INTERVISTA tek gazeta SOT, 6 Nëntor 2012
–Profesor Rama, vdekja e grevistit Lirak Bejko ka tronditur shoqërinë e mpirë shqiptare, ndërsa klasa politike vijon avazin e akuzave dhe shfajësimeve. Si e kanë përjetuar shqiptarët e Amerikës këtë lajm?
Shqiptarët që jetojnë në SHBA e kanë përjetuar këtë vdekje tragjike me shumë dhimbje. Paria politike e Tiranës filloi të përdorte teknikat e saj për t’ia hedhur fajin palës tjetër, por ky krim ishte një nga krimet që nuk falen. Ky është një krim nga ata që nuk mund të harrohen. Nuk ka det që i lan nga përgjegjësia e tyre kriminale. Kur je larg vendit tënd, gjithçka që ndodh të prek shumëfish. Ka pasur shumë reaksion nëpërmjet mjeteve të komunikimit dhe në biseda private, dhe ka shumë urrejtje për parinë sunduese të Tiranës. Cinizmi i hapur i parisë sunduese, por edhe paturpësia e degjenerimi i shtypit dhe i mjeteve të propagandës, shitja e shpirtit për një rrogë nga ana e zyrtarëve, zvetënimi dhe paaftësia për të përballur të keqen janë shenja simptomatike të një shoqërie që në dukje është e pashpresë, nuk sheh zgjidhje dhe që rreket të mbijetojë ashtu si mundet.
Në këtë kontekst, vetëflijimi i Lirak Bejkos ishte një veprim që duhej të shtynte të gjithë shqiptarët që të reflektonin. Vdekja e tij ishte një moment kritik, sepse ky u vetëflijua me ndërgjegje të plotë. Mirëpo, askush nuk po reflekton. Edhe protesta e një grushti të përndjekurish politikë gjatë vizitës së sekretares amerikane të shtetit u mbyt me dhunë, dhe gazetarët u morën me kravatën pink të kryeministrit dhe jo me protestën e atyre njerëzve që kërkonin asgjë më shumë se të drejtën e tyre dhe që u futën me forcë në furgonët e policisë. Dhuna e policisë ishte simptomatike e regjimit kriminal të Tiranës. Ne e përjetojmë këtë gjendje me shumë dhembje dhe kërkojmë që njerëzit të zgjohen dhe të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk është e largët dita kur nuk do të munden as t’ia vënë vetes flakën si Lirak Bejko.
–Në një aspekt më të gjerë, a konfirmon dështimin e demokracisë shqiptare vetëflijimi i Lirak Bejkos?
Po, padyshim që po. Në shtetin shqiptar gjendja është aq kritike sa ka pak gjëra që të habisin. Edhe vetëflijimi i Lirak Bejkos dhe topitja totale e shoqërisë tregojnë se sa poshtë kemi rënë. Kjo nuk është më shoqëri e njerëzve të lirë, e shpresës dhe e mundësive për të ardhmen. Shteti është i kapur nga paria e Tiranës, sundimtarët e parisë janë të organizuar në klane mafioze, shoqëria është e kriminalizuar, partitë politike janë banda hajnash të parisë, administrata është e stërkorruptuar, ekonomia është nën kontrollin e hekurt të oligarkisë dhe shkalla e dorëzimit të të gjithë shoqërisë para së keqes është e pakrahasueshme. Shteti shqiptar nuk është një shtet normal. Edhe kur ndodh diçka që duhet mbajtur mend, nuk kalojnë pak orë dhe ndodh diçka që deri pak më parë nuk ishte e imagjinueshme. Kjo është një gjendje tragjike dhe jashtë çdo normaliteti. Prandaj edhe tranzicioni duhet konsideruar i dështuar, paria duhet konsideruar përgjegjëse për këtë dështim, dhe duhet të mendohet për një fillim të ri, me ide ndryshe, dhe me njerëz të tjerë që duan t’i shërbejnë shtetit e kombit.
–Ku e shihni korrupsionin në qeverinë shqiptare?
Gjithkund. Ku nuk ka korrupsion? Këtu gjithçka është e korruptuar. Administrata, politikat, gjykatat, biznesi, shëndetësia, arsimi, tenderat, partitë, media, shoqëria civile, mendësia popullore, burimet natyrale, gjithçka është e korruptuar. E vetmja fushë ku nuk ka korrupsion është kërkimet planetare, mirëpo për fat të mirë, ende nuk kemi mundur të nisim një raketë në hapësirë. Po e nisëm një raketë, me këta politikanë që kemi, edhe ajo raketë do të jetë e korruptuar.
