NGA: CARLO BOLLINO
Një ditë po e një ditë jo, një traget prej 500 vendesh lidh Puljan me një hapësirë që numëron rreth 13 milionë konsumatorë. Pesëqind pasagjerë mbi një anije të vjetër gati 30-vjeçare dhe asgjë më shumë: asnjë linjë ajrore, asnjë lidhje tjetër me atë pjesë të Ballkanit, prej vitesh simbol i luftërave dhe mungesës së zhvillimit, e që sot do të bashkohet më Italinë dhe Bashkimin Europian falë një revolucioni paqësor. Qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, për herë të parë pas 18 vjetësh do të hyjnë në territorin tonë pa iu dashur të tregojnë një vizë: ata janë parathënës të efekteve të një zgjerimi evropian ende të papërfunduar, të cilët nga 19 dhjetori do të kenë hyrje të lirë në qytetet, dyqanet e hotelet tona.
Zyra e statistikave ‘Eurostat’ deklaron se, ne italianët vazhdojmë të jemi një vend emigrantësh: transferohemi për të jetuar dhe punuar në vende të tjera evropiane me të njëjtën urgjencë ndryshimi që një shekull më parë na çonte përtej oqeanit. Mes emigrantëve të brendshëm, jemi në vend të dytë pas rumunëve. E megjithatë, për ne është e paimagjinueshme ç’do të thotë të kërkosh një vizë për të shkuar në një vend tjetër. Është një odise burokracish, shpenzimesh, radhësh të gjata, jo rrallë poshtërime, shumë shpesh zhgënjime. Ndonjëherë është histori dhimbjeje, sepse bashkë me vizën mund të mohohet dhe një kurë për jetë a vdekje dhe është histori ilegaliteti, sepse është ai mohim që çon në rrugën e klandestinitetit, që duke e ndërmarrë, – nëse nuk mbytesh, – mund të humbasësh gjithsesi lehtë.
Është e kuptueshme që 13 milionë qytetarë festojnë rrëzimin e murit të fundit, është e pakuptueshme që për këtë rrëzim muri nuk flet njeri nga kjo anë tjetër e detit. Ndoshta, sepse përballë këtij rrëzimi, askush nuk është i përgatitur në Itali. As Pulja përballë, që për dhjetëra vite është parë nga Ballkani si simboli i tokës së mohuar dhe që sot, duke u bërë e kapshme, duhet të përbënte portën natyrore të këtij fluksi.
Nëse republika e re e Malit të Zi numëron rreth 600 mijë banorë dhe ajo e Maqedonisë pak më shumë se 2 milionë, Serbia kapërcen tashmë 10 milionë banorë dhe të mos mendosh sot, kur janë më në fund të lirë të lëvizin, të kapësh spostimet e tyre, është gabim fatal. Ndoshta jemi jashtë të gjitha afateve, komenton një operator turistik. Austria dhe Gjermania prej vitesh po investojnë për të fituar zemrat dhe bizneset e popullsisë serbe, dhe është e natyrshme të besosh se me liberalizimin e vizave njerëzit të ndjekin atë linjë. Edhe sepse është një linjë e shënuar tashmë. Çdo ditë nga Mynihu dhe Frankfurti nisen 5 linja avionësh drejt Beogradit, vajtje-ardhje. Fluturimet nga Italia janë vetëm 3, dhe nga Bari asnjë.
E vetmja rrugë për të mbërritur në Pulja është deti, përmes Malit të Zi me të vetmin traget prej 500 vendesh. Një verbëri prej jugorësh. Pesë vite më parë, duhet të kujtojmë, fluturimet direkte Bari – Tiranë ishin dy në ditë. Sot lidhjet janë katandisur në një në dy ditë. Edhe pse shkëmbimet janë intensive; porti jeton falë shkëmbimeve me Shqipërinë: mbi 700 mijë pasagjerë në vit, kundrejt 500 mijë pasagjerëve nga Greqia.
Prej kohësh ne italianët deklarojmë se shohim me interes Ballkanin, duke e përcaktuar deri në “zonë strategjike”. E kemi bërë këtë që në fillim të viteve ’90, kur, duke zgjedhur rrugën e delokalizimit, filluam të kërkonim në Lindje vende për investime të lehta. Edhe politika jonë e jashtme tentoi të nisë rrugën e saj, duke mbërritur më vonë se ndërmarrjet dhe asnjëherë në ndihmë të tyre, por pa dyshim, duke kontribuar në paqen e atij rajoni me dërgimin e mijëra ushtarëve e duke nxitur sipërmarrjen dhe zhvillimin me projekte të pasura bashkëpunimi. Duke menduar se mbajmë akoma vulën e vjetër të kolonizatorëve, u sforcuam të mos kërkojmë asgjë në këmbim, duke vazhduar një impenjim konstant në vite. Është paradoksale që duke qenë të pranishëm kaq herët, të vëmë re sot se sa vonë jemi.
Brukseli u ka hapur tashmë dyert gati të gjithë qytetarëve të Ballkanit: burokracia vrasëse e vizës mbetet në fuqi vetëm për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën, çuditërisht të vetmet vende me shumicë myslimane. Urojmë që kjo pengesë të hiqet shpejt dhe për ta, që në këmbim të stabilitetit që i kanë ofruar Europës, edhe këtyre popujve t’u njihet e drejta e shenjtë e qarkullimit të lirë. Por, ne duhet të jemi: pasi ndamë bashkë kohët e krizës, duhet të pretendojmë të shijojmë rilindjen. Deti nuk na sjell më anije të mbushura plot me klandestinë në arrati, por kapitale dhe konsumatorë. Asnjë tragjedi e zi, por njerëz të lirë, copëza jete dhe premtime integrimi. Është fundi i bukur që kishim ëndërruar, por ndërkohë, nuk po e vëmë re se po bëhet realitet.
(La Gazzetta del Mezzogiorno / BalkanWeb)







