Zbulohet skema e përvetësimit të rreth 3.1 milionë dollarëve nga buxheti i Policisë së Shtetit nëpërmjet spoteve publicitare “Shqipëria pa Viza” për kompaninë “Promo” të Frangajt.
Skema është thuajse e njëjtë me rastin e përfitimit të rreth 1.2 milionë eurove me spotet publicitare të Ministrisë së Mbrojtjes, të përfituara nga e njëjta kompani, në pronësi të Edi Frangajt, vëllai i pronarit të TV Klan, Aleksandër Frangaj, raporton Shqiptarja.com.
Si në rastin e Mbrojtjes, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me fondin e Policisë së Shtetit për spotet publicitare dhe është zgjedhur ky institucion, pasi ishte i vetmi në strukturat e Ministrisë së Brendshme që mund të kishte buxhet prej 3.1 milionë dollarësh që mund të përdorej për reklama.
Por, çfarë ka ndodhur konkretisht me 3.1 milionë dollarët e Policisë së Shtetit?
Në periudhën 2010-2011, me urdhrin e titullarit në Ministrisë së Brendshme, në atë kohë Lulzim Basha, janë zhvilluar pesë tendera për “Shqipëria pa Viza”: Tre në vitin 2010 dhe dy në vitin 2011. Pjesëmarrëse në tender ishte kompania fituese e Frangajve, “Promo”; kompania tjetër e tyre “Media 66”, që njihet si Televizioni KLAN, kompania “Agia 2004”, të cilën nuk e gjen dot po ta kërkosh në QKR dhe e vetmja faqe që lidhet me të në internet është faqja e lokalit për fëmijë “Blue Park” në TEG, edhe kjo pronë e familjes Frangaj!
Edhe “Kudeta Event” shpk është një tjetër kompani, që ka marrë pjesë në këto tenderime, por që është e panjohur në fushën e spoteve publicitare. E vetmja kompani tjetër serioze për reklamat është “Delta Publicity”.
Në pesë tenderimet kanë hyrë tre deri në katër kompani, ku dy të përhershmet janë “Promo” dhe “KLAN”, të Frangajve. Në disa prej tyre, edhe “Agia 2004”, ndërsa “Kudeta Event” dhe “Delta Publicity” nuk ishin të përhershme.
“TV A1Report” ka kontaktuar me një prej anëtarëve të tenderimit, i cili ka pranuar edhe presionet e ushtruara nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, për kryerjen sa më të shpejt të procedurave dhe shmangien në maksimum të njoftimeve që gjithçka të kryhej e mbyllur dhe me një rreth të caktuar kompanish pjesëmarrëse.
Në të pesta rastet, kompania “Promo” e ka fituar tenderin për çmimin më të ulët.
Në pikën e përzgjedhjes së kompanisë fituese kërkohet kompania që ka fituar pikët më të shumta në tender, por edhe kësaj pike i është gjetur zgjidhja ligjërisht me VKM-në nr. 1195, pasi kriter i pikëve është edhe çmimi i ulët.
Në të kundërt me tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kompania “Promo” ka fituar tenderin prej 1.2 milionë eurosh me kriterin e pikëve dhe jo për çmimin më të ulët.
Procedurat mbylleshin brenda tre ditëve, që nga publikimi i ofertës deri në tenderim dhe gjithçka shkonte deri në pesë ditë, deri në momentin e nënshkrimit nga ana e titullarit, që, për tenderin e Policisë së Shtetit, është firmosur katër herë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rasim Borishi dhe një herë nga drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj.