TemA Online, 12 Janar 2012
Ambasadori i Danimarkës thotë se një president konsensual do të ishte një shembull i funksionimit të demokracisë dhe këtë e parashikon dhe fryma e Kushtetutës
Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjer Jensen, vendi i të cilit mori presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ka thënë se Shqipërisë i duhet të tregojë se po punon seriozisht që të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat këtë vit.
Duke folur për Ora News, ai foli dhe për zgjedhjen e presidentit të ri, duke kërkuar një emër që të përfaqësojë shqiptarët dhe jo Partinë Demokratike, si dhe ndau opinionin e tij për 21 janarin, duke e cilësuar një ditë që vuri në dyshim rrugën për ku ishte nisur Shqipëria. “Duhet të ketë përputhje mes asaj që bëhet dhe asaj që thuhet. Ne do shikojmë nëse Shqipëria po bën vërtet ato që thotë se po bën. Detyrat nuk janë të vështira, ndonjëherë ka të bëjë më shumë me ndryshimet e sjelljes apo qasjes”, tha Jensen i pyetur për statusin.
Ndërsa për Presidentin Jensen pranoi se fryma e Kushtetutës imponon një emër konsensual dhe një zgjedhje e tillë do të ishte një tregues i demokracisë. “Do të ishte e mrekullueshme që partitë të binin dakord për një president me konsensus, që do të zgjidhej në një rrugë konsensuale, që do t’i bënte politikanët të tregonin se kanë kuptuar se çdo të thotë demokraci. Kjo mendoj se është edhe brenda frymës së Kushtetutës. Zgjedhja me 71 vota është varianti i fundit që parashikohet në Kushtetutë, ky s’duhet të jetë qëllim në vetvete”.
Ndërsa i pyetur nëse rruga e propozuar nga PS për një konkurs të hapur është e duhura, ai thotë se ky është teknikalitet. “Nuk është e rëndësishme si gjenden kandidatët, por të jetë një president që të ketë kriteret që të jetë simbol i gjithë shqiptarëve dhe jo simbol i partisë”, tha Jensen duke aluduar direkt mbi deklaratat e Berishës se presidenti do të dalë nga PD-ja.
Në prag të 1-vjetorit të 21 janarit Jensen e quan këtë ngjarje një hap prapa për vendin tonë. “E kam ndjekur nga fillimi deri në fund, isha dëshmitar okular, ishte një ditë shumë e trishtueshme për demokracinë shqiptare. Në pat një ngjarje që ngriti dyshime se për ku Shqipëria është drejtuar ishte 21 janari dhe ditët që erdhën më pas. Dhe këto dyshime akoma nuk janë zhdukur”, deklaroi ambasadori danez.