Nga Ben Andoni, 22 Shtator 2013
Nëse veprimi simbolik i kësaj jave për përcjelljen e kangjellave të kryeministrisë drejt Parkut Kombëtar të Butrintit do të ndjekë logjikën e çeljes së një vargu masash për mbrojtjen dhe përmirësimin e Trashëgimisë Kulturore, atëherë qeveria e tanishme duhet të marrë duartrokitjet e sinqerta të publikut. Por, nëse ky vendim i qeverisë është thjesht një veprim për t’i thënë publikut se ne po punojmë, atëherë kjo lë vërtetë shumë për të dëshiruar.
I dhënë si lajm pak ditë më parë, ajo mëtonte të na tregonte se rrethimi i Butrintit ishte në një siklet kaq të madh saqë kangjellat po dërgoheshin me emergjencë në këtë vend. Media e përditshme që e do si ushqim lajmin kishte mbetur në grackën e sipërfaqes, ku qëllimi ishte se do të riparohej në një segment rrethimi i qendrës arkeologjike të Butrintit që është tejet i amortizuar! Madje, lajmi vazhdonte dhe me detaje që kangjellat ishin ngritur me beton diku rreth viteve ’70, e “gardhi në Butrint nuk është ndryshuar, edhe pse kjo qendër e trashëgimisë është tashmë më e vizituara në Shqipëri nga turistët e huaj dhe vendas”.
Më shumë se kaq, simbolika e këtij veprimi, solli edhe njëherë në kohë në kujtesën e njerëzve se çfarë do bëhet në të ardhmen me një listë të gjatë sitesh arkeologjike që presin angazhime reale dhe jo retorikë qeverie. Një e tillë është Amantia, ku rruga e keqe dhe vetë Parku kanë mbetur në mëshirë të fatit; Parku i Orikumit krejt i pambajtur dhe me një status të ndërmjetëm; Durrësi i batërdisur në atë formë ku kanë mbetur fare pak gjurmë arkeologjike; Apolonia e rrënuar dhe e mbetur gati pa identitet; Elbasani me atë realitet arkeologjik që të vjen keq kur e shikon; Finiqi vërtetë i madhërishëm e kështu me radhë, pa përfshirë këtu në asnjë rast objekte kulturore të kategorive të ndryshme, që janë duke vuajtur moskujdesin dhe lënien në dorë të lloj-lloj personazheve. Duhet që thjesht një udhëtim diku dhe të hasësh atë batërdi që është bërë me objektet e trashëgimisë së religjionit, me objektet urbanistike dhe me radhë pa i përfshirë në këtë shkrim llojet e tjera të trashëgimisë.
Kjo ia vlen që të dëgjojmë realisht nga zyrat e kryeministrisë dhe nga ana e shtabit të ri të Ministrisë së Kulturës, jo retorikën dhe veprimet simbolike të kësaj forme. Shenja të tilla ndryshimi s’vlejnë pasi vetë afër kryeministrit janë shumë njerëz që nuk kanë bërë aq shumë për Trashëgiminë, kur kanë pasur mundësinë. Trashëgimia e sotme kulturore ka nevojë për një dorë të madhe, e cila nuk mjafton të na shitet me veprime simbolike të tipit Rilindje.
Vetëm po të kapte realisht ritmin e asaj që parashihet në program për trashëgiminë, atëherë ky veprim do të kishte një simbolikë më të madhe. Por, është filluar me kangjellat, aq sa duhet për të besuar se të paktën qeveria Rama e ka në kokë se trashëgimia ka probleme. Dhe, ky veprim ka edhe një simbolikë tjetër më të madhe, se nëse vartësit e Ramës do të veprojnë si paraardhësit me Trashëgiminë, tashmë është më e lehtë të kapen dhe të vihen me shpatulla pas muri. Thjesht prej heqjes së kangjellave të kryeministrisë, nuk kanë ku të fshihen.