Shkëlqim Cani, 05.08.2010
Herë pas here, në media, gazetarë, opinionistë, analistë, ekspertë shprehen dhe përherë politikanë të pozitës e ministra të kësaj qeverie “rrangalle”, akuzojnë opozitën për qëndrime e vlerësime kritike ndaj qeverisjes, por “pa dhënë alternative ose rrugëzgjidhje konkrete”. Është e tepërt të thuhet se ky lloj vlerësimi përmban në vetvete edhe elemente dashamirës.
Ne ekspertët e pavarur apo të angazhuar në një drejtim, pranojmë dhe synojmë që më shumë rrugëzgjidhje duhen parashtruar. Duke pranuar me sinqeritet vërejtje, kritika apo sugjerime për alternativë më cilësore e më të kualifikuara, kjo nuk duhet të na ngatërrojë dhe në disa raste edhe të na çojë në humbjen e drejtpeshimit në vlerësimin sa më real të raporteve qeveri – opozitë, apo dhe më keq të mohojmë alternativat e parashtruara nga opozita.
Qeveria dhe vetë Kryeministri prej kohësh kanë ndërmarrë një fushatë të pandërprerë për të ngulitur në mendjen e kujtdo që opozita nuk ka alternativë, kur në fakt opozita i ka bërë publike këto alternativa në mënyrë të përsëritur. Po ndalem për të argumentuar shkurt sa më lart, me disa pika, se cilat janë disa nga alternativat e ofruara:
Së pari, është alternativë thelbësore të nxjerrësh në shesh të vërtetën. Kemi përballë një qeveri që gënjen “ditën për diell, pa i bërë terr syri”. Ditën që ul me 30 miliardë lekë apo me 1/3 investimet në buxhet del në media Ministri i rrugëve dhe u tregon shqiptarëve se do të vazhdojë më me intensitet ndërtimi i rrugëve. (?!) Populli çoroditet dhe ndonjë edhe e “ha sapunin për djathë”. Por nuk besoj që në shtëpitë e tyre pjesëtarët e një familje mund të gënjehen që do të vazhdojë ndërtimi i shtëpisë nëse shteron burimi i të ardhurave të familjes.
Po kështu, në kuadrin e gënjeshtrave qeveria trumbetoi me të madhe që ka siguruar 3.2 miliardë dollarë, pikërisht pak ditë pasi kishte dështuar për të siguruar dhjetë herë më pak para hua nga tregu. Nëse qeveria siguroi kaq shumë para përse nuk i përdor menjëherë për ndërtim rrugësh, për spitalet, shkollat etj., që janë në gjendje të mjeruar?!! Të tillë shembuj mund të jepen me dhjetëra në ditë dhe është e kotë ta lodhim lexuesin.
Kjo i ngjan asaj historisë që tregonte nusja e re e sapoardhur në shtëpinë e burrit, ku i zoti i shtëpisë kërkonte për darkë ushqime nga më cilësoret, por në tryezë nuk shtrohej asgjë. Pra, në darke shtriheshin pa ngrënë. Kur e pyeten prindërit se si kalonte tek shtëpia e re, nusja tha: për nga ajo që dëgjoj jam më e lumtura në botë, për nga ajo që shoh jam e mjerë.
Së dyti, është një tjetër alternativë të nxjerrësh në shesh statistika të vërteta të gjendjes ku jemi. Qeveria është në krye të brigadës së falsifikuesve të shifrave dhe statistikave të vendit. Opozita, – por besoj nuk e ka të vështirë dhe çdo shtetas i këtij vendi – konstaton dy botë krejt të kundërta, njëra me ekonomi “të shkëlqyer” dhe tjetra, realja, me një ekonomi që merr të tatëpjetën çdo ditë e më shumë dhe që qeveria as që merr mundimin ta ndalë.