–Si e shpjegoni faktin se shoqëria shqiptare vijon të pajtohet me këtë realitet?
Deri në këtë pikë, paria ka arritur që të ruajë ekuilibrat shoqërore duke lejuar njerëzit që të ndjekin objektivat e tyre të ngushta të pasurimit, të mbijetesës në të gjithë rrugët e mënyrat e mundshme. Katundari që është bërë pronar në tokën e dikujt, hajni që është bërë biznesmen, tregtarët e drogës që kanë bërë pallate, mjekët që janë bërë milionerë duke i shtrydhur njerëzit, profesorët që flasin e mësojnë marrëzira në universitete fantomatike, tenderat dhe projektet që vidhen me të dy duart, mungesa e legalizimeve, të ardhurat nga emigrantët, ekonomia joformale, trafiqet, kontrabanda, shitja e mishit të bardhë, shitja e fëmijëve për organe, dhe prania e një parti dhune e propaganda të shfrenuara kanë krijuar një gjendje paralizuese.
Ata që deri në vitin 1990 nuk e ngopnin barkun me bukë, urrejnë çdo gjë që qëndron në rrugën e tyre të pasurimit. Paria sunduese e Tiranës është e pangopur, ata që kanë grabitur pronat janë të pangopur, dhe brezi i ri është duke u rritur me zbrazësinë morale të tyre. Por kriza ekonomike dhe politike, polarizimi i skajshëm, dështimi moral dhe mungesa e vlerave do të jenë shtysa të papërballueshme për njerëzit që të vënë pikëpyetje dhe të dyshojnë për këtë projekt eksperimental të parisë.
–A është vënë në vend dinjiteti i ish të përndjekurve politikë 22 vite pas rrëzimit të regjimit komunist?
Përgjigja e shkurtër është “Jo”. Përgjigjja më e gjatë fillon me një numër dallimesh që nuk janë bërë, thjesht sepse ashtu i interesonte parisë. Prandaj i ka grupuar të gjithë nën këtë kategorinë e të “përndjekurve politikë”. Mirëpo edhe në kohën e sistemit të kaluar, këto dallime bëheshin dhe kriteret ndiqeshin me shumë kujdes. Së pari, ka pasur individë që kanë punuar me vetëdije kundër interesave të shqiptarëve dhe që kanë bashkëpunuar me armiqtë e shqiptarëve, siç ishin, bie fjala, kolaboracionistët e Luftës së Dytë Botërore apo agjentët e shtetit grek apo jugosllav. Çdo shtet e komb normal i dënon kuislingët e vet dhe shërbyesit e agjenturave të huaja. Ndërsa ata që kanë bërë krime në shërbim të interesave anti-shqiptare duhej të dënoheshin, bijtë e bijat e këtyre individëve nuk duhej të përndiqeshin me metodat e inkuizicionit “deri në brezin e katërt”, dhe nuk duhej të provonin mohimin e të drejtave qytetare.
Individët që janë dënuar e përndjekur pa kryer krime kundër shtetit, dhe që ishin në këtë kategori, duhet të kenë trajtim të veçantë dhe shumë mbështetje për shumë kohë, sepse, në emër të të gjithë shoqërisë, atyre iu janë mohuar të gjithë të drejtat themelore qytetare. Së treti, ka një numër individësh që janë dënuar për krime të ndryshme dhe mandej janë ridënuar për politikë. Në këtë pikë, hajni që më pas është ridënuar për agjitacion e propagandë është në një kategori tjetër. Së katërti, ishte një grup i ndjeshëm që ranë viktimë e luftës së klasave apo viktimë e luftës për pushtet midis klaneve të parisë sunduese. Pse e them këtë? Sepse si shtresë, kjo është një shtresë imagjinare që nuk ka lidhje organike, përveçse armiqësisë që ndjen ndaj një sistemi që tashmë nuk ekziston, dhe ndaj individëve e familjeve që e sunduan atë sistem, por me të cilët janë të lidhur me shumë fije.
