JA PSE SHTEPIA BOTUESE DUDAJ DO TA ÇOJE NE GJYQ ‘G.SH’

0
94

Arlinda Dudaj
Drejtore e Shtëpisë Botuese Dudaj

Gazeta Shqiptare jo vetëm e ka përdorur librin “Kurban” pa u kujdesur së paku të marrë një leje, siç ka bërë mirësisht ndonjë gazetë tjetër, por e ka masakruar deri ku s’durohet hiç tekstin letrar. Arsyeja pse po e shkruaj këtë letër shpjeguese që shpresoj të botohet, është një përpjekje e habitshme e Gazetës Shqiptare për t’u justifikuar në numrin e saj të së hënës 14 nëntor. Po edhe më i habitshëm është fakti se Gazeta Shqiptare vendos madje faksimile të faqeve të librit për të provuar se nuk e ka masakruar tekstin. Sepse pikërisht faksimilet e krahasuara me titujt abuzivë të gazetës, provojnë bazueshmërinë e plotë të padisë që shtëpia jonë botuese do të bëjë ndaj Gazetës Shqiptare.

Por le t’i marrim me rradhë edhe pse, duke parë se çfarë respekti tregon në këtë rast gazeta për gjuhën shqipe, ky mund të jetë një ushtrim i kotë. E le ta fillojmë nga fakti që në ballafaqimin e faksimileve Gazeta Shqiptare është kujdesur ta fshehë etiketimin e sajuar prej vetë asaj, kur citon lart në titull Edi Ramën të ketë shkruar se mbreti Zog është “tradhëtar”. Ky etiketim nuk ekziston asgjëkundi në tekst, pse Gazeta Shqiptare e ka vënë në gojën e autorit?

Këtë do ta mësojmë ndoshta në gjyq. Vazhdojmë. Në tekst, siç provon faksimilja, Edi Rama shkruan për mbretëreshën rrezatuese që mbante në gjirin e bukur djalin dyditësh, ndërsa Gazeta Shqiptare titullon vrazhdë: Geraldina, me gjinj të bukur! A mund të barbarizohet më keq se kaq letërsia, duke e kthyer një përshkrim poetik në një kumt vulgar dhe duke e vënë në gojën e autorit pa asnjë gajle?

Ose kur Edi Rama shkruan se vuan qysh në fëmijëri nga një astmë bronkiale, përsëri kemi një tekst dhe një kontekst, që s’ka të bëjë gjëkundi as në formë as në tingëllim me titullin banal të Gazetës Shqiptare: “Jam azmatik kronik”.

Sigurisht që kush i ka bërë apo lejuar këto paçavra që fyejnë shqipen e lartë të autorit të “Kurban”-it, ka pak mundësi të kuptojë se çfarë po them. Mund t’i duken krejt normale dhe të habitet se me çfarë habitet shtëpia jonë botuese. Por masakra që ka pasuar shfrytëzimin e paligjshëm të librit s’është vetëm kaq. S’është vetëm çështje “nuancash”. Eshtë ende më shumë se kaq. Sepse edhe në botimin e copave që kanë mbushur këto ditë faqet e saj, Gazeta Shqiptare i ka montuar tekstet sipas qejfit apo vendit që ka pasur në dispozicion! Janë prerë e ngjitur arbitrarisht pjesë të tëra duke e shpërfytyruar fare vijën melodike të tekstit origjinal. E kjo ka vetëm një emër: Barbari!

Gazeta Shqiptare përpiqet të argumentojë se vendosi të botojë pjesë të librit “Kurban” për një “arsye shumë të thjeshtë” siç shprehet shumë habitshëm. Citoj: “Për t’iu shërbyer maksimalisht lexuesve të saj, të cilët pavarësisht kërshërisë së madhe e kishin të pamundur ta lexonin “Kurbanin” në internet”. “E për më tepër”, vijon argumentimi i habitshëm,”ky ishte një shërbim i veçantë që (GSH) vendosi ta bënte ndaj të gjithë atyre lexuesve që në kushte të vështira ekonomike e kanë të pamundur ta blejnë librin në treg kundrejt një çmimi prej 10 mijë lekësh të vjetra”!

S’besoj se do të ndodhte kund në botë që një gazetë të mbërrinte deri në pikën kulmore të justifikimit të vjedhjes së një prone intelektuale dhe të shpërdorimit abuziv të saj si një akt humanizmi! Pra qenka më “sociale” që lexuesit e Gazetës Shqiptare ta blejnë gazetën 500 lekë të vjetra çdo ditë, për të lexuar copa e çika nga libri “Kurban”, të prera e të ngjitura si s’ka më mjerisht dhe të ambalazhuara si mos më keq me tituj abuzivë, se sa të blejnë 444 faqet e librit të plotë për 10 mijë lekë të vjetra! Nënvizoj se shtëpinë tonë botuese nuk e shqetëson fare në këtë rast aspekti komercial, sepse pavarësisht vulgaritetit me të cilin është keqtrajtuar vepra në fjalë në faqet e Gazetës Shqiptare, ritmi i shitjes së librit “Kurban” është absolutisht marramendës.

Çka ne na çon drejt rrugës gjyqësore me këtë gazetë është fakti se kurrësesi një libër nuk mund të mbllaçitet kështu si pjesë e konsumit të ngutshëm të banaliteteve të ditës. Askush s’ka të drejtë ta bëjë këtë, siç nuk ka të drejtë askush të trajtojë librin si mall pa zot. Libri është një pronë që si çdo pronë është e shenjtë dhe mbrohet me ligj e me gjyq kur është nevoja. Dhe në këtë rast është që ç’ke me të nevoja. Jo thjesht për “Kurban”-in e Edi Ramës, po për të mos lejuar kurbanizimin e librave në pazarin e përditshëm të shtypit të shkruar dhe rëndom të keqshkruar shqiptar.

Me shpresën që ky tekst do të botohet i pacënuar dhe autorja e këtyre rradhëve nuk do të citohet shtrembër në funksion të kulturës së titujve abuzivë, uroj që kjo përpjekje të vlejë sadopak për të kuptuar e respektuar njëri-tjetrin dhe punën e secilit.