Nga Mero Baze, 19 Janar 2013
Dy vjet pas demonstratës së 21 Janarit, bilanci i atyre që janë vrarë e kalon numrin e viktimave të dy viteve më parë. Ndërsa më 21 Janar 2011, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha lanë tetë fëmijë jetimë, duke vrarë katër qytetarë të këtij vendi, që demonstronin paqësisht para zyrave të tyre, dy vjet më pas, ata janë zhytur në spiralen e krimit dhe dëmi është shumë më i madh.
Pas vrasjes së Aleksit, Hekuranit, Faikut dhe Ziverit, Sali Berisha u angazhua në një fushatë të paprinciptë për të vrarë besimin se në këtë vend krimet ndëshkohen. Gjesti i parë i rëndë i tij ishte kur refuzoi të dorëzonte në prokurori gardistët duke kundërshtuar urdhrin e kryeprokurores. Ishte momenti kur Perëndimi mund të fliste dhe të ndalte këtë shkelje të paprecedentë të Kushtetutës, por u pa se interesi për vendin tonë ishte zero. Bashkimi Evropian dhe SHBA toleruan një kryeministër të refuzonte zbatimin e ligjit haptas duke shkelur Kushtetutën e vendit të tij dhe u përqendruan tek ndalja e zemërimit të opozitës.
Kjo i dha shansin Sali Berishës, që për gati një vit të bënte një betejë në dukje donkishoteske, por në thelb frikësuese ndaj institucionit të hetimit për të mos prekur dosjen e 21 Janarit, duke i ngritur Ina Ramës një komision hetimi parlamentar, që ishte gati për ta kryqëzuar për çdo hap të saj. E gjendur nën këtë presion dhe e mbështetur nga qeveria amerikane, ajo i dorëzoi provat e krimit te FBI dhe priti ekspertizën e tyre.
Një vit më parë, ambasadori Arvizu u shfaq në zyrën e Sali Berishës dhe Ina Ramës, për të na dëshmuar se faktet u hetuan. Kishte një reflektim të thellë për atë që kish bërë pas 21 Janarit, duke rënë në grackën e ngritur nga Sali Berisha “si burrë shteti”. Nga hetimi rezultoi se Komandanti i Gardës ka vrarë përtej dyshimeve një qytetar me dorë të vet dhe dyshohet dhe për të dytin. Po ashtu një gardist ka akuzë të qartë për vrasjen e të paktën një qytetari. Por ishte vonë. Sali Berisha ia kishte pirë lëngun Perëndimit.
Në vitin e dytë të kësaj ngjarje, ekspertiza e FBI është hedhur në koshin e plehrave dhe gjyqi ka degraduar në një farsë fyese për viktimat dhe drejtësinë shqiptare. Salla mbushet plot me gardistë agresivë që terrorizojnë gjyqtarët dhe puthin dorën e komandantit që ka vrarë. Sali Berisha ka arritur të prodhojë besim të plotë tek njerëzit e vet se kush vret për të, nuk ndëshkohet, kush vret për të, gradohet.
Bilanci i dytë i hidhur pas dy viteve është fakti se regjimi i Sali Berishës është legjitimuar për vrasjet e tij. Ministri i Brendshëm, përgjegjës direkt për këto vrasje, Lulëzim Basha, drejton i patrazuar nga krimi me një mandat të vjedhur Bashkinë e Tiranës, dhe gati duket se ai nuk ka lidhje më me 21 Janarin. Dy vajzat e tij jetojnë të lumtura në Holandë me milionat që prodhon monopolizimi i Tiranës në duart e “Kunatit”, ndërsa dy vajzat e Aleks Nikës moshatare me to, rrinë e çmallen me babanë çdo 21 Janar duke parë në kronika televizive.
Sali Berisha, urdhëruesi direkt i këtyre vrasjeve, e çon dhe më tej cinizmin e tij. Një ditë para 21 Janarit, ai poston në Facebook foton e mbesës dhe nipit duke luajtur me një qen në shtëpinë e tij, të veshur me aq luks, sa vajzës së Ziver Veizit do t’i mjaftonte të shiste rrobat e Sarës për të nxjerrë lekët e shkollës këtë vit. Ai do të tregojë se e ka tejkaluar kompleksin e prindit dhe gjyshit vrasës dhe se mund ta gëzojë i qetë jetën me nipat dhe mbesat e tij, edhe pse nuk është gjykuar ende për vrasjet.
