INTERVISTA/ Tufa: Berisha qeverisi me ministra të zhubrosur dhe ‘piranja’ të pamëshirshme

0
51

Agron Tufa në një analizë politike të së djathtës. Gabimet e qeverisjes së djathtë dhe vota e 23 qershorit. Ndryshimet brenda PD-së, e majta dhe të drejtat e padhëna të të përndjekurve. Dëshmitë e munguara për të shkuarën, botimet e pakta dhe disa pseudoautorë e artikuj të sforcuar sipas publicistit të njohur

Nga Alida Cenaj*, 30 Korrik 2013

Sikur Partia Demokratike të mos i kishte harruar degët e veta në pushtetin lokal, duke u dhënë kështu dorë klikave drejtuese në provinca të ushtrojnë një pushtet arrogant e banal, sikur aleanca me LSI-në të mos kishte ndodhur, sikur ministrat e qeverisë që do të lërë pushtetin në shtator të kishin qenë ca të tjerë, sikur listat e kandidatëve të PD-së të ishin kursyer nga disa emra të marrë nga kampi kundërshtar etj.,etj., me siguri rezultati i 23 qershorit do të kishte qenë i ndryshëm. Kështu e analizon të djathtën e paszgjedhjeve, një publicist i njohur, shkrimtar e mbrojtës i të drejtave të të përndjekurve, i djathtë në bindjet e veta politike. Agron Tufa megjithatë beson se Partia Demokratike i ka nxjerrë mësimet e veta pas disfatës së fundit.

Ndryshimet rrënjësore të këtyre ditëve, pas dorëheqjes së Berishës, sipas tij janë vërtetë të tilla dhe kryetari i i ri nuk duhet paragjykuar. Qoftë ose jo i preferuari i Berishës (tek e fundit ç’të keqe ka!), Basha duhet ta justifikojë besimin që i dhanë demokratët, “besim, që sado ta relativizojmë, ishte plebishitar me përqindjen e votave”. Vetëm se as zgjedhjet e qeta që sapo lamë pas, as shpresa se tanimë tranzicioni ka kaluar, as 23 vitet që na ndajnë nga diktatura nuk kanë mjaftuar për të qartësuar debatin mbi të majtën dhe të djathtën në Shqipëri. Janë lënë pas dorë edhe të përndjekurit këto vitet e fundit sipas Tufës, siç ende nuk kemi çuar në vend nderin e atyre që humbën gjithçka nga përndjekja e 50 vjetëve të regjimit të Enver Hoxhës.

– Z. Tufa, më në fund kaluam zgjedhje parlamentare, në fund të të cilave nuk pamë dy palë kundërshtare që dalin duke akuzuar njëra-tjetrën pa e pranuar rezultatin (masivisht të paktën). Pamë dorëheqjen e një lideri historik të së djathtës pasi pranoi humbjen. A do të thotë kjo që politika shqiptare ka filluar të piqet e ta kuptojë se në demokraci, vota është ajo që ka pushtetin e vërtetë?

Mendoj, se së paku këto zgjedhje, me disfatën tronditëse të PD-së, kanë qenë rasti më i mirë për të ngulitur të vërtetën e pushtetit të votës. Por ama, vetëm për sa i përket realitetit numerik! Se, mandej, çfarë shtrihet përtej realitetit numerik, në ç’mënyrë shokuese u përftua disfata, kjo është detyra kryesore që duhet të analizojnë palët politike – në rastin konkret, demokratët. Dorëheqja e liderit historik të së djathtës, edhe pse për momentin nuk duket aq ngushëlluese, është një hap dhe një gjest premtues për ta kthyer vështrimin kritik nga themeli, për të hetuar me realizëm humnerën e thellë të alienimit, që ka ngjarë jo menjëherë, por pak nga pak e ndër vite me elektoratin e djathtë. Kam pasur dhe kam dyshime të mëdha për “biografinë” morale të kësaj vote të ashtuquajtur “plebishitare”; artificën e saj nuk më duket bindëse në përmasat që u përftua. Por kjo është një çështje që i takon vetë lidershipit të djathtë të thellohet në një lexim të esëllt, realist, duke e kërkuar tek vetja arsyen e vërtetë të këtij denatyrimi.

