INTERVISTA/ Spahiu: Pas zgjedhjeve do shmangim vetëm koalicionin me Sali Berishën

0
72

TemA, 7 Shkurt 2013

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu flet në Bugajski Hour

Po hyj drejt e në temë. Eshtë fillimi i sezonit zgjedhor dhe po përpiqem të ftoj sa më shumë aktorë politik të partive që do hyjnë në Parlament. Së pari doja t’ju pyesja se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Shqipërinë, si nga këndvështrimi i brendshëm, edhe ai ndërkombëtar? Dhe më specifikisht, çfarë duhet bërë që të sigurohen zgjedhje, e para, të ligjshme, dhe e dyta që të zhvillohen pa konflikte, kontestime dhe protesta të menjëhershme?

Padyshim, zgjedhjet që po afrohen janë ndalesa e fundit dhe treni i fundit për të ardhmen e Shqipërisë. Fatkeqësisht, shqiptarët për vite me radhë kanë shpresuar të bëhen pjesë e familjes evropiane, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, pengesa për integrimin e shqiptarëve në BE ishte mosarritja e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe të lira. Për vite me radhë, shqiptarët kanë shkuar të votojnë dhe të respektojnë sistemin zgjedhor.

Fatkeqësisht, qeverisja e njerëzve që përfaqësojnë popullin, ata njerëz janë pakica, janë ata pak persona që kanë manipuluar nëpërmjet mungesës së vullnetit për të respektuar votën e shqiptarëve. Shqipëria është precedenti më i keq në BE, të cilën Brukseli e ka refuzuar për herë të tretë dhe i ka refuzuar statusin e vendit kandidat për shkak të krizës politike. Dhe kriza politike në Shqipëri i ka rrënjët te zgjedhjet. Ne besojmë se zgjedhjet parlamentare që do zhvillohen më 23 qershor do jenë çelësi për të hyrë në BE ose për izolimin e Shqipërisë.

I prishët marrëdhëniet me qeverinë për shkak të manipulimeve zgjedhore, siç po thoni. A ka arsye të tjera që ju përcaktojnë juve si politikan kundër rrymës?

Po, ka shumë arsye.

Më përmendni disa. Nuk kemi kohë gjithë mbrëmjen.

Mungesa e rregullit të ndryshimit. Demokracia në vend është ndërtuar mbi shtyllën e pluralizmit. 23 vjet më parë, kur Berisha mori pushtetin, në urdhëresat e PD-së, në statusin e partisë politike ka një dispozitë që thotë se drejtuesi i partisë politike, PD-së, duhet të jetë kryetar për dy mandate. Dhe rregulli dhe parimi i demokracisë 23 vjet më parë u ndërtua bazuar në një skemë ndryshimi. Pas 23 vitesh, të gjitha partitë politike kanë shfuqizuar, përfshi edhe PD-në, kanë shfuqizuar dispozitën për kufizimin e mandatit. Kur ai mori pushtetit, ishte i varfër, jetonte në një apartament të vogël në Tiranë. Ishte një qytetar i zakonshëm. Ishte njeri i thjeshtë.

Në deklaratën e parë që bëri në Parlamentin shqiptar, premtoi se do jetonte si një njeri i thjeshtë, mes njerëzve, pa shofer, pa truprojë. Pas 23 vitesh, ai është një nga politikanët më të pasur në Evropë dhe Ballkan. 23 vjet më parë, kur dolëm në demonstratë kundër ish-diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, askush nuk u vra në bulevard para zyrës së ish-diktatorit komunist Ramiz Alisë. Pas 23 vitesh, askush nuk i di emrat e fëmijëve të ish-diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, por të gjithë e dinë kush janë fëmijët e kryeministrit Berisha. 23 vjet më parë e deri më tani, askush nuk njeh ndonjë pronë, tokë, apo biznes të ish-diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, por sot, të gjithë e dinë sa e pasur dhe ku ndodhen pronat dhe bizneset e familjes së Berishës.

Po ndërhyj pak. Duket qartë që jeni kritik ndaj kryeministrit dhe Partisë Demokratike. Cili është mendimi juaj për Partinë Socialiste?

