Nga Mero Baze
Ndërsa u përpoq të ishte i ashpër me aktin terrorist të 11 Shtatorit 2001, Sali Berisha befas u step, e kuptoi se tha diçka të gabuar, tentoi ta ndryshonte duke përmendur 11 Shkurtin dhe më në fund e treta e vërteta, e gjeti 11 Shtatorin. Ishte një nga ato skenat e rralla kur njeriu kuptohet se çfarë ka në mendje dhe çfarë tenton të thotë me gojë. Ngatërresa e pafajshme e Sali Berishës, duke përmendur janarin, pastaj shkurtin, ka shpjegimet e veta mjekësore, por që janë prodhuar nga ngarkesa e tij politike ndaj një krimi të kryer.
Nga ana gramatikore nuk ka shumë afërsi mes 11 Shtatorit dhe 21 Janarit, përveç disa njëshave, ndaj nuk ke shumë arsye t’i ngatërrosh nëse këto dy data nuk i lidh diçka më e rëndë. Përpjekja e tij për ta korrigjuar ishte ndoshta një rrëshqitje nga shtatori në shkurt për shkak të “sh”, por thelbi i ngatërresës së tij mbetet fakti se ai ka ndaluar më 21 Janar.
Pas Gërdecit kjo është data e dytë që po transformon këtë njeri. Nëse për Gërdecin ka tre vite që vret gjithë politikën shqiptare, gjithë institucionet, gjithë lëvizjet politike, vetëm për të fshehur krimin e djalit të vet, më 21 janar ai ka një problem të madh. Ai ishte atje pas dritares me burrecin e tij të frikësuar Lulëzim Basha, kur urdhëruan të qëllohet mbi turmën e paarmatosur. Aleks Nika, sipas burimeve nga organet e hetimit, është vrarë nga pistoleta e një prej kryerojeve të tij. Komandanti i gardës është qëlluar me grusht dhe i është nxirë fytyra pse nuk ka pranuar të urdhërojë të qëllohet mbi turmë fillimisht.
Njerëzit u vranë në sytë e gjithë botës dhe u këputën para syve të fëmijëve të tyre në bulevard. Vajza e Ziverit e ka parë si i është vrarë babi, djemtë e Faikut e kanë parë të përgjakur disa minuta më pas babain e tyre, motrat e Aleksit e kanë parë ende të gjallë vëllain e tyre, kurse Hekuran Dedën e kanë parë gjithë njerëzit e familjes duke u rrëzuar i vrarë nga tavolina ku rrinin gazetarët. Dhe kur shihnin këto, të gjithë shihnin pas xhamit të blinduar dy burracakë vrasës, Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën. Nuk lanë gjë pa shpikur ta heroizonin krimin e tyre.
Na shpallën puçistë, ngritën komisione qesharake hetimi, anatemuan Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e SHIK-ut dhe refuzuan të dorëzojnë vrasësit drejtësisë. Me një panik që rrezatohej në çdo lëvizje të tyre, ata tentuan të merrnin pamjen e viktimës, portretin e njerëzve në hall, të sulmuar nga populli. Nuk ja arritën dot. Viktimat reale i përcollën 200 mijë njerëz në një manifestim- homazh një javë më pas, ndërsa Sali Berisha prej asaj dite ecën rrugëve me jelek antiplumb, me Benz të blinduar, dhe shkon nëpër televizione duke çuar më parë qenin antiminë, duke ju trembur atentateve.
Çdo ditë që kalon ai ka një problem të madh se ç’të bëjë me këtë datë. Ta heroizojë dhe ta quajë ditë triumfi mbi popullin, nuk guxon. Familjarët e viktimave po humbasin qetësinë dhe po kërkojnë drejtësi ose hakmarrje. Dy vajzat e Lulëzim Bashës dhe dy vajzat e Aleks Nikës nuk mund të jenë të qeta dhe në paqe me njëra- tjetrën në këtë vend nëse dikush nuk dënohet për ikjen e Aleksit. Djali i mbetur i Faikut dhe djali i Sali Berishës nuk mund të takohen normalisht në rrugë nëse dikush nuk paguan për vrasjen e Faikut.
