Ishte, por s’është më

0
119

Nga Met Dervishi, 17 Gusht 2013

Është një lloj narcisi që nuk del dot nga kulla e adhurimit të vetvetes. Megjithëse ka marrë një milion vota kundër, megjithëse është thjesht kryeministër në detyrë, ende e vazhdon ngujimin në kullën e tij narcistike, të cilën ia ngriti vetvetes. Ne e kemi përmbysur, kurse ai ende vazhdon të jetojë aty, kushedi sa do t’i zgjasë zjarrmia…

Kishte disa ditë që ishte strukur në Facebook, dhe kishte nisur të cicërinte… Por dje doli sërish, si për të na kujtuar që e kemi ende në detyrë. Doli te zyra e Kryeministrisë sonë, që paguhet prej nesh, por të cilën ka tetë vjet që e ka kthyer në kullën e vet, prej së cilës u flet miliona shqiptarëve.

Ka qenë një spektakël mesjetar, që transmetohej me teknologji moderne. Një spektakël poshtërues, i përditshëm… Poshtërues për ministrat që e prisnin dhe nuk guxonin ta shihnin në sy kur hynte në atë zyrë, poshtërues për nëpunësit-këshilltarë që ngriheshin në këmbë kur hynte ai, poshtërues për ekranet që e transmetonin në të gjitha emisionet. Ka qenë poshtërues madje dhe për kompjuterët që ai dhe ministrat e tij mbanin para vetes,- këta dëshmitarë të postmodernes, të fyer në mesjetën e kullës së tij.

Dhe dje zuri të molloiste sërish monologjet e tij të gjata e të pafund, monologjet që ndërpriten vetëm nga ai vetë, kur qesh vetë, kur kthen sytë nga ministrat për të parë kush nuk është duke qeshur, kur i turrej, siç iu turr dhe dje me libër shtëpie opozitës e armiqve përreth tij…

Janë miliona shqiptarë dëshmitarë të atyre monologjeve të pështira, shumëzoi për tetë vjet, pastaj shumëzoi për rreth njëzet vjet e mblidhi së bashku. Monologje që nuk na kanë zhvendosur vetëm në kohë, por dhe në hapësirë, – te sivëllezërit e tij autokratë në vendet e Magrebit.

Dhe mos kujtoni që kanë qenë vetëm monologje të destinuara për propogandë nga zyra e Këshillit tonë të Ministrave… Të njëjtën gjë që ka bërë me ministrat e tij, e ka bërë dhe në Presidencë, kur ishte president, e ka bërë dhe te Partia Demokratike, de facto e de jure njëzet vjet kryetar i saj. Kudo ka qenë i mbyllur në kullën e tij, sistematikisht, sidomos pas vitit 1994, pas Referendumit.

Edhe në fushatën e tij të fundit, pra edhe kur dukej sikur, më në fund, kishte dalë mes njerëzve me bllok në dorë, kullën e kishte me vete. Të gjitha ato takime kanë qenë të trukuara, dialogjet kanë qenë të trukuar, me njerëz të porositur, me pyetje të porositura, me përgjigje të porositura, me badigardë të gatshëm për të marrë prej zhelesh këdo që do të kishte guxuar të dilte jashtë inskenimit paraprak.

Nuk duronte dialog, nuk përballonte dialog, i vinte prita të gjitha dialogjeve të mundshëm dhe te Kryeministria e tij, dhe te partia e tij, dhe te kryesia e partisë së tij, dhe te Këshilli Kombëtar i partisë së tij. Aq sa, më në fund fare, as nuk i mblidhte më, vetëm e vetëm se kishte frikë nga dialogu. U kishte vënë drynin me kohë. Kishte vënë dhe badigardë në çdo derë e dritare, nga mund të futej ai i tmerrshmi, dialogu…

E kishte ngritur kullën e tij narcistike dhe e merrte kudo me vete. Të gjithë ata që shihni rreth tij, duke nisur me ministrat, të gjithë ata që kanë qenë dekori i këtij spektakli poshtërues rreth tij dhe te Partia Demokratike, kanë pasur vetëm e vetëm një meritë: e kanë ngrënë turpin me bukë. (Ndërkaq, nuk duhet harruar, ka me qindra e qindra që s’e kanë pranuar këtë spektakël dhe janë shpallur armiqtë e tij).

Ishte si kërmilli, kudo e merrte kullën e tij me vete. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e dinë mirë që sapo i afroheshe kësaj kulle, kishte roje, pastaj një roje tjetër, pastaj një te tretë… E dinë mirë që qëndronin e kanë qëndruar para derës së kullës me orë të tëra, madje me ditë, si personazhet e Kafkës, kur i thërriste, kur i harronte aty para derës së tij duke bërë sikur nuk ekzistonin…

Këtij rituali nuk i ka shpëtuar asnjëri prej bashkëpunëtorëve të tij, paçka se nuk e thonë publikisht, paçka se Jozefinës i vjen marre…

Këtë kullë e kemi përmbysur, paçka se ka vetëm një njeri që ende nuk e din këtë gjë dhe ky njeri është ai. Të keqen, i zoti e merr vesht i fundit…

Ishte, por s’është më… Këtë na kujtoi dje dhe, ndoshta do të na e kujtojë dhe ndonjë ditë tjetër, sa ka ende kohë… Ndoshta nuk i duhet vënë faj. Kur e rrethojnë badigardët e del nga shtëpia e tij, mbase e di që tani është kryeministër në detyrë, por kur ngjit shkallët e Kryeministrisë, kur kalon nëpër korridore dhe s’guxon t’i dalë askush para, por sidomos kur sheh ministrat e tij kokëulur para kompjuterave, atëhere nuk përmbahet dot dhe hyn në kullën e tij të narcisit… Izolohet aty, hë për hë, e vetmja strehë e sigurtë e tij.

Sepse, ishte dhe s’është më…