Opozita po i bën të gjitha përpjekjet dhe po jep gjithë argumentet e mundshëm për të ndërgjegjësuar publikun për realitetin. Natyrisht që do të bëjë dhe hapat e duhur për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë falsifikatorët, por asaj i duhet edhe zgjimi e mbështetja e publikut e sidomos e medies për ta ndalur këtë maskaradë të radhës. Nuk pati asnjë të mirë Greqia, por përkundrazi i vërshuan të këqijat dhe u penalizua kur nxori në shesh me vonesë falsitetin e shifrave.
Ju beson ose jo shifrave, përsëri, për të ndërtuar një strategji duhet të bazohesh mbi të dhëna e mbi statistika. Sa më të rreme të jenë statistikat, aq më i vështirë bëhet “plani ndërtues”. Pra, opozitës i kërkohet të japë alternativë, pra të ndërtojë një godinë funksionale, të bukur dhe eficente, por asaj i janë dhënë informacione të rreme, sepse thuhet “tokë” për diçka që është “moçal”, thuhet “beton e hekur” kur të tillë nuk ka dhe për më tepër i thuhet se janë të gjitha paratë “për të përfunduar godinën”, kur në fakt këto nuk ekzistojnë.
Cili arkitekt e ndërtues do të mund të jepte maksimumin në një situatë të tillë? Kjo është njësoj si të të lidhin sytë dhe të të çojnë në një pyll të dendur të globit dhe pa mjete të të thonë: “shko, ktheu në Tiranë (!). Kjo është arsyeja që këmbëngulim kaq shumë në transparencën dhe realitetin e shifrave dhe statistikave shqiptare.
Së treti, është një alternativë për t’u vlerësuar të japësh parashikime sa më precize e deri numerike për pritshmërinë një apo disavjeçare të ekonomisë. Fatkeqësisht, institucionet e vendit, që e kanë si përgjegjësi të veten këtë detyrë dhe që kanë gjithë mjetet e kapacitet për ta realizuar, po dështojnë në dhënien e këtyre parashikimeve. Në të gjitha rastet që janë ballafaquar parashikimet për pritshmërinë e ekonomisë, sipas këndvështrimit të qeverisë dhe opozitës, ka qenë opozita që ka dhënë me saktësi realitetin (madje në disa raste realiteti ka dalë edhe me negativ nga parashikimet e opozitës).
Kjo tregon qartë se opozita e njeh shumë herë më mirë realitetin ku jetojmë dhe kupton qartë ku të çojnë politikat që po ndiqen. Nuk besoj që mund të fajësohet opozita nëse ajo paralajmëron qeverinë të mos niset në atë rrugë ku e presin shtrëngata shiu e dëborë dhe qeveria vazhdon me kokëfortësi në të sajën, e madje (çka e bën situatën edhe më paradoksale) t’i kthehet opozitës duke e akuzuar se e ka krijuar ajo shtrëngatën.(!) Të tilla raste janë me dhjetëra dhe janë tërësisht të dokumentuara në kongrese, asamble apo tryeza diskutimi të Partisë Socialiste, në prononcime publike të ekspertëve, por dhe në punime shkencore të viteve të fundit.
Cilido kureshtar apo mosbesues në sa me sipër mund të gërmojë dhe do të shohë që opozita ka qenë jo vetëm korrekte me vetveten, por edhe me qeverinë e sidomos me shtetasit shqiptar. Për ilustrim, po marr vetëm rastin më të fundit të rishikimit të buxhetit:
– U bë rishikimi i tij me vonesë edhe pse prej ekspertëve të opozitës ishte paralajmëruar e kërkuar nëntë muaj më përpara një veprim i tillë. Por, ky veprim i vonuar ka pasoja dhe dëme në ekonominë e vendit, dëme të cilat si gjithnjë i paguajnë shtetasit shqiptarë.
Për më tepër, ndryshe nga tautologjia e eksponentëve eunukë të Partisë Demokratike, në asnjë rast deputetet e Partisë Socialiste nuk ishin kundër rishikimit të buxhetit, por kërkonin rishikim më realist të tij – që të mos prekeshin shpenzimet për shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe të shihej për mbështetje më të mirë sociale të shtetasve në nevojë etj. Dhe nuk mbaron këtu… Përsëri na duhet të paralajmërojmë që edhe ky buxhet i rishikuar ka për destinacion mosrealizimin.