Fëmijët e Ziverit dhe Hekuranit nuk mund të jenë qytetarë të barabartë me nipat dhe mbesat e Berishës nëse dikush nuk dënohet për vrasjen e prindërve të tyre. Sali Berisha e di se ajo datë i ka humbur qetësinë dhe shpresën për paqe në vend pa një ndëshkim.
Nëse 11 Shtatori i SHBA ishte një akt terrorizmi, ndaj të cilit bota dhe SHBA reaguan duke drejtuar gishtin mbi plagë, 21 Janari është një akt terrorist shtetëror, zbardhja dhe ndëshkimi i të cilit rrëzon perandorinë e frikës që po përpiqet të ngjallë Sali Berisha.
Mos u lodhni kot ta qetësoni atë njeri. Ne jemi në krizë politike, por dhe sikur në kulmin e paqes të ishim, ai do të ishte po aq gjakprishur sa atë ditë para stendës së 11 Shtatorit. Ne jemi në krizë ekonomike, por dhe sikur vërtet si Gjermania të ishim, ai njeri do ishte po aq gjakprishur sa ishte para stendës së 11 Shtatorit. Ne jemi në krizë morale, pasi po bashkëjetojmë me krimin dhe po heshtim para pushtetit të mafies, por dhe sikur të ishim një shoqëri dinjitoze, ai nuk do ta shijonte dot luksin tonë, pasi do ishte po aq gjakprishur sa ç’e pamë atë ditë para stendës së 11 Shtatorit.
Ai njeri nuk qetësohet dot më. Edhe sikur ta rivjedhë pushtetin, edhe sikur ta rivjedhë shtetin, edhe sikur të marrë çdo gjë që ka mbetur në këtë vend të mbaruar, ai nuk gjend dot paqe. Po e ftuat në ndonjë ngjarje që ka lidhje me terrorin atij do t’i kujtohet 21 Janari. Ai nuk shërohet më nga ajo datë, dhe ne jemi të gjithë të pafuqishëm për ta ndihmuar. Ai ka ato pak shanse që ka çdo i sëmurë psikik që fsheh një krim. Ai duhet të flasë me dikë, duhet të tregojë ndoshta me zë të lartë çfarë ka bërë, kë ka urdhëruar, kush ka vrarë, dhe të shpëtojë nga ai makth.
Në mos pastë besim tek asnjë “prift” ku të rrëfehet, le ta bëjë një ditë në një ekran, në një shesh, në një rrugë. E di që është mision i pamundur, por sa më shpejt ta bëjë, sa më shpejt ta pranojë atë krim dhe ta pastrojë ndërgjegjen prej tij, aq më shpejt do shpëtojë nga ai makth që e ka burgosur. Gardistët që vranë janë të lirë. I lirë është Komandanti i Gardës dhe kryeroja e tij që kanë qëlluar mbi turmën. Të lirë janë ushtarët dhe banditët që kishte rekrutuar. Janë të lirë dhe të qetë, pasi janë ushtarë. I vetmi njeri i burgosur nga 21 Janari është Sali Berisha.
Ai çdo ditë e më shumë nuk shikon dot nga dritarja në bulevard, nuk dëgjon dot më për ngjarje terroriste dhe nuk përballet dot me krimin që ka bërë. Mjaftoi një ngjarje modeste siç ishte ekspozita për 11 Shtatorin e vitit 2001 dhe atij ju kujtua 21 Janari i vitit 2011. Mos u mundoni ta shpëtoni nga kjo datë, pasi ashtu si Makbethi askush nuk ja heq dot fatin e zi të fantazmës dhe njollave të gjakut në duar pasi ka vrarë.