Përpjekja për t’i legjitimuar ato si vrasje normale, dhe arroganca e karshillëku me fëmijët e të vrarëve, është një vdekje e re e shoqërisë shqiptare, një vdekje që po përhapet pak nga pak në kapilaret e kësaj shoqërie. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha po bëjnë kujdes të na shfaqen si racë e zgjedhur për të vrarë, ndërsa ne si qytetarë të dorës së dytë që duhemi vrarë. Ndoshta nxitohen pak këtu. Jeta është përpara.
E treta dhe më e rënda që ka ndodhur është vrasja e besimit tek protesta dhe betejat kundër pushtetit. Viktima ende e pangjallur e 21 Janarit është shpirti i protestës. Me vrasjen katër qytetarëve, mosndëshkimin politik dhe juridik të vrasësve dhe legjitimimin e tyre, shoqëria shqiptare ka humbur vizionin dhe shpirtin e saj të protestës. Atë që Enver Hoxha e shtypi me dhunë e hekur 50 vjet, Sali Berisha ua rikujtoi shqiptarëve në një ditë të vetme dhe ata ndjehen ende të frikësuar nga regjimi. Ata pak zëra kritikë të shoqërisë që rezistojnë, ndeshen përditë me këtë ndjenjë paniku të qytetarëve, për frikën se regjimi të vret po e kundërshtove. E ndjej unë dhe miqtë e mi gazetarë që kritikojmë Berishën, e ndjejnë disa opozitarë të ashpër me regjimin, dhe mbi të gjitha këtë frikë e ndjen dhe kënaqet dhe vetë Sali Berisha.
Dy vjet më parë shqiptarët u ngritën të revoltuar në protestë pas një beteje të gjatë opozitare, ku arroganca e pushtetit kishte injoruar transparencën e zgjedhjeve dhe në emër të vjedhjes së pushtetit u shfaq para kamerave me zë dhe figurë zëvendëskryeministri i këtij vendi, që fliste për miliarda. Kaq u desh dhe njerëzit vërshuan në rrugë. Dy vjet më pas, fakte të reja të rënda dëshmojnë se e bija e kryeministrit e përdor firmën e babait për gjoba tre milion dollarë, provuar kjo me fakte dhe dëshmitarë, por mungon revolta e 21 Janarit. Sali Berisha ka bërë kujdes që askujt të mos i shkojë mendja të ngrihet i revoltuar pse tashmë vjedh e bija dhe Familja e tij.
Mijëra njerëz u ngritën për batutën e Ilir Metës se “Gimi i kishte premtuar 700 mijë nga ana e vet” dhe askush nuk lëvizi nga vendi për batutën e Argitës që kërkon 3 milionë euro që babi t’i firmosë licencën investitorit. Është vrarë shpresa tek protesta dhe revolta kundër regjimit nga mënyra se si Berisha injoroi drejtësinë, injoroi Perëndimin dhe iu kundërvu institucioneve shqiptare dhe opozitës. Dy vjet pas 21 Janarit, ne i kemi të hapura jo vetëm llogaritë me vrasësit, por dhe detyrimin ndaj katër qytetarëve të vrarë. Sot, kur ne duhet të diskutonim për drejtësinë e rikthyer, flasim për milionat e Argitës dhe qenin e vajzës së saj veshur me lëkurë të shtrenjtë nga “kursimet” e gjyshit, ndërsa vajza e Ziver Veizit nuk ka lekë të vazhdojë shkollën.
E gjithë kjo na tregon se vrasjet e 21 Janarit nuk kanë mbaruar. Berisha po vazhdon të vrasë përditë pas 21 Janarit, si çdo vrasës që është i detyruar të rivrasë për të mbuluar krimin. Ai pasi vrau katër qytetarë, vrau drejtësinë, vrau besimin e ndërkombëtarëve, vrau shpirtin e protestës dhe revoltës dhe tashmë po tenton të vrasë dhe shpresën për ndryshim, e cila i garanton faljen e gjithë krimeve që i ka bërë. Kjo është arsyeja që çirret si plak i çmendur tribunave. Nuk e ka aq shumë hallin të bëjë miliona të tjera se boll ka bërë. Nuk e ka hallin as të shijojë akoma karrigen e kryeministrit se boll e ka shijuar këtë pushtet 22 vjet. Hallin më të madh e ka se e di që po iku nga pushteti, do përgjigjet jo vetëm për katër të vrarët, por dhe gjithë ata që tentoi të vriste pas 21 Janarit për t’i shpëtuar ndëshkimit.