Jo Erik, nuk je ti fajtori!

0
19

Nga Mero Baze

Në historinë e tij politike Sali Berisha ka pasur momente të rënda, kur i është dashur të shkelë mbi veten e tij për shkak të gjemave që i kanë bërë në abuzimin me pushtetin, njerëzit e Familjes. Në një ditë të marsit 2008, atij ju desh të mësonte se ka shpërthyer një depo dhe janë vrarë dhjetra vetë. Emri i parë i të vdekurve ishte i baxhanakut të tij, i punësuar nga djali i tij në një biznes të sponsorizuar politikisht, i cili kishte prodhuar procedura vdekjeprurëse. Është fjala për tragjedinë e Gërdecit. Edhe pse ka ndryshim në marrjen e jetës së njerëzve, ajo është e ngjashme nga shkaku me skandalin e Bankës së Shqipërisë. Në të dy rastet mbështetja e fortë politike prodhoi papërgjegjshmëri, dhe shkaktoi skandalin.

Në atë kohë Sali Berisha u mundua shumë të fshihte gjurmët e djalit. Prej tetorit 2007 deri në dhjetor, ai vazhdonte korenspodencën me Nwe York Times, për ti sqaruar se i biri i tij nuk kishte lidhje me eksportin e armëve kineze për llogari të amerikanëve në Afganistan. Në mars, pas skandalit të Gërdecit, kur New York Times e përmendi emrin e të birit të përfshirë në këtë aferë, ai e quajti atë letër higjenike. Më pas u mor me ne të tjerët që ja përmendim këtu. Dikë e fyente, dikë e sulmonte fizikisht, financiarisht dhe publikisht, dikë e trembte, dikë e blinte….

Prej asaj kohe, pra prej kohës kur familja e tij u ekspozua si një përgjegjëse në një histori të rëndë korrupsioni e më pas, gjithë pushteti i Berishës ishte në funksion të mbrojtjes së Familjes nga skandalet. Ai bëri armiq presidentin e Republikës, kryeprokurorin, deputetë dhe ministra të tij, vetëm se nuk ishin të gatshëm të mbronin fëmijët e tij. Nga ana tjetër, ai i bëri një gjëmë dyfish PD-së, pasi promovoi dhe ngriti në poste kyçe eunukë idiotë, të cilët kuptuan se kishte ardhur koha që për të bërë karrierë, mjaftonte të ishe i gatshëm të mbroje Familjen. Është kjo arsyeja që sot në PD ekziston Aldo Bumçi, Eduard Halimi, Lulzim Basha, Flamur Noka apo dhe Gert Bogdani.

Historia politike e Berishës pas vitit 2008 është një histori e luftës se pushtetit të Familjes për të nënshtruar shtetin shqiptar, për ta kapur atë dhe për të siguruar të ardhmen e patrazuar të familjes. Ata kapën pas kësaj gjithë institucionet, gjithë gjykatat, prokurorinë, presidentin, Bankën Qendroe dhe bankat e nivelit të dytë, medien dhe shoqërinë civile, universitetet private dhe publike, dhe çdo gjë tjetër ku lëviznin milionat e Familjes.

Për t’i kapur të gjitha këto nuk ishte e lehtë. Diku duhet të mbeteshe peng i tyre. Dikujt duhet t’i falje të kaluarën, dikujt duhet t’i besoje sekretet, dikush duhet të të bënte punët e pista etj.

Nga mënyra se si Sali Berisha sillet tani me institucionet që ka pas kapur në pushtet, jemi në gjendje të kuptojmë kush prej tyre varet prej Berishës ende, dhe kush prej tyre mban peng Berishën. Fjala vjen, kur flasim për presidentin, e dimë që Berisha shkon të pijë kafe një herë në javë, e udhëzon çfarë të bëjë dhe ai e zbaton me përpikmëri. Pra, kemi ende një raport ushtar- komandant. E njëjta kur flasim për gjykatat apo prokurorinë. Por, qenka një institucion para të cilit Sali Berisha është peng dhe ndjehet i frikësuar t’i iki nga duart. Kjo është Banka e Shqipërisë. Edhe pse Ardian Fullani është një i majtë i vjetër, një ish- lapangjoz i Fatos Nanos, Sali Berisha është peng tek ai. E tregoi dje në mënyrë të frikshme, kur pasi mbrojti Fullanin, doli dhe një herë të mbronte djalin e tij, Erikun!

Askush nuk ka gjë me djalin e Fullanit. Të gjithë e kuptojmë që kemi të bëjmë me një fëmijë problematik, të keq-edukuar dhe të rritur mes parash. Ai nuk është si Shkëlzeni dhe Argita. Ai nuk bën biznes. Ai nuk vret njerëz. Ai nuk vë gjoba. Ai nuk shet koncesione dhe nuk bën privatizime. Ai nuk hedh bizneset në emër të shokëve. Ai është një kalama që reflekton me sinqeritet fytyrën e familjes Fullani, papërgjegjshmërinë e prindërve jo vetëm ndaj institucioneve publike, por dhe ndaj institucionit të shenjtë të prindit. Eriku është i pafajshëm. Ai është viktimë e prindërve të tij dhe askush nuk e bën atë fajtor. Është kjo arsyeja që shqiptarët janë të irrituar me Fullanin dhe duan dorëheqjen e tij.

