“Jo” Shqipërisë që ikën, mpaket dhe plaket

0
44

Tranzicioni demografik në programin socialist

Ilir Beqja, Kosta Barjaba, 18.01.2012

Paralel me tranzicionin politik dhe ekonomik, Shqipëria po përjeton edhe një tranzicion demografik. Ky proces filloi në kushtet kur Shqipëria, ndryshe nga mjaft vende të rajonit, zotëronte një “dhuratë” demografike. Kjo “dhuratë” mund të mbetej e tillë, por mund të shndërrohej edhe në një rrezik demografik. Kjo do të varej edhe nga performanca e qeverisjes së vendit. Të dhënat e Censusit 2011 tregojnë se zhvillimet e dekadës së fundit janë karakterizuar nga prirja e dytë. Kjo e bën më të vështirë, por edhe më fisnike përpjekjen e Programit socialist, sidomos portofolin social të tij, për të ndërtuar një Shqipëri të rilindur, si pjesë e Europës së re sociale ku e domosdoshme është që edhe shoqëria të ripërtërihet.

Popullsia e vendit gjatë periudhës 2001-2011 ka ardhur duke u pakësuar, nga 3 069 275 në 2 831 741 banorë. Pra, rënia është e konsiderueshme, rreth 7.7 për qind. Në ndryshimin e popullsisë ndikojnë lindjet, vdekjet dhe migrimi. Duke qenë se koeficienti bruto i vdekshmërisë (numri i vdekjeve për 1000 banorë në një vit) gjatë periudhës 2001-2011 nuk ka pësuar ndryshime dramatike, vetëm është ulur nga 5.1 në 5.01, po fokusohemi kryesisht në ndikimin e migrimit dhe lindshmërisë në proceset demografike dhe rishikimin e politikave të zhvillimit. Nëse përdorim të dhënat e projeksionit të rritjes së popullsisë, mund të llogarisim se deri në tetor 2011 popullsia e vendit duhet të ishte shtuar me rreth 230 mijë vetë. Dukuri që nuk ka ndodhur, për shkak të fluksit të lartë migrator dhe pakësimit të lindjeve. Ndikimi më i madh në dinamikën e popullsisë vjen prej migrimit të jashtëm. Pra, Shqipëria mpaket dhe plaket, ngaqë një pjesë e saj ikën.

Shqipëria që ikën

Shqipëria ka pasur potencialin, fluksin dhe stokun më të madh migrator gjatë tranzicionit. Nëse nuk llogarisim Bosnjë-Hercegovinën, fluksi migrator i të cilës, për arsye të njohura, ka qenë i kombinuar me fluksin e refugjatëve, të tre treguesit e mësipërm mbeten më të lartët në rajon dhe kontinent. Nëse konsiderojmë njërin prej tyre, stokun, në vlerësimet e studiuesve lokalë, të huaj si edhe të institucioneve ndërkombëtare, si Banka Botërore, ky tregues ka qenë rreth tri deri katër herë më i lartë se vendet e tjera të botës në zhvillim ose në procese tranzicioni. Rreth 25-30 për qind e popullsisë së përgjithshme dhe 35-40 për qind e popullsisë aktive të vendit, gjatë stadeve të ndryshme të tranzicionit, kanë qenë emigrantë të jashtëm. Ndërkohë, mbi 20 për qind e popullsisë së rritur lëvizi brenda vendit. Pra, gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka qenë një “kantier” prodhimi emigrantësh.

Një ndër proceset brenda këtij “kantieri” ka qenë sinergjia midis potencialit, stokut dhe fluksit. Potenciali ka mbetur gjithmonë në parametra pothuajse maksimalë dhe është shndërruar në mënyrë të natyrshme në fluks. Të dy këta tregues kanë mbajtur në parametra të lartë stokun migrator. Censusi na zbulon se kjo sinergji mbeti e tillë edhe gjatë periudhës 2001-2011, pra gjatë dekadës së dytë të emigrimit bashkëkohor të shqiptarëve. Kur, jo vetëm zyrtarisht, por edhe nga studime serioze, deri tani ka qenë pranuar se fluksi migrator ka ardhur duke u moderuar. Të dhënat e dy proceseve të regjistrimit të popullsisë na bindin se gjatë periudhës prill 2001-tetor 2011, nga Shqipëria janë larguar rreth 470 mijë persona.

