Nga Mero Baze
Vendoseni pak veten në vendin e kryepeshkopit Irinej, para se të debatoni me hijen e tij, dhe kuptoni çfarë do ai nga gjithë kjo histori. Kryepeshkopi Irinej arriti të marrë më shumë se sa meriton me debatin që provokoi në Shqipëri. Duke qenë se dita e shenjtërimit të katedrales ortodokse në Tiranë, është një ditë që e bëntë të ndjehej keq, ai do të kthehej në Serbi si nga një udhëtim ferri, ku do të shikonte se e gjithë kauza e tij idiote nacionaliste antishqiptare dhe aspak fetare, kishte shkuar kot. Përfytyroni që ky njeri ka çuar në qorrsokak Serbinë, dhe për shkak të ideve të tij Serbia është bombarduar nga Perëndimi.
Përfytyroni që ky njeri është sot kundërshtari kryesor i integrimit të Serbisë në BE, pasi është mbrojtës i kauzës që është kusht për Serbinë që të anëtarësohet në BE, pavarësia e Kosovës. Por mbi të gjitha, përfytyroni se çdo të thoshte Irinej në Serbi kur të kthehej nga Tirana, nëse nuk do kishte bërë atë që bëri?
Do të dukej një plak i mundur nga historia dhe nga betejat që ka shpikur vetë kundër shqiptarëve. Tentoi t’i zhdukë nga Kosova dhe i mbrojti Perëndimi, tentoi t’i quajë talibanë dhe u detyrua të vijë në Tiranë në një ceremoni madhështore, që reflektonte tolerancën fetare si pasurinë më të çmuar të shqiptarëve. Tentoi një jetë të tërë t’i quante barbarë, ndërkohë që më i rëndësishmi i klerikëve ortodoksë, Bartolemeu, bekoi futjen e tyre në Bashkimin Evropian.
Në rrethana të tilla, ai do të ishte një kufomë pa vlerë kur të kthehej në Serbi, pasi po kthehej si një ushtar i telendisur nga një betejë e humbur. Ndaj i duhej ajo që bëri. I duhej t’u thotë ca mendjendryshkurve në manastiret e Serbisë se është ende udhëheqësi i tyre. Ne nuk kemi pse e zgjasim të merremi me hallin e tij.
Është mirë që Edi Rama ia ka thënë në sy mendimin e tij, por më tej nuk ia vlen. Ai ishte i ftuar i kryepeshkopit Janullatos, dhe në një vend ku feja është e ndarë nga shteti, nuk ia vlen të futemi në debate politike. Berisha, i cili e ka mik kryepeshkopin Janullatos, dhe e di mirë që kryepeshkopët janë të ftuar të tij dhe jo të Edi Ramës, para se të bëjë si patriot antiserb, bën mirë t’i pyesë mirë anëtarët e familjes, pasi i ka me gjak serb.
T’i kërkosh llogari Edi Ramës pse vjen Irinej i ftuar nga kryepeshkopi i Shqipërisë, është sikur t’i kërkosh llogari Hashim Thaçit pse shkon Irinej në Patriarkanën e Pejës apo Manastirin e Deçanit.
Vazhdimi i këtij debati politik rreth një prifti serb, të ardhur në Tiranë, është thjesht ëndrra e tij. Ai për këtë shkak dhe provokoi debatin, për t’i dhënë atij pak më shumë shpresë dhe krenari kur të mbërrijë në Serbi e të pritet si hero. Është mirë ta lëmë në hidhërimin e tij që ka ndjerë kur ka shkelur në Tiranë, në atë vend që e ka parë ashtu siç nuk e ka ëndërruar dhe as siç e ka mallkuar në lutjet e tij raciste kundër shqiptarëve. Lëreni të vuajë në zemërimin e tij dhe mos ia rrisni pikët si patriot serb.
E ka marrë një herë më qafë Serbinë, kur Milosheviçi mori doktrinën e tij dhe e bëri doktrinë politike. Tani mos ta ribëjmë sërish hero të serbëve të mundur nga vetë serbët. I mjafton dhimbja dhe vuajtja kur pa si shkëlqen toleranca fetare në një vend që ndjehet më afër Perëndimit se ai. E bëri gjithçka për veten e tij, për historinë e tij të dështuar si klerik, si nacionalist antishqiptar dhe si njeri që e ka ndëshkuar Perëndimi. Nuk them dot që e bëri as për Serbinë, pasi Serbisë i bëm dëm veladoni i tij i zi në portat e BE. Së paku për momentin.