Ismail Kadare sjell “Mëngjeset në kafe Rostand”

0
24

Shtëpia botuese « Onufri » sjell për lexuesit shqiptar një përmbledhje të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, « Mëngjeset në kafe Rostand ».

Libri është një përmbledhje e shënimeve të shkrimtarit tonë në Paris, ku pqrfshihen esse, shënime kritike, letra, synopse etj, të cilat « Onufri » i ka përmbeldhur në një libër.

Gazeta TemA po boton dy shënime të këtij libri, « Diçka që ka lidhje me Spanjën » dhe Exegi Monumentum », të cilat janë përzgjedhur nga autori për gazetën TemA.


Diçka që ka lidhje me Spanjën

Ismail Kadare

Në shënimet gjej diçka për një shkrimtar argjentinas, që ka botuar një shkrim apo thjesht një replikë lidhur me sprovën “Zemërimi i Akilit”, pjesë e përmbledhjes me të njëjtin titull, vënë në qarkullim nga shtëpia botuese “Katz”.

Ngaqë shënimi, si zakonisht, është marrë me shpejtësi, veç emrit të shkrimtarit apo studiuesit, Ezequiel Martinez, nuk ka ndonjë të dhënë tjetër për të. Nuk më kujtohet të kem dijeni për këtë shkrimtar, aq më tepër për përmbledhjen “Zemërimi i Akilit”, madje as për sprovën me të njëjtin titull, dhe që quhet si e imja.

Nuk jam fare i sigurt që e kam shkruar një sprovë të tillë, megjithatë s’mund të them me bindje se s’kam asnjë lidhje me të. Më kujtohet se, nisur nga një thënie e Konicës, jam marrë, me një kureshti përkthimi, më saktë, me përkthimin e gabuar të fjalës “mëri”, me të cilën nis “Iliada”, thënë ndryshe, letërsia botërore. (Historia e “zemërimit të Akilit”, që, në të vërtetë, nuk ka qenë mëri, por diçka e zgjatur, mëni, sipas shqipes, mani sipas latinëve, depresion, siç do të thuhej sot.)

Martinez nuk e ka për këtë. Me sa marr vesh nga teksti spanjisht, gjuhë që nuk e njoh, ai habitet prej shifrës 14 500 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind), që unë e paskam përmendur në sprovën time dhe që, sipas meje (më saktë, sipas tij që mendon se sipas meje), jepet si numri i luftimeve që njerëzimi paska bërë gjatë gjithë historisë së vet.

Argjentinasi pyet se ku e ka gjetur I. K. këtë shifër, ose ku qenka bazuar në qoftë se e ka njehsuar vetë, e kështu me radhë.

Që të jem i drejtë, s’mund të them se s’jam pakëz i habitur gjithashtu. Jo aq për atë se si një shkrimtar argjentinas dhjetë mijë kilometra larg shkruan diçka të tillë, por më shumë me veten time. Siç e përmenda më lart, s’mund të them dot se shifra e çuditshme s’ka fare lidhje me mua. Madje, turbull më duket se një ditë e kam vrarë mendjen vërtet për një gjë të tillë. Ajo që s’më kujtohet është se çfarë më paska bindur që atë shifër të mallkuar ta kem shkruar apo thënë (sipas tij etj.) diku.

Të gjitha pyetjet që bën Martinez-i, madje të shtuara, i përsëris tani me vete. A mund të gjendej vërtet numri i luftërave të njerëzimit? Si ishte e mundur që historianët s’ishin marrë me këtë? E aq më tepër, ekspertët e luftërave të të gjitha llojeve, të rrufeshme, të zgjatura, të fshehta, ajrore, batajistët, hartografët, shkrirësit e bronzit, qëndisëset e medaljeve, numizmatët, gjer te gdhendësit e kryqeve të varreve…

Në titull të shkrimit të tij, “Tërheqja pas të dhënave të panevojshme”, krahas habitjes, spikaste njëfarë tërheqjeje, la atraccion, por los datos inutiles.

Duke iu kthyer tekstit, marr vesh papritur se atë punën e 14 500 luftërave e paskam thënë në një konferencë në Barcelonë.

