Ja PADIA penale e AK për Kserën: Akuzohet për dorëzim territori e vënie në shërbim të shteteve të huaja

0
63

TemA, 21 Nëntor 2012

Spiro Ksera dhe Kristo Papas

Drejtuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë depozituar një kallëzim penal ndaj ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Në kallëzimin penal të AK, ministri akuzohet për dorëzim territori dhe për vënie në shërbim të shteteve të huaja.

Padia e AK është mbështetur në takimet e Spiro Kserës me deputetin neonazist grek, Kristo Papas, që ka theksuar se Ksera ka vite që punon për Vorioepirin dhe Greqinë.

Gjeni më poshtë tekstin e plotë të padisë.

JA KALLËZIMI PENAL

SUBJEKTI KËRKUES:

Partia Aleanca Kuq e Zi

Kutia postare 1517, Rr “Durrësit” përballë Ministrisë së Arsimit pranë pastiçeri Interancional, Tiranë, +355692099915, përfaqësuar nga Z.Redi Ramaj i autorizuar nga Kryetari, Z. Kreshnik Spahiu;

KUNDËR:

Shtetasit Spiro Ksera, Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;

AKUZUAR SE:

Ka kryer veprën penale të “dorëzimit të territorit” parashikuar nga neni 208 i Kodit Penal ose “Vënia në shërbim të shteteve të huaja” parashikuar nga neni 218 i Kodit Penal.

BAZA LIGJORE:

Neni 280 e vijues i Kodit të Procedurës Penale

Nëpërmjet shtypit të shkruar dhe më saktësisht, Gazetës Shqiptare të datës 16 nëntor 2012, në faqet 2 dhe 3 të saj informohemi se deputeti i Partisë Greke “Agimi i Artë” ka qenë në Shqipëri në datën 12 Gusht 2012 në përvjetorin e vdekjes së shtetasit shqiptar Aristotel Guma. Deputeti i Agimit të Artë Kristo Papas ndër të tjera është shprehur:

“Nuk ka Vorio- Epir, Epiri është një. Vetëm një copë ka mbetur e skllavëruar dhe jo e lirë. Është në dorën tonë që të mbajmë këto Termopile. Mbi të gjitha jeni ju të parët, që jeni vendas e që jetoni këtu, që keni gjithë këtë presion të institucioneve shqiptare. Me ndihmën e grekëve të zgjuar, besoj se nuk do të vonojë koha që kjo copë e tokës greke do të bëhet, edhe nëse përkohësisht, autonome, pasi janë në fuqi vendimet e Protokollit të Korfuzit. Më pas të vijë edhe liria që kemi kërkuar. I paharruar qoftë kujtimi i Aristotelit! Qoftë i pavdekshëm, vdekja nuk llogaritet. Një është Greqia, për Greqinë luftojmë. I njëjti mesazh është edhe në Qipro, në Qipron tonë të skllavëruar. Mbi këtë varr duhet të betohemi për atdheun tonë, për fenë tonë, për idealet tona. Rroftë Greqia!”

Ndërkohë në 28 tetor 2012 Kristos Papas është takuar me Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë homazheve të zhvilluara në Bularat në 28 tetor, për nder të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave nga po i njëjti numër i Gazetës Shqiptare, në 28 tetor 2012 Ministri Ksera nuk është mjaftuar vetëm me homazhet në Bularat, por është shfaqur edhe në një takim sekret në brendësi të Kishës së Bularatit së bashku me deputetin e Agimit të Artë, Kristos Papas.

 

Gazeta Shqiptare informon se burim të lajmit ka faqen personale të internetit të Kristos Papas i cili për më tepër në këtë faqe ka publikuar edhe foto të takimit të dy shtetarëve. Në këtë numër të Gazetës Shqiptare ka edhe një faksimile të faqes së internetit të Kristos Papas në lidhje me takimin me ministrin shqiptar. Gjithashtu deputeti Papas ka publikuar të transkriptuar edhe një pjesë nga biseda e tij me ministrin Ksera, ku ndër të tjera thuhet:

KRISTO PAPAS: Shqiptarët kanë gjetur dhe kanë bërë. Por një bandë e vogël syresh (referuar protestave të Aleancës KuqeZi, Klubit të Patriotëve të Rinj dhe Vetëvendosjes) nuk mund të na bëjnë ne presione në tokën e Vorio-Epirit. Ata janë bashkuar dhe janë bërë njësh. Po ju ç’po bëni për të mbrojtur interesat e vorio-epirotëve? Heshtni dhe doni të dialogoni me ta? Turp!

