INTERVISTA/ Zef Brozi: Berisha desh të më vriste, me të s’ka gjyqësor. Nëse do kishte drejtësi, ai do ishte në burg

0
29

TemA, 10 Shkurt 2013

Brozi për Berishën: “Ata që pranojnë djallin duke mos protestuar kundër tij, ata realisht po bashkëpunojnë me të.”

“Sali Berisha në pushtet është kryetari i gjykatës dhe çdo vendim që jep ajo është vendimi që ka shkruar ai dhe firmoset formalisht nga gjyqtarët”. Zef Brozi, ish-kryetar i gjykatës së Kasacionit deri në 1994 thotë në një intervistë për “Shqiptarja.com” se kryeministri, ashtu si në kohën kur ishte president në vitet 1992-1997 ka nën kontroll gjithçka dhe se po të kishte drejtësi të pavarur, ai do të ishte duke vuajtur dënimin për krimet që i ka bërë popullit shqiptar

Z. Brozi, si do ta komentonit vendimin e gjykatës për të lënë të lirë gardistët e akuzuar për vrasjet e 21 janarit?

Vrasjet e 21 Janarit 2011 i kam përjetuar me shumë dhimbje, dëshpërim, zhgënjim. Nuk ka asnjë rëndësi fakti se unë nuk i kam njohur katër viktimat e plumbave që komandoheshin nga Kryeministria. Kur shteti vret një qytetar të vet, të gjithë jemi të rrezikuar e kërcënuar. Ndërsa lotët e Anës edhe sot më përlotin. Fëmijët e vegjël të Aleksit sikur na bëjnë apel të gjithëve, edhe ne që jemi emigrantë. Në një vend ku ka padrejtësi nuk mund te ketë as paqe të vërtetë. Kam ndjekur me shumë vëmendje hetimin dhe gjykimin e vrasjeve të katër dëshmorëve të demokracisë (Kam bindje se po afron dita që ata edhe zyrtarisht do të deklarohen e nderohen si të tillë). Një akt terrorist shtetëror si ai i 21 Janarit 2011 duhej të ngrinte popullin në protesta të pandalshme derisa urdhëruesit dhe ekzekutuesit të merrnin ndëshkimin e merituar. Martin Luter King, Jr. thoshte ne mënyrë elokuente “Ata që pranojnë djallin duke mos protestuar kundër tij, ata realisht po bashkëpunojnë me të”.

Para se të jap mendimin tim lidhur me vendimin, le të jap opinionin tim nëse duhet apo jo të komentohen vendimet e gjykatave. Edhe këtu në Amerikë, ku gjyqësori është realisht i pavarur e roje e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, ku gjyqtarët gëzojnë respektin dhe besimin e publikut, vendimet e gjykatave komentohen (pro dhe kundër) në shtyp, në media, në auditore, në botime akademike etj. Madje këtu ne Amerikë bëhen protesta edhe para Gjykatës së Lartë, siç ishte rasti disa muaj më parë kur kjo gjykatë po shqyrtonte çështjen e ligjit për reformën shëndetësore. Protestonin si grupet qytetare që ishin pro, ashtu edhe ato që ishin kundër. Por këto protesta nuk i pengonin gjykatësit e nderuar të jepnin një vendim sipas Kushtetutës dhe bindjes së tyre. Qeveria, Parlamenti dhe Gjyqësori nuk duhet t’i tremben e as t’i shmangen opinionit publik dhe gjykimit të popullit, të cilit duhet t’i shërbejnë. Vendimi i Berishës, më falni, vendimi i gjykatës, është pak ta quash skandaloz. Nuk besoj se ai vendim është marre mbi bazën e bindjes së gjyqtarëve duke u bazuar në ligj e prova. Ky vendim pritej dhe vetëm naivët dhe ata që nuk e njohin Berishën mund të kenë shpresuar se do jepej drejtësi.

A mund të jenë të besueshme arsyet e mospranimit të ekspertizës më të kualifikuar të botës, pra të FBI që u kërkua zyrtarisht nga Prokuroria?