Së katërti, po përmend disa nga idetë alternative më kryesore, që ka parashtruar opozita përgjatë dy viteve të fundit, sidomos në forumet zyrtare të saj:
Në kohen që zyrtarët tanë më të lartë silleshin si “kali në lëmë” nëpër botë me mburrje groteske se kriza nuk do ta infektojë Shqipërinë, opozita paralajmëroi me saktësi gjithçka do të ndodhte gjatë viteve në vijim dhe u përgatit me planin antikrizë – midis të tjerash parashikoi e kërkoi më shumë transparencë dhe edukim të publikut, për të mos rënë në panikun e krizës; kërkoi nga qeveria të përgatisë menjëherë programin antikrizë; kontaktoi me përfaqësues të FMN-së etj., për të parashtruar ide e mendime për ndikime sa më të pakta të krizës në ekonominë tonë; kërkoi praninë e FMN për të ndihmuar qeverinë në situatën e krijuar dhe më pas i sugjeroi qeverisë të kërkojë mbështetje financiare nga FMN; kërkoi ndërtimin e një buxheti dhe të politikave antikrizë dhe shmangien e një buxheti tërësisht në funksion të fushatës zgjedhore; sugjeroi plane kontigjencë etj. Por gjithçka u refuzua me mendjelehtësi nga qeveria.
Para miratimit të tre buxheteve të fundit Partia Socialiste me ekspertë të saj dhe të pavarur ka organizuar tryeza të hapura për debat për buxhetin, ku janë dhënë dhe sugjerime konkrete se si mund të përmirësohej buxheti.
Në një kongres dhe në një asamble të veçantë janë marrë në analizë me përparësi ecuria, pritshmëritë dhe alternativat për ndreqjen e ekonomisë dhe shmangien sa më shumë të krizës. Në to, ndër të tjera, janë sugjeruar: një strategji e re për lufte reale ndaj monopoleve dhe kapjes së shtetit, si metastaza në trupin e ekonomisë shqiptare (është sugjeruar veçanërisht forcimi i Autoritetit të Konkurrencës, mbështetja e tij tërësore nga gjithë organet shtetërore përkatëse dhe përmbushja me urgjencë e standardeve në veprimtarinë e këtij institucioni); liberalizimi cilësor i ekonomisë dhe nxitja reale e investimeve në vend dhe të eksporteve; përmirësimi thelbësor i statistikave në vend dhe realizimi i një transparence reale në ekonomi;
luftë shumë më serioze ndaj krimit të organizuar; formalizim i përshpejtuar i ekonomisë duke ngjitur nga 5 shkallë çdo vit në renditjen e përgjithshme; pavarësi më e thelluar formale, por sidomos reale për institucionet e pavarura (duke i kërkuar konkretisht Bankës së Shqipërisë të dalë nga bunkeri i vetëcensurimit);
kemi kërkuar që Banka e Shqipërisë të shihte mundësinë e uljes së shpejtë dhe
të thellë të normave të interesit etj. Është një fakt lehtësisht i verifikueshëm që
në përgjithësi politikat e Bankës së Shqipërisë kanë ndjekur rekomandimet e
ekspertëve të Partisë Socialiste, por në tërësi kanë qenë të vonuara, duke sjellë
për pasojë dhe dëme në ekonomi, ndërsa qeveria nuk u shkëput nga kokëfortësia
në mospranim të sugjerimeve të opozitës.
Do të lodhej lexuesi nëse do të përmendja programin elektoral dhe qeverisës, si dhe shumë e shumë sugjerime e alternativa të ekspertëve apo deputetëve të veçantë të opozitës. Për më tepër që nuk dimë qoftë dhe një rast kur qeveria të ketë falënderuar apo reflektuar hapur për sugjerime të opozitës. Në të kundërtën, ka qenë jo vetëm një vesh i shurdhët, por dhe një sulm i paparë ndaj kujtdo që guxonte të artikulonte qoftë një fjali për malin me zullume të kësaj qeverie.
