Ish-studentët e dhjetorit ftojnë Ramën, sot bashkëbisedimi

0
46

Flasin protagonistët/ Besnik Jakaj: Ndryshe nga Meta e Majko, në PD dhjetoristët u luftuan

Leonard Veizi, Shekulli 08.12.2013

Shqipëria ishte fort e izoluar për të kuptuar në kohë reale se çfarë po ndodhte ne pjesën tjetër të botës, e për më tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste të instaluara më së shumti pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëheshin në mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Sllogani “Lindja është e kuqe” kishte pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë, e për më tepër, në Azi po ndërmerreshin reforma të përshpejtuara. E megjithëse me vonesë në ngritjen e revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e duhur për t’ju bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë superxhiron për nga kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e privime të pakuptimta…

Studentët e gjetën pretekstin për t’u ngritur në një revoltë të zhurmshme. Ca kushte ekonomike më të mira në ambientet e rënuara të Qytetit Studenti, ku socializmi përgatiste kuadrot e rinj për “frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se një natë e tillë që gjysma e Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në një manifestim solidarizues mbushur me parulla e kundërparulla “reaksionare”. Bislim Ahmetaj, një prej të rinjve aktivë në këtë lëvizje që do të sillte dhe demokracinë shqiptare, gjatë një interviste për “Shekullin” thotë:

Si e mbani mend Shqipërinë e fundviteve ’80?

E ngjashme me situatën e përgjithshme të gjitha shtresave të popullsisë, figurativisht i ngjashme me një shtëpi të rrënuar që është gati të bjerë në çdo çast dhe të zërë brenda banorët e saj. Një shoqëri që ishte brejtur nga skamja dhe mjerimi, me dyqane të boshatisura ku nxinte fotografia e diktatorit si i vetmja “orendi” që nuk shitej dhe për faktin se askush s’kishte më uri për ta blerë. Ishin të ngopur me të. Brenda këtyre ngrehinave standarde pas banaqeve ngjyre gri, shfaqej një shitëse, shumicën e rasteve ndihmës gjysmë vullnetare e Sigurimit të Shtetit. E them gjysmë vullnetare pasi, rekrutimi kishte ardhur për të ruajtur atë vend pune parajsë për kohën, kështu “shoqja shitëse” e ndihmonte armën e dashur të udhëheqjes për të vjelë pakënaqësitë e klientëve të bjerrur nëpër radha. Por lufta për mbijetesë nuk e kishte shuar përfundimisht ëndrrën dhe shpresën për liri. Shqipëria ishte vendi me liritë politike e njerëzore më të dhunuara në planet. Kjo ishte pak a shumë panorama e përgjithshme në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të mëdha apo të vogla, po e njëjta gjendje errësire zotëronte edhe nëpër fshatra.

Po studentët në fundin e vitit 1990, në çfarë kushtesh ishin?

S’kishe si të ishte ndryshe gjendja, as midis studentëve bijë e bija të shqiptarëve të stërlodhur, mbledhur nëpër qendrat studentore të Tiranës nga të katër anët, ku jetonin nga katër deri në tetë vetë nëpër dhoma me kushte të ngjashme me repartet ushtarake apo qendrat provizore të punëtorëve. Ndryshimi qëndronte tek zjarrmia dhe shkalla e lartë e lirisë që rridhte ndër dejet e studentëve, kryesisht konviktorëve, të cilët për hir të vërtetës duke qenë larg kontrollit të familjeve kontrolluan dhe udhëhoqën Lëvizjen Studentore nga dita e parë me 8 Dhjetor dhe deri me 20 shkurt të ‘91 kur ra monumenti i diktatorit në Sheshin Skënderbej, ditë që konsiderohet edhe si fundi i Lëvizjes që legalizoi pluralizmin politik dhe ç’mitizoi shoqërinë shqiptare prej miteve të diktaturës.

Si nisi revolta studentore e dhjetorit 1990 dhe si u motivua ajo?

Revolta startoi si kryqëzim i mungesave të pafund të kushteve të jetesës, dikush protestonte se kishte ftohtë pasi batanijet e tij ishin bërë të tejdukshme, të tjerë për mungesa jetike të higjienës personale, dikush nga uria dhe mungesa e një pale xhinsave që i kishte një shok i tij, të tjerë nga teprica e hormoneve por shumë e shumë krejtësisht të qartë dhe të motivuar 100 % politikisht me misionin e madh të çlirimit të shqiptarëve prej diktaturës më të egër në lindjen e ftohtë. Këtij grupit të fundit i kam përkitur edhe unë pasi diktatura e kishte bërë kundërshtarë fisin tim që në vigjilje duke më pushkatuar gjyshin nga nëna, dajën e babës, pastaj dënuar e internuar shumicën e njerëzve të gjakut.