Eshtë thuajse i njëjtë. Fatkeqësisht, kryeministri Berisha e ka forcuar pushtetin e vet në kryeministri në bashkëpunim me udhëheqësit e Partisë Socialiste. Ai ka bërë marrëveshje me dy ish-kryeministra socialistë, Ilir Meta dhe Fatos Nano. Fatkeqësisht, këta kanë qenë dy udhëheqës të Partisë Socialiste që kemi njohur në 23 vitet e fundit dhe Berisha e ka siguruar karrigen e tij në aferën korruptive me Ilir Metën dhe Fatos Nanon. Berisha burgosi 20 vjet më parë, në 1993-shin ish-kryeministrin Fatos Nano duke e akuzuar atë për korrupsion. Në 1999-ën, Ilir Meta futi në burg Sali Berishën duke e akuzuar… Fatkeqësisht, tre djaj kanë bërë ortakëri. Eshtë një marrëveshje e fshehtë për pastrim parash dhe mbrojtjen e bizneseve të tyre.

Dhe me siguri, një nga arsyet që Aleanca Kuq e Zi u krijua është të rinovojë brezin e elitës së politikanëve shqiptarë dhe të dalë kundër rrymës. Ndajmë të njëjtat kritika për PS-në dhe PD-në, përfshi edhe Edi Ramën se ai tentoi të kandidonte për herë të katërt si kryebashkiak i Tiranës. Donte të merrte mandatin e katërt si kryebashkiak i Tiranës, kandidoi si kryeministër dhe drejtonte Partinë Socialiste. Të gjitha postet drejtuese. Ai do t’i ketë të gjithë rreth vetes. Kështu ata po krijojnë një oligarki politike në vend.

Duke marrë parasysh ato që thatë, nuk besoj se do hyni në koalicion me ato dy parti, pas zgjedhjeve. Apo do hynit në koalicion?

Pikë së pari, po përpiqemi të arrijmë qëllimet tona kryesore dhe propozimi kryesor i Aleancës Kuq e Zi, pikë së pari, është kufizimi i mandatit. S’është çështja se do luftojmë me Ramën, Berishën, Nanon apo Metën. Nuk është luftë personale. Nuk është politikë individuale, por duhet të krijojmë standarde të reja që të na shërbejnë në të ardhmen, për fëmijët tanë, nipërit e mbesat dhe për të ardhmen e vendit. Dhe e vetmja skemë dhe rregull që duhet të shtyjmë për miratim në politikën shqiptare është hartimi i një ligji dhe ky të jetë ligji i parë në Parlamentin e ri. Ligji për kufizimin e mandatit të udhëheqësve politikë shqiptarë, përfshi kryebashkiakët, kryekomunarët, deputetët, anëtarë të qeverisë, kryeministrin, krerët e partive politike.

Madje, edhe drejtorët e doganave, apo të Drejtorisë së Taksave. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së rregullit të rotacionit në postet kryesore në Shqipëri nga korrupsioni i vogël kemi kaluar në kapjen e shtetit. Dhe kemi “rritur” një mafia të vogël kudo. Më shumë se 50% e kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve kanë tre a më shumë mandate në pushtet, se janë shumë të pasur dhe as PD-ja apo PS-ja nuk cakton kandidat të fortë për të garuar në zgjedhje. Ata po blejnë dhe u japin rryshfete njerëzve për të manipuluar votën lokale, zgjedhjet lokale.

Le të kthehemi pak tek ajo që ju pyeta më parë, do përjashtonit mundësinë e koalicionit me partitë e mëdha? Madje, do ju pyes edhe për partitë e tjera, për partinë e z. Meta, të z. Topi. Do merrni në konsideratë të hyni në koalicion me partitë e tyre?

Flisni për…?

Për koalicione paszgjedhore.

Paszgjedhore po.

Me fjalë të tjera, nëse do merrni një përqindje të caktuar të votave pas zgjedhjeve, qeveria, kushdo që do zgjidhet, qoftë socialiste apo demokrate ju fton të hyni në qeveri për të krijuar koalicionin e maxhorancës. Do e pranonit ftesën?

