Islami në FB: “Sali Berisha, fatkeqësi e kombit”

0
61

Dosja e ish-socialistit që u konvertua në demokrat për një vend deputeti.
Historia nga vitit 1991 e deri sot. Si e sulmonte PD dhe gazeta e saj në 1992 dhe si u fsheh në autobuzin e besketobollisteve matjane në 1996. Video demaskuese për Sali Berishën që hodhi online në qershor 2009.

Luis Tanushi, 26.05.2013

-Ndonëse ka kaluar zyrtarisht në Partinë Demokratike, Kastriot Islami duket se nuk e ka harruar plotësisht të shkuarën e tij në familjen socialiste, ashtu sikundër edhe demokratët nuk harrojnë ato që Islami ka folur kundër tyre. Në profilin e tij në Facebook, kandidati për deputet i PD-së vijon që të ketë të postuar një video e cila emërtohet “Sali Berisha, fatkeqësi e kombit”. Por, çfarë thuhet në videon cila është e shpërndarë në 21 qershor 2009 nga ish-deputeti socialist që tashmë militon në radhët e demokratëve. “Arsyeto. Mos voto Sali Berishën. Sali Berisha versioni komunist (foto të Berishës në kohën e regjimit komunist). Sali Berisha versioni hajdut (video nga piramidat e falimentuara ku qindra qytetarë kërkojnë kthimin e lekëve të tyre). Sali Berisha versioni shkatërrimtar i vendit (tregohen pamje nga trazirat e 1997-s dhe pamje me viktima). Sali Berisha versioni rrugaç (pamje nga seancat plenare duke ofenduar deputetët e majtë, ndërkohë që këta të fundit i drejtohen podiumit).

Sali Berisha versioni vrasës. 26 të vdekur. 300 të plagosur. Sali Berisha akoma nuk ka kërkuar falje. Shqiptarë mos lejoni që këto gjëra të përsëriten. Mos voto Sali Berishën”, shkruhen në videon e cila është e shpërndarë nga deputeti Islami. Në videon e postuar shkruhet “ E shkuara e Sali Berishës. Tragjeditë e kombit shqiptar të shkaktuara nga Sali Berisha si ajo e vitit 1997 dhe Gërdeci. Firmat piramidale dhe fjalori prej rrugaçi i tij”. Ndërkaq, pas zgjedhjeve të 2009-s. Kastriot Islami ka vijuar postimin edhe të komenteve të tjera kundër mazhorancës të cilën e cilëson “hajdute” të zgjedhjeve të 2009-s.

Bashkautori i Kodit Zgjedhor në 2009-n, i cili vijon që të ruajë të njëjtin qëndrim se ndryshimet kanë qenë tejet pozitive, në komentet e tij direkt pas zgjedhjeve shprehet se fajin e humbjes së opozitës e ka vjedhja e votave . Islami nuk harron të kujtojë edhe zgjedhjet e 1996-s të humbura prej PS-së dhe përgjegjësin e manipulimeve të asaj kohe. Në përgjigje të komenteve të lexuesve. Kastriot Islami shkruan: “Nuk e kuptoj përse doli Erla (zëdhënësja e PD-së në atë kohë) e tha se është e gjallë. Kjo më bën të dyshoj se ajo mos është gjallë. Dhe në kohën tonë nuk kishte regjistër elektronik të centralizuar për të cilin mburret sot Poni, mjeshtri i manipulimit të 26 majit 1996”.

Islami demokrat

Pas katër vjetësh, deputeti Islami i dalë nga listat e PS-së në zgjedhjet e 2009-s, për zgjedhjet e 23 qershorit ka filluar fushatën për PD-në në Tiranë. Edhe qëndrimi i parë i shprehur qartë nga Partia Deomokratike për pranimin e kushtit të opozitës për hyrjen në fuqi të tre ligjeve në shtator i është besuar deputetit Islami. Në profilin e tij në Facebook, Islami ka publikuar dje edhe konsensusin e mazhorancës për kushtet e opozitës. “Në javën e ardhshme, Kuvendi dhe politika shqiptare kanë një sfidë të trefishtë.