Pretendimet e studentëve ishin vetëm ekonomike apo dhe politike?

Siç i përmenda në përgjigjen e pyetjes së mësipërme pretendimet dhe qasjet e studenteve kanë qenë të ndryshme por që kryqëzoheshin dhe gjenin nja emërues të përbashkët: kështu nuk vazhdohet mëtutje, ai regjim duhej rrezuar me çdo çmim. E vërtetë është që shumica jonë nuk e dinte se çdo të ndodhte më pas.

Si u përzgjodh delegacioni që shkoi për të takuar Ramiz Alian?

Çdo fakultet zgjidhte përfaqësuesit e vet, nga Instituti i Lartë Bujqësor erdhëm për t’ju bashkuar dërgatës që do të shkonte tek Ramiz Alia pesë përfaqësues dy pedagog dhe tre studentë njëri prej tyre isha edhe unë. Ne e zumë autobusin duke u nisur dhe numri ishte plotësuar kështu që thjeshtë pritëm me ankth, entuziazëm dhe frikë kthimin e tyre. Përzgjedhja e përfaqësuesve që do takoheshin me diktatorin Alia për të parashtruar kërkesat e studentëve ka shënuar edhe procesin e parë zgjedhor demokratik. Me vonë ky proces shumicën e rasteve ka rezultuar i kontestueshëm me dhe pa baza reale

Çfarë u diskutua pasi u dëgjua nga qendra e zërit biseda e studentëve dhe pedagogëve me Ramiz Alian?

Emocione dhe ovacione krejtësisht të panjohura për dy breza shqiptaresh, një çiltërsi e pamatshme, përqafime dhe lot gëzimi me njerëz që si kishe parë kurrë. U vendos siç ishte rënë dakord që të rifillonte mësimi, dërgata e Instituti i Lartë Bujqësor u nis ta kryente këtë mision nën një shi të imët por që na lagu deri në palcë.

Si precipitoi situata për të krijuar për herë të parë një parti politike, pas 45 vitesh monizëm?

Krejt natyrshëm një palë e kishte partinë ajo ishte Partia e Punës, pala tjetër që ishin studentët, intelektualët, kryesisht pedagogë por edhe përfaqësues të institucioneve kulturore të kryeqytetit si Kinostudio, Teatri Popullor, entet botuese të kohës punëtoria dhe qytetarët e Tiranës do të krijonin partinë e tyre, opozitën e Partisë së Punës. Pa mbështetjen kurajoze të këtyre grupeve që përmenda, unë edhe sot pas 23 vjetësh jam plotësisht i bindur që Lëvizja Studentore do të kishte pasur fatin e protestave të studenteve kinezë në Sheshin Ten Nian Men.

Si u prit nga studentët, marrja edrejtimit të revoltës prej njerëzve që erdhën nga jashtë radhëve të tyre?

Vështirë të jem shterues në përgjigjen e kësaj pyetje. Studentët ishin një amalgamë interesash, prirjesh, stilesh jete të sjella nga të katër anët e vendit, aso kohe por edhe sot e kësaj dite është e vështire t’i tipizosh apo t’i kanalizosh në një stereotip brezin 18-25 vjeçar edhe brenda kësaj moshe ka një larushi ndryshimesh të pa fund aq më tepër në atë kohë që kushdo mund të ishte “zot” i mendimit të vet. Unë personalisht kam qenë për një parti kombëtare siç u bë realisht Partia Demokratike.

Azemi Hajdari

Azem Hajdari pati dhe rolin kyç në lëvizjen studentore. Duke kujtuar ato ditë të tensionuara e plot emocion ku Azem Hajdari doli në krye të turmës, Bislim Ahmetaj thotë se gjithsesi ai kishte rolin e një i liderit absolut. Për më tej ai e vlerëson në këtë mënyrë rolin e kreut të Lëvizjes Studentore: “Roli i Azem Hajdarit në Lëvizjen Studentore ishte roli i liderit absolut, askush se vuri në dyshim rolin e tij përgjatë atyre ditëve dhe muajve që rridhnin me shpejtësinë e rrufesë. Atij s’ia dha kush atë rol e fitoji prej guximit, moshës, energjive, fjalimeve të zjarrta, besimit që ngjallnin fjalët e tij të thjeshta, por të thëna me shpirt dhe kurajë që bënte diferencë me të tjerët. Kush e thotë ndryshe është nihilist dhe figurativisht po e them me një fjalë zhargon është edhe legen”.

