Ja si vjedhin deputetët buxhetin e Kuvendit

0
38

Shekulli, 02.01.2013

Ashtu si në shkollat e mesme, ku të rinjtë firmosin në listën e prezencës edhe për shokët, edhe ligjvënësit tanë bëjnë një gjë të tillë për kolegët e tyre. Deputetët “ndihmojnë” njëri-tjetrin duke firmosur në listën e prezencës në punimet e komisioneve ndërsa kur vjen puna për miratimin e ligjeve thjeshtë ngrenë kartonin sipas direktivave pa e ditur se për çfarë ligji votojnë. Jo më kot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u ka tërhequr “veshin” shpesh herë deputetëve të PD-së për votën e tyre.

Kjo për arsyen e vetme të marrjes së pagesës pasi nga pjesëmarrja në komisione varet 50% e rrogës së një deputeti ose 650 mijë lekë, si dhe honorari prej 20 mijë lekësh për një mbledhje.

Për një komision që ka 8 mbledhje në muaj një pjesëmarrje vlen gati 8 mijë lekë, plus 2 mijë lekë honorar dhe një mbledhje në total vlen afro 10 mijë lekë. Gazeta “Mapo” ka zhvilluar një vëzhgim në tre nga komisionet e përhershme, ku ka mbajtur shënim pjesëmarrjen reale të deputetëve në disa mbledhje të monitoruara dhe këtë prezencë e ka ballafaquar me procesverbalet e mbledhjeve respektive të publikuara nga Kuvendi. Nga kjo rezulton se pjesëmarrja e pasqyruar në listë-prezencë nuk është reale por e falsifikuar.

Komisioni më problematik rezulton të jetë ai i Veprimtarisë Prodhuese, ku prezenca në procesverbale rezulton në përgjithësi të jetë dyfishi i realitetit. Në mbledhjen e datës 10 dhjetor në këtë komision të pranishëm kanë qenë vetëm 8 deputetë, pra më pak sesa është edhe kuorumi i nevojshëm për nisjen e një mbledhje, ndërkohë që në procesverbal rezultojnë prezent plotë 17 deputetë.

Thuajse e njëjta situatë vihet re edhe në mbledhjen e datës 11 në këtë komision, madje edhe me shifra më të frikshme. Nga 18 deputetë prezent që rezultojnë në procesverbal në mbledhje kanë qenë vetëm 8.

E njëjta situatë, megjithëse jo në këto nivele, vihet re edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku në mbledhjen e datës 6 dhjetor, figurojnë që në procesverbal të jenë 5 deputetë më shumë sesa kanë qenë në të vërtetë në atë mbledhje. Dhe më konkretisht, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje në procesverbal figurojnë si pjesëmarrës deputetët Ilir Gjoni, Arben Çuko, Skënder Hasa, Ndue Paluca, si dhe vetë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.

Situata paraqitet disi më ndryshe në komisionin e Integrimit dhe kjo ndoshta për shkak se numri i anëtarëve të këtij komisioni është më i vogël sesa i dy komisioneve të tjera. Në mbledhjen e datës 4 dhjetor në këtë komision, sipas procesverbalit, rezultojnë të kenë qenë prezent 6 deputetë, ndërkohë që në të vërtetë në të kanë qenë vetëm 5. Rezulton se në listë-prezencë e këtij komisioni është firmosur edhe për kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.