvillimit të vendit. Ndërsa politika është zhytur në debate agresive, ku palët nxitojnë për t’ia lënë fajin njëra tjetrës. Por një gjë është e sigurt. Sot ne po vuajmë pasojat e fenomenit, i cili nuk ka lindur sot. Ai ka lindur sëbashku me mashtrimet rreth Shqipërisë europiane, me krimin dhe korrupsionin, i cili dora dorës është transferuar dhe suportuar nëpërmjet rrotacioneve politike. Instucionet tona, studiuesit, akademikët, opinionistët, gazetarët dhe shoqëria civile nuk paskan arritur të parashikojnë me saktësi se cilat janë pasojat e heshtjes pothuajse dy dekadësheshe ndaj një shteti me profil të shtrembër, krimit të organizuar, krimit politik, korrupsionit dhe kulturës së çmendur të pandëshkueshmërisë.
Debati i hapur për legalizimin e drogës, nuk vjen rastësisht dhe nuk është thjesht një zbavitje me muhabet në panelet tona televizive. Ai ka të ngjarë te jetë vënë në lëvizje ne kohën e duhur, pasi janë krijuar të gjitha kushtet për të thënë se shteti e ka humbur davanë. Pas testimit 20 vjeçar të aftësive shtetformuese nga narkotrafikantët, debati vjen pikërisht në kohën kur disa institucione të shtetit dhe kryesisht ato të sigurisë, kanë filluar disa operacione serioze në terren. Përpjekjet për të injoruar punën e këtyre strukturave, arrijnë me lehtësi deri në debatet publike “a duhet të legalizohet droga”. Ka njëmijë e një arse për të kritikuar shtetin që kemi, por më përpara mund të zbulojmë shkaqet që e sollën shtetin me këtë infrastrukturë të dobët. Anashkalimi i debatit “si mund të bëjmë shtet, madje shtet të drejtë” është një djallëzi mediatike për të mbyllur kufinjtë e debateve të nevojshme për shpëtimin tonë të përbashkët. Çështja që duhet të ulet këmbëkryq në debatin tonë publik është: “Kemi apo nuk kemi shtet dhe çfarë mund të bëjmë për të rikthyer shtetin e së drejtës, shtetin e punës së ndershme, shtetin e ndëshkimit të paftësisë, shtetin kundër krimit dhe korrupsionit dhe shtetin e barabartë për shqiptarët?
Megjithatë le të qëndrojmë tek debati aktual. Argumentet e opinionistëve tanë pro legalizimit të drogës bazohen në arsye të ndryshme. Opinionistët nisen nga fakti se shteti ynë është i varfër, ai nuk ka infrsatrukturë dhe për pasojë ai ka nevojë për para, të cilat mund t’i mbledhë në sasi të konsiderueshme nëpërmjet taksave mbi drogën, çka do të thotë se përdoruesit e ardhshëm do të paguajnë edhe çmimin e TVSH-së mbi çmimin e zakonshëm të drogës. Opinionistët thonë se nëpërrmjet legalizimit të drogës realizohet edhe kontrolli efikas mbi prodhuesit, transportuesit, shepërndarësit dhe përdoruesit e saj. Por ata nuk janë në gjendje të thonë asgjë për pasojat, dëmet, kostot sociale, infrastrukturën rehabilittuese apo shanset për mbylljen e kanaleve të korrupsionit që lidhen posaçërisht edhe me tregun problematik të drogës. Për ironi të fatit, ekspertët që dalin me teorinë e legalizimit, bëjnë sikur qajnë edhe hallin e kalorësit “shtet” dhe nuk thonë asgjë për viktimat, thuajse të dyja palët janë brenda nje aleance për të mbytur përdoruesit e drogës.
Kjo të lë të kuptosh se bima shqiptare, e destinuar për të vrarë, është rritur shumë. Ajo është afruar fare pranë dritareve tona dhe po na prezantohet si shpëtimtare e shtetit dhe e buxhetit. Përtej këtij prezantimi, miliardat që sigurohen nga vrasja e fëmijëve tanë, do të përfundojnë në bursën e krimit dhe të korrupsionit, deri në blerjen e shtetit.