-Në prag të zgjedhjeve, analistët e politikës parashikonin një rezultat të ngushtë mes të majtës dhe të djathtës. Në të vërtetë e djathta humbi edhe në qarqet ku historikisht ka qenë e fortë. Cilat janë arsyet, sipas jush, të kësaj humbje?

Analistët tanë, ç’është e vërteta, nuk ia kanë qëlluar ndonjëherë me parashikimet e tyre. Nuk u kanë paraprirë realiteteve me të cilat merren dhe ku janë të punësuar si profesionistë. As kësaj here nuk ia ngjitën! Arsyet e disfatës së PD-së dhe të djathtës në tërësi janë të shumëllojshme e komplekse. Pa u bërë i mërzitshëm, po bëj një enumeracion të thukët e përmbledhës të arsyeve, që sipas meje, sollën disfatën zhgënjyese e lënduese për ne të djathtët: autoritarizmi piramidal në zhvleftësimin e çdo debati, propozimi apo kriticizmi brenda radhëve; Venitja e kreativitetit të deputetëve dhe ministrave në pushtet.

Në raste sporadike kur ky kreativitet apo kriticizëm shfaqej tek-tuk, ai luftohej paceremonishëm, duke i linçuar nga partia, nga grupi parlamentar e në finale – nga lista e kandidatëve; shkëputja, madje harrimi i kontakteve me degët e PD-së në pushtetin lokal, duke u dhënë dorë klikave drejtuese në provinca të ushtrojnë një pushtet arrogant e banal, tërësisht arbitrar, të bazuar nga rrjetet nepotike (këtu e ka bazën psikologjike, mendoj, shumica e votave që iu kundërvunë demokratëve nga brenda); aleancat e panatyrshme në pushtet me një kundërshtar jo të një gjaku politik me demokratët, lëshimi terren kur ata uzurpuan mbi 40% të pushtetit të administratës në bashkëqeverisje dhe, mandej, më e turpshmja, mbrojtja me çdo kusht e tyre, kur kjo tenjë e pushtetit u kap me presh në duar në të ashtuquajturin korrupsion flagrant, të njohur me kasetën filmike Meta-Prifti. Por ajo që e çoi në ad absurdum apo in ekstremis gabimin fatal të PD-së është se në betejën finale të zgjedhjeve, militantët e fushatës së djathtë nuk nxorën goje, makar një fjalë, kundër aleatëve të pabesë, edhe pse tani ishin kundërshtarë; PD dhe Berisha qeverisën me ministra të zhubrosur, të përfolur e dalëboje, që në masën e të djathtëve, përveç stërpërdorjes dhe korrupsionit, perceptoheshin prej kohësh edhe si bij komunistësh në piramidën e shtetit të Enver Hoxhës, dhe si karrieristë të infiltruar në PD, “piranja” të pamëshirshme, të riardhur, pasi e kishin braktisur partinë në ditët e saj më të vështira të vjetit 1997.

Shumicës së tyre, nëse perifrazoj fjalët e një veterani të djathtë, “po t’u kruash pak cipën blu, zbulohet një e kuqe e flaktë, e të tillë që në të mund të ndezësh cigaren”; Përfshirja në lista, në prag të përballjes së madhe, e figurave politike të rëndësishme nga kampi kundërshtar, të tillë si Kastriot Islami, Agron Duka etj; Kurora e arsyes së humbjes mendoj se është sjellja ndaj shtresës së ish të persekutuarve dhe ish pronarëve, që janë thuajse e njëjta shtresë. Kjo sjellje, me shtresën më të gjerë numerike, më besnike, më të moralshme e më identare të së djathtës – ka qenë shpërfillëse në shumë aspekte, duke filluar me mospërfaqësimin e tyre në hierarkinë e politikës dhe pushtetit, në mundësinë e punësimit dhe shkollimit, në mosrealizimin e premtimit të dëmshpërblimit, në avantazhe të tjera sociale, në rehabilitimin e imazhit të tyre historik, në dështimin dhe mosrikthimin e ligjit të Lustracionit etj.