Mentaliteti i politikbërësve, bolshevik

“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte dhe parulla bazë e lajtmotivi kryesor i Lëvizjes studentore., Por sa janë arritur aspiratat e vitit 1990, 23 vite më pas: “Do të isha nihilistë po të mos pranoja që Shqipëria ka pësuar ndryshime dhe zhvillim epokalë përgjatë këtyre 23 viteve, veçse po kaq hipokritë do tregohesha po të mos pohoja që ky zhvillim është më i paqëndrueshmi që mund të perceptohet nga mendja e një njeriu normal. Në mënyrën e tij çdo shqiptarë jeton më shëndetshëm dhe më mirë se para viteve ‘90 edhe lypsit ushqehen më shëndetshëm dhe vishen më mirë seç visheshin punëtorët apo edhe nëpunësit në kohën e diktaturës që ndërronin dy deri në tri herë jakat e këmishëve. “Luli i vocërr” në kohën e diktaturës shpesh herë ka qenë mësuesi po aq sa nxënësi.

Ajo që është dëshpëruese është zhvillimi me pasoja të pariparueshme për të sotmen dhe të ardhmen e brezave i infrastrukturës së demokracisë, dhunimi i vazhdueshëm i votës, mungesa e vullnetit politik për të kontrolluar korrupsioninhumbja e shansit për tu ndarë me të kaluarën në mënyrë dinjitoze, përpjekjet e pandërprera dhe mjerisht të suksesshme për të paraqitur funksionimin totalitar të qeverisjes, si imperfeksion të vet demokracisë. Për fat të keq thirrja që doli nga shpirti i lirë i studentëve dhe qytetarëve të Tiranës dhe më pas u bë pronë e të gjitha shesheve të gjithë Shqipërisë; “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ka mbetur një jehonë, një mirazh, një utopi.

Ajo thirrje burimore nga kauza e qytetarëve u pronësua nga pronarët e politikës si premtim elektoral dhe me një dashakeqësi të pashoqe u shitet atyre si ofertë elektorale bëjuni me ne në qoftë se doni t’ju bëjmë vend kandidat. Mentaliteti i politikbërësve ka mbetur bolshevik, ata janë më afër anëtarësimit në vendet e republikave të ish Bashkimit Sovjetik se në ato të Bashkimit Europian. Qytetarët e Shqipërisë nuk e meritojnë këtë klasë politike që herë e zgjedhin vetë e herë jua zgjedhin të tjerët, një klasë politike që maskon e shuan vlerat, që i jep shanse mediokritetit, që zhbën kompeticionin dhe krijon klane, fort të ngjashme me organizatat mafioze”, thotë për “Shekullin” Bislim Ahmetaj.

Ndryshe nga Meta e Majko, në PD dhjetoristët u luftuan

Besnik Jakaj, protagonist i Lëvizjes së Dhjetorit, shprehet se elementët e spikatur të protestave kundër regjimit komunist që u pozicionuan me PD-në nuk kanë mundur që të bëjnë karrierë politike brenda partisë. Në një intervistë për ‘Shekullin” Jakaj thekson se ka pasur një përqendrim të vëmendjes së strukturave të Partisë së Punës, kryesisht, të Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre për të menaxhuar dhe kontrolluar PD-në dhe për të mos lejuar elementë të spikatur të dhjetoristëve të vitit ’90 për të bërë karrierë brenda kësaj force politike.

Sot është 8 dhjetori. Sa të realizuara janë aspiratat e atyre që morën pjesë në atë lëvizje për përmbysjen e regjimit komunist?

E parë pas 22 vitesh, lëvizja e viteve ‘90 ishte një lëvizje masive popullore, por që kulmoi me protestat e studentëve dhe me grevën e tyre të urisë me një aspiratë demokratike. Sigurisht pas kaq vitesh që kanë kaluar, Shqipëria është zhvilluar, ka zhvillime politike, ka pluralizëm të plotë, pavarësisht ristrukturimeve dhe ndërhyrjeve, qoftë të ish-sigurimit të shtetit të asaj kohe që ka menaxhuar dhe kontrolluar krijimin e partive politike. Kjo është e verifikuar plotësisht, por edhe elementë të veçantë nga dhjetoristët e viteve ’90, janë penguar për të mos i lejuar që të jenë në nivelet e larta drejtuese të PD-së, pasi pritej që PD do të merrte pushtetin. Kjo ka qenë në gjykimin tim një përqendrim i vëmendjes së strukturave të Partisë së Punës dhe të bashkëpunëtorëve të tyre për të menaxhuar dhe kontrolluar PD-në dhe për të mos lejuar elementë të spikatur të dhjetoristëvetë vitit ’90 të dilnin në krye. Për mua ka qenë e bazuar te frika e tyre për këta njerëz të pastër, pa lidhje me komunizmin apo me sigurimin dhe me një frymëzim të jashtëzakonshëm për hakmarrje ndaj masakrave të komunizmit.