Fluksi mesatar i emigrimit të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth 47 mijë persona në vit, 4 500 persona në muaj, 150 persona në ditë. Pra, në çdo 12 minuta, një shqiptar vendos të largohet nga Shqipëria (duhen ribërë veprimet, se aritmetikisht më del çdo 12 minuta dhe tashmë këtë e kemi thënë disa here). Duhet të shtojmë, nga Shqipëria e qeverisë, e cila “fluturon”, po të kemi parasysh që rreth 60 për qind e periudhës midis dy censuseve është qeverisur prej kësaj shumice. Fluksi i emigrimit gjatë periudhës 2005-2011 është rritur, po të kemi parasysh që gjatë periudhës 1991-2009 fluksi është luhatur midis shifrave 30-44 mijë emigrantë në vit. Fluksi mesatar i emigrimit gjatë periudhës 2001-2011 tenton të arrijë nivelim maksimal të tij, regjistruar pas rënies së firmave piramidale, rreth 50 mijë emigrantë në vit.

Censusi konfirmoi konstatimet e ekspertëve mbi prirjen e emigrimit femëror të shqiptarëve. Gjatë periudhës 2011-2011 janë larguar nga vendi rreth 20 mijë gra më shumë se burra. Kjo dukuri mund të jetë pasojë e liberalizimit të legjislacionit të vendeve pritëse për bashkimin familjar dhe i rritjes së numrit të vajzave që studiojnë jashtë vendit.

Në këtë kontekst, mbajtja prej socialistëve e zotimit programor për të garantuar rreth 75 mijë vendeve të reja pune në vit, mund të arrijë moderimin e fluksit migrator. Sepse, arsyeja kryesore e emigrimit është emigrimi për motive pune. Inercia e këtij motivi shpjegon edhe sjelljen migruese të popullsisë pas liberalizimit të vizave. Kërshëria për Perëndimin është zëvendësuar nga nevoja e gjetjes së një vendi pune. Moderimi i fluksit do të shoqërohet nga nxitja e kthimit të emigrantëve, e incentivuar financiarisht. Fakti është që kthimi dhe riintegrimi janë në fokusin e qeverisjes aktuale, por vetëm nëpërmjet incentivash ligjorë dhe fiskalë. Mbështetja e sipërmarrjeve të emigrantëve të suksesshëm kërkon incentiva të mirëfilltë financiarë, të mobilizuara nga burime publike dhe private. Të vendit, por edhe të vendeve pritëse e programeve komunitare. Kjo bëhen edhe më emergjente, për shkak të ndikimit të krizës ekonomike në rritjen e papunësisë së emigrantëve në dy vendet kryesore pritëse, Greqi dhe Itali. Programi socialist dallon se në vend të premtimeve emocionale për emigrantët, të cilat nuk mbulojnë dot injorimin e tyre prej shërbimeve shtetërore konsullore, ofron politika të qarta dhe incentiva financiarë për mbështetjen e kthimit të tyre të suksesshëm.

Sinergjia midis migrimit të brendshëm dhe urbanizimit

Censusi tregon se, me përjashtim të qarqeve të Tiranës dhe Durrësit, dhjetë qarqet e tjerë kanë “humbur” popullsi të konsiderueshme, nga -5 për qind Vlora, deri në -34 për qind Gjirokastra dhe -28 për qind Dibra.

Nëse nuk llogarisim Gjirokastrën, rënia e popullsisë së të cilës shpjegohet me fluksin e lartë migrator të jashtëm, dhe Beratin, rënia e popullsisë së të cilit shpjegohet me fluksin e lartë migrator të brendshëm dhe dukuri specifike për këtë qark, vërejmë se zona verilindore ka ritmet më të larta të pakësimit të popullsisë, -28 për qind për Dibrën dhe -24% për Kukësin.