Pas zgjedhjeve do shmangim vetëm koalicionin me Sali Berishën. Koalicionet e tjera pas zgjedhjeve do negociohen vetëm bazuar në parimin e programit. Ne kemi disa kushte dhe kritere për atë që po respekton dhe implementon programin tonë. Por shpresojmë që bazuar në sondazhe të ndryshme, brenda tetë viteve, më falni, gjatë tetë muajve, Aleanca Kuq e Zi u krijua në mars 2012 si parti politike dhe për tetë muaj ne kemi fituar rreth 15% të njerëzve që duan të votojnë Aleancën Kuq e Zi. Shpresojmë që kjo përqindje të rritet çdo muaj tani që po i afrohemi datës së zgjedhjeve. Mendojmë që do jemi mes tre partive kryesore, por diçka është padyshim e sigurt. As PD-ja, PS-ja apo Aleanca Kuq e Zi nuk mund të fitojnë të vetme 50+1% të votave. Asnjë nga partitë nuk mund t’i fitojë e vetme 71 deputetë në Parlament. Dhe në këtë sens, do jemi të përgatitur për kushte dhe kritere për koalicionin paszgjedhor.

Partia me të cilën s’do hynit në koalicion janë demokratët?

Por shtrohet çështja se edhe pse përgatitemi për një tablo dhe rrethana të reja që Shqipëria s’i ka pasur kurrë në të shkuarën, ndoshta do jemi gati për zgjedhjet e parakohshme. Nëse partitë e tjera politike nuk do pranojnë e të bien dakord me kushtet tona, ne do apelojmë për zgjedhje të parakohshme, nëse nuk futemi në koalicion me partitë e tjera politike.

Atëherë, jeni të gatshëm të hyni në koalicion me socialistët, me partinë e z. Meta, me partinë e z. Topi, nëse programet tuaja janë të njëjta dhe nëse disa kushte specifike përmbushen?

Eshtë çështje programi dhe e kushteve që ne do paraqesim.

Përmendët që Aleanca Kuq e Zi ka 15% të mbështetjes gjatë një viti, shifër e respektueshme, nëse është e saktë, cilit ia atribuoni mbështetjen në rritje të elektoratit shqiptar ndaj partisë suaj? Mos vallë janë grupe specifike sociale, të cilat i tërheq programi juaj? Mund të na jepni pak informacion për elektoratin tuaj të mundshëm?

Ndoshta ne jemi partia e parë politike pan-shqiptare. Kemi aktivistë dhe grupe që po punojnë për Aleancën Kuq e Zi në Kosovë, Maqedoni, në Angli, në Itali, në SHBA, kudo që jetojnë shqiptarë, pavarësisht jetesës në territore etnike apo nëse jetojnë në vende të tjera. Jemi përpjekur të jemi një lëvizje politike mjaft popullore. Së dyti, po punojmë për të orientuar “target-grupin” tonë. Le të themi që kemi bërë një marrëveshje me të gjitha shoqatat e ish të burgosurve politikë në Shqipëri, kemi arritur marrëveshje me shoqatën e ish-pronarëve, kemi arritur marrëveshje dhe ujdi të tjera. Po punojmë shumë me rininë.

Ndoshta kemi shumicën e elektoratit të ri. Mosha mesatare e anëtarëve tanë është 28 vjeç. Janë shumë të rinj. Qëllimi ynë është të bëjmë për vete të rinjtë, ose një elektorat që nuk ka votuar kurrë për PD-në apo PS-në. Mendojmë se është më e lehtë që këto shtresa t’i orientosh drejt Aleancës Kuq e Zi. Në fillim, na akuzuan se mos ndoshta Aleanca Kuq e Zi është parti politike folklorike. Ishte një kritikë që vinte nga zëra të ndryshëm nga media qeveritare. Pas një viti, të gjithë janë të vetëdijshëm që partia politike Aleanca Kuq e Zi është e “modës”, është parti politike moderne, patriotike. Dhe kjo për shkak të rinisë dhe të rinjve që na mbështesin, që janë përfshirë në Aleancën Kuq e Zi.

Kur ju pyeta, përmendët se jeni partia e parë pan-shqiptare. Ma shpjegoni pak ç‘doni të thoni me këtë. Ju kanë akuzuar se anoni shumë drejt nacionalizmit etnik, si në Shqipëri dhe jashtë saj. Një retorikë e tillë për Shqipërinë e madhe, apo për Shqipërinë etnike mund të sjellë destabilizim në Ballkan. Si do u përgjigjeshit këtyre akuzave? Cila është ideja juaj për pan-shqiptarizmin?

Pan-shqiptarizmi është përfshirja e solidaritetit etnik të shqiptarëve kudo që janë për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria është rast unik në Evropë. Popullsia shqiptare shkon më shumë se 10 milionë, por sipas censusit të Berishës, jemi vetëm 2 milionë e 800 mijë. Do të thotë se kemi nevojë të përfshijmë dhe të tërheqim vëmendjen e miliona shqiptarëve, që kanë treguar interes për të ardhmen e Shqipërisë.

