Shpërthen Dritan Prifti. Ish-ministri është larguar dje nga LSI-ja, duke lëshuar në dy faza akuza të ashpra ndaj kryetarit të LSI-së Ilir Meta. Ndërkohë që në letrën e largimin, hedh akuza të renda, në intervistën e dhënë për emisionin “Ora e Intervistës” të gazetarit Alfred Peza, Prifti deklaroi se Meta ka marrë mandatin e deputetit me ndihmën e PS-së.
Intervista
Dilema se kush përfitoi më shumë nga të gjithë në zgjedhjet e 28 qershorit ka gjasë të ketë marrë një përgjigje të parë dje nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas tij, ky person, është kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, që përkundrejt të gjithë politikanëve të tjerë arriti të sigurojë mbijetesën politike duke manovruar madje djathtas me votat e Partisë Socialiste. “Meta u lidh me Koço Kokëdhimën dhe i tha “shko te Edi Rama dhe thuaj që të më sigurojë mandatin në Tiranë, sepse unë nuk e çoj mandatin te Beerisha”.
Unë di që PS i dha mbi 3000 vota Metës që merrte mandatin. Nëse ato kuti hapen nuk e nxjerrin deputet Metën. Edi Rama ja ka dhënë mandatin Metës në Tiranë. Nëse del ndryshe unë e dorëzoj mandatin tim. Jam i sigurt që mandati i Metës është i PS-së. Tani është ora e të vërtetës. Ai është me mandat të pamerituar në Tiranë. Meta është deputet me votat e PS në Tiranë”, tha Dritan Prifti dje në një intervistë televizive. Ai ka zbuluar kështu një version të ngjarjeve që shoqëruan zgjedhjet e fundit parlamentare për të cilat aktualisht ka një kërkesë për hetim nga ana e opozitës.
Mekanizmi është dëshmuar shumë i thjeshtë; mandati i një deputeti të Republikës së Shqipërisë është bërë formal dhe ka fituar fuqi ligjore përmes një tregtimi votash të ndërmjetësuar nga njerëz të afërt me politikanët kryesorë. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë pa asnjë dyshim morali i kërkesës së selisë rozë për të hetuar bie poshtë, sikurse edhe legjitimiteti i zv.kryeminisitrit aktual dhe qeverisë ku ai bën pjesë. Ajo që mund të kuptohet nga deklarimi i Dritan Priftit ëhstë fakti se pazari i 28 qershoruit ka prodhuar një qeveri artificiale dhe të pavotuar, përmes një improvizimi politik ku është bërë pjesë edhe pse si humbëse edhe Partia Socialiste. S.zaimi
Letra
Dritan Prifti është larguar dje zyrtarisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ajo që ndihej dhe pranohej si përmbyllje logjike e konfliktit mes tij dhe Ilir Metës është sigluar dje përmes një letre të vullnetit të lirë, por që natyrisht pasqyron disa rrethana jo aq normale. Përmes këtij dokumenti politik, që vjen edhe në formën e një dëshmie, ai ka bërë të ditur shkaqet e këtij vendimi që kanë ardhur pas një situate të mbyllur dhe të rëndë komunikimi mes tij dhe kreut Ilir Meta, si dy bashkëthemelues të LSI-së.
Akuza, shantazhe për jetën, kërcënime dhe kurthe, këto, sipas Priftit, kanë karakterizuar periudhën e fundit të aktivitetit të tij si pjesëtar i LSI-së, parti të cilën ai e braktis pas 6 vjetësh. Letra e largimit përfundimtar është plot akuza të rënda ndaj ish-mikut të tij, që nga kërcënimi për jetën, korrupsioni, e deri te tentativa për blerjen e deputetëve të opozitës nga ana e kryetarit të LSI-së. Por përplasja në distancë mes Priftit dhe Metës ka vazhduar dje gjatë gjithë ditës në progresion të deklaratave të ndërsjella.
Menjëherë pas akuzave të shprehura nga LSI-ja për ish-ministrin e saj, Prifti tha për “Shqip” se “ata mund të më akuzojnë mua se do të shkoj te prehri i Tan Lepurit, por unë dua t’ju them se Edi Ramës, Tan Lepurin ia ka prezantuar Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Unë personalisht nuk e njoh për fytyrë Tan Lepurin, jo më të kem njohje personale me të”. Emblematike në këtë situatë të krijuar është arsyeja e cituar si shkak fillestar i çarjes me Ilir Metën.
“Sakrificat, miqësia, bashkëpunimi dhe kontributi im filluan të hidhen poshtë kur një tender në ‘Albpetrol’ nuk e fitoi BH, sepse komisioni atje e skualifikoi për mangësi në dokumentacion. Gjërat u përkeqësuan kur një koncesion gjykata nuk lejonte t’ja jepje dot YT. Më vonë u prishën më keq punët kur një privatizim nuk mund ta meritonte ‘M’, pavarësisht se ai kishte merituar të tjera më parë”, thuhet në letrën e ish-ministrit të Ekonomisë. Sipas këtyre fjalëve, Dritan Priftin, nënkryetarin e LSI-së, e ka ndëshkuar ndershmëria dhe përkushtimi në detyrë, zbatimi me rigorozitet i ligjit, që për të ka qenë mbi kërkesat politike të partisë.
Duke përvijuar dy mënyra të ushtrimit të pushtetit, mes ligjit dhe arbitraritetit, Prifti ka nxjerrë në sipërfaqe se konflikti me Ilir Metën është i natyrës ekonomike. Tenderë dhe iniciale që mbushin vargun e pakënaqësive mes dy drejtuesve të LSI-së, shpalosen kështu nga ish-ministri i Ekonomisë në një rrëfim që pikërisht jep të kuptojë se cilat janë marrëdhëniet e shumëfishta të interesit, në finale e zbrazin veten nga kuptimi moral. Në një farë mënyre, edhe vetë deputeti në fjalë e ka nënvizuar këtë gjë, duke bërë të njohur se në raport me Ilir Metën komunikimi i tij mediatik do të jetë në proporcion me akuzat.
“Si burracak ka frymëzuar disa media dhe opozitën që të nëpërkëmbin deklarimin transparent të pasurisë që ka bërë bashkëshortja ime. Unë nuk jam marrë kurrë me bashkëshorten e tij, jo se jam i paaftë të merrem, por sepse respektoj disa norma shqiptare dhe qytetare. Unë nuk jam marrë kurrë me pasurinë e tij, jo se jam i paaftë të merrem. Në të ardhmen e afërt unë do t’i përgjigjem atij me të njëjtën monedhë, për çfarëdo gjëje që ai zgjedh të merret me mua, përfshi pasurinë”, thuhet në letrën e ish-ministrit të Ekonomisë.
Një informacion me vlerë e dhënë prej tij, është edhe ajo që ka të bëjë me përpjekjet për ndryshimin e hartës parlamentare, për të cilën po investohet shumë nga subjektet politike. “Jam shumë i zhgënjyer që ai ka nxjerrë sekserët e tij në treg për të blerë deputetë të Partisë Socialiste me çmime skandaloze. Dje, sekserët e tij i kanë bërë këtë ofertë një deputeti të PS-së nga Fieri. I kanë ofruar shumë para, kontroll të plotë mbi “Albpetrolin” si ndërmarrje dhe vendin nr. 1 në listat e LSI-së në Qarkun Fier”, deklaroi Dritan Prifti.