Ne që na nevojitet shteti ligjir, duhet të sjellim argumente të tjera në zemër të dabatit mbi shkaqet e fukarallëkut të shtetit nga njëra anë, të lidhur me lulëzimin e informalitetit, të korrupsionit dhe të krimit nga ana tjetër.
Për analogji me drogën, po marr në konsideratë një kategori krimesh specifike, aktualisht shqetësuese për rendin, shoqërinë dhe integritetin e vendit. Të tilla si gjakmarrja, armëmbajtja pa leje, vrasjet me pagesë, të cilat në dijeninë e të gjithëve, krahas trafikut të drogës përbëjnë sot krimet më të spikatura. Duke iu referuar në mënyrë të vecantë gjakmarrjes dhe armëmbajtjes pa leje, me përjashtim të disa operacioneve me efekt kryesisht propogandistik, duket sikur këto krime e kanë sfiduar prej kohësh shtetin. Por a ka arsye për të kërkuar legalizimin e gjakmarrjes apo të armëmbajtjes pa leje, nën pretekstin se shteti e ka humbur betejën? Në fund të fundit, gjakmarrja bazohet mbi disa rregulla kanunore që kanë ekzistuar shumë kohë më përpara shtetit, ndërsa armëmbajtja që lindi pikërisht në kohën kur u shpërbë shteti, ruhet edhe sot si një relikë e neveritshme për t’u vetëmbrojtur, në kushtet kur shteti nuk ka mundësi të sigurojë jetën e gjithcesilit nga vrasja.
Por cili është ndryshimi midis vrasjes që realizohet me armë dhe vrasjes së ngadaltë që realizohet me drogë? Cili është ndryshimi midis vrasësit me pagesë, i cili paguhet për të vrarë dhe vrasësit me drogë, i cili nesër do t’i paguajë disa taksa shtetit, gjithashtu për të vrarë? A do t’a ulë nivelin e korrupsionit legalizimi i drogës, apo do të krijojë efekt të kundërt? Në ç’masë do të lëvizë sistemi i krimit zinxhir, që do të diktohet nga lufta për tregje, imponim të çmimeve, përpjekjet për monopolizim etj?
Ekspertët pro legalizimit nuk janë në gjendje t’ju përgjigjen asnjerës prej këtyre pyetjeve. Sepse në një vend ku nuk sundon ligji, krimi konkurron me krimin. Por krimi i drogës po del hapur, meqënëse u pushtua hapur edhe hapësira ajrore e vendit. Madje ky krim ka edhe luksin që të ulet në studiot televizive, të bëjë presion mbi ligjet, mbi qeverinë, mbi shoqërinë dhe mbi të ardhmen e vendit. Ajo që e dallon këtë krim nga krimet e tjera është inteligjenca, infrastruktura dhe bashkëveprimi në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar. Bashkëveprim, i cili nuk mund të arrihet kurrë pa ndihmën e disa bashkëpunëtorëve brenda institucioneve, brenda politikës dhe brend strukturave të specializuara të parandalimit. Në këtë mënyrë, çështja e legalizimit të drogës, merr përmasa akoma më shqetësuese kur shtrohet si ide. Krimi ka avancuar aq shumë sa është ulur këmbëkryq nëpër institucionet që përfaqësojnë politukën dhe shtetin. Përtej bashkëpunëtorëve të shitur ose të blerë, ka interesa të mirëpaguara që synojnë legalizimin e krimit politik në këtë vend. Krimit që ka filluar me pushtimet e pronave, me lulëzimin e pallateve pa leje, me pushtimin e së drejtës dhe tani është ngjitur deri në malet me drogë, në periferinë e vendbanimeve tona.
Por mos qoftë kështu! Sepse, nëse deri sot instikti i vrasjes mori më shumë viktima se sa vetë kufta kundër pushtuesve të huaj, nesër do të kemi një Shqipëri ndryshe. Me një shtet në qarkun e shënjestrë së narkotrafikantëve, me lisa droge mbi varre dhe me disa pyje të dendura, shumica prej të cilave do të jenë pa leje…
Kimisti i shquar zviceran Albert Hoffmann e konsideronte kuftën kundër drogës, si prioritet të luftës së njerëzimit në shekullin e ri. “Më duket interesante për të menduar më shumë për luftën kundër drogës se sa kundër vetë luftës”-thoshte ai.
Tirane, 16/05/2015. Simon Ulndreu