JEHON FUQISHËM “BLU SKY” E SHKODRËS, NË “NATËN E NIKAJ-MËRTURIT”…

0
62

Mbresa

Nga: Murat Gecaj

1.


Kur po udhëtonim, nga Tirana për në qytetin e Shkodrës, plot tradita edhe në fushën e kulturës e arteve, bashhkë me kryetarin e Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, Av.Gjin Niklekaj e bashkëshorten e tij, Bardhën, mendjen e kishim te shfaqja festive, që do të jepej në Kinoteatrin e bukur, “Bly Sky”. Me merakun që çdo gjë të ishte sa me e organizuar, ai foli në celular me udhëheqësin artistik të shfaqjes, por dhe këngëtar i njohur, Prekë Mrishaj. Gjithashtu, bisedën e sollëm edhe për artistët, që do të këndonin. Ndër ta, e ftuar nderi do të ishte këngëtarja e mirënjohur, por dhe vjershëtarja e Bashkësisë Shqiptare në Nju Jork e më gjerë në Amerikë, Dila Gecaj. Për atë, nuk do të ishte i panjohur mjedisi, ku do të jepej shfaqja festive. Kështu, një vit më parë, pikërisht aty, në fundin e dhjetorit 2014, të ftuarit morën pjesë në shfaqjen festive “Nata e Nikaj-Mërturit”. Me atë rast, Dila ishte bashkë me miken e saj, Lindita Gjoka, gjithashtu këngëtare e njohur shqiptare, në Athinë.

Kur mbërritëm në mjediset e Kinoteatrit “Blu Sky”, ndër të parët, takuam edhe Dilën. Ajo po përgatitej me kujdes për shfaqjen. Por, megjithëse gjatë jetës ka marrë pjesë në sa e sa koncerte, në pamjen e fytyrës vërej njëfarë emocioni, i përzier me kënaqësinë, se do të këndonte në një mjedis me dhjetëra e qindra bashkatadhetarë të saj, disa të ardhur edhe nga Kosova. Ajo ishte e kënaqur se aty po i takonte prapë pjesëtarët e ansamblit artistik të “Nikaj-Mërturit”, ndër të cilët ishin: vëlla e motër Denis e Vitore Delia(Matoshi), Nikolin Përpali, Gjin e Dardan Pepkolaj, Lekë Pecnikaj, Gjovalin Shani, Gofile Papleka, Zef Beka, Bardhok Prebibaj etj., si dhe tri motrat Bushi, nga Kosova.

2.

Moderatorja Alma Mehmeti ua njoftoi pjesëmarrësve të shumtë në shfaqje, emrat e këngëtarëve, sipas programit të hartuar që më parë. Këndonin ata njëri pas tjetrit dhe salla oshëtinte nga zëri melodioz i tyre dhe duartrokitjet e shikuesve. Ja, sakaq, ajo njoftoi se erdhi radha që të dilte në skenë këngëtarja Dila Gecaj, e cila një ditë më parë kishte ardhur në Shqipëri, nga Amerika, posaçërisht për këtë festë. Sakaq, salla shpërtheu në duartrokitje, duke shprehur kështu secili kënaqësinë e tij. Ashtu si shpesh herë më parë në shfaqjet e saj, ajo kishte veshur rroba të bukura popullore. Alma e përqafoi atë përzemërsisht dhe iu drejtua të pranishmëve: “Tani, këndon Dila Gecaj!…” Menjëherë, pranë saj zunë vend vajzat valltare, me veshje popullore, të cilat e shoqëronin atë me lëvizje të shkathta e harmonike.

Kënga e parë, që interpretoi Dila, e ka titullin “Isha i ri, kur u mërgova”. Prandaj çdokush, që e dëgjoi, përjetoi emocione të veçanta, ndoshta edhe lotoi, pasi kjo këngë u kushtohet qindra e mijëra djelmoshave, të cilat ndër vite u detyruan t’ua kthejnë shpinën prindërve ose nuseve, Atdheut të tyre e të marrin udhët e botës, për një jetesë më të mirë. Me duartrokitje të forta u shoqarua kënga tjetër e saj dhe mjaft e njohur, “Bishtalecat palë-palë”. Me interpretimin e veçantë dhe trimbin e bukur të zërit, bëri që dikush të shprehej për Dilën: “Me zërin e saj, po më kujton Luçije Milotin…”. Ndërsa një tjetër uroi dhe tha, me dashamirësi e vlerësim për të: “Të këndoftë zemra, Dila Gecaj!”

3.

U pëlqyen dhe u duartrokitën nxehtësisht, pa përjashtim, të gjithë këngëtarët, të cilët morën pjesë në këtë shfaqje të bukur. Bashkërisht, ata bënë që përsëri të buçiste Kinoteatri aq i bukur e madhështor “Blu Sku” në Shkodër. Të pranishmit në shfaqje pëlqyen edhe interpretimin e humorit me temë “Gaz e maraz” dhe lojën në skenë të dy vogëlushëve. Prandaj mirënjohja e të gjithëve ishte për tërë organizatorët e shfaqjes, por dhe pë rata, që e dhanë ndihmesën e tyre pa kursim, me qëllim që veprimtaria të dilte sa më mirë. Duke kërkuar ndjesë për ndonjë emër, që nuk e shënuam dot, përmendim këtu sposorët e kësaj shfaqjeje: Pllum Delia, Sander Shpati, Ilir Niklekaj, z.Blerim, firma ndërtuese “Merigeni” sh.p.k., me seli në Lezhë etj.

Gjatë kësaj shfqjeje të paharruar, artistët tjerë interpretuan këngë, me lahutë e çifteli, si: “Për ty Shqipe, këndon sot zemra”, “Rritet lulja përmbi gurë”, për fshatin plot tradita Curraj i Epërm, këngë popullore lirike etj.
Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie ishte përshëndetja e Valdet Berishës, përfaqësues i degës së Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, në Gjakovë. Gjithashtu, u shpall vendimi i kryesisë së Shoqatës “Nikaj-Mërtur” dhe u shpërndanë “Mirënjohje” për artistët virtuozë popullorë të kësaj krahine: Sokol Martini, Zef Avdia e Dedë Sokoli. Ata mbahen mend nga brezat edhe për interpretimin e rrallë në veglën popullore të lahutës.

4.
Kur pjesëmarrësit shikues të këtij koncerti festiv të fundvitit po largoheshin nga mjedisi “i zjarrtë” e shumëngjyrësh i Kinoteatrit “Blu Sky”, në mendje u kishin mbetur shumë gjëra emocionuese e të bukura. Ndër to, ishte zëri melodioz i të gjithë këngëtarëve, por dhe interpretimi i vallëtarëve. Por, gjithashtu, atyre sikur u ushtonte përsëri në veshë melodia e instrumenteve karakteristikë, që shoqëronin këngët e vallet tona popullore. Padyshim, ndër ta ishte edhe vallëtari i moshuar Sadik Maxharri, me veshjen dhe vallëzimin e tij karakteristik të krahinës së vet, Istog i Kosovës.

Prandaj, natyrshëm, nderimi dhe respekti i të gjithëve shkoi për tërë organizatorët dhe posaçërisht për artistët, të cilët morën pjesë në këtë shfaqje, në “Natën e Nikaj-Mërturit” dhe i kënaqën pjesëmarrësit e pranishëm, me magjinë e këngëve dhe valleve të tyre të bukura.

Dhjetor 2015