Ç’doni të thoni me përfshirjen?

Le të themi përfshirje. Duhet patjetër t’i përfshijmë për të drejtën e votës. Një nga kushtet që do kemi në të ardhmen, padyshim do jetë e drejta e emigrantëve për të votuar. Shqiptarët duhet të votojnë si shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Maqedoni. Ata votojnë kudo që janë, në Romë, në Milano, në Gjenevë, në Londër. Pse shqiptarët e Shqipërisë që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit nuk kanë të drejtën të votojnë? Hapi i parë duhet të jetë që ata të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Vendimmarrja politike për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Po flisni për shqiptarët e Shqipërisë. S’po thoni t’u japësh të drejtën e votës të gjithë shqiptarëve në zgjedhjet në Shqipëri?

Padyshim që jo, se është antikushtetuese. Dy vite më parë, kryeministri Berisha hartoi një ligj që ka të bëjë me rregullat e shtetësisë shqiptare dhe pasaportat shqiptare. Në kabinet ai propozoi që pasaporta shqiptare t’u jepej të huajve që bëjnë investime në shifra mbi 100 mijë Euro. Ne e kundërshtojmë dhe e kritikojmë këtë iniciativë, sepse ai s’mund t’u japë pasaporta shqiptare të huajve që investojnë 100 mijë Euro dhe nuk u siguron pasaporta shqiptarëve nga Kosova apo Maqedonia. Ai më kritikoi, madje bëri edhe një propozim për të më pushuar nga puna, më akuzoi dhe më denoncoi në Prokurori për këtë çështje dhe për disa të tjera. Fatkeqësisht, pas një viti e gjysmë, ai e mori peng këtë iniciativë, duke “pretenduar” se ishte patriot me sloganin “Një komb, një pasaportë”. Pavarësisht këtij fakti, pavarësisht dhënies së pasaportave, ka edhe disa rregulla të tjerë që tregojnë se njerëzit duhet të votojnë në territorin administrativ ku jetojnë. Do të thotë se shqiptarët e Kosovës, që mund të gëzojnë pasaportën shqiptare, nuk mund të votojnë në Tiranë, por në Prishtinë, në shtëpinë e tyre dhe në qytetin ku janë rritur dhe jetojnë, atje ku banojnë.

Çfarë mendoni mbi deklaratën e Berishës për ribashkim kombëtar?

Ai ka pritur prej kohësh që bashkësia ndërkombëtare do të reagonte dhe do të kritikonte Aleancën Kuq e Zi. Ai u çmend, u mërzit dhe u shqetësua përse bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e huaja nuk po kritikonin Aleancën Kuq e Zi për rolin patriotik dhe ai po hiqej se ndoshta komuniteti ndërkombëtar do të sulmonte Aleancën Kuq e Zi dhe reputacioni i Aleancës në gjirin e popullit shqiptar do të pësonte rënie. Dhe ai u përpoq të tërhiqte shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe qeverive të huaja lidhur me nacionalizmin dhe kriticizmin jo të orientuar kah Kryeministri, por kah kuqezinjtë. Por kjo ishte një arsye shtesë që Berisha ishte i përfshirë në mesazhe nacionaliste, por në thelb ai ka metodën që sa herë që i vihet në rrezik karrigia dhe pushteti, ai frikëson komunitetin ndërkombëtar dhe qeveritë e huaja. Kjo nuk është hera e parë që e bën. Ai i frikësoi ata në vitin 1996.

Ç’doni të thoni me “frikësim”?

Ai po i frikëson qeveritë e huaja dhe ndërkombëtarët nëpërmjet rritjes së mesazheve nacionaliste duke u orvatur t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar se ai ka ndikim tek shqiptarët në rajon dhe se ai është gjithnjë i gatshëm të destabilizojë rajonin dhe Ballkanin nëse ata nuk merren vesh me të për të fuqizuar pushtetin e tij. Mesazhi ishte vërtet i drejtpërdrejtë për BE-në dhe Brukselin. Pra, nëse ata nuk ofrojnë statusin e kandidatit, ai po bën një orvatje për t’i bërë thirrje popullit shqiptar për një Shqipëri etnike.

