“Platforma Malaj?! S’kam parë kurrë rivalë që të mërziten nga fitorja e partisë”
Politikani i njohur Spartak Ngjela flet për vendimin e pritshëm të Kolegjit Zgjedhor mbi Tiranën dhe situatën politike në vend. Ai argumenton se opozita kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve pasi rezultati që ka nxjerrë KQZ është joligjor, pra nuk është nxjerr në bazë të ligjit, por në bazë të vullnetit politik të një shumice në KQZ. Për këtë arsye, pavlefshmëria e këtij rezultati është rruga për të vendosur ligjshmërinë mbi procesin. Avokati flet dhe për pamundësinë që ka Basha të përsërisë masakrën elektorale në Tiranë si dhe apatinë e opozitës dhe zënkat brenda saj. Duke folur për iniciativën e Malajt, Ngjela thotë se është e paprecedent që një rival të mërzitet aq shumë nga fitorja e partisë së tij.
Zoti Ngjela, nesër Kolegji zgjedhor do të shprehet rreth kërkesës së opozitës për pavlefshmëri të procesit zgjedhor. Cila është pritshmëria juaj?
Në fakt, pritshmëria nuk është vetëm imja. Ajo është një pritshmëri mbarë popullore. Koha realisht ka rrjedhur në favor të popullit opozitar, i cili sot në Shqipëri është mbi 70 përqind. Në anën tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm në analizat postzgjedhore të 8 majit, sepse kanë pasur një specifikë të veçantë, të cilën duhet ta mbajë “vath në vesh” edhe Kolegji në procesin e të mërkurës.
Atëherë, a mund të na i sqaroni, se cila është kjo “specifike e veçante” postzgjedhore?
Çështja është shumë e qartë: shqiptarët të revoltuar nga një gjendje e rëndë sociale, nga humbja e perspektivës, shkelja e të drejtave dhe degradimi ekonomik, dolën të gjithë masivisht dhe rrëzuan Sali Berishën në 8 maj të këtij viti. Por ai nuk e pranoi këtë gjendje, dhe, siç dihet, ndërhyri brutalisht e në shkelje të të gjitha procedurave dhe krijoi një rezultat fiktiv në Tiranë, me anë të të cilit kërkon që Bashkinë e Tiranës t’ia japë humbësit. Por, ndërkohë, më një hapje joprocedurale të një numri kutish në fillim, dhe pas hapjes së të gjitha të tjerave më kërkesë të Kolegjit Zgjedhor, çështja, jo vetëm që doli jashtë procedurës, por doli edhe jashtë karakterit ligjor të rezultatit. Kjo sepse, tani, pasi janë kontrolluar të gjitha kutitë e Tiranës, ne nuk kemi më një rezultat ligjor, ngaqë faktikisht ne tani kemi shtrembërim të matricës ligjore që i duhet rezultatit për të qenë ligjor dhe i drejtë. Matrica absolute, si kërkesë e ligjit tonë dhe të gjithë legjislacionit perëndimor është kjo: pasi të bëhet numërimi i fletëve të votimit duhet që, për secilën qendër votimi, numri i fletëve të votimit të gjetura në një kuti duhet të jetë domosdoshmërisht i barabartë me numrin e votuesve. Nëse ky numër është më i madh, ose më i vogël, dhe kjo ndikon në përmbysjen e rezultatit, zgjedhjet janë të pavlefshme, ato duhet të përsëriten. Dhe a e dini pse? Sepse nuk mund të ketë më një rezultat ligjor. Rezultati ligjor është ai që garanton saktësinë aritmetike të përputhjes së të dy numrave që përmendëm. Mospërputhshmëria aritmetikë i prezumon zgjedhjet të manipuluara.
Kjo është arsyeja juridike e kësaj çështje. Sot ne kemi në dorë 287 qendra votimi të Tiranës me numër të pabarabartë në barazinë midis votuesve dhe fletëve të gjendura në kuti. Domethënë, Kolegji është i detyruar të shpallë pavlefshmërinë e rezultatit të shpallur nga KQZ, sepse ai nuk është ligjor.
Sa shanse ka që Kolegji të ndikohet nga mosshqyrtimi i kësaj ankese prej KQZ për shkak të asaj që