Problemi ishte se paria e Tiranës i përdori me shume efektivitet, i ndau, i përçau, i zhvlerësoi, i korruptoi, ua nxori të palarat kur nuk bindeshin, i kooptoi, ua humbi dinjitetin dhe tashmë nuk kanë pse të merren seriozisht si shtresë. Prandaj edhe individët që kanë qënë të përndjekur apo të burgosur të ndërgjegjes duhet të ndjehen keq. Edhe e gjithë shoqëria e jonë duhet të ndjehet keq sepse jo vetëm që nuk vepruam ashtu si duhej, por tashmë kemi krijuar një masë të jashtëzakonshme shqiptarësh që janë realisht të përndjekur, të zbuar, të dhunuar dhe pa pikë shprese në një kohë kur sistemi duhej të ishte një sistem demokratik dhe i mbështetur në respektimin e të drejtave themelore qytetare e kombëtare.
–Sekretarja e Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, sapo ka zhvilluar një vizitë historike në Shqipëri. Kryefjala e fjalimit të saj ishin gjashtë pyetje-akuzë për politikën shqiptare. Cili është komenti juaj?
Sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, ishte në një rrugëtim pune në disa shtete. Në kontekstin e Ballkanit, ajo shkoi në tre nga vendet ku interesat serbe janë jetike dhe ku duhej të gjenden modalitete për të afruar Serbinë me Bashkimin Europian. Pra, vizitat në Bosnjë e në Kosovë ishin tejet të rëndësishme, por shumë më e rëndësishme ishte vizita e përbashkët e Sekretares së Shtetit me Ashton në Beograd ku u bënë përpjekje për të gjetur mirëkuptim me politikanët serbë, të cilët natyrisht që kanë kushtet e tyre, që prekin edhe interesat shqiptare. Shteti shqiptar është një pikë e rëndësishme e interesave jetike të SHBA dhe vizita e Sekretares së Shtetit është një shprehje e këtij interesi. Në këtë kontekst, mendimi im është se duke qenë se kryeministri Berisha ka dhënë kontribut për të bindur disa politikanë shqiptarë për të ndjekur një rrugë të caktuar në marrëdhëniet e tyre me Serbinë, si dhe duke qenë se ka premtuar zbatimin e marrëveshjeve e të projekteve të përbashkëta, Sekretarja e Shtetit u takua edhe me të.
Mirëpo, Berisha deshi ta shiste si vizitë të bërë me ftesën e tij. Dhe për dekor, ai interpretim u pranua. Megjithatë, vizita e saj ishte një vizitë që iu bëhej të gjithë shqiptarëve. Nuk do të thoja se u bënë akuza, por do të thoja se u bënë observime të paanshme për gjendjen dhe se u bë një përpjekje për të ndikuar në përmirësimin e saj. Prandaj edhe mesazhi i saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në takimet me kryetarët e dy partive politike duhet të vlerësohet me vëmendjen e duhur, sepse andej kalon edhe zgjidhja e natyrshme e problemeve tona. Ai fjalim ishte një mundësi për të folur drejtpërsëdrejti me shtetasit shqiptarë dhe për të vënë në dukje rrugën që duhet të ndiqet.
–Si e sheh politika amerikane qeverisjen shqiptare dhe zhvillimet politike në Shqipëri?
Konsideratat dhe mendimet e shtetit amerikan për politikën shqiptare shprehen qartë nga Ambasadori i SHBA në Tiranë dhe nga ndihmësit e tij të afërt që mbulojnë sektorë të caktuar. Ai është i dërguari i presidentit të SHBA dhe i shtetit amerikan në Tiranë. Prandaj, gjithçka që është thënë nga Ambasadori Uidhers në raportet e tij apo nga Ambasadori Arvizu publikisht (natyrisht, me nuancime të lehta, sepse edhe ambasadorët e kanë hapësirën për të dhënë mendime, për të marrë iniciativa, dhe për të gjykuar proceset e caktuara) përfaqëson qëndrimet e qeverisë së SHBA. Por me një fjali, mund të thuhet se përshtypja e përgjithshme duket se është kjo: shteti shqiptar dhe administrata janë tejet të korruptuar, politikanët janë mafiozë të zvetënuar, partitë politike janë struktura kriminale, ekonomia është joformale, dhe shoqëria është e fjetur, në rastin më të mirë. Me një fjalë, konsideratat nuk janë shumë të larta apo të lakmueshme. Gjendja është e vajtueshme, por nuk duhet humbur shpresa për të ardhmen dhe duhet punuar shumë fort në të gjithë drejtimet për të përmirësuar mendimin që kanë për ne.