Të miratojnë dy ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit me të cilat lidhet marrja e statusit të vendit kandidat në BE. PD dhe LSI, në qeverisjen e përbashkët tentuan të bindin PS të bëhej pjesë e kësaj vendimmarrjeje për më shumë se dy vjet. PD dhe LSI, tanimë në koalicion parazgjedhor me PS, janë deklaruar për miratimin e tyre. Pritet PS të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrjeje. Madje, PD ka pranuar edhe kushtëzimin e PS të bërë publik përmes LSI-së që këto ligje të hyjnë në fuqi në shtator”, shkruan Islami në profilin e tij.

Karriera politike 22 vjeçare e Islamit

Kastriot Selman Islami ka lindur më 18 gusht 1952 në Tiranë. Ai ka qenë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga 17 prilli 1991 në 6 prill 1992. Më 3 prill 1992, kur presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia dha dorëheqjen, Islami ka shërbyer si president i përkohshëm për tre ditë. Pas presidencës së Sali Berishës (1992-1997), Islami mori detyra të rëndësishem në qeveritë socialiste. Nga vitet 1997-2005 ai ishte një person i rëndësishëm në qeverinë duke mbajtur edhe postin e ministrit të Jashtëm nga viti 2003 në 2005-n, por humbi pozitën e tij në kabinetin kur një qeveri e re u formua me Berishën si kryeministër pas zgjedhjeve të 2005-s. Islami kaloi në Partinë Demokratike në 7 Maj 2013 pasi u largua nga Partia Socialiste.

Detyrat

Deputet i Kuvendit të Shqipërisë (1991-prezent)
Ministri i Arsimit (1991)
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1991-1992)
Ministri i Shtetit (1997-1998)
Zëvendëskryeministër (prill 1998 – tetor 1998)
Ministët i Financave (Shkurt 2002 – Dhjetor 2003)
Ministër i Punëve të Jashtme (12 dhjetor 2003 – 11 shtator 2005)
Islami kundër kompensimit të ish-të përndjekurve politik
1996, Islamit kthehet në Tiranë me autobusin e basketbollisteve matjane

Marrëdhëniet e Kastriot Islamit me të djathtën nuk kanë qenë tepër miqësore në fillimet e tij politike. Madje, deputeti socialist në atë kohë ka pasur përplasje tepër të forta me demokratët e asaj kohe. Nga arkivat e gazetës “Rilindja Demokratike”, organ zyrtar i PD-së, shkruhet se në seancën plenare të datës 1 shtator 1992, kur qeveria e djathtë do të miratonte ligjin”Për krijimin e fondit të veçantë për ish-të dënuarit politik”, nisma u kundërshtua ashpër nga deputeti Islami. “Deputeti Islami pati një shpërthim të papritur që nga deputetët u cilësua si veprim prej rrugaçi, “veprim nevrikësh”, kur ngrit me të thirrura në mes të sallës në kohën kur deputeti Kalakula po thoshte dhe po sillte porosinë e vëllait të tij, ish i dënuar politik, se nuk do e nuk pranon që socialistët të votojnë në favor të këtij ligji.

Për të qetësuar doktor Islamin, “ala kërbaçin”, e parlamentit si dhe deputetin Legisi, me disa të tjerë socialistë, kryetari i mbledhjes zoti Malasi u detyrua të mbyllte seancën. Deputeti Islami tregoi se ende nuk ka arritur të bindë vetveten me përshkrimet e tij për mirëkuptimin, që i boton në “ZP”, shkruan “Rilindja Demokratike”. Por përplasjet e deputetit Islami me demokratët nuk kanë qenë vetëm në parlament. Gjatë vitit 1996, ku u zhvilluan zgjedhjet e kontestuara nga opozita dhe nga i gjithë faktori ndërkombëtar, jeta e deputetit Islami ka qenë në jo pak raste e rrezikuar nga të djathtët. Gazeta “Koha Jonë” do të botonte në numrin e saj të datës 7 maj 1996, kur Islami së bashku me figurat kryesore të PS-së do të goditej me gurë dhe madje ndiqej nga punonjësit e SHIK-ut të asaj kohe.