Sa të jetë Berisha ne pushtet as të mos u shkojë në mendje pavarësia e gjykatave. Skandaloz është edhe fakti se urdhëruesi, arkitekti i terrorit shtetëror të 21 Janarit, Sali Berisha, nuk është marrë akoma i pandehur. Tani Prokurori i Përgjithshëm duhet të provojë me vepra se i shërben Shqipërisë dhe shtetit ligjor e jo Berishës e klanit të tij. Pra duhen filluar pa vonesë hetimet ndaj Berishës dhe zyrtarëve të tjerë të implikuar ne vrasjet e 21 Janarit, Gërdecin etj.

Gjykata reagoi se nuk e pranonte qëndrimin e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila u shpreh tre ditë më parë se vendimi ishte tronditës. Çfarë sinjali është ky?

Eshtë qëndrimi i kryeministrit Berisha. Eshtë sjellja antiamerikane e Berishës, si ajo e viteve 1996-1997. Ose më saktë, Berisha është mik i Amerikës vetëm kur përkëdhelet prej saj. Berisha dhe qeverisja e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat dhe principet e demokracisë Amerikane. Me këtë rast dua të përshëndes Ambasadorin Arvizu për shprehjen qartë dhe prerë të qëndrimit të drejtë të qeverisë Amerikane për gjykimin dhe hetimin e 21 Janarit. Dua të besoj se tani Ambasadori Arvizu e njohu kush është realisht diktatori Berisha dhe do të jetë vetëm në anën e popullit në luftën kundër diktaturës.

Po qëndrimi i ambasadorit të SHBA që zhvilloi takim me prokurorin e përgjithshëm dhe kërkoi hetim të besueshëm?

Amerika ka qenë e mbetet model efektiv i demokracisë, pavarësisë së gjykatave dhe shtetit të së drejtës. Populli dhe qeveria Amerikane ne këto 20 vjet kanë financuar miliona dollarë për projekte të ndryshme në Shqipëri, përfshirë edhe projekte për prokurorinë dhe gjykatat. Institucionet shqiptare që përfitojnë nga këto projekte e ndihma duhet të dëshmojnë sa efektive kanë qenë këto ndihma. Përndryshe populli amerikan nuk duhet të paguajë për të ndihmuar qeveritarë e pushtetarë të korruptuar në Shqipëri. Takimi i Ambasadorit Arvizu me Prokurorin e Përgjithshëm është një mesazh për drejtësinë shqiptare për një luftë reale kundër krimit e korrupsionit, e së pari për hetimin e plotë te 21 Janarit, përfshirë edhe urdhëruesit e vrasjeve. Por shqiptarët duhet ta kenë të qartë se janë vetë ata që duhet të marrin përgjegjësinë për qeverisjen, fatin dhe jetën e tyre. Janë shqiptarët që vuajnë dhe durojnë një qeverisje diktatoriale e të korruptuar. Janë vetë shqiptarët që mund e duhet ta ndryshojnë qeverinë e tyre sa herë ajo shkel kontratën e qeverisjes për popullin. Të huajt, përfshirë edhe miqtë më të mirë të Shqipërisë, thjesht mund ta shpejtojnë apo ngadalësojnë procesin shqiptar te ndryshimeve, por jo ta bëjnë atë.

Si ju është dukur pretenca e prokurorisë që kërkoi dënim nga 23-25 vite për ish-kreun e gardës dhe ish-gardistin?

Ndonëse Prokuroria akoma deri sot nuk ka filluar çështjen penale ndaj Sali Berishës, pra është marrë vetëm me ushtarët e Berishës, përsëri duhet vlerësuar puna e saj nën një presion e terror te gjithanshëm të kryeministrit dhe klanit të tij. Eshte e turpshme edhe t’i kujtojmë fyerjet, shpifjet dhe akuzat e Berishës ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Në një shtet ligjor do të mjaftonte edhe vetëm kaq që Berisha të shkarkohej si kryeministër dhe të vihej edhe para përgjegjësisë ligjore.

