Tashmë pushteti dështak, i korruptuar dhe i kriminalizuar “Berisha” u përmbys përfundimisht. Që prej 23 qershorit 2013, vandali politiko-qeverisës Sali Berisha dhe “çeta” e tij krahinore e nepotike, iku nga jeta shqiptare, duke u konsideruar si një e keqe e madhe, që ua “nxiu” jetën shqiptarëve me politikën dhe krimet që bëri. Simboli qeverisës i sundimit “Berisha” në vitet 1992-1997, ishte veprimtaria kriminale e SHIK, të drejtuar prej Bashkim Gazidedes, personazhit që edhe pas 1 milion vjetësh, nuk del nga historia dhe kujtesa e shqiptarëve, mbasi është skeduar si ekzemplar i një shërbimi shtetëror, i cili edhe pse kishte detyrim sigurinë kombëtare, shërbente si “KGB”, i përdorur si i tillë prej Sali Berishës, në funksion të interesave të pushtetit të tij.
Për shkak të veprimtarisë që zhvilloi, SHIK i pushtetit të piramidave 1992-1997 është konsideruar e cilësuar prej shqiptarëve e ndërkombëtarëve, si “organizatë famëkeqe kriminale”, që masakronte votën dhe medien e lirë, inteligjencën që kërkonte progres, individët dhe grupet shoqërore që denonconin krimet dhe korrupsionin e pushtetit. Kreu i SHIK, Bashkim Gazidede, ishte zbatuesi i skemës së dhunës kundër gjithçkaje që binte ndesh me pushtetin e Sali Berishës. Të futeshe në survejimin, në listat dhe në “projektet” goditëse të SHIK-ut të pushtetit absolut të Sali Berishës në vitet 1992-1997, ishte më tmerr se sa të bëheshe objekt sulmi i “GESTAPO”-s, në vitet 1940-1945.
Ata që e kanë provuar represionin, persekucionin dhe përndjekjen e SHIK-ut të Sali Berishës, sa herë e kujtojnë përjetojnë traumat e këtij institucioni përbindësh, i cili nuk pyeste as për të drejta të njeriut, as për ligj, as për Kushtetutë, as për humanizëm njerëzor. Ai njihte vetëm krimin. “Programi i SHIK-ut, i drejtuar prej vandalit të pamëshirshëm Bashkim Gazidede në vitet 1992-1997, kishte vetëm 1 objektiv: Dhunë, reprezalje, pranga, burgosje, gjymtim fizik, rrëmbim, përdhunim e zhdukje fizike të kujtdo që shprehej kundër pushtetit të Sali Berishës, ose që denonconte publikisht krimet e atij pushteti piramidal. Nuk mbeti media, biznes, intelektual, gazetar e qytetar shqiptar, madje edhe kosovarë e të huaj, që nuk u bëna viktimë e SHIK-ut, i cili vepronte si një “bandë” rruge e maskuar pas mantelit të shërbimit shtetëror.
Në vitin 1997, pasi Sali Berisha e përdori banalisht e barbarisht SHIK, horrat e këtij shërbimi, që nga kreu Bashkim Gazidede, pasi futën në luftë civile oficerët e këtij shërbimi, ia mbathën jashtë vendit. Prej 8 vitesh, ata jetuan në “ekzil krimesh” dhe pas rikthimit të PD-së në pushtet, me një listë preferenicale si mirënjohje për shërbimet e kryera në vitet 1992-1999, Sali Berisha i riktheu ata në pushtetin e viteve 2005-2013, duke i graduar si shefa në SHIK, si shefa në drejtësi, në diplomaci, në ekonomi, në financa, në polici, në ushtri madje edhe si drejtues në burgje, hipoteka, arsim e shëndetësi.