Aha, them me vete.

(Barcelonë, ç’të panë sytë…)

Më kujtohet se Bashkim Shehu, që ka qenë përkthyesi im në atë konferencë, diçka më ka folur për tekstin e nxjerrë prej saj dhe botimin si një sprovë më vete.

Nuk e gjej dot në telefon, ndërsa e ndiej se dëshira për të marrë vesh ç’ka ndodhur më është zbehur disi. Më shumë se të jenë shpikur, ka gjasë që fjalët të jenë thënë vërtet prej meje.

Jam duke i mbyllur shënimet, kur sytë më shkojnë te fjala “vergüenza”. Mendja më thotë se do të thotë “turp”, por nuk arrij ta besoj se argjentinasi e ka me mua. Sidoqoftë, nuk e kam vështirë ta vërtetoj se është pikërisht “turp”. E lexoj frazën disa herë në spanjisht, pastaj të përkthyer prej Google-it në frëngjisht, për t’ia gjetur pak a shumë kuptimin krejt paragrafit: Gjithë kacafytjet që, gjer më sot, pra 14 500 luftëra gjithsej, dhe kjo për turp të tyre, y ello para su vergüenza, nuk kanë pjellë dot aq letërsi sa vetëm njëra, ajo e Trojës.

(Barcelonë, ç’të dëgjuan veshët…)

Pra, ishte fjala për turpin e përbashkët të katërmbëdhjetë mijë e pesëqind luftërave, që unë, Zoti e dinte ku e kisha gjetur, për ta thënë një ditë në një konferencë.

Ndërsa po i mbyllja shënimet, s’më mbetej veç të vija në përfundimin gjysmë filozofik, se, po të ishte puna për gjëra të pasakta, për të mos përdorur fjalën “të papërgjegjshme”, këto i thosha zakonisht në Spanjë…

Arsyeja për këtë mund të merrej me mend.

8 gusht 2014


Exegi monumentum

Ismail Kadare

Pothuajse njëzëri merret si vjersha e fundit e Pushkinit, ndonëse asgjë nuk e vërteton këtë. Ngjan si e sajuar enkas për vdekjen e poetit, aq sa mund të duket si pjesëmarrëse në të. (Një vrasje që pjell një tekst të tillë, ose një tekst që pjell vrasjen.)

Cila nga të dyja, vdekja apo vjersha, nxitën njëra-tjetrën? Krijohet përshtypja sikur poeti ka rënë në kurthin midis të dyjave, pa ditur cilën të zgjedhë. Më në fund, pas mëdyshjeve, që i ka ditur vetëm ai, i ka ardhur keq të flijojë njërën, ndaj i ka pranuar të dyja.

Kishte mundësi ta shmangte dyluftimin fatal? Plotësisht. Mjaftonte të mos e kërkonte dhe dyluftimi s’do të bëhej kurrë. Dhe ai do të mbetej gjallë për aq vite të tjera sa ç’kishte jetuar.

Mirëpo ai e kishte nisur ndërkaq vjershën epilogale dhe gati-gati i vinte keq ta linte përgjysmë.

Sipas dëshmisë së Karamzinit, Pushkini e kishte shkruar vjershën në fund të gushtit të vitit 1836. Pra gati pesë muaj përpara duelit fatal. Pa qenë ndoshta fort i ndërgjegjshëm, kishte hyrë në zonën ku vdekja dhe arti kishin lënë një takim të keq.

Atij s’i mbetej veç të ngushëllohej me fjalët: njet vjes ja nje umrju. Jo, s’do të vdes un’ krejt. Non omnis moriar, që, ashtu sikurse epitafi i vjershës, ishte marrë prej odes 30 të Horacit: “Exegi monumentum aere perennius”.

Natyrisht që ngushëllimi kryesor ishte vetë monumenti. “Një monument që dora s’ngre dot i ngrita vetes.”

Monumenti i tij do të jetë krenar, i pabraktisur kurrë, dhe kryesorja më i lartë se ai i Aleksandrit.

Aleksandri është Cari i Rusisë, dhe shtylla e tij është ngritur para disa vitesh në Shën Petërburg. Ka gjasë që kjo shtyllë të jetë kthyer, dashur pa dashur, në një fiksim për poetin.

