JETA IME ËSHTË E LIDHUR ME MUZIKËN

0
28

Ndue Lazri

Bisedë me sopranon Sonila Kaceli

Sonila Kaceli, një soprano që tashmë ka formuar një emër në qytetin e Bolonjës, ku ka studiuar prej disa vitesh dhe është bërë pjesë aktive e jetës kulturore në këtë qytet. Pasardhëse e “dinastisë” së njohur intelektuale e artistike Kaceli, bijë e legjendës së koreografisë e baletit shqiptar, Gëzim Kaceli, njërit nga themeluesit e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës, ajo lufton të ecë në këtë rrugë e ta mbajë lart këtë emër.

– Babai juaj e nisi rrugën artistike në moshën 12 vjeç dhe u bë një nga mjeshtrat më të mëdhenj të koreografisë e baletit shqiptar. Po Sonila, në ç’moshë e nisi ëndrrën dhe rrugën e saj të këngës?

– Mbi të gjitha faleminderit për intervistën tuaj. Lidhja ime me muzikën e ka fillesën e saj në shkollën tetëvjeçare “Fan Noli”, në Tiranë. Isha në klasën e parë, kur një ditë trokiti në klasën tonë mësuesi i muzikës (profesor Fatosi). Ai, pasi na bëri një provë të zërit dhe të dëgjimit disave prej nesh, më zgjodhi bashkë me një nxënës tjetër për të përfaqësuar shkollën tonë në një konkurs, që mbahej tek pallati i pionierëve. Me sa duket kishin konstatuar dhuntinë e këngës tek unë.

Vazhdimi rrodhi krejt natyrshëm, nëpërmjet aktiviteteve që atëherë zhvilloheshin pranë shtëpive dhe pallatit të pionierëve. Dëshira për të kënduar ishte gjithmonë e më e fortë dhe emocione të reja do të lindnin me përqasjen ndaj muzikës klasike dhe konkurimit e vazhdimit të saj në liceun artistik të Tiranës.

– Sa ka ndikuar trashëgimia artistike e familjes në rrugën tuaj të formimit si artiste?

– Mendoj se ky faktor ka luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm, për vetë stimujt që ofronte: Së pari, muzika, piktura dhe artet e bukura ishin pjesë e natyrshme e brumit familjar të asaj që ju e quajtët “dinastia Kaceli”. Është privilegj të rritesh e të edukohesh në një ambient të tillë ku arti ishte i barazvlershëm me bukën e përditshme, motiv i vetë ekzistencës. Së dyti, mundësia e frekuentimit që në moshë të vogël të teatrove dhe sallave koncertale, dëgjimi i “përzgjedhur” i literaturës muzikore botërore mund të kenë lënë gjurmët e tyre, sidomos në formimin e shijes muzikore dhe artistike.

– Ju keni studiuar dhe sapo u laureuat me rezultate shumë të mira në konservatorin “G.B. Martini” të Bolonjës. Përse zgjodhët pikërisht këtë qytet për vazhdimin e studimeve?

– Po, sapo kam përfunduar specializimin në Canto Barocco e Rinascimentale pranë këtij konservatori me pedagogen dhe këngëtaren e shquar Gloria Banditelli. Arsyeja kryesore për të cilën zgjodha Bolonjën vite më parë ishte e lidhur fillimisht me faktin se dëshiroja të ndiqja universitetin në Fakultetin Dams (Discipline Arte Musica Spettacolo, indirizzo musicale), ku edhe në fakt jam laureuar me rezultatin më të lartë. Universiteti i Bolonjës njihet si një nga universitetet më të lashtë e të rëndësishëm dhe historia e Bolonjës, ashtu si e shumë qyteteve të tjerë të Italisë, është shumë e pasur edhe përsa i përket anës muzikore. Ky qytet ka disa teatro, ku jepen shumë spektakle edhe të muzikës lirike e klasike.