Profile të ish-SHIK-sve të viteve 1992-1997, drejtues në pushtetin “Berisha 2005-2013″
Visho Lika (Ajazi) ekzemplari i krimit shtetëror 1992-1997, aktualisht shef i SHISH
Tashmë kreu i SHISH, ish drejtues kryesor pas Bashkim Gazidedes në kupolën e SHIK-ut, eksponent tipik dhune e prapaskenash në regjimin e Sali Berishës, shërbëtor i bindur në realizimin e krimeve të porositura prej Sali Berishës në ato vite. I arratisur nga Shqipëria dhe i fshehur në Kanada me emër tjetër, i rikthyer me porosi të Sali Berishës, duke u përzgjedhur dhe graduar në krye të SHISH, i gatshëm për të nisur shërbimet që do t’i kërkohen prej sundimtarit të pushtetit. Drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar është njeriu më i besuar i ish shefit të SHIK, Bashkim Gazidede. Ish pedagog i Fakultetit të Shkencave të natyrës hyri në SHIK pas emërimit në krye të tij të Bashkim Gazidedes. Ai kryesoi për pesë vite Drejtorinë e Kundërzbulimit të huaj, ose siç njihej ndryshe Drejtorinë që ishte e vendosur në katin e katërt të Ministrisë së Jashtme.
Ai ishte përpilues i tezave për planin grek për copëtimin e jugut të Shqipërisë dhe përfshirjen e CIA-s në betejën kundër Berishës në vitin 1996-1997. Pas arratisjes së Bashkim Gazidedes në Prill 1997, Ajazi kryesoi “de facto” SHIK-un deri në dorëzimin e tij tek pasardhësi Arben Karkini. Pas kësaj, ai u punësua si nëpunës i PD në sektorin e jashtëm pranë Sali Berishës së rikthyer në zyrat e PD-së dhe pas disa muajsh u largua si emigrant politik në Kanada. U rikthye në Shqipëri në vitin 2005 dhe u punësua si këshilltar pranë kryeministrit dhe së fundmi si zëvendësministër i Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, që kryesohet nga Genc Pollo.
Emërimi i tij në krye të SHISH, pa konsultën e palës amerikane, mund të shkaktojë një çarje të re në raportet e Berishës me SHBA, për më tepër që në krye të SHISH është vendosur njeriu, që u shpalli luftë në vitin 1997. Aktualisht vazhdon të jetë shef i SHISH, prej të cilit survejon dhe kërcënon kundërshtarët politikë, i përgjon dhe u inskenon kurthe presioni për eliminim fizik e gjoba financiare për llogari të pushtetit “Berisha”.
Lefterie Lleshi
Eksponente e njohur e SHIK-ut, shërbëtore pasiononte e pushtetit “Berisha”, e graduar në disa poste të larta të drejtësisë, të ligjvënies e administratës publike. Njihet si shkatërruese e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Njihet si masakruese e inteligjencës, duke përgatitur dosje kundër tyre. Ka mbajtur gradën kolonele e SHIK. Ka qenë dora e fortë e bashkim Gazidedes dhe Gjergj Lezhjes, dy eksponentëve më barbar e kriminal të SHIK-ut në pushtetin “Berisha”. Gradohet prej Berishës dhe me urdhër të tij, si kryetare e KQZ, për të zëvendësuar ish-shërbëtorin e Berishës në krye të këtij institucioni, grabitësin dhe shkatërruesin e votave Arben Ristani. E gatshme për të kryer misionin që i ka ngarkuar Sali Berisha në krye të KQZ, për të manipuluar zgjedhjet e qershorit 2013, mision të cilin e nisi egërsisht, por që ia ndërpreu Kolegji Zgjedhor.
Arben Ibro
Ish eksponent i SHIK-ut të regjimit të piramidave. I rikthyer në zyrat e larta të pushtetit prej Sali Berishës, duke u graduar në sektorin ekonomik të energjisë elektrike, si drejtor i OST. Komandon import-eksportin e energjisë dhe aferat e tjera në këtë sektor. Një përbindësh i shërbimit të SHIK-ut, që nuk ndalje përballë asnjë krimi moral, shoqëror e njerëzor. Njihet si një nga ekzemplarët me aktiv të veprimtarisë famëkeqe të ish-SHIK-ut, që pas gradimit në atë post, ka kryer e vazhdon të kryejë ato shërbime që i kërkon Sali Berisha, i gatshëm të riaktivizohet në metodat e vjetra të dhunës së viteve 1992-1997, nëse i jepet sinjali.