Berisha tha se nuk do t’i komentonte asnjëherë vendimet e gjykatave. Çfarë marrëdhënie ka patur Berisha ne pushtet me gjykatat, duke përmendur edhe shembullin tuaj?

Marrëdhëniet dhe qëndrimet e Berishës ndaj gjyqësorit e prokurorisë me pak fjalë do t’i përshkruaja kështu: Berisha në asnjë sekondë të qeverisjes së tij nuk e ka respektuar apo dëshiruar një gjyqësor dhe prokurori të pavarur. Për tiranin Berisha një gjyqësor dhe prokurori e pavarur përbëjnë kërcënim e rrezik, ndëshkim për krimet dhe korrupsionin e tij, pra edhe çështje të tij nga pushteti. Nëse Shqipëria do të kishte realisht gjykata e prokurori të pavarura sot Berisha do ishte duke vuajtur dënimin për krimet monstruoze që u ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë. E si mundet Berisha të komentojë ato vendime që në fakt i jep vetë, por vetëm sa i firmosin gjyqtarët? Berisha e dha vendimin për 21 Janarin që atë natë kur urdhëroi terrorin dhe në ditët pas tij. A ju kujtohet kur kapërceu nga një alibi në tjetrën dhe u ndal tek varianti i vrasjes nga plumba rikoshetë? Në një intervistë që kam dhënë në Zërin e Amerikës disa ditë pas 21 Janarit e kam denoncuar edhe këtë dredhi te kryeministrit. Shqipëria sot është përballë një rreziku real përderisa gjyqësori dhe gjithë pushtetet janë në duart e nje individi-Berishës-kryeministrit që lan duart me gjakun e shqiptarëve dhe dhjamoset mbi varfërinë e tyre.

Kështu ka vepruar Berisha edhe me Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqësorin në disa çështje gjatë viteve që ai ishte President. Disa gjyqtarë, gjykatës e prokurorë u bënë vegla dhe shërbëtorë të neodiktatorit Berisha në ato vite duke u bërë kështu bashkëpunëtorë të djallit- president në varrosjen e demokracisë së sapolindur.

Kur unë isha Kryetar i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë) në periudhën Shtator 1993-Shtator 1995 pata rastin, ose më saktë fatin e keq, që të përballohesha me një Berishë President që donte të ishte de facto edhe Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, pasi gjykatat e tjera i kishte vënë nën thundrën e tij. Unë jam sot emigrant sepse bëra zgjidhjen më të vështirë e me shumë sakrifica, por zgjidhjen më të drejtë e më dinjitoze: nuk pranova të bëhesha një gjykatës kukull ne duart e Berishës, as pjesëtar i klanit të tij kriminal e të korruptuar. Dhe më kryesorja: Bëra detyrën si Gjykatës në mbrojtje të te drejtave të ligjshme te qytetarëve, qofshin këta gazetarë, minoritarë, opozitarë, apo qytetarë të thjeshtë. Hodha një hap drejt tentativës për t’i bërë gjykatat garantuese dhe mbrojtëse te lirisë e demokracisë. Kontributi i secilit matet me veprimin qe ben, dhe jo me me mosveprimin a heshtjen e tij, apo me dështimin e sistemit.

As në diktaturat më të përgjakshme nuk ka ndodhur me Gjykatën e Lartë ajo që ka bërë Berisha ndaj Gjykatës së Kasacionit ne vitet 1994-1995. Rrethim policor i Gjykatës, kërcënime e përndjekje nga SHIK-u dhe banditët e Berishës, disa herë votuar në Parlament për heqje imuniteti, survejime e përgjime kudo ku shkoja. Dhe përçarja e gjykatësve në dy grupe: Grupi i Berishës dhe Grupi Mbrojtjes së Ligjit që etiketohej Grupi i kundërshtarëve të Berishës. Dhe për më keq, atëherë Berisha në arenën ndërkombëtare shihej si përfaqësues i demokracisë në Shqipëri. Vullneti i pashait u vulos me shkarkimin antikushtetues dhe me falsifikim te votave në Parlament. Më pas ky dhunim i Kushtetutës u bekua nga Gjykata Kushtetuese e komanduar nga Berisha. Pas shkarkimit që i bëri Maksim Haxhisë, i cili nuk iu bind urdhrave të kundërligjshme të Berishës dhe nuk pranoi të vihej nën diktatin e tij, realisht Berisha ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm, kryetar SHIK-u, kryepolic, kryeministër etj. Tani pas gati dy dekadash pushteti i Berishës është edhe më i rrezikshëm, më i pasur, por edhe më i fundosur në korrupsioni e krim.

