Jakup Krasniqi: U shkel Rregullorja dhe kushtetuta

0
124


Nga Korresp. 24-ore.com

Jakup Krasniqi ripohon se e ka shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit, kur u lejoi deputetëve të dalin në pauzë, por edhe se kishte shkelje të Kushtetutës. Këtë faj ua ngarkon edhe të tjerëve. Kryeparlamentari mbron qëndrimin se seanca nuk është dashur të ndërpritet. Këto komente ai i bëri gjatë një interviste për të përditshmen “Express”.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se ka shkelur vetë Rregulloren e Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme gjatë votimit për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo ai mbron deklaratën e vet se kishte shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit kur grupi parlamentar i PDK-së kërkoi një pauzë pas raundit të dytë të votimit për Behgjet Pacollin.

Gjatë një interviste për “Express”, të mërkurën, Krasniqi duket se nuk ishte në dijeni se LDK dhe AAK kishin paralajmëruar që Gjykata Kushtetuese të merret me rrjedhën e seancës së Kuvendit. Por Krasniqi kishte një koment për nismën e partive opozitare.

“Aha. Është e drejtë e tyre nëse ata mund ta argumentojnë, kanë të drejtë 30 deputetë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Express: Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës keni deklaruar se është shkelur Rregullorja e punës dhe Kushtetuta me rastin e pauzës së kërkuar gjatë votimit të Presidentit. A mund të na sqaroni cili nen i rregullores dhe Kushtetutës është shkelur?
Krasniqi: Ajo u kanë dje. Sot nuk është shkelë. (Qeshet)

Express: A mundeni të na saktësoni se çka ka ndodhur dje?
Krasniqi: Jo, jo. U krye ajo e djeshit. Ju shikoni edhe Kushtetutën edhe Rregulloren.

Express: Ka pasur, apo s’ka pasur shkelje të Kushtetutës?
Krasniqi: Unë e kam thënë dje, s’kam çka them sot për atë.

Express: Cila pjesë e Kushtetutës, apo e Rregullores është shkelur dje gjatë votimit?
Krasniqi: Merre edhe këqyreni Rregulloren dhe Kushtetutën. Nuk jam i obliguar t’ju jap sqarime.

Express: Por, LDK’ja dhe AAK’ja kanë paralajmëruar sot se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese votimin e djeshëm?
Krasniqi: Aha. Është e drejtë e tyre nëse ata mund ta argumentojnë, kanë të drejtë 30 deputetë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Express: Mirëpo, ju e keni të drejtën i fundit për ta interpretuar Rregulloren e Kuvendit dhe a e dini se cila pjesë është shkelur?
Krasniqi: Shikoni, Rregullorja thotë që kur të hyhet në votim – votimi shkon deri në fund. Kjo është sa i përket votimit. Pastaj ekzistojnë edhe mënyra sesi kërkohet ndërprerja e debatit ose ndërprerja e seancës. Janë mënyra, rregulla që përcaktojnë edhe njërën edhe tjetrën. Do të thotë nuk ka qenë kërkesa si duhet, nuk është dashur të ndërpritet votimi dhe këto çështje janë të përcaktuara mirë me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës.

Express: Megjithatë, ju e lejuat pauzën?
Krasniqi: E lejuam se unë realisht kam pasur edhe mundësi të tjera. Nuk e kam shfrytëzuar për hir të situatës dhe për hir që të mos të interpretohej pastaj në mënyra vullnetare ajo çështje. Por, unë konsideroj që e kam gjetur mënyrën më të mirë të mundshme t’ua tërheq vërejtjen që veprimi nuk është në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Dhe në fund të fundit nuk është as në përputhje me Kushtetutën me kapitullin që e përshkruan mirë detyrat dhe përgjegjësitë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë legjislativ.

Express: Kur e keni lejuar të shkohet në pauzë, a e keni shkelur ju Rregulloren e Kuvendit?
Krasniqi: Po, shikoni aty – unë të tregova realisht që ajo ishte një veprim i asaj natyre që unë nuk kam pasur zgjedhje tjetër. Se a është në një formë apo tjetër, edhe ajo është një shkelje e Rregullores.

Express: Rregullorja është shkelur nga ana juaj?
Krasniqi: Po, de, tash nga ana ime po i bie.