Flamur Gjymishka
Ish nëndrejtor i SHIK-ut, kohës së piramidave, kontrollues dhe menaxhues i tyre, shërbëtor i verbër i pushtetit kriminal të Sali Berishës në ato vite. Aktualisht i graduar si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, sektor ekonomik që shërben për interesa të kupolës së pushtetit, i gatshëm të rikthej “instiktin” prej SHIK-asi kur t’i kërkohet prej Sali Berishës. Njihet si kryemenaxher privat i doganave shqiptare për interesa e llogari të kupolës dhe familjes “Berisha”. Komandon dhe dirigjon evazionin fiskal në dogana, duke krijuar humbje (vjedhje) kolosale financiare nga të ardhurat në dogana. Survejon gjithë bizneset shqiptare e ato të huaja, duke krijuar skeda për çdo biznes, mbi bazën e të cilave bën presione dhe imponon me kërcënime këto biznese për të “arkëtuar gjoba” në llogaritë e klanit dhe familjes “Berisha”.
Lejon kundrejt pagesave informale për llogari të familjes dhe kupolës “Berisha”, monopolet e trafiqeve ekonomike e financiare. Ka ndërtuar një ekip drejtues në dogana, me njerëz të kupolës së familjes, fisit dhe fshatit “Berisha”, duke krijuar lidhje aq të afërta private me ta, duke ndërtuar një skemë krimesh ekonomike. Ky komandon gjithë tregun e import-eksportit shqiptar. Në vitin 1997, u arratis prej krimeve të bëra kur ishte drejtues i lartë i SHIK-ut dhe u rikthye në Shqipëri pas vitit 2005, kur në pushtet erdhi shefi i tij Sali Berisha. Aktualisht, së bashku me stafin e tij të afërt tropojan, po përgatit zhdukjen e të dhënave elektronike të veprimtarisë, kontrabandës dhe të ardhurave të doganave.
Agim Shehu
Eksponenti më i zi i policisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste. Edhe pse në vitin 1990 u lejua pluralizmi dhe lëvizja e lirë, nuk i hapi kufijtë shqiptarë kur ishte zëvendësministër i Brendshëm. Përkundrazi, përdori policinë sekrete dhe kufitare, për të bllokuar lëvizjen e lirë, madje edhe duke vrarë, duke arrestuar, lidhur e hequr zvarrë shqiptarë me tela me gjemba në Gjirokastër, Sarandë, Leskovik, Ersekë, Korçë e Përmet, të cilët guxuan të kalonin kufirin. Kryepolici që ka terrorizuar e masakruar shqiptarët dhe opozitën me egërsinë e dhunës policore. Shërbëtor zvarranik i pushtet-krimit të Sali Berishës, shëmbëlltyra e drejtuesit të policisë, që e urren populli dhe që e keqpërdor kupola e shtetit.
Pas arratisë dhe fshehjes prej frikës së krimeve të tij të shëmtuara, rikthehet me urdhër të Sali Berishës dhe gradohet në kupolën e tatimeve shqiptare, një sektor ekonomik ky që prodhon burime fitimi për pushtet-familjen Berisha. Në vitin 1997, ia mbathi jashtë kufinjve. U rikthye pasi Sali Berisha u kthye në pushtet në vitin 2005. Është i skeduar si personazh që përdor postin për krime kundër bizneseve. Ka krijuar një skedë me lista biznesesh, të cilët i kërcënon për të paguar miliona në llogari të pushtetit dhe familjes “Berisha”.
