Nga Kimete Berisha, 10.10.2013
Nuk i besohet burrit që në timeline të facebook-t të tij mban fotografinë e Xhavit Halitit me mantel te zi e të gjatë deri të gjunjtë.
Veç ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli duket më e dëshpëruar sesa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Jozefina e mban në timeline fotografinë e ish-kryetarit të saj Sali Berisha.
Tani që nuk e ka më kryetar, pse e mban fotografinë e një burri të huaj, puna e të cilit ende nuk është valorizuar, dhe i cili është i gjallë, nuk shquhet për heroizëm, as për ndonjë vepër artistike!
Si beqare, më vjen turp të mbështetem në fotografinë e një burri të huaj, se nuk është as estetike (përveç nëse është i vdekur dhe permendore e kombit).
Nuk e di si ndjehet burri i Jozefinës kur sheh gruan e tij ambicioze të mbështetur në fotografinë e një burri tjetër, i cili nuk flet gjë tjetër përveç për gratë socialiste, të cilat i shikon çfarë bëjnë në dhomat e fjetjes me dylbitë e Ali Pashës.
Nuk e kuptoj një grua, kur e sheh në timeline të burrit të saj Jakup Krasniqit, fotografinë e Xhavit Halitit, i dyshuar nga populli për krime monstruoze dhe vrasje politike e letrare (të cilat akuza popullore i ka mohuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke i treguar popullit se “s’është vrasës”)
As Jakupi, as Jozefina nuk janë të zott të ndahen nga e kaluara, dhe të ecin vetë, pa u mbështetur në kryetarët e tyre.
Qe sa vite po matet e po çmatet të largohet nga PDK. Nuk krahasohet ndarja e LDK-së me ndarjen e PDK-së.
Largimi i Jakup Krasniqit nga PDK, nuk e dëmton PDK-në, sepse Hashim Thaçi nuk është Ibrahim Rugovë, dhe për shkak se Jakup Krasniqi nga PDK është larguar pa taktikë, i pavendosur, ngadal-ngadal.
Edhe sot nuk është i zoti të dal e të tregoj a është a s’është me PDK.
Sikur të dilte nga PDK në mënyrë të papritur, të befasishme, edhe pasojat nga largimi i tij do të ishin të papritura, dhe befasuese.
Largimi shpejt dhe i papritur do të bëhej lajm, dhe do t’i habiste edhe të pakënaqurit të tjerë të PDK-së, të cilët do t’i zinte të papërgatitur dhe ata do të trimëroheshin nga një largim i shpejt dhe i vendosur i Jakup Krasniqit.
Jakup Krasniqi e ka treguar pavendosmërinë e tij, pasigurinë e tij që të vazhdojnë rrugën i vetëm.
Kalkulantët nuk bëhen lider e as krijues, prandaj, gjithë ditën Krasniqi shkruan në Facebook për ish-guximin e tij “që ka vendosur të marrë pjesë në luftë”.
Lexuesit dhe komentuesit e statuseve të tij janë të paktë, pak kush ia pëlqen postimet.
Se, komentuesit e dinë që të bëhesh pjesë e luftës në Kosovë nuk ka qenë alternativë, dhe nuk ke pasur mundësi të zgjedhësh.
Luftën e kam kaluar përreth maleve të Qyqavicës , dhe ky nuk ka qenë vendimi im. Jakup Krasniqin, nga TV i Shtabit të UÇK-së në Oshlan e kam parë me sytë e mi nga Tirana, duke shpallur kushtrimin për mobilizimin e të gjithë shqiptarëve nga mosha 16-55 vjeç, ndërsa në shtab djemtë e ri e të vetmuar i numëronin plumbat me gishta.
Atë natë u vranë qindra djem të ri të paarmatosur.
E mbaj mend, për këtë veprim të tij, të gjithë qanim, e urrenim dhe e fajësonim.
Sot Jakup Krasniqi, me gabime të mëdha gjuhësore, flet për mollat e për dardhat në oborrin e vëllait të tij, poston fotografi ku shihet i zhytur deri në bel në lulet e oborrit; poston “Fjalët e qiriut” të Naim Frashërit; flet për veten si narcis në superlativ, por Jakup Krasniqi nuk jep spjegime pse nga Tirana e shpalli kushtrimin dhe mobilizimit për popullin e vetmuar, duke e ditur fort mirë se lëre populli, por as UÇK nuk kishte armë, veç do pushkë vetëvrasëse të Nanos, të tilla që kur ushtari e provonte ta gjuante armikun, plumbat i ktheheshin atij! PS: “Tepër vonë t’u brengosur: Tepër e dhimbshme për të qarë”