SPIRO KSERA: Me kë kujton se flet?! Keni ardhur këtu për herë të parë dhe doni të tregoni se jeni më hero se unë? Nëse për ju është hera e parë që vini këtu, unë kam vite që luftoj për të mbrojtur Vorio-Epirin! Tani jam me demokratët, ministër në qeveri dhe do t’i mbroj më mirë interesat e Vorio- Epirit.

KRISTO PAPAS: Lerini përrallat! Ju e dini që ne s’kemi frikë prej tyre. Dhe sa për informacion unë kam shkelur në tokën e bekuar të Vorio-Epirit qysh në kohën e Ramiz Alisë! S’kam patur frikë! Nuk është koha t’i tregojmë njëri-tjetrit kush ka bërë më shumë heroizma! Çfarëdo që ne themi dhe çfarëdo ne bëjmë, e bëjmë për Vorio-Epirin. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Këtë kemi bërë prej dekadash dhe këtë duhet të bëjmë!”

Në të njëjtën kohë, në përputhje me nenin 4 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shtetasi Spiro Ksera me marrjen e funksionit të deputetit ndër të tjera është betuar se “do të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”.

Nga dialogu i mësipërm vihet re fare mirë se Ministri Ksera nuk mbron lirinë dhe pavarësinë e Shipërisë, përkundrazi ka vite që lufton kundër lirisë dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë. Nga një lidhje që bëhet midis fjalimit të mbajtur publikisht nga deputeti Kristos Papas në 12 gusht 2012 dhe dialogut të tij me Ministrin Ksera mund të kuptojmë se me Vorio-Epir nënkuptohet Greqia, e për rrjedhojë del se Ministri Ksera “ka vite që mbron Greqinë” dhe duke qenë ministër me demokratët “do t’i mbrojë më mirë interesat e Greqisë”.

Në rastin më të mirë të mundshëm, sipas këtyre deklaratave, Ministri Ksera është vënë në shërbim të shteteve të huaja, ku nëpërmjet veprimeve të tij ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, marrëdhënie këto që mbrohen posaçërisht nga legjislacioni penal nëpërmjet nenit 218 ose 208 të Kodit Penal.

Gjithashtu, nga sa duket nga dialogu i tij me deputetin Papas figuron se nga ana objektive krimi është kryer me vënien e tij në shërbim të shtetit grek për të kryer veprime armiqësorë kundër Republikës së Shqipërisë, për t’u dhënë çdo ndihmë që kërkohet prej tyre për të arritur qëllimin e “mospërsëritjes së një Qiproje të dytë”.

Theksojmë se ky krim quhet i kryer që nga çasti i vënies në shërbim apo i dhënies ndihmë dhe nga sa duket nga dialogu rezulton se ministri Ksera është në shërbim prej vitesh “duke luftuar për të mbrojtur Vorio-Epirin”.

Sa i përket anës subjektive, krimi duket qartë që është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim për të kryer vepra kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

Sipas artikullit në fjalë të publikuar në Gazetën Shqiptare informacione të mëtejshme mund të gjenden në faqen zyrtare të deputetit grek Kristos Papas, http://xristospappas.blogspot.com/.

I kërkojmë prokurorisë që të procedojë më tej me mbledhjen e provave audio-vizuale dhe dokumentave të tjera të takimit në Bularat më datë 28 tetor 2012 si dhe të marrë në pyetje deputetin grek Kristos Papas dhe Ministrin Spiro Ksera në lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet ky i fundit. Veprimet me shtein grek të kryhen nëpërmjet letërporosive.

Si përfundim,

Kërkojmë:

Fillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Spiro Ksera, lindur në Derviçan (Gjirokastër) më 2 mars 1967.