Pak kilometra larg Burrelit, vargu i makinave që mbante liderët socialist, Servet Pëllumbin, Namik Doklen, Kastriot Islamin dhe Fehmi Abdiun, do të rrethohej nga autovetura pa targa. Makinat do të shtonin nga përplasjet vetëm falë manovrimit të shoferëve. Por, në këtë sulm nga makinat pa targa deputetët e PS-së do të goditeshin me gurë. “Makina me targë TR 1273 Z, e drejtuar nga shoferi Ylli Shehu, nuk arriti të shpëtojë asnjë xham, ndërsa shoferi u plagos rëndë në gjoks. Në këtë makinë ndodheshin Kastriot Islami dhe Fehmi Abdiu”, shkruhet në artikullin e Emin Barçit në gazetën Koha Jonë e vitit 1996.

Islami kthehet në Tiranë me autobusin e vajzave

Grupi socialist ishte i detyruar që të vazhdonte rrugën për në Bulqizë, ku kishte një tjetër miting. Gazeta Koha Jonë shkruan se rrugës shkëputet nga makina Kastriot Islami që në Tiranë mbërrin me autobusin e vajzave basketbolliste matiane. Ndërsa xhipi me të mbërritur në Tiranë mbyllet në selinë selinë e PS-së, ndërsa shoferi niset me urgjencë drejt spitalit.

Detaje

Greva e Minatorëve të Valiasit, që çoi në rrëzimin e qeverisë Nano, 1 në qershor të vitit 1991. Në foto shikohet Azem Hajdari, ish- deputet i PD-së dhe Kastriot Islami, në atë kohë Kryetar i Kuvendit si deputet socialist si dhe Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së grevës së minatorëve. Pas 22 vitesh, Azem Hajdari nuk jeton më, Kastriot Islami është me Partinë Demokratike, kurse Fiqiri Xibri në koalicion me Partinë Socialiste. Kjo është përmbysja reale pas 22 vitesh pluralizëm.

Arta Dade për Islamin

“Nuk e di si ndjeheshin ata të dy kur hipën në tribunë, përkrah njeriut që i ka dhunuar, përkrah njeriut që ka dërguar SHIK-un në vitin 1996 dhe që ne e kemi shpëtuar nga duart e këtij shërbimi sekret ndonjërin prej kolegëve që ishin mbrëmë në atë tribunë të PD-së përkrah Berishës, pra nga duart e SHIK-ut që ishte aq i egër në ato vite të vështira. Por, në politikë, madje kudo në veprimtarinë njerëzore, individi mban përgjegjësi për hapat që hedh dhe hapat që nuk hedh. Kështu që përveç keqardhjes nuk kam asgjë tjetër,” do të shrpehej deputetja Dade për mediat pas largimit të Islamit te PD-ja

Islami krah Berishës

Në mitingun çelës të fushatës së PD-së në Tiranë, ra në sy prania e deputetëve të larguar nga Partia Socialiste të cilët garojnë në listat e PD-së për Qarkun e Tiranës. Deputetët Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani janë ngjitur në podiumin blu bashkë me kandidatët e tjerë të mazhorancës. E ndërsa deputeti Islami ishte i pranishëm me kandidatët e tjerë të PD-së, duke qenë i sigurt në listat e kësaj force, në miting mungoi kandidati Ilir Rusmali, i cili është pozicionuar jashtë vijës së sigurtë në listat e PD-së. Vihen re edhe mungesa e një numri të madh personalitetesh të PD-së, të cilët kanë drejtuar të gjithë jetën parlamentare.