TemA, 5 Dhjetor 2011
Kushtetuta e Shqipërisë u ndryshua për herë të fundit në vitin 2008, duke prekur disa nga shtyllat kryesore të mënyrës së funksionimit të shtetit, që kishin të bënin me pozitat e kryeministrit dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit, etj. Edhe pse ka kaluar kaq pak kohë, shumë juristë, ekspertë të huaj dhe vendas, si dhe përfaqësues të politikës, mendojnë se është e nevojshme një rishikim i ri i Kushtetutës. Për këtë çështje dhe për nenet ku ka nevojë për ndryshim do të diskutojnë në një konferencë të posaçme konstitucionalistë, juristë të fushës të së drejtës, politikanë dhe ekspertë amerikanë.
Tryeza-debat për Kushtetutën organizohet nesër paradite në hotel Tirana nga fondacioni “Moisiu” në bashkëpunim me Soros, dhe i drejtuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Në këtë tryezë mësohet se do jenë të pranishëm ish-presidenti Rexhep Meidani, juristët e njohur Luan Omari, Njazi Jahon, etj, ekspertë amerikanë, politikanë, etj. Burime nga stafi organizues i konferencës pohuan për Temën se pritet të ketë rekomandime për ndryshime në Kushtetutë, që kanë të bëjnë me çështjen e imunitetit, zgjedhjen dhe mandatin e gjyqtarëve, mocionet ndaj kryeministrit,etj.
Në fund të saj pritet të dilet me një deklaratë dhe disa rekomandime për Kuvendin e Shqipërisë, i cili është dhe institucioni që ka tagrin për t’i bërë konkrete këto ndryshime. Deri më tani opozita është shprehur e gatshme për një ndryshim të ri të Kushtetutës, ndërsa mazhoranca e ka hedhur poshtë këtë opsion, por një bashkëpunim mes tyre është i domosdoshëm pasi duhen 84 vota për ta bërë këtë.