-Vërtet, Bolonja është një qytet me jetë të gjallë kulturore, ka institucione të shumta, ka nxjerrë artistë, shkrimtarë, poetë e këngëtarë të njohur edhe në nivele ndërkombëtare. Më ka qëlluar t’ iu ndjek në disa koncerte e aktivitete e mund të them që tashmë edhe ju jeni një pjesë aktive e kësaj jete kulturore. Cila ka qenë rruga e integrimit në këtë ambient dhe kush ju ka ndihmuar për ta arritur sa më parë atë?

– Ju falenderoj për këtë vlerësim. Rruga e integrimit ka qenë me hapa te ngadalshme por të vendosur. Sigurisht ambientet e formimit (universiteti, konservatori, shkolla e teatrit) kanë luajtur rolin më kryesor në këto hapa drejt integrimit. Më lart përmenda profesoren time, këngëtaren Gloria Banditelli. Mendoj se i takon një falënderim dhe mirënjohje e veçantë nga ana ime, sepse më ka qëndruar afër, ka besuar tek unë dhe tek aftësitë e mia vokale, më ka tërhequr natyrshëm në aktivitetet kulturore e artistike të Bolonjës, ku ajo vetë ishte shpesh edhe protagoniste, më ka njohur me ato ambiente e më ka ndihmuar të ngjitem në skenën bolonjeze.

– Në spektaklin e ndërtuar mbi veprën poetike te Paskolit, ishit protagoniste jo vetëm si interpretuese, por edhe si autore e muzikës, e cila u mirëprit nga publiku. Mendoni se kompozimi do jetë pjesë e personalitetit tuaj artistik, krahas interpretimit si soprano?

– Kompozimi mbetet një nga pasionet që e kam fort për zemër, por që në të njëjtën kohë kërkon shumë studim dhe përkushtim. Në konservator, përveç kantos, kam marrë edhe disa njohuri të kompozimit, ndonëse për një kohë relativisht të shkurtër. Do të më pëlqente t’i thelloja akoma më tepër njohuritë e mia në këtë fushë. Përsa i përket triologisë së Paskolit “Le Canzoni di Rè Enzo”, ajo përbëri një shtysë dhe stimul të vërtetë që unë t’i rikthehesha kompozimit. Tri poemat e Paskolit, që janë pjesë e kësaj triologjie e që u vunë në skenë në formë teatrale, kanë një bukuri të mahnitëshme e forcë ekspresive të rrallë. Ato kanë qenë vërtet një burim frymëzimi i pamasë për kompozimet e mia, që janë konceptuar në funksion të kërkesave dhe natyrës së një shfaqjeje teatrale. Jam munduar në ato t’i qëndroj sa më besnike tekstit dhe idesë artistike të Paskolit.

– Në pjesën e kompozuar nga ju në atë spektakël, ndjehej lehtaz edhe flladi i muzikës popullore shqiptare, veçanërisht i jares shkodrane, e cila ishte shkrirë aq harmonishëm me natyrën lirike në tërësi të pjesës. Ndjenjë malli e hedhur me qëllim?

– Gëzohem që e keni rrokur këtë veçanti. Sigurisht, muzika popullore ka lënë një shenjë të thellë tek unë, mbase edhe për faktin se kam qenë shpesh interpretuese e saj, por në rastin konkret ajo çka me shtyu t’i frymëzohem asaj, m’u sugjerua, në një farë mënyre nga vetë teksti i Paskolit. Në rastin konkret bëhet fjalë për këngën e mbretit të vdekur (“La canzone del rè morto”, pjesë e shfaqjes teatrale “La Canzone del Paradiso”). Paskoli u bazua për këtë poezi tek një legjendë popullore e marrë nga “Lu cunto de li cunti” (përmbledhje përrallash dhe legjendash e G. Basile-s në dialekt napoletan e publikuar ne 1635). Mbase edhe për këtë fakt përqasja me motivet tona erdhi në mënyrë më se të natyrshme. Në disa kompozime të tjera jam përpjekur të fus, gjithmonë në përshtatje me metrikën dhe ritmikën e brendëshme të tekstit, disa prej ritmeve të përbëra, që janë tipike të muzikës shqiptare dhe asaj ballkanike më në përgjithësi.

