Intervista që përgënjeshtron shpërthimin nervor të Berishës kundër Ramës

0
66

(AUDIO)

TemA, 14 Shkurt 2012

Kryeministri Sali Berisha u shfaq në mbrëmje i shpërfytyruar, i skuqur në fytyrë. Fakti që opozita doli që në mëngjes dhe bëri rolin e qeverisë duke bërë një pasqyrim të mirë të situatës në vend dhe lajmet e medias se operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës janë një skandal i vërtetë, bënë që ai të shpërthente në akuza ndaj medias dhe kryetarit të opozitës.

Këtë të fundit e akuzoi rëndshëm se po shkel kodin e vdekjes pasi selia e PS paska deklaruar se në Tropojë qenka një person i pakallur në dhe për shkak të dëborës. Ky është një lajm që është pasqyruar nga Shqiptarja.com, i konfirmuar nga vetë kryetari i komunës në Tropojë. Shqiptarja ka disa orë që e ka në faqen e saj online intervistën, madje edhe me audio. Ne po e botojmë të zbardhur dhe në audio.

Një 85 vjeçar prej dy ditësh po qëndron i pajetë në shtëpinë e tij, për shkak të motit të keq në komunën Tropojë e Vogël. Elez Dema ka humbur jetën për shkaqe natyrore ditën e hënë, por lartësia e borës prej 3 metrash e ka bërë të pamundur varrimin e tij nga ana e familjarëve. Kryetari i komunës Ram Kortoçi në një intervistë telefonike për Shqiptarja.com tha se as traktorët nuk mundin dot të hapin rrugën, çka ka bërë që i ndjeri të mos përcillet dot për në banesën e fundit.

Z.Kortoçi, si paraqitet gjendja në komunën tuaj?

Janë të gjitha rrugët e bllokuara dhe situatën e përkeqësojnë orteqet, të cilat rrezikojnë banesat. Ata kanë shkaktuar dëme në disa shtëpi dhe 4 familjen në lagjen Gegaj janë evakuuar deri më tani.

Cilat janë nevojat e momentit?

Një familjeje në fshat i është shembur tërësisht shtëpia nga dëbora dhe unë kam lajmëruar helikopterin që t’i evakuojë, mes tyre ka edhe fëmijë.

Ka një informacion për një person të vdekur, i cili ka humbur jetën?

Po, ai është edhe kushëri i imi. Është 85 vjeç dhe quhet Elez Dema. Ne kemi që mbrëmë që mundohemi ta transportojmë për në varreza, por është e pamundur. Lëvizin vetëm traktorët e mëdhenj por lartësia e borës shkon deri në 3 metra dhe transporti është deri më tani i pamundur.

Ku po e mbani tani?

Në shtëpi është akoma.

Si është furnizimi me ilaçe dhe ushqime?

Ndihmat ushqimore kanë arritur deri në Bajram Curri, por nuk janë shpërndarë dot për shkak të bllokimit të rrugëve. Vetëm 300 pako kanë mundur të mbërrijnë por janë të pamjaftueshme. Sa për ilaçet, disa prej familjeve që kanë nevojë urgjente po mundohemi tua çojmë dorazi, por e kemi shumë të vështirë.