Sali Berisha vrapon të mbrojë Erikun sikur është Shkëlzeni, sikur ka hapur ndonjë biznes dhe i janë vrarë 26 vetë, sikur i ka kërkuar ndonjërit tre për qind për firmën e babait, apo sikur ka shitur ndonjë pronë të bankës dhe ka marrë përqindje. Jo! Eriku është një fëmijë i llastuar dhe keq-edukuar, për të cilën Fullanët duhet të ndjehen më fajtorë se për vjedhjen e bankës apo shitjet e gjyqeve. Askush nuk është i zemëruar me Erikun! Unë si prind ndihem keq për të. Është në moshën e fëmijëve të mi, kanë shokë të përbashkët dhe është aq i sinqertë në ato që ka bërë, duke ekspozuar gjithçka, sa i duhen dyfishuar akuzat prindërve të tij.

Ai që më çudit në këtë rast është Sali Berisha. Ai nxiton të shpjegojë dhe Instagramin e Erikut, Facebook-un e tij, cilësinë e veturave dhe orëve, për t’i kujtuar Fullanit se po e mbron sikur ta kishte djalin e vet. Kjo nuk i vlen fare Erikut. Ai nuk i ka rënë më qafë askujt si qytetar, nuk ka vënë gjoba, nuk ka vrarë për të fituar. Maksimumi ka prishur pa kriter paratë e fituara pandeshmërisht nga prindërit e tij. Sali Berisha nuk ka pse e mbron sikur të ishte Shkëlzeni.

E vetmja arsye që mund ta bëjë këtë, është nëse Fullani di ndonjë gjë aq të rëndë për Shkëlzenin apo fëmijët e Berishës, sa ky i fundit nxiton t’i bëjë një nder paradhënie, për t’i treguar se s’duhet të tradhtojnë njëri- tjetrin.

Erik, mos e prano atë avokat! Edhe nëse ka qenë orgjinal 500 euroshi që fshije djersën, edhe nëse janë orgjinale gjithë orët që na çmende duke na i treguar, edhe nëse ke 5 vetura e 7 dyqane, ne e dimë që nuk janë të tuat. Nuk kemi gjë me ty. Ti ke kohë të ndryshosh, të bëhesh djalë i mirë, të ulesh e të bësh ndonjë punë në këtë jetë, t’ia dalësh dhe pa babain guvernator e mamanë gjykatëse. Jeta nuk është vetëm lek qyl. Vlejnë dhe shijon më shumë kur është e vërtetë. Injoroje atë që i kërkon “besën” babait tënd duke bërë sikur të mbron ty. Ti nuk ke bërë ndonjë krim ndaj nesh. Ndaj teje është bërë krim prej prindërve të tu, që të kanë mësuar të sillesh kështu .

Por, ti ke kohë dhe shpresë. Ai që bën sikur të mbron, s’ka kohë dhe shpreson t’ia mbrojnë gjëmat e fëmijëve të tij, njësoj siç mbron ai Instagramin tënd. Mos ça kokë për të.

Është një histori që na ka zemëruar për shkak të babait tënd. Nëse ai është njeri i lirë dhe ikën duke kërkuar ndjesë, ti s’ke asnjë punë me “besën” që kërkon Berisha. Nëse yt atë nuk është i lirë, ne ndjehemi të pafuqishëm ligjërisht ta shkarkojmë dhe do vazhdojmë të merremi me të. Këshilli i Bankës nuk e bëri këtë. Babai yt i pengoi. Qeveria nuk e bën dot, pa mbaruar hetimet prokuroria dhe pa i thënë fajtor. Deri atëhere, natyrisht ti do bezdisesh, se do të kujtojnë të gjithë Instagramin, fotot, 500-çen e djerësve, gjyqet e nënës, dyshimet për vendimet etj. Është çmimi që do paguash për lirinë e babait tënd, ose më mirë të them, mungesën e lirisë. Ai duhet të zgjedhë. Prindërit e mirë dhe njerëzit me dinjitet në raste të tilla ikin vetë. Pafuqia jonë për ta hequr nuk është vlerë e tij, është antivlerë e sistemit. Vlerë e tij është të provojë që është njeri i lirë, i përgjegjshëm dhe i gabueshëm si çdo njeri, qoftë dhe në rastin tënd.

Shpresojmë të gjithë si të pafuqishëm që jemi sot, që ai të të zgjedhë ty, të të mbrojë ty, të iki për ty dhe mos të të lërë në dorë të nderit reciprok të Sali Berishës. Ti nuk ke punë me atë dhe Familjen e tij. Ti mund ta rinisësh jetën dhe historinë tënde. Ai dhe nëse i jep gjithë thesarin e bankës së babait tënd, nuk e riblen dot historinë e tij.