ResPublica.al, 4 shkurt 2013
Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, dhe njëherësh deputet i PD-së, u vetëpërfshi para ca ditësh në një karfosje të ashpër publike mes vajzës bujëmadhe të kryeministrit të vendit dhe biznesmenit pakistanez, Ansar dhe me këtë “sakrifikim të kotë të imazhit të vet publik”, Xhepa ka kapur në befasi të gjithë ata që e njohin dhe e çmojnë, përfshirë dhe autorin e këtij shkrimi – shkruan Mustafa Nano në artikullin e tij të sotëm në të përditshmen SHQIP.
Por Nano shton se megjithëse Xhepës nuk i duhet vënë veshi kur “investohet” në ngjarje të tilla, i duhet vënë veshi kur flet për çështje të ekonomisë e të financave.
Shkruan Nano ndër të tjera duke analizuar një intervistë të Xhepës në “Shqip”-in e djeshëm ku, ka bërë ca nënvizime dramatike lidhur me gjendjen ekonomike të vendit, sidomos lidhur me gjendjen e kredive të këqija dhe të huamarrjes informale që ka plasur kohët e fundit në Shqipëri:
“…E vërteta është se fajdeja po shfaqet rrezikshëm, dhe kjo vjen edhe ngaqë (përveç arsyeve “shkencore” të Xhepës) qeveria nuk po u rimburson paratë që ata, bazuar tek një premtim i enteve qeveritare, i kanë nxjerrë nga xhepi i tyre dhe i kanë hedhur në investime publike. Dhe nuk janë një e dy. Janë me qindra. Janë biznesmenë idiotë? Jo, janë klientë të qeverisë, të cilët as që guxojnë të ngrenë dhe zërin për këtë situatë të krijuar. Janë gati të bëjnë harakiri me gjithë bizneset që kanë ngritur, por zërin nuk e ngrenë që nuk e ngrenë për të kërkuar paratë që u takojnë. Dhe për të zgjidhur hallet që kanë, për të mbajtur gjallë bizneset e për të përmbushur detyrimet që u kanë të tretëve, u janë drejtuar fajdeve.
Mund të mendohet, se “mirë t’i gjejë këta klientë të ndyrë të qeverisë!”, por puna është se këto biznese, janë si janë, përbëjnë zemrën e ekonomisë. Nëse këto biznese, qofshin dhe të ngritura apo të mbrojtura nga qeveria, marrin fund, tok me to kalon në kolaps tërë ekonomia. Ishte po “Shqip”-i që njoftonte dje, bazuar tek një deklaratë e tatimeve, se kompania “City Park” që lindi me pompa të mëdha para nja tre vitesh nën kujdesin e praninë e kryeministrit me gërshërë në dorë ka falimentuar (asnjë gazetë tjetër nuk e jepte këtë lajm!!!).
Dhe nuk është çudi që në këtë klimë të drojës bankare për të dhënë kredi e të rishfaqjes së fajdeve si një mënyrë për të zëvendësuar përgjumjen e bankave, këtë fat ta kenë dhe kompani të tjera, të cilat mbahen më kot me të madh. Një numër gjigandësh të ekonomisë sonë janë tigra prej letre, apo thënë me fjalë më konkrete, janë biznese të krimbura në borxhe ndaj bankave, të cilat i kanë shlyer duke marrë borxhe të tjera më të mëdha po te bankat. Po si është e mundur që këto të fundit kanë pranuar ta bëjnë këtë lojë? E kanë bërë nën presione të natyrave nga më të ndryshmet (edhe disa banka janë klientë të qeverisë), dhe kështu kemi ardhur në situatën që njohim…”
Nano i plotë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/02/04/kur-do-te-plase-fll…
Foto LSA:
Berisha në dhjetor 2009 në inaugurimin e City Park, për të cilin Shqip-i i djeshëm shkruante se ka falimentuar
550 lexime