Tani që po ju përgjigjem u kujtova se 18 vjet më parë, me 8 Shkurt 1995 në Gjykatën e Kasacionit u gjykua çështja e pesë minoritarëve (çështja “Omonia” dhe unë kryesoja trupin gjykues. Mbase mund të ketë interes të ndalem shkurtazi në këtë çështje për të dhënë mesazhet edhe për sot. Gjykimi u bë nën kërcënimin dhe terrorin e pushtetit të Presidentit Berisha. Disa ditë para gjyqit të dërguarit e Berishës më kërkuan që të mos isha unë në trupin gjykues dhe të caktoja gjykatësit që ata donin. Kur unë nuk i pranova këto ultimatume flagrante, më kërcënuan me të gjitha mënyrat e tyre djallëzore e kriminale. Do ta dërgojmë përsëri çështjen në Parlament nëse nuk bën këto që po të themi, me thanë dërgata e tiranit. E provuat disa herë, edhe para një jave dhe dështuat. Hiqeni imunitetin kur të doni, ndjehem i qetë para se vërtetës, vetes dhe popullit. Imunitetin e vërtetë ia jap vetes me korrektësinë time,- u përgjigja prerazi.

Ditën e gjyqit Berisha dërgoi SHIKU-n që përcolli kërcënimin e radhës: “Mos guxo të lirosh minoritarët, spiunët”. Më kujtohet se si në kohën që ne si trup gjykues u tërhoqëm për të marrë vendimin, disa shikas po tentonin të hynin në dhomën e këshillimit ku ishim ne tre gjykatësit: Petrit Plloçi, Vangjel Kosta dhe unë.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit që lironte minoritarët e dënuar, kreu i SHIKU-t më kërcënon në telefon: “Do të të vras me duart e mia, si guxove dhe lirove grekërit, spiunët”. Dhe në fakt pushteti kriminal i Berishës ka tentuar edhe asgjësim fizik, gjë që e kam denoncuar publikisht që në atë kohe.

Të jesh gjyqtar i pavarur në Shqipëri nuk është e lehtë dhe kërkon guxim, ndershmëri, përkushtim ndaj misionit fisnik që të është besuar dhe korrektësi maksimale. Por ata që nuk i kanë këto cilësi nuk mund te bëjnë drejtësi, pra as të jenë gjyqtarë. Por situate e sotme ne gjyqësor nuk është vetëm për shkak te gjyqtarëve. Eshte politika, eshtë sistemi, eshtë i gjithë trupi shtetëror “i sëmurë”. Eshtë politika që e do gjyqësorin të dobët, servil e shërbëtor të saj e jo misionar të drejtësisë. Kështu ka qenë gjatë gjithë këtyre 20 viteve. Ndryshimet dhe reformat në drejtësi duhet te fillojnë me ndryshimet dhe reformimin rrënjësor të politikës shqiptare dhe qëndrimeve të politikanëve e pushtetarëve ndaj gjyqësorit.

Dhe vetëm kur para ligjit të përgjigjen njësoj si qytetari, ashtu edhe gjyqtarët, prokurorët, kryeministri, ministrat, politikanët, etj, vetëm atëherë mund të thuhet se po bëhet drejtësi e barabartë për të gjithë sipas ligjit. Atëherë edhe urdhëruesit dhe ekzekutuesit e aktit terrorist të 21 Janarit do marrin dënimin e merituar.