Por, realisht, a ka ai një ndikim kaq të madh jashtë Shqipërisë?

Ka pasur! Por s’e ka më! E ka provuar në vitin 1996 të destabilizojë Ballkanin, kur SHBA dhe qeveri të tjera të huaja e akuzuan për manipulim të votave në atë vit. Dhe, më herët, ai iu drejtua ish-Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova që të hapte luftë kundër serbëve, kur lufta ishte midis Serbisë dhe Kroacisë. Ai u përpoq të hapte dy fronte lufte. Dhe kjo ishte njëra prej arsyeve përse për dhjetë vjet, ish-Presidenti Rugova nuk erdhi në Shqipëri dhe nuk e ngriti kurrë telefonin për të folur me Sali Berishën, sepse ai e kuptoi që Berisha për pushtetin e tij është gati të shfrytëzojë popullin shqiptar, shqiptarët në Kosovë dhe interesin shqiptar. Për interesa private, ai po shkatërron të ardhmen e vendit.

Ju folët shumë për Kryeministrin! Le të fokusohemi tanimë tek Aleanca Kuq e Zi. Cila është specifikisht politika juaj ndaj Kosovës? A jeni ju për bashkimin e këtyre dy vendeve? Apo mendoni se ato mund të bashkëjetojnë si dy shtete të ndara? Cili është plani juaj për Kosovën?

Është diçka e përzier! Do të thotë, pra, një model politik që është shumë i ngjashëm me modelin gjerman dhe atë të SHBA-ve.

Modeli gjerman është një vend, një qeveri qendrore.

Po, por është gjithashtu një federatë. Ka njëfarë autonomie për njësitë e ndryshme…

Nuk ka dy shtete gjermane. Sot ka vetëm një shtet gjerman.

Po. Dhe ka për të pasur një shtet të vetëm shqiptar.

Pra, ju po flisni për bashkim?

Po!

Nën një qeveri federale?

Patjetër! Po them se ne jemi të sigurt që shqiptarët kanë për t’u bërë anëtarë të BE-së jo si dy vende, jo si dy shtete. Shqiptarët kanë për t’u bërë anëtarë të BE-së si një shtet i vetëm.

Pra ju thoni se kjo nuk duhet të ndodhë derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së?

Po! Nëse shqiptarët bëhen anëtarë dhe hyjnë në BE si dy shtete, ka për të patur shqetësime nga diplomacia evropiane gjithashtu, sepse shqiptarët do të kenë dy vota në Komisionin Evropian, dy vota në Parlamentin Evropian, dhe madje dhe Gjermania, Franca dhe vende të tjera evropiane do të jenë më të interesuara që shqiptarët të përfaqësohen si një shtet i vetëm dhe anëtar i BE-së. Por para se të shkojmë… Ky nuk është një sprint, por një maratonë… Është e nevojshme që të ndërtojmë disa standarde. Pikë së pari, kjo nuk mund të ndodhë sot, sepse qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk e kanë në axhendë që të jenë një shtet, nuk e kanë në axhendë që të ndërtojnë një federatë.

A është kjo pjesë e programit të Aleancës Kuq e Zi?

Po. Një nga përparësitë e Aleancës Kuq e Zi është bashkimi mes Kosovës e Shqipërisë, por pa ndryshuar kufinjtë. Pra, bashkim nëpërmjet komponentëve që përmenda, si një federatë, me dy njësi të ndryshme.

Por nëse ju themeloni një federatë, në njëfarë mënyre ju i ndryshoni kufijtë, sepse atëherë nuk ka një kufi ndërshtetëror, por një kufi ndërfederativ?

Është një kufi federativ, por në përgjithësi s’ka asnjë pengesë diplomatike, sepse Serbia nuk ka për t’u shqetësuar, Greqia nuk është aspak e shqetësuar për shkak të problemeve të brendshme. Ne mendojmë se edhe të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe asaj greke në Shqipëri do të kenë më tepër garanci në një vend më të fortë si shteti i shqiptarëve se sa në dy vendet më të varfra në Evropë dhe nën dy qeveritë më të korruptuara në Evropë, të cilat nuk po ballafaqohen me sfidat e korrupsionit, pastrimit të parave, trafiqeve, krimit të organizuar, dhe kjo është arsyeja përse ne mendojmë se një nga përparësitë duhet të jetë të ndryshojmë regjimin politik.