Ju thatë se shpesh herë elitat e reja janë bllokuar sidomos te PD-ja. Mendon se kjo ndërhyrje lidhet dhe me vetë z. Berisha?

Unë në vitin ’90 kam qenë gjimnazist aktiv në lëvizjen demokratike. Sigurisht me peshën time dhe me mbështetjen e të rinjve që kishin të njëjta ëndrra. Unë kam qenë pjesë e PD dhe e lëvizjeve politike në Shqipëri. Për shkak të kësaj kam njohje personale me shumicën estudentëve dhe të gjimnazistëve aktivë të dhjetorit ’90. Në një këndvështrim të shkurtër, rezulton që e gjithë kjo që thashë më lart lëvizja e vitit ‘90, nuk ishte lëvizje e pastër politike, por lëvizje popullore për ndryshimin pushtetit. Unë kam vërejtur se elementë të spikatur të saj greve, në të cilën kishte nga të gjitha ngjyrimet politike, të gjithë ata që u pozicionuan në PD nuk patën një karrierë dhe një fat të mirë.

Elementë të spikatur, ku mund të përmend tre të tillë, Azem Hajdarin, Arben Brocin dhe Arben Likën, dy prej tyre kanë vdekur dhe i treti nuk mori pjesë kurrë në mënyrë aktive në politikë. Paralelizëm të saj mund të bëhet me Ilir Metën dhe me Pandeli Majkon që ishin pjesë aktive e komisionit të grevës së urisë që u pozicionuan në kampin e majtë. Në fakt kanë bërë një karrierë të mirë dhe gëzojnë një reputacion të mirë. Kjo të çon të dyshosh se ka pasur strukturime të segmenteve të inkriminuara të sigurimit që kanë pasur një fokus të madh tek PD-ja për ta kontrolluar, sepse do të ishte forca e pritshme për të ardhur në pushtet dhe do të merrte revanshin. Për fatin e mirë të Metës, të Majkos dhe shumë të tjerëve, ku një prej tyre është edhe Edi Rama që pozicionin e parë e ka tek e djathta. Nuk i gjeti dyert hapur dhe sot është kryeministri i Shqipërisë. Pra këta elementë janë më të përfaqësuar tek e majta se tek e djathta.

Ka pasur akuza për lënie stafete nga Berisha tek Basha?

Partitë politike në Shqipëri kanë vuajtur në mënyrë ekstreme nga mungesa e demokracisë së brendshme. Në fakt mua më rezulton se në PD më mirë se në të gjithë partitë e tjera, asnjëherë nuk është bërë garë reale në këtë parti për hir të së vërtetës. Unë kam qenë më shumë se njëherë pjesë e garave në PD për pozicione të ndryshme. Gara e fundit mes z. Basha dhe z. Olldashi e lançoi publikisht edhe për shkak të medias, ku u vërtetua që nuk ka garë reale në PD.

Si e shihni mungesën e një vendimi për hapjen e dosjeve të regjimit komunist?

E gjithë kjo që thashë më lart, është për një periudhë shumë të gjatë që u kontrollua dhe nga sigurimi dhe ish-bashkëpunëtorët e sigurimit. Kjo vërtetohet edhe nga mungesa e ligjit të lustracionit dhe të hapjes së dosjeve në Shqipëri.

Rama takon sot ish-studentët e dhjetorit ‘90

Kryeministri Edi Rama do të jetë sot pjesë e takimit jubilar me rastin e 23-vjetorit të ndryshimit të sistemit në Shqipëri të organizuar nga Lëvizja Studentore Shqiptare ‘90-’91. Në këtë aktivitet do të jenë të pranishëm dhe protagonistët kryesorë të Lëvizjes së Dhjetorit. Burime nga kryeministria saktësojnë praninë e kreut të Qeverisë në takimin që zhvillohet sot ne orën 11:30. E ndërsa takimi i dhjetoristëve do të organizohet në një sallë të mbyllur, demokratët kanë zgjedhur të festojnë 8 dhjetorin në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ku tashmë është bëra gati dhe skena. Kryeministri Rama do të vijojë më tej bashkëbisedimin me qytetarët, jo vetëm për këtë temë, por dhe për çdo shqetësim tjetër, në një konferencë për shtyp në twitter në orën 17:30.