Arben Sefgjini
Njihet si ish-“koloneli i zi” i SHIK-ut të viteve 1992-1997. I akuzuar dhe i gjykuar ligjërisht si organizator i rrëmbimit, masakrimit dhe zhdukjes fizike të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, aktivist i njohur i çështjes kombëtare shqiptare. Me porosi të posaçme të Sali Berishës, “kolonel” Arben Sefgjini, një ish-mësues i rëndomtë, pjellë e një familjeje komuniste, që njihej si shërbëtore pasiononte e regjimit të Enver Hoxhës në luftën e klasave dhe në procesin e internim-dënimeve e denoncimeve të “armiqve të popullit e të partisë”, me nën një ish-spiune sigurimi e sekretare të PPSH në Burrel dhe me baba një ish-spiun sigurimi, u bë pjesë aktive e strukturës zyrtare kriminale të SHIK-ut famëkeq të pushtetit banditesk “Berisha”.
Ende gjendet nën akuzë publike e ligjore si rrëmbyes, masakrues dhe zhdukës fizik i biznesmenit Remzi Hoxha, i cili u bë viktimë e SHIK, për shkak se dispononte një video-kasetë të takimit të bërë mes agjentit të UDB Sali Berisha me Millosheviçin dhe krye-terroristin serb, Arkan, gjatë pazarit për prishjen e embargos së NATO, për ta furnizuar regjimin e Millosheviçit me karburante e armë, në gjenocidin kundër popullit kosovar. Pas vitit 2005, i jepet titulli “avokat”. Emërohet drejtor i përgjithshëm i Tatim-Taksave, duke menaxhuar bizneset me lista “gjobash” mafioze, në shërbim të mafies shtetërore Berisha.
Godiste mediat opozitare me gjoba. Kërcënonte dhe bllokonte aktivitetet e bizneseve, që Sali Berisha i kishte skeduar si “armike” të PD. Emërohet Drejtor i Përgjithshëm i përmbarimit, ku zhvilloi një aktivitet klientelist kërcënues në shërbim të pushtetit “Berisha”. Emërohet dhe vazhdon të jetë aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë, ku krijonte lehtësi për lirim kriminelësh, që kishin lidhje me pushtetin kriminal “Berisha”. Ka mbajtur nën kontroll bandat kriminale, të cilat me urdhër të Sali Berishës, i ka menaxhuar për interesa të pushtetit.
Ilir Kumbaro
Eksponent kriminal. I akuzuar, i gjykuar dhe i dënuar me prova si rrëmbyes, masakrues dhe zhdukës i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Një nga figurat më të zeza të SHIK-ut të Bashkim Gazidedes. Njihet si përbindësh kundër medies, kundër biznesit, kundër opozitës, kundër inteligjencës, kundër kujtdo që skedohej prej pushtetit kriminal Berisha, si kundërshtar i pushtetit të viteve 1992-1997. Nuk ndalej përballë asnjë krimi. Zbatonte çdo urdhër të kryeshikasit kriminel e sadist Bashkim Gazidede. Në vitin 1997 arratiset prej frikës së krimeve që kishte bërë. Ndërron identitet dhe jeton me trajtim social në Londër. Zbulohet prej shërbimeve sekrete angleze dhe vihet përballë akuzës e gjykimit si rrëmbyes, masakrues dhe zhdukës i Remzi Hoxhës. Nuk u kthye në Shqipëri edhe pse kishte 20 oferta prej padronit të SHIK, Sali Berisha, për të ardhur në pushtetin e PD në vitin 2005.
Gjegj Lezhja
Ekspert i realizmit të praktikave të dhunës, të ideuara e të porositur prej pushtetit të Sali Berishës në kohën e piramidave, tashmë i graduar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, duke shërbyer pranë shefit të tij Sali Berisha. Njihet si një nga figurat më të pështira e më të kriminalizuar të SHIK-ut të viteve 1992-1997. Ka kryer shumë krime të dukshme e të padukshme gjatë shërbimit në SHIK. Ka survejuar intelektualët. Ka dhunuar mediet, ka rrahur, arrestuar, rrëmbyer dhe masakruar gazetarë, duke i bërë edhe invalidë prej dhunës së ushtuar. Ka kryer veprimtari kërcënuese ndaj intelektualëve, ndaj bizneseve, ndaj qytetarëve dhe opozitës. Njihet si “kamikazi” i Sali Berishës. në vitin 1997, u arratis dhe u rikthye e u bë pjesë e kupolës së PD, ku ende sot njihet si “kryespiun dhe si shef i SHIK-ut” të PD-së.
