Islamizmi dhe Shqiperia

0
35

Afrim Krasniqi

Nga Afrim Krasniqi, “Gazeta Shqiptare”, 22.12.2009

Debati rreth raporteve midis bashkësisë së shteteve europiane dhe shoqërive respektive, me vendet e botës islame është një debat i hershëm, kompleks dhe pa rrugëzgjidhje të shpejtë. Sartori e reshton veteveten hapur dhe prerazi kundër këtij procesi integrimi duke mos e parë atë si integrim, por si një kërcënim, një rrezik për Italinë dhe vetë Europën. Të njëjtin argument përdorën konservaorët në Francë e Gjermani për të vendosur veto politike kundër pranimit të Turqisë në BE, kjo bazë argumentimi shërbeu ne vendimin për të përfshirë vlerat kristiane në preambulën e kushtetutës së re europiane, që vende si Gjermania të kërkojnë përcaktim në kushtetutë të detyrimit për përdorimin zyrtar e publik të gjuhës gjermane, apo ai i fundit në Zvicer për cështjen e ndërtimit të minareve.

Vite më parë edhe Samuel Huntington paralajmëroi një përplasje apokaliptike ndërmjet Islamit dhe Perëndimit, si dy qytetërime të kundërta. Teza të tilla morën hov sidomos pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe tashmë rreziku islamik, në formën e akteve terroriste, urrejtjes ndaj kulturës dhe shoqërive perëndimore, etj, është shfaqur në formën më ekstreme në SHBA, Britani, Spanjë, Rusi, dhe vende të tjera ku janë shënuar aktet më të njohura terroriste. Ditët e fundit u publikua një studim amerikan sipas të cilit islamikët në SHBA janë më tolerantë sesa ata në Europë edhe sepse të parët kanë të ardhura financiare njësoj me qytetarët amerikane, të dytët kanë diferencë të ndjeshme me qytetarët e vendeve ku jetojnë. Ky fakt gjen pasqyrim sidomos në një vend si Italia.

Dallimi midis një qytetari jo islamik që kërkon një jetë më të mirë për veten dhe fëmijet, që emigron në perëndim, jeton e punon atje, integrohet në jetën shoqërore dhe bëhet pjesë organike, si dhe individit islamik që përdor kushtet liberalizuese dhe shanset e perëndimit për promovim të traditave, sjelljeve, jetesës dhe në formën më ekstreme, ndjenjat antiperëndimore, flet tërësisht në favor të tezës për të cilën jep alarmin edhe një prej studiuesve më të famshëm të shkencave politike në kohën e sotme, Giovanni Sartori. Këtë dallim e sheh dhe e ndjen cdo studiues, cdo politikan madje cdo qytetar që jeton në Romë ose Berlin, në Londër ose në Amsterdam. Ndaj kategorisë së parë nuk ka zëra kundër integrimit dhe 6 milionë turq në Gjermani janë një dëshmi e këtij fakti. Ndaj grupit të dytë, nuk ka thjesht zëra kundër, ka lëvizje massive kundër, politika dhe legjislacion kundër.

Megjithatë në aspektin praktik tema e rrezikut islamofil duket se nuk ka të bëjë me Shqipërinë e shqiptarët. Ne jemi në NATO dhe nuk kemi ndonjë veto me argumente fetare për të hyrë edhe në BE. Sepse e shkuara e jonë, identiteti dhe vlerat tona në shoqëri kanë qenë e janë europiane. Në këto vite rreth një million shqiptarë, shumica të besimit jokatolik, kanë emigruar dhe janë integruar tërësisht në shoqëritë përkatëse, përfshirë edhe atë italiane, pikërisht sepse identiteti shqiptar është pjesë e identitetit europian, me kundërshti thelbësore ndaj identitetit ekstremist fetar, ose sic Sartori e citon, identitetit islamik.

Kjo përkatësi europiane pranohet nga të gjithë, ndaj vala e kuptueshme anti-islamik nuk besoj se prek Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka skepticizëm sidomos nga qarqe politike të caktuara. Ja psh, pavarësisht motiveve duket e gabuar dhe e njëanshme vendimi i BE për liberalizim të vizave për tre vende ballkanike me shumicë ortodokse dhe lënia jashtë të Shqipërisë, Bosnjes dhe Kosovës, vende me shumicë muslimane. Në debatin e zhvilluar në parlamentin europianë ne dëgjuam deputetë që e shprehen këtë dallim dhe kërkuan liberalizim të njëanshëm mbi krieter fetar, gjë që u denoncua edhe publikisht nga Doris Pack, kryetare e delegacionit për Europën Juglindore.

Vetë shoqëria shqiptare, e cila ka një kulturë tolerance në marrëdhëniet ndërfetare, dhe se në themel shfaq pasoja të besimit të cekët fetar deri edhe në krenarinë e identifikimit ateist, ashtu sic shkruan Sartori, kam bindjen se është e distancuar dhe gati refuzuese ndaj tendencave të ndryshme për imponim të traditave e praktikave fetare që lidhen me islamizmin fundamentalist. Këtë fakt e kemi kontatuar në Tiranë (disa herë ka patur arrestime ekstremistësh), në Prishtinë (disa herë ka patur distancim public nga ekstremistët) dhe në Tetovë (disa herë ka patur incidente me burim ekstremistët islamikë). Sepse shumicë, pavarësisht besimit fetar, pranon praktikën fetare, të drejtën e besimit, ushtrimit të saj të lirë, por nuk pranon imponimin e ndonjë feje të caktuar si dominuese e refuzuese si e tillë ndaj feve të tjera.

Gjithësesi as ne mund të jemi pafundësisht përjashtim. Edhe ne nëse duam të jemi pjesë reale e familjes europiane do të na duhet të përballemi me të njëjtat fenomene sic ndodhin sot në këto vende dhe mes tyre do të jetë edhe ai i raportit me prurjet e ndryshme nga burime islamike. Ndaj besoj se jo më larg se pas 20-25 vitesh editoriali i Sartori në “Corriere della Sera” do të jetë editorial i një shqiptari, për rastin shqiptar, edhe në median shqiptare.

(Komenti eshte reflektim mbi komentin e editorialit te Corriere della Sera, te autorit Giovani Sartori me titull, “Integrimi i islamikëve”)