– Ju merrni pjesë edhe në manifestimin e organizuar nga Real Balet në Bisignano të Cosenzes, ku shfaqet edhe një emër tjetër nga familja Kaceli, në fushën e baletit. A mund të na thoni diçka rreth këtij manifestimi dhe koreografit Renis Kaceli?

– Real Balet është emri i shkollës së baletit të drejtuar nga vëllai im, Renisi, dhe bashkëshortja e tij, Alessandra Ferraro. Pas studimit në shkollën e baletit dhe një periudhe të shkurtër pune si solist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, Renisi vazhdoi specializimin dhe aktivitetin e tij artistik në Itali, ku në mes të tjerash, ja vlen të përmendet specializimi i tij si pedagog pranë Akademisë Teatro alla Scala të Milanos. Përkushtimi i punës së tij e të bashkëshortes si koreografë e pedagogë ka dhënë dhe vazhdon të japë frytet e saj duke u kurorëzuar me çmime të shumta që ju janë dhënë nxënësve dhe shkollës së tyre në konkurse të ndryshme.

– Lirika italiane është padyshim ndër më të njohurat e më të bukurat në botë. Si ndjehet Sonila Kaceli në teatrot ku interpretohet kjo lirikë?

– Është një fat i madh që kam patur mundësinë e mirë të studioj në djepin nga ku ka lindur shkolla e bel cantos, e famshme në të gjithë botën dhe sigurisht emocion i veçantë është të dëgjosh “dal vivo” këngëtarët më në zë të këtij arti; në rastin kur ata kanë qenë artistë shqiptarë emocioni ka qenë, pa dyshim, i shumëfishuar.

– Me siguri keni edhe idhujt artistikë të kësaj fushe. A mund të veçoni disa prej tyre?

– Idhulli,për mua më i lartë (e me siguri jo vetëm për mua), mbetet figuara e Maria Callas. Përsa i përket një këndvështrimi më specifik, atij të muzikës baroke, do të veçantoja midis shumë e shumë interpretuesve të një niveli të lartë Emma Kirkby- n.

– Në tetor të vitit të kaluar, bashkë me trion LatinoBalcanica Ensemble, ku bëni pjesë, keni fituar çmimin e parë në “Premio Nazionale delle Arti” në seksionin “Musica d’ Insieme e da Camera”. Mund të flisni diçka për këtë trio?

– Ashtu siç edhe emri i kësaj trioje mund të lërë të nënkuptojë, bëhet fjalë për një formacion që i kushton kujdes të veçantë muzikës popullore italiane dhe asaj ballkanike, duke u nisur nga një këndvështrim i veçantë ,siç është ai i muzikës kontemporane. Repertori ynë, në pjesën më të madhe, interpretohet “a cappella” (pa shoqërim instrumental) dhe përfshin edhe kompozime të disa prej kompozitorëve më në zë të panoramës muzikore kontemporane, jo vetëm bolonjeze, si Chiara Benati, Pier Paolo Scattolin, etj. Përveç meje, që jam sopranoja, trioja përbëhet nga Elisa Bonazzi (mezzosoprano) e Angela Troilo (contralto).

– Ju sapo u laureuat ne konservator. Ku e mendoni të ardhmen tuaj si artiste, në Shqipëri apo në Itali, apo mbase në ndonjë vend tjetër?

– Nuk e di nëse e ardhmja ime do të vazhdojë të jetë e lidhur më tepër me Italinë apo me Shqipërinë. Për një motiv apo tjetrin, lidhja (edhe mbas shumë e shumë vitesh) mbetet e fortë me vendin tim të lindjes, por për arsye të tjera po aq e fortë mbetet edhe me vendin tim të “adoptimit”. Mendoj, gjithësesi, se do të gjendem mirë kudo që do të kem mundësinë të bëj “buona musica”.

– Ju falënderoj për bashkëbisedimin dhe ju uroj suksese në karrierën tuaj artistike.

-Faleminderit juve.