Duket se shqiptarët duhet të ndërtojnë një sërë standardesh të reja të demokracisë. Ka një pikëpamje të ndryshme të cilën ne po e diskutojmë prej kohësh në lidhje me cila duhet të jetë e para dhe cili është prioriteti: stabiliteti apo demokracia. Ne jemi të sigurt se s’ka stabilitet pa demokraci. Ne duhet të ndërtojmë një demokraci shumë të fortë në Tiranë dhe në Prishtinë, në mënyrë që të garantojmë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar si dhe të partnerëve të tjerë të huaj.

Më lejoni t’ju pyes për një vend tjetër, fqinjin tuaj jugor, Greqinë, dhe e di se ju e keni ngritur zërin në lidhje me disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Greqinë. Së pari, a operon Aleanca në Greqi, a keni degë atje? Sepse ka një popullatë të madhe shqiptare në Greqi! A keni aktivitet në Greqi?

Ne kemi degë atje, por kemi hasur pengesa për të vepruar dhe për të organizuar aktivitete. Në dy raste kemi anuluar aktivitete dhe mitingje në qendër të Athinës, për shkak të presionit politik atje. Përfaqësuesit e Agimit të Artë kanë vajtur në shtëpitë e aktivistëve tanë, i kanë kërcënuar dhe trembur të gjithë se nëse do të jenë pjesë e aktiviteteve tona ata do t’u vrisnin pjesëtarët e familjes. Në mënyrë që të mbronim jetën e aktivistëve tanë dhe të familjeve të tyre ne kemi anuluar dy aktivitete atje. Kjo do të thotë se në jug të Shqipërisë ka një situatë tejet delikate, e cila fatkeqësisht po rrezikon dhe kërcënon integritetin dhe sovranitetin territorial të Shqipërisë.

Pra, ju po thoni se keni celula, se keni prani organizative në Greqi?

Po, dhe të madhe madje!

Dhe nuk shihet me sy të mirë nga qeveria apo nga neofashistët e Agimit të Artë? Cili është kërcënimi më i madh?

Kërcënimi vjen si nga qeveria greke, por ashtu edhe nga opozita. Qeveria greke ka bërë disa herë thirrje kundra Aleancës Kuq e Zi. Madje dhe njëri nga motivet dhe arsyet e themelimit të Aleancës Kuq e Zi ishte debati ndërmjet Aleancës dhe qeverisë greke që po ushtronte trysni ndaj qeverisë dhe vendit tonë si dhe shqiptarëve për të organizuar një census të popullatës mbi bazën e pyetësorit të etnicitetit dhe fesë. Ne e kundërshtuam standardin që po vendosej nën trysninë e qeverisë greke një vit e gjysmë më parë, sepse qeveria greke në të njëjtën kohë po organizonte censusin e popullatës pa pyetjen e etnicitetit dhe fesë.

Ata po pranonin se 100% ishin ortodoksë dhe 100% grekë. Ata nuk njohën as edhe një person të vetëm me kombësi tjetër. Por ata po ushtronin trysni dhe po ofronin standarde të dyfishta nga Shqipëria, duke pretenduar se ky ishte një standard i BE-së. Si ka mundësi që një vend i BE-së si Greqia po ushtron trysni Shqipërisë e cila nuk është anëtare e BE-së, për një standard që s’ekziston?! Qeveria greke e ka deklaruar haptazi qëndrimin kundër Aleancës Kuq e Zi, sepse ata kanë një qëllim kryesor: Të shtojnë artificialisht numrin e popullatës greke në jug të Shqipërisë për të kërkuar më pas autonominë e Vorio Epirit!

Ata madje po përpiqen në mënyra të ndryshme për të shtuar ndikimin e politikës së tyre në jug të Shqipërisë edhe për destabilizim në pjesën kufitare. Njerëzit tanë, Sekretari i Përgjithshëm i AKZ, Prof. Dr. Myslym Pashaj, denoncoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke lidhur me kufijtë detarë në jug të Shqipërisë. Për shkak të denoncimit tonë, kjo marrëveshje u shfuqizua dhe nuk ekziston më. Ne kemi protestuar lidhur me këtë rast dhe kjo ka bërë që si qeveria greke edhe opozita greke, siç është Agimi i Artë, janë tejet kritike dhe agresive ndaj veprimtarive tona dhe përkrahësve tanë.

*Marrë me shkurtime