Aktiviteti i tij prej 20 vitesh është përgatitja e dosjeve e spiunllëqeve dhe intrigave kundër demokratëve. Në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, prej 8 vitesh ka zhvilluar aktivitet si survejues e hartues dosjesh me spiunllëqe kundër nëpunësve dhe “armiqve” të Sali Berishës dhe familjes së tij, ka qenë përherë i gatshëm dhe i sprovuar, për të kryer çdo mision e krim i çfarëdo natyre qoftë.
Sali Berisha mbushi zyrat e pushtetit në 2005-2013, me eksponentë kriminalë të SHIK-ut të viteve 1992-1997.
Shqiptarët gabuan, kur menduan se regjimi i SHIK-ut të viteve 1992-1997 nuk do të kthehej më, me përzënien e Sali Berishës nga pushteti absolut që kishte uzurpuar dhe komandonte me mjete dhune. Në vitin 2005, Saliu rikthye në pushtet bashkë me “regjimentet e zeza” të ish-SHIK-ut famëkeq.
Të ikur dhe të fshehur në arrati jashtë Shqipërisë, jo prej hakmarrjes prej pushtetit që erdhi pas rënies së regjimit të Berishës, por prej psikozës së krimeve që kishin bërë mbi shqiptarët, pa dallim, në 5 vitet e sundimit. “Trimat” e SHIK-ut të viteve 1992-1997 ia mbathën, dorëzuan koburet e shkopinjtë e gomës, braktisën zyrat dhe ikën nga Shqipëria me në krye gjeneralin e tyre Bashkim Gazidede. Por u rikthyen pas ardhjes në pushtet të “shef” Sali Berishës. I bindur në përvojën e tyre kriminale gjatë shërbimeve në kohën e pushtetit të SHIK-piramidave, Sali Berisha nuk hezitoi t’i bëj ata pjesë të pushtetit të dytë të tij, madje duke i graduar në poste të larta kyçe në kupolën e institucioneve.
Nuk duhet menduar, që Sali Berisha i riktheu ata për “mëshirë”, mbasi ai nuk e njeh këtë ndjenjë as ndaj familjes së tij. Vendimi i Berishës, për t’i ofruar dhe graduar në zyrat e larta të qeverisë e të shërbimeve sekrete dhe speciale policore dhe ushtarake, ka lidhje me skemën e tij për t’i patur dhe aktivizuar si kontigjente të gatshme e të besuar dhune e prapaskenash, për të mbajtur pushtetin. Këtë gjë po mendon të bëjë Sali Berisha dhe në këto zgjedhje, duke patur si krah të fortë ish SHIK-sit, që realizuan zgjedhjet kriminale të 26 majit 1996. Mjafton të shikosh listat e administratës dhe të posteve drejtuese të pushtetit e qeverisë së Sali Berishës dhe ndeshesh në çdo institucion, me emrat e mirënjohur të listë-borderosë së SHIK-ut të viteve 1992-1997.
Afro 40% e tyre janë të graduar në poste kyçe në administratën e lartë e të mesme shtetërore, madje deri në zyrat e arsimit, të shëndetësisë, prefekturave, qarqeve, bujqësisë, burgjeve, bashkive e komunave, që komandon PD-ja në çdo rreth. Për më tepër, SHIK-sit e kohës së piramidave të “SUDE”-s janë graduar dhe “desantuar” deri në zyrat e Ministrisë Jashtme, të Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes, të Arsimit, të Bujqësisë, të Integrimit, të kuvendit, të SHISH, të licencave të noterisë e avokatisë. Madje ata janë instaluar edhe deri në zyrat e shërbimit të përfaqësive tona diplomatike në botë. Ne bëmë një investigim emrash në strukturat e administratës publike të pushtetit “Berisha” dhe konstatuam, se ish-SHIK-sit e viteve 1992-1997 gjenden kudo, ku ka përfaqësim pushteti i Berishës.