–Profesor Rama, si e shihni rolin e kryeministrit Berisha në 20 vitet e fundit, si dominues i zhvillimeve politike dhe diktues i një kursi konfliktual për shoqërinë shqiptare?
Sali Berisha ka hyrë në politikë si një individ që duhej të kryente disa shërbime publike që i kërkonte momenti historik prej gjithsecilit që hyri në politikë në atë kapërcyell historik, ose me vullnet të tij, siç kemi hyrë unë dhe shokët e mi, ose i përdorur si vegël e sistemit, si hyri Sali Berisha. Detyra imediate kryesore e gjithkujt ishte shmangja e Luftës Civile dhe mbrojtja e interesave kombëtare e shtetërore. Kjo detyrë qytetare e morale kërkonte që edhe ai të sakrifikohej, ashtu si u vetësakrifikuam disa prej ne të tjerëve, me vetëdije të plotë dhe për të mirën e kombit e të shtetit. Mirëpo, Saliu nuk kishte ndërmend që të vetësakrifikohej për të mirën e shqiptarëve. Prandaj, për të mbijetuar në një luftë të egër politike, edhe sepse pala tjetër ishin një klan gjarpërinjsh, Saliu veproi ashtu si dinte dhe si ishte stërvitur prej tyre.
Me një fjalë, doli nxënësi e shërbyesi i djallit më i zoti se vetë dreqi në punët e mallkuara. Sali Berisha është nga njerëzit më të zgjuar që kam njohur, por që e përdor zgjuarsinë e tij për të bërë keq. Nën çadrën e PD-së, ai ndërtoi dhe gradualisht konsolidoi klanin e tij duke lëvizur me shumë zgjuarsi në shoqërinë shqiptare që ai e njihte shumë mirë. Në përpjekjen e tij për të mbijetuar, ai e kuptoi se e vetmja logjikë që funksiononte ishte mobilizimi i urrejtjes kundër klaneve të PS, shfrytëzimi i lidhjeve personale, kultivimi i ndasive familjare në nivel lokal, si dhe intensifikimi i përplasjes midis shqiptarëve.
Kjo pati pasoja të rënda, mirëpo kështu bëhet edhe historia e popujve. Kështu Sali Berisha krijoi legjimitet dhe besnikëri të mjaftueshme, për të përdorur një shprehje katundare, “i futi në brazdë” mbështetësit që ka, duke krijuar edhe klanin e fuqishëm kriminal, atë që njihet si Trusti i Gështenjave të Tropojës. Mbajtja e pushtetit gjatë dy periudhave kritike e lejoi që të përdorte edhe burimet shtetërore për të mbajtur bashkë e në mbështetje të vet militantët, klientët, e mbështetësit e tjerë. Njerëzit nuk i mban bashkë dashuria por edhe urrejtja për tjetrin, si dhe interesi i ngushtë që kanë. Prandaj, ai kurrë nuk do të heqë dorë nga politika e përballjes dhe e konfrontimit me palën tjetër. Prandaj Sali Berisha, që si politikan është shumë i zoti, ka qenë dhe është duke punuar për vete dhe kundër interesave të shqiptarëve. Në këtë rrugë ai i ka larë duart me gjak dhe mban shumë përgjegjësi historike që do t’i faturohen atij dhe pasardhësve të tij.
–Në çdo prag zgjedhjesh në Shqipëri, rikthehet gjithnjë debati rreth ligjit të dosjeve, i quajtur ndryshe ligji i lustracionit. Sipas mendimit tuaj, pse nuk hapen dosjet në Shqipëri dhe kush i pengon shqiptarët të ballafaqohen me një të kaluar të errët të tyre?
