ISA MUSTAFA DUHET TË JAP DORËHEQJE

0
24

SHEFQET DIBRANI·2015-11-20

Pas të gjitha skandaleve të njëpasnjëshme dhe sidomos pas dështimit të shtetit Isa Mustafa duhet të jap dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës sepse është Kryeministri më i dështuar që ka pasur Kosova dhe rajoni.
Skenat në Kuvendin e Kosovës i kanë dhënë imazh shumë negativ Kosovës. Policia në kuvend, gazi lotsjellës në ambientet e mbyllura, rrahje, burgosje dhe dëme materiale të shumta, janë vetëm disa nga sekuencat që tashmë janë shpërndarë nëpër mediat botërorë. Pastaj inskenimi i situatës në Universitet dhe ajo në fillim të vitit me refugjat ku mbi 70 mijë qytetar të Kosovës kanë braktisur vendin janë shembuj që duhet ta prekin ndërgjegjen e kastës politike në Kosovë, jo për gjë tjetër por u pa se ka qen një skenar shtetëror pasi në të dy rastet brenda ditës u qetsua gjendja, prandaj është obligim moral që dikush të jap përgjegjësi, veçmas përgjegjësinë duhet ta merr kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i cili qysh kur e mori postin e kryetarit të LDK-së haptas është deklaruar për një LDK ndryshe dhe kjo ndryshe nuk është tjetër përpos anarkisë institucionale, nepotizmit dhe arrogancës së skajshme ku Isa Mustafa jo që shitet Monark i Kosovës por udhëheqja e tij është teknokrate dhe despotike.
Ka ardhur momenti kur strukturat politike të LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS ta ngritin zërin e tyre kundër degradimit të partisë dhe shtetit që ia kanë sjellë një kryetar teknokrat dhe me bindje komuniste siç është Isa Mustafa.
Isa Mustafa është personi, i cili me librezën e LKJ në xhep është emëruar ministër në Qeverinë e Kosovës në ekzil dhe pa qen kurrë anëtarë i LDK-së është zgjedhur Kryetar i kësaj partie. Karriera e Isa Mustafës shënon vetëm disfata të cilat si askush ai ka ditur t’i shes për suksese. Isa Mustafa i ka humbur tri palë zgjedhje lokale dhe dy palë zgjedhje nacionale dhe nuk ka dhënë dorëheqje. Ai do ta shkatërrojë Kosovën por nuk do të jap dorëheqje.
Ai bënë thirrje për shtetin ligjor por vet nuk i respekton ligjet e Kosovës. Ai garanton se askush nuk është mbi ligjin, por qartë dihet se ai ka akuza të ngritura për keq menaxhimin e 3% në diasporë dhe sidomos Fondit “Huaja Popullore”, për të cilën ai ka garantuar se është vetëm një hua e cila do t’u kthehet mërgimtarëve. E këto deklarata kanë qenë në cilësinë e ministrit për Ekonomi dhe Financa.
Pastaj Isa Mustafa thërret opozitën për dialog gjë që është shumë normale, por është vet Isa Mustafa personi që i ka përjashtuar nga dialogu Degët e LDK-së në Diasporë dhe kurrë s’ka pranuar të ulet në biseda as me delegatët të cilët janë bijtë e Heronjve të Kosovës, ose familjar të dëshmorëve. E kjo sjellje duhet t’ua prek sedrën të gjithë LDK-istëve që i përulen Isa Mustafës i cili njeh vetëm gjuhën e frikës por jo edhe të argumentit sepse në ndërgjegjen e tij nuk ka qytetari, s’ka burrëri, s’ka demokraci dhe s’ka as shtet ligjor.
Tashmë iu vërtetua edhe nga ekspertet e partisë së tij se Demarkacioni me Malin e Zi ka qen një aventurë e pashembullt dhe një marrëveshje në dëme të Kosovës për të cilën ai është zotuar se nuk do t’i tërheq kurrë nënshkrimet, andaj qytetarët e Kosovës, dhe sidomos strukturat e LDK-së nuk duhet të heshtin, ata duhet ta shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit urgjent të Isa Mustafës nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe ta ndëshkojnë edhe ekipin mbështetës të tij për këto dëme dhe fatkeqësi që ia sollën Kosovës qoftë në planin kombëtar e qoftë në atë ndërkombëtar.
Isa Mustafa duhet të shkon dhe bashkë me te edhe ekipi i tij si dhe mbështetësit e tij qofshin ata analist a gazetar të cilët po i mbrojnë vijën antikombëtare të Isa Mustafës i cili fatkeqësisht është edhe Kryetarit i LDK-së.
Nëse strukturat e LDK-së janë anemike, frikacake dhe të pafuqishme për ta marrë një hap konkret atëherë duhet të ndërhyj autoriteti i presidentes për ta shpërbërë qeverinë dhe për ta pensionuar Isa Mustafën i cili nuk është i zoti të menaxhoj situatën si duhet.

St. Gallen, 20.11.2015
Shefqet Dibrani – shkrimtar