Dhe nëse dikush nga lexuesit ka ndonjë dyshim apo kërkon të mësojë më shumë se çfarë artilerie përdor qeveria ndaj oponentëve të saj, le ta hapë këtë debat në media dhe të dëgjojë bëmat nga vetë ata që do të guxojnë të flasin kundër. Ky reagim të duket i natyrshëm kur kemi një qeveri ku bujqësinë ia jep ta drejtojë ekonomistit, bujkut i japin financat, shpenzimet më të mëdha të buxhetit i bën ai ministër që nuk ka mundur të marrë as vitin e parë në Fakultetin Ekonomik dhe vlerësimin e punës së tyre e bën ai që ka fjetur vetëm me notën pesë gjithë fakultetin.
Së fundmi, me pak rendësi për çështjen që trajtojmë, por jo pa vlerë për t’u
përmendur. Me të drejtë kërkohet më shumë dhe cilësi sa më e lartë për opozitën, me gjithë pengesat që ajo has dhe alternativat që ka paraqitur. Por duhet parë dhe ajo që pak vërehet e kërkohet deri tani, alternativat e vetë pozitës.
Alternativat prej saj ose janë jo cilësore ose kanë qenë tërësisht të munguara. Nga alternativat duhen ndarë pjesa që paraqesin organizmat ndërkombëtarë dhe strategji, programe etj., që përpunojnë stafi teknik i punësuar në administratën publike, prej mbi 100 mijë punonjësish.
Të marrim disa prej alternativave apo premtimeve që ka bërë pozita:
– rritja ekonomike nga 6-7% e premtuar për këto 5 vite rezulton mesatarisht 4-5% ose 30-40% më pak se zotimi;
– borxhi publik jo që nuk u ul në 50% të PBB por u rrit në 60% ose 20% më shumë nga premtimi;
– papunësia dhe varfëria u zmbrapsen në pothuaj nivelet e asaj periudhe kur u mor pushteti nga mazhoranca;
– leku humbi fuqinë blerëse me 15-20% te tij, ose për herë të parë që përsëritet kjo histori pas vitit të mbrapshtë 1997;
– korrupsioni dhe kapja e shtetit është në nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë Shqipëria edhe pse një prej kryeçështjeve të premtuara nga opozita e atëhershme ishte lufta kundër korrupsionit
– monopolet janë të gjithkundndodhura;
– “Shqipëria 1 euro” rezultoi në “Shqipëria për 1 lek” etj.
Dëgjojmë shpesh nga analistë të pavarur jo-ekonomistë, por ndonjëherë edhe
ekonomistë, që fajin e ka për gjithçka modeli i rritjes ekonomike, i varur tërësisht nga dërgesat e emigrantëve dhe duhen zgjedhur alternative të reja për të ardhmen. Është e gjithëpranuar që modeli ka nevojë për ndreqje thelbësore, por pa u krijuar ideja sikur e shkreta qeveri mirë ka punuar, por fajin e kanë të tjerë, pra faktorë që s’varen prej saj. Kjo “shlyerje faji” për qeverinë është sa e gabuar aq edhe e dëmshme, sepse kjo qeveri e ka në traditën e saj “ndërto një mur sot e prish dy nesër”.
Nuk besoj të ndajë të njëjtin mendim me mua mulla Zheki, që kudo që ka punuar në institucionet publike blinte me 10-fishin e çmimit të tregut (sa ia ka parë hairin ekonomisë së tregut!), por e ke të pranishëm në të gjitha mediet me leksione kundër korrupsionit. Me të drejtë në skeçin e hershëm të Estradës së Fierit, aktori i mirënjohur, Luftar Paja pyeste: “Po hajduti që më vodhi lopën nuk kishte faj?”
Duhet të dënojmë rëndë hajdutin që po na vjedh “ditën për diell” dhe jo të pranojmë si të keqe të pashërueshme praninë e hajdutit dhe të kërkojmë sa më shumë ruajtës të kualifikuar.