Ata janë shpërndarë sipas një “harte” të mirë-organizuar në çdo qelizë dhe kupolë të institucioneve. Ata kontrollojnë ekonominë, policinë, ushtrinë, SHISH dhe pasuritë kombëtare, postet politike e ato ligjvënëse. Sipas bisedave me punonjës të institucioneve të shtetit e të pushtetit, mësuam se ata nuk janë vendosur aty as rastësisht, dhe as thjeshtë si rrogëtar, apo titullarë formalë, por si “syri” dhe “veshi” i kryeministrit Sali Berisha. Në krejt administratën publike e atë politike të PD, janë rikthyer 840 ish-SHIK-as. Në çdo institucion, nëpunësit e dinë mirë që ata janë vendosur aty me urdhër të Sali Berishës, si shërbëtor të tij në çdo lëvizje që bën Berisha për të përdorur, mbrojtur apo uzurpuar pushtetet. Bashkë me ta, Sali Berisha ka rikthyer si “forcë aktive” të gatshme për çdo situatë shërbimi edhe ish-kryepolicë e “kalecë” të policisë sekrete të ish-pushtetit të viteve 1992-1997.
Këta janë emra të njohur të asaj policie, që së bashku me SHIK-un e Gazidedes, dihet se çfarë zullumesh e krimesh makabre kanë bërë ndaj shqiptarëve, intelektualeve, biznesmenëve, artistëve, gazetarëve e opozitës. Të rikthyerit me porosi e urdhër të Berishës dhe të graduar po prej tij në zyrat dhe postet qeveritare, janë të shumtë. Psh., janë 24 inspektorë në hipotekë në qendër, 13 në Tiranë dhe 72 në rrethet e vendit. Janë 113 ish-shikas, drejtorë shkollash. Janë 92 ish-shikas drejtor drejtorie në qendër e prefektura. Në ushtri janë graduar 204 ish-SHIK-as. E tillë është shefja e zyrës së ministrit Sokol Olldashi dhe 37 ish-SHIK-as të tjerë, të cilët janë futur brenda këtyre zyrave prej shefit të pushtetit. Në diplomaci janë emëruar 203 ish-shikas me poste të larta, deri në konsuj e shefa auditimi, apo drejtorë të nivelit të lartë. Këto kontingjente i gjen në çdo sektor të administratës, sidomos në rrethet Tiranë, Tropojë, Elbasan, Korçë, Vlorë, Berat, Kukës, Lezhë, Peshkopi, Shkodër etj.
Bashkim Shehu
I rikthyer në pushtetin e Sali Berishës, si ekspert i dhunës policore, tashmë i graduar si shef i shërbimit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme, i gatshëm për të dhënë kontributin e tij në skemat, që ideon dhe porosit kryeministri Sali Berisha.
Ahmet Koka
Ish-drejtor i Arkivit qendror të SHIK, dosjexhiu që sajonte dhe hapte “letrat” e kundërshtarëve politike e personalë të Sali Berishës. Tashmë i graduar si “ekspertë” në Hipotekë.
Halil Lami
I rikthyer në zyrat e pushtetit dhe i graduar prej Sali Berishës, në postin e shefit të anti-korrupsionit në drejtorinë e tatim-taksave të Shqipërisë.
Riza Daci
Ish-SHIK-as me gradën “ekspert”, tashmë i rikthyer në zyrat e pushtetit dhe i graduar prej Sali Berishës me detyrën inspektor tatimesh… dhe drejtor juridik…
Matriali u përgadit nga Marian Gryka
Dërgoi për botim: Gjin Musa