– Nga ARTAN FUGA
voal.ch | 15 dhjetor 2015
E para, sepse ata më aktivët, që nuk durojnë dot padrejtësi, mizerje dhe të trajtohen si skllevër, kanë ikur në emigrim, ikin në emigrim, ose përgatiten të ikin në emigrim. Nga të dhënat sociologjikë, prej kohësh, në mënyrë konstante, 1 në 3 gjimnazistë ka si dëshirë parësore të iki nga vendi i tij.
Si ka ndodhur në histori, më trimat dhe ata të ndërgjegjshmit eliminohen nga lufta, vriten për atdhe, tani ikin jashtë vendit.
E dyta, ikin më të rinjtë, dhe popullsia në territorin e vendit plaket, dhe të moshuarit, nisur nga pesëdhjet vjet e lart nuk kanë më këllqe për të ushtruar presion mbi pushtetin dhe krijuar pika vlimi.
E treta, sepse shumica e shqiptarëve që kemi mbetur në Shqipër jemi të izoluar nga bota, nuk kemi as libra, as filma, as forume për të mësuar demokracinë dhe për ta aplikuar atë. Na duket se ai që ka të drejtë të na drejtojë është ai që është më i forti, ai që të rrjep më shumë, ai që akumulon pasuri, sepse grabitësi i pasurive na duket se ka edhe të drejtën të na përdhunojë edhe si qytetarë.
E katërta, sepse solidariteti i familjes shqiptare bën që kur shqiptari ka hall i drejtohet familjes dhe kjo ende e ndihmon edhe për pak kohë, se ende nuk i ka humbur vlerat e solidaritetit brezi që është në jetë. Ke sëmundje hajde në Pergamo gjejmë një doktor, nuk ke lekë për shkollën na ca lekë për ta bërë etj. Pa këto, ne do të ishim bërë si cironka të thara. Në spitalet publike shqiptare shkohet ose nga urgjenca e madhe dhe akute, ose ata që nuk shkojnë dot te privati, ata që nuk shkojnë dot jashtë, ata që nuk durojnë dot sëmundjen. Sepse po të shkojnë të gjithë atje, plas revolta në spital si në spaç.
E pesta, shërbimet shteti shqiptar ua jep me thërrime, me sforco, dhe me përbuzje vetëm një pjese të vogel gjyhnafqarësh, të cilët janë aq në pikë të hallit sa nuk kanë bukë për ditën tjetër, jo t’u shkojë mendja për dinjitet njerëzor dhe për ta mbajtur kokën lart duke e konsideruar nëpunësin si shërbëtor të tyre dhe jo ta quajnë veten shërbëtor të atij që paguajnë për ta shërbyer.
E gjashta, sepse disa shtresa intelektuale që kanë mbetur, ndonjë individi nga shtresat e mesme, më aktivët, e zgjidhin problemin duke u futur në sqetullën e partive për të gjetur ndonjë vend pune në administratë dhe nuk bëzajnë, shohin punën e tyre, rrogën e mizerjes dhe të poshtrimit për të mos e humbur edhe atë, kurse pjesa tjetër në opozitë pret rradhën për ta kapur ajo këtë vend sapo të rrotullohet pushteti.
Ato maja rripa-rripa, herë ma hipe herë ta hipa. Në afatgjatë konsiderojnë se rrogën e ndajnë përgjysëm duke futur koston e pjesës pa punë që do të qëndrojnë kur ndrohet pushteti. Por, këtë e kompensojnë me lloj-lloj përfitimesh të tjera, si shtesë rroge.
Kjo shtresë frymëzon nënshtrimin dhe e ka tradhëtuar qytetarin, mendon për veten dhe për t’iu ngjit pushtetit si shërbëtore jo për ta mbajtur nën kritikë për të mirën e përgjithëshme.
Kurse media është më shumë një altoparlant propagande dhe trullosje me seks, me krime, dhe me shërbime fshirje këpucësh pushtetarëve që kanë në dorë edhe ekonominë, edhe politikën edhe pushtetin.
Ja përse është aq e lehtë, o sa e lehtê, ta qeverisësh sipas qejfit shqiptarin e sotëm.
Nuk e ka fajin shqiptari që sillet si malësori i Migjenit, që përulet për një kokërr grurë, kushtet ku e kanë vendosur, e kanë bërë të tillë.
E shtata, Demokraci? Ku ka demokraci pa hapësirë politike? Partitë politike e krijojnë këtë hapësirë. Por partitë politike nuk ekzistojnë te ne, janë vetëm disa kokra dhe masa e elektoratit që është vendosur përpara kësaj gjëme : ose voto për ne ose mos voto! Mos voto se edhe vetëm me një votë i fitoj zgjedhjet. Mjafton vetëm tre shqiptarë të votojnë, ku dy të jenë në një krah dhe tjetri opozitar dhe gjithçka mjafton. Ju të tjerët si të doni!
Çfarë tragjikomedie!!!
Dhe e teta, sepse deri tani pasi mori ca pasuri si trashëgim nga familja, ndonjë tokë, ndonjë shtëpi, ndonjë pemë a hardhi rrushi, shqiptari po konsumon ato dhe edhe pak sa t’i bëjë rrush e kumbulla, duron ende.
Ja përse sociologjikisht Shqipëria është si në kohën e Faraonit, e ndarë në tresh : një masë skllevërish pa të drejta, një grup sundues që grumbullon pushtet dhe pasuri, dhe një tufë halabakësh që lehin duke zhvendosur vëmendjen popullore nga mizerja që na ka pllakosur drejt rrugëve qorre çdo natë në televizorrrrrrrrr.
Sa e lehtë…. Si thoshte Ellul, nuk është pushteti që nënshtron qytetarin, është qytetari që është i nënshtruar dhe pranon dhunimin pushtetor.