Prandaj, në fokus të Programit është edhe ndryshimi i politikave për migrimin e brendshëm. Shkujdesja, për të mos thënë papërgjegjshmëria, njëzetvjeçare: “Njerëzit le të shpërngulen dhe qeveria të bëjë ç’të mundet”, do të zëvendësohet nga vizioni paraprirës i politikave për sinergjinë: migrim i brendshëm-urbanizim. Shqipëria ka pasur ritmin më të lartë të urbanizimit midis vendeve të rajonit, rreth 2 për qind në vit, krahasuar me Bosnje-Hercegovinën 1.4, Serbinë 0.5, Kroacinë 0.4 etj. Kjo, për meritë të asnjë qeverie. Por thjesht të faktit që fillimi i tranzicionit politik (dhe demografik) e gjeti Shqipërinë me mbi dy të tretat e popullsisë në zonat rurale. Për pasojë, rreth 500 mijë njerëz u shpërngulën dhe jetojnë aktualisht në një vend tjetër nga ai i vitit 1990.

Ritmet e urbanizimit nuk u janë përgjigjur ritmeve të migrimit të brendshëm. Për sa kohë që cilësia e shërbimeve jetësore bazë dhe e cilësisë së jetës në periferitë e qyteteve të mëdha, enklavat ku janë vendosur emigrantët e brendshëm, është shumë e ulët. Kjo popullatë ende nuk është plotësisht e njohur ligjërisht nga shteti, për sa i përket mjaft shërbimeve jetike bazë. Por një pjesë e saj është e privuar edhe nga shërbimet sociale. Për shembull, legjislacioni për shërbimet sociale përjashton nga e drejta e përfitimit të ndihmës ekonomike familjet që janë shpërngulur pas 1 gushtit 1991. Ndërkohë, nga kjo e drejtë janë privuar edhe familjet e emigrantëve të jashtëm, pavarësisht statusit ose gjendjes së tyre.

Qeveritë nuk kanë mundur, më keq akoma nëse nuk kanë ditur, t’u paraprijnë proceseve të migrimit të brendshëm nëpërmjet investimeve paraprake. Pra, urbanizimi nuk i ka paraprirë migrimit. Përkundrazi, duke nxitur në mënyrë të tërthortë ose shpesh edhe hapur shpërnguljen e popullsisë, nëpërmjet thirrjeve patetike: “Fytyrën nga deti dhe qytetet e mëdha”, qeveritë kanë “kontribuar” në përkeqësimin e kaosit urban dhe social në periferi të metropoleve. Pa realizuar investime serioze që të akomodojnë flukset e të shpërngulurve dhe duke thelluar kontrastet midis popullsisë së ardhur dhe asaj ekzistuese. Popullsia e këtyre enklavave është parë si një “hambar” votash, por jo si një “ofiçinë” pune.

Disa herë ka ndodhur që kahja e investimeve ka qenë përkundër kahes së zhvendosjeve të popullsisë. Prandaj, për t’i ardhur më mirë në ndihmë popullsisë që emigron brenda vendit, është e nevojshme të rishikohet portofoli i investimeve publike në aspektin e shpërndarjes territoriale të tyre. Për shembull, investimet në infrastrukturë në zonat malore nuk kanë moderuar fluksin e migrantëve nga këto zona. Përkundrazi, studimet, të cilat janë konfirmuar edhe nga të dhënat e para të Censusit, tregojnë se fluksi i emigrimit nga zonat malore vjen duke u rritur. Popullsia e zonave malore përbën më pak se 11 për qind të popullsisë, por ajo ka prodhuar më shumë se 30 për qind të emigrantëve të brendshëm. Pra, këto investime, përveçse kanë rrëmbyer “pjesën e luanit” të investimeve publike, nuk kanë pasur asnjë ndikim në bindjen e popullsisë që të vazhdojë të jetojë në këto zona.