Poeti me Carin njihen. Pushkini ka qenë në ballot e tij. Bashkë me Natalinë, të shoqen. Madje flitet se Cari ka vallëzuar me të. Përveç birbos francez që i vërtitet haptas.

Cari. Poeti. Pavdekësia. Këtu besohet se nis gjithçka. Sidomos për propagandën sovjetike, së cilës i volit kaq shumë kjo intrigë për të hedhur dyshimin se ishte vetë Cari ai që sajoi vdekjen e poetit.

Intriga për çudi ka nisur fill pas dyluftimit, në tjetër kah e tjetër kuptim. Në kohën që Pushkini është duke dhënë shpirt prej plagës, në një nga dhomat e shtëpisë, ndodh një bastisje dorëshkrimesh, që sytë e Natalisë, e çmeritur siç është, e vënë re. Dorëshkrimet i dorëzohen një grupi mbikëqyrës, midis të cilëve bën pjesë Zhukovski. Kërkohet, me sa duket, dorëshkrimi i “Monumentit”. Ende sot diskutohet nëse Zhukovski bën mirë apo bën keq që në strofën e parë, në vargun e fundit, fjalët “shtyllë e Aleksandrit” i fshin, për të shkruar sipër tyre “shtyllë e Napoleonit”. Besohet ende sot se ishte ky retush që e shpëtoi vjershën e famshme, përndryshe ajo do të ishte zhdukur krejtësisht.

Polemika ka vazhduar megjithatë edhe pas rivendosjes së fjalës “Aleksandër” në vend të “Napoleon”. Ç’ishte ky Aleksandër? A ishte përnjëmend Cari rus apo një shtyllë e Aleksandrisë e kohës romake, apo e Aleksandrit tjetër?

Rusia e kohës së Pushkinit s’pranonte që poeti të matej, e aq më tepër t’ia kalonte Carit. Rusia sovjetike, përkundrazi, e quante fyerje për poetin krahasimin me mbretin. Rusisë së sotme s’i dihet.

2014 – Source: Tema – Aktualitet


Ismail Kadare godet ashpër qarqet Islamike në Kosovë


Përgatiti: Flamur Maxharri18 Nëntor 2014

Ismail Kadare, në librin e tij të fundit “Mëngjeset në kafe Rostand” godet ashpër disa teolog të Islamit në Kosovë të cilët i akuzon për tjetërsim të identitet shqiptar, sipas këtyre autorëve shqiptarët kanë origjinën prej një fisi arabë.

Një dikush, me emrin E. Bega, paraqet në shtypin shqiptar të Prishtinës dhe të Tiranës librin “Shqiptarët në botën arabe”. Autori i librit është një tjetër dikush, Dr. Mohamed Mufaku, shqiptar nga Peja, i lindur në Damask, me doktoraturë të vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës. Siç është zakoni në paraqitjen dashamirëse të botimeve, E. Bega thekson vlerat e librit, në mënyrë të lexuesit, qofshin në Kosovë, qofshin në Shqipëri, të bëhen të ndërgjegjshëm për to. Ja pjese nga teksti i paraqitjes: “Autori na tregon qysh në fillim se midis shqiptarëve dhe arabëve ekziston një traditë e pasur që flet për prejardhjen e shqiptarëve prej vendeve arabe… Kështu, të dhëna të tilla shpalosen së pari në një histori arabe me titullin ‘Tuarih Tuaf’, në të cilin shpjegohet gjerë e gjatë së shqiptarët kanë origjinë arabe. Me vonë këto të dhëna kalojnë në burimet osmane”.