Si qenka kjo! T’u marrësh votën e të mos i përfaqësosh?! Mbase në PD qe krijuar ideja, se “këta edhe pa ua varur fare, për ne do të votojnë!” Ja pra, se çfarë ndëshkimi! Dhe prapë janë ata e vetëm shtresa e tyre që sjell përmbysjen e madhe e të menjëhershme, sado e pamundur qoftë ajo.

– Ndryshimet e këtyre ditëve në Partinë Demokratike mund të quhen ndryshim epoke brenda saj. Çfarë duhet të presim në vijim?

Formalisht po. Nëse nuk do të jenë ndryshime thelbësore, më mirë të mos ishin bërë. Si çdo i djathtë unë pres, që lideri i ri, të jetë një organizator i mirë, të ketë dhuntinë e të dëgjuarit dhe marrjes seriozisht të bazës dhe kryesorja – të kthejë PD-në në identitetin e saj të djathtë. Nëse nuk arrin të kthehet tek ajo shtresë e madhe që e ka sjellë gjithnjë në pushtet PD-në, nëse nuk u kërkohet me sinqeritet të falur për gabimet e shkuara shtresës historikisht të djathtë, familjeve të persekutuara gjatë diktaturës, sikundërse dhe qytetarëve që e kanë formuar botëkuptimin e tyre të djathtë në liri, atëherë mendoj, se PD-ja nuk do të ketë identitet, rrjedhimisht nuk do ta fitojë kurrë sfidën e pushtetit. Kam bindjen se kjo është gjëja më e rëndësishme për liderin e ri! Sepse vota që të besohet, s’është tjetër gjë, por vetë nderi, që secili qytetar ia lë në shpresë e mirëbesim liderit politik që besatohet t’i përfaqësojë.

– Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së u shoqëruan me të kënaqur e të pakënaqur, ndërkohë që emri i Lulzim Bashës nuk ishte surprizë. A beson se ajo që thonë skeptikët, se Berisha do të vazhdojë të jetë kryetari i vërtetë i PD-së, por në hije, janë të sakta?

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë ta nis vlerësimin për dikë me paragjykim. Për fat të keq në shoqërinë tonë vetëm një gjë e kemi gratis: paragjykimin. Unë kam shumë shpresë se z.Basha do ta justifikojë besimin që i kanë dhënë anëtarët demokratë të gjithë Shqipërisë, besim, që sado ta relativizojmë, ishte plebishitar me përqindjen e votave. Profili i tij politik ka ardhur në ngritje të vazhdueshme dhe ka të gjitha shanset të jetë kulmor, nëse kurorëzon përpjekjet për ringritjen e PD-së dhe të djathtës nga gremina ku ka rënë.

Të mos jemi nihilistë: z. Sali Berisha është një nga politikanët me përvojën më të vyer jo vetëm në Shqipërinë postkomuniste, por në krejt rajonin e Ballkanit. Është ndër njerëzit më inteligjentë, me kulturë të gjithanshme e intuitë, sikundërse dhe human e patriot i sinqertë. Ai është një vlerë kapitale në PD, me një karizmë radioaktive, tejpërshkuese. Këshillat dhe udhëzimet e tij, diktuar nga përvoja qoftë e sukseseve, qoftë e dështimeve janë e duhet të jenë asistuese. Kjo nuk do të thotë që z.Basha të mos mishërojë vizionin e tij politik e strategjik për të prirë “popullin e djathtë” në misionin e papërmbushur të reformave me rëndësi historike për Shqipërinë. Nuk mendoj se z.Basha do të hezitojë ta administrojë tërë lirinë e arsyeshme për të marrë vendime dhe të ketë besim tek vetja e tek stafi i atij që zgjedh. Nuk më pëlqen që lideri i ri të penalizohet me paragjykime ende pa filluar provën, ndonëse dashkqinjtë, xhelozët, karrieristët, kundërshtarët do ta sulmojnë fort në këtë pikë, për çka unë mendoj se z.Basha duhet ta ketë fituar me kohë imunitetin e nevojshëm. Koha do ta tregojë…

-Pse mendoni (mbështetur në ato që thuhen jozyrtarisht, por edhe përshtypjen e përgjithshme) se Basha është i preferuari i Berishës?