Ky debat është thjesht një përpjekje elektorale për të mobilizuar votuesit. Ngaqë politikanët nuk duan që të merren me problemet e vërteta merren me ndasitë tradicionale. Ndarja në komunistë e anti-komunistë është ndasia e preferuar. Në këtë kontekst njerëzit kërcënohen hapur e fshehtas me dosje, me lustracion e me radhë. Sali Berisha e ka mbajtur bashkë turmën e mbështetësve me këto dosje për një kohë të gjatë. Mirëpo, realisht, askujt nuk i intereson hapja e dosjeve. Hapja e dosjeve, në një shoqëri katundare si jemi ne shqiptarët, ku asgjë nuk harrohet, nuk falet e konsiderohet si cenim i dinjitetit personal e familjar brez mbas brezi, do të thotë që të jetë bomba e luftës civile. Por edhe dy gjëra të tjera. Së pari, të hapin dosjet e spiunëve gjatë këtyre 22 vjetëve, sepse më shumë janë bërë spiunime gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve se sa në kohën e sistemit të kaluar.
Së dyti, le ta hapin dosjen e gjithkujt që merret me politike. Kush ka lindur mbas vitit 1970 e ka pasur një dosje diku. Unë vetë nuk kam pikë problemi dhe e kam ndërgjegjen shumë të qetë e të pastër kështu që le ta hapin dosjen time pa problem. Por, e mira publike është që ato dosje të harrohen në arkiva, të mos preken dhe të mos përmenden e bile të zhduken, po të jetë e mundur. Ato kohë kanë qenë kohë të këqija, njerëzit kanë qenë nën presione të frikshme dhe detyra e jonë qytetare është që të ndahemi me të kaluarën e të kemi një fillim të ri. Të shohim përpara, sepse po pamë nga e shkuara, nuk do të kemi të ardhmen që dëshirojmë e që e meritojmë.
–Ju keni shkruar shumë për tranzicionin shqiptar, por a mund të pretendojmë për demokraci në Shqipëri, kur arena politike është monopol prej 22 vitesh i Sali Berishës, i cili ka qenë sekretar i PPSH?
Këtu ka dy gjëra. Së pari, politika ka qenë e mbetet monopol i parisë së Tiranës, dhe në këtë kontekst, ka qenë monopol i palës tjetër që është tejet e fortë e strukturuar dhe e mobilizuar si duhet. Kur ishte sekretar partie, Sali Berisha ka qenë pjesë e njërit nga klanet e saj, edhe si dhëndër edhe si mjek. Gjatë këtyre 22 viteve, Sali Berisha ka bërë shumë zhurmë, por gjatë shumë kohëve ai ka qenë duke luftuar për të mbijetuar, ndërsa pala tjetër e ka lënë me mbijetuar sepse ashtu iu leverdiste, iu duhej Saliu. Kjo është edhe çështje perceptimi. Për palën tjetër, fakti që nuk e kontrollojnë të gjithë shtetin dhe ekonominë iu duket si fatkeqësi. Për Sali Berishën, mbijetesa një kohë ishte suksesi më i madh. Tashmë është fuqizuar relativisht, ka ndërtuar një klan që do të mbijetojë edhe ikjen e tij nga pushteti. Sistemi politik në Shqipëri është oligarki e pastër, nuk është demokraci. Tashmë njihen klanet dhe përfaqësuesit e tyre në politikë dhe politika vetë është monopol i parisë oligarkike së Tiranës. Këta shahen e grinden ditën, por pazaret e dallaveret i bëjnë bashkë natën.
–Edhe disa muaj na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme. A mund të pritet zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri?
Jo, jo. Zgjedhjet janë të paracaktuara që të dështojnë. Sistemi zgjedhor nuk e respekton votën e shqiptarëve. Mënyra e ndërtimit të komisioneve, interesat e partive politike, mendësia e komisionerëve, përbërja e listave të votuesve, kriminalizimi i skajshëm i shoqërisë e çdo aspekt tjetër i procesit zgjedhor është i kompromentuar pa filluar. Por problem kryesor janë politikanët. Gjarpri fle e fle, por kur zgjohet e ndjen ngrohtësinë e trupit të kafshon pa menduar dy herë. Kështu edhe këta, kur e ndjejnë erën e pushtetit nuk dinë të ndalen. Por problemi i tyre nuk është vetëm se nuk po dinë se si të humbin. Problemi i tyre është se nuk mund të humbin. Interesat kolosale ekonomike e politike të klaneve varen në mënyrë jetike nga kontrolli i shtetit. Prandaj këta do të gjejnë mënyrën që të kacafyten e t’i bëjnë punët si cubat, apo hajdutçe, që të vjedhin zgjedhjet për vete, edhe pse gjithë kohës punojnë e vjedhin bashkë të ardhmen e shqiptarëve.