Ja pra së si nga përballja e mendimeve përfitonte e vërteta, dhe vetëm ajo. Pra, s’ ishte fisi Kurejsh, por fisi Gassan në zanafillën shqiptare. Dhe kurrsesi s’ishte prijësi Xhebel ul – Hama, por Xhablla Ibn – al — Ajhatn, qe ikën natën me ndjekësit e vet. Aq me tepër s’është syri i nxjerrurë që do to shpërbëhej me një tjetër sy të nxjerrë, por shkelja e xhybes që do të , shlyhej me shkelje tjetër xhybeje. E vërteta e palëkundshme që mbetej nga gjithë kjo histori ishte së vargani i arabëve që po iknin nëpër natë, të trembur prej Umer Ibn – al – Hattabit, nuk qenkëshin askush tjetër veçse shqiptarët e ardhshëm. Kështu pra, lamtumire zanafillë ilire me “Bellum Illyricum” dhe përplasja me romakët, dhe tumirëmbeç Gjergj Kastriot Skënderbe dhe kryezot të tjerë arbëror si Aranit Komnenët, kontët Muzaka e Dukagjinët të Kodit mesjetar.

Dhe tumirëbeçi aleancave dhe ndeshjeve dhe krushqive me princat e Europës a të Venedikut dhe Shkodër e rrethuar, dhe Krujë, dhe alfabet latin. Të gjitha këto ka gjasë të kenë qenë ngatërresa të qëllimshme të bëra prej europianëve, Vatikanit dhe Venedikut, madje dhe ajo puna e ngatërrimit të syrit me xhybenë s’ështe çudi që pjesë e një lëmshi të tillë paskësh qenë. Me libra të tillë si ky i Dr. Mufakut, kjo mjegull do të davaritej, më në fund, dhe në vend të tyre të ngasjes europianiste do të kishim Xhabelin apo Xhabllanë tonë, dhe syrin e nxjerrë apo xhyben e shkelur, bashkë me ikjen nëpër natë, të trembur dhe plot mllef të të parëve tanë. arabë. Dhe ky kthjellim po ndodhte sot. Njëqind vjet pas ikjes së osmaneve nga Europa dhe Shqipëria

A është ëndërr kjo?

Njëqind vjet pas. Të gjithë pyesin: si është e mundur? Pastaj shumicës i pëlqen të qetësohet. S’është kushedi çfarë. Është një rastësi. Një kot. Midis Shqipërisë dhe otomaneve shtrihet shekulli me i pamëshirshëm i historisë i njëzeti. Ai është kryeneç, dantesk, bethovenian. Shqipëria e ka mbajtur mbi shpinë vit pas viti. Shkëputja nga osmanet. Shteti i parë republikan shqiptar. Pas ti, mbreti i parë gjerman, ashtu si ai i Greqisë, sipas dokeve të Ballkanit. Lufta Botërore bashkë me greminat e saj. Republika përsëri, Mbretëria pas saj, këtë herë shqiptare. Pas saj Europa modeli Italian. Me pas, modeli i rishikuar gjerman. Me pas Kundëreumpa model komunist. Pas tij. Hipereuropa modeli Atlantik. Epilogu me dy Shqipëri. Të dyja nën mortjen e “NATO-s… dhe beftas… Xhebeli dhe Xhabilaja dalin nga terri qindravjeçar. A është ëndërr kjo? Këta shqiptarë me flamuj arabë nëpër tubime? Këta njerëz si që pëshpërit, nga shqiptarë të sunduar, u gdhinë në muslimanë të çliruar?

Këto lajme të pabesueshme që venë e vinë si era nëpër të dy Shqiperitë. Në 620-vjetorin e Lutës së Kosovës, një deputet nga parlamenti e shpall Gjergj Kastriotin vrasës të muslimanëve, pra tradhtar të kombit. Kryeqyteti tjetër Tirana shpallët I themeluar nga një oficer osman. Në një xhami të Kosovës kryeministri turk lëshon thirrjen “Kosova është Turqi” Së fundi, qershia mbi tortë. vijnë lajmet për shqiptarët e rekrutuar nga qendrat terroriste për të luftuar si xhihadist në Siri. Të dy krahët, njëri qetësues (gjëra të rastit marrëzira qe s’duhen marrë seriozisht) tjetri alarmues (c’gjëra të rastit, ky është fundi i botës), e shoqërojnë pa pushim këtë mishmash. Ka gjasë që të dy teprojnë, çka është gjithmonë me e lehtë në gadishullin tonë. Megjithatë, zhurma nuk është pa gjë. Dhe pyetja: ç’po ndodh? është e natyrshme.