Po dikush duhet me qenë, apo jo? Unë nuk e di saktë, se kush është i “parapëlqyeri” i z.Berisha, por të jesh i tillë, nuk e di pse duhet komentuar si e metë. Përkundrazi! Pra, siç e keni drejtuar ju pyetjen apriori, mund t’ju pyes dhe unë troç: “Pse mendoni, se unë mendoj kështu?”

– Sa e kanë ndryshuar debatin mbi të majtën dhe të djathtën këto 23 vite që pas rënies së komunizmit? Ku kemi shkuar gjatë këtyre viteve, jemi në demokraci apo ende një vend post-komunist?

Këtu qëndron problemi: Unë nuk mbaj mend as edhe njëherë, që në kampet e politikës sonë të jetë ndezur ndonjëherë ndonjë debat teorik apo praktik mbi të majtën dhe të djathtën. Dhe të mendosh, se ka qenë dëshpërimisht i nevojshëm një debat i tillë, pasi ai ndërgjegjëson jo vetëm klasën politike, por edhe qytetarët, mbështetësit e programeve dhe vizioneve politike të partive tona. Për fat të keq, ajo që është abc-ja e identitetit botëkuptimor individual, as nuk është shfletuar ndonjëherë. Këtë nuk e kanë bërë partitë politike, nuk e kanë bërë as mediat, nuk e kanë bërë as universitetet. Dhe askush nuk i ka dhënë llogari vetes qartë: “Pse jam i djathtë” apo “Pse jam i majtë”. Nuk e di nëse ia ka bërë vetes këtë pyetje votuesi ynë me inteligjencë mesatare para se t’i drejtohet qendrës së votimit. Vlerat e së djathtës dhe së majtës janë diç e turbullt edhe në kokat e atyre deputetëve që mbushin çdo legjislaturë parlamentin, sikundërse dhe e strukturave të partive tona politike.

– Ju jeni drejtor i Institutit të Krimeve të Komunizmit. Cila forcë politike, apo personazh protagonist brenda tyre ka bërë më shumë gjatë këtyre viteve për ish të përndjekurit?

O, këtë e di gjithkush, besoj. Në pyetjen tuaj do të veçoj ndajfoljen krahasimore “më shumë”, sepse ajo do të jetë kyçi i përgjigjes sime. Ka bërë deri tani për ish të përndjekurit jo “më shumë” (sepse kjo do të na fuste në marrëdhënie krahasimore me një palë tjetër), por “të vetmit” vetëm demokratët, sa herë ka pasur pushtetin PD. Pala tjetër (meqë vetëm dy palë qarkullojnë pushtetin tek ne), pra trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të PPSH-së, kanë shprehur me metoda ekstreme e të prera refuzimin “për të bërë gjë”, duke u shprehur me termin tuaj. Megjithatë ndajmë dy epoka të PD-së në sjelljen ndaj kësaj shtrese: vitet 1992-1997, ku vërtet pati një mbështetje e përfaqësim të tyre dhe vitet 2005-2008, ku diçka nisi të bëhet, por premtimi nuk përmbush krejtësisht (dëmshpërblimi që mbeti në këstin e dytë).

Kësaj radhe, pra në qeverisjen e dytë të Berishës, kjo shtresë, ndryshe nga periudha e parë, nuk u përfaqësua as në parlament, as në qeveri, as në administratën publike. Pati një rënie drastike të “ndjeshmërisë”, apo më saktë: ndjeshmëri thuajse zero! Duke qenë Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, e kam prekur në të gjitha mënyrat poshtërsisht të larmishme këtë mungesë mizore të ndjeshmërisë, madje edhe në përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj Institutit. Përjashtime ka, prandaj më vjen mirë ta theksoj, se i vetmi që ka bërë diç konkrete ka qenë ish-Ministri i MTKRS, z. Aldo Bumçi. Me iniciativën personale e ndërmjetësimin e tij, arritëm të krijonim fondin e nevojshëm për një kolanë prej 10 volumesh të rëndësishme studimore e memuaristike, me material të gjallë arkivor.

– Shtypi shqiptar boton rëndom artikuj, por edhe libra autorësh të ndryshëm dalin në treg me dëshmi për ngjarje apo personazhe të përndjekur nga sistemi komunist. Sa të besueshme janë këto botime? Sa të vërteta apo shtrembërime ka brenda tyre?

Shtypi, në fakt, i kushton tepër rrallë ndonjë dosier dramave tona të diktaturës, pasi vëmendjen kryesore e ka të përqëndruar tash e mbi 20 vite te saga e Enver Hoxhës dhe ministrave të tij kriminelë. Këto dosjerë u përshtaten ligjësive të gazetës, që do të thotë të kenë efektin e “salcave pikante”. Ato nuk zbardhin ndonjë gjë të madhe, përveçse ambalazhojnë ndonjë episod melodramatik sensacional. Nuk bëhet fjalë për ndonjë koherencë të vazhdueshme dhe gjithkush e di, se sidomos botimet e gazetave nuk janë mënyra e duhur për të shpalosur zhaurimën sistematike e therrëse të ferrit komunist. Ndryshe me artikujt problematikë. Ata janë të paktë, të rrallë dhe mezi mbajnë gjallë tek-tuk diskursin me çështjet morale e etike që shtrojnë.

Për fat të keq ne nuk kemi pena që të jenë bërë të famshme, si në Gjermani, Poloni, Çeki etj, duke u marrë me çështjen e dekriminalizimit të elitave politike, ish-spiunëve të Sigurimit në karrierë apo ndriçimin e raporteve xhelat-viktimë në ditët e sotme. Përkundrazi peisazhi mediatik në vendin tonë sundohet me pena që ngjyhen në zeher për hesape mercenare; kemi analistë të kreshpëruar që marrin pamjen e tribunëve duke u përleshur fjala vjen me Berishën apo Ramën. Nuk e di se si do t’ju vejë halli pas rënies së Berishës, sepse rroga e tyre në mbi 90% ishte e kushtëzuar me sulmet ndaj tij. Por, e theksoj, nuk i kemi parë kurrën e kurrës të shtrojnë problemin që e kanë më shumë se një milionë e gjysmë qytetarë të familjeve shqiptare, të persekutuara egërsisht gjatë diktaturës. Ne jemi vendi i vetëm në ish perandorinë e kuqe, ku dështoi ligji i Lustracionit. Vendosmërisht asnjë shkrim nuk kemi në mediat tona nga këto pena çapraze! Dhe për mua ky është një test, e ndoshta testi më i rëndësishëm i konstruktit moral e etik të një shoqërie post-totalitare.

Nuk ka as botime memuaristike, në fakt. Këto libra, përjashto volumet e shkëlqyeshme të Visar Zhitit, qëllojnë të gjenden me vonesë e të shiten si zbulime. Shpesh botohen si pengje për ata që i kanë rënë “pashë më pashë” hadit të burgjeve komuniste, botohen keq, me paret e xhepit të autorëve, degdisen periferive apo nuk arrijnë dalin në librari. Personalisht kam bërë për katër vite propagandë në të gjitha mediat që të lexohej trilogjia e Atë Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. Vetëm në 2006 u ribotua kjo “perlë e zezë pikëllimi” dhe filloi të ngulitej, pra 11 vjet më vonë! Unë kam botuar një kolanë me libra memuaristikë, shumë kohë më parë se të isha Drejtor i Institutit (memuaret e Arshi Pipës, Fatos e Liri Lubonjës, Uran Kalakullës etj), dhe them me plot bindje, se memuaristika shqiptare e burgjeve komuniste në shumë raste është e pashoqe në botë, kap maja të tilla rrëfimi të pikëlluar, sa të zë frymën. Aty janë temat, ambienti, dëshmitë me emra personash që kanë torturuar e që gjenden në pikun e karrierës sot e kësaj dite. Aty janë modelet për romane, që s’u shkruan, për filma, që s’u bënë, për drejtësinë që s’u vendos, për edukimin qytetar e shkollor, që s’do t’ia dijë, për vetëdijen dhe përvojën politike, që nuk mbush etj, etj.

Ka dhe libra që shkruhen si kofini pas të vjeli, duke e kundruar zejen e shkrimit jo si dëshmi, së cilës nuk i shpëton dot, por duke pikësynuar produktin e shitshëm me suport mediatik e duke ngritur piedestale hipotetike për delire të ardhshme. E tillë, sinqerisht, më duket grafomania shkarrashkruese e Spartak Ngjelës, një falsitet i sforcuar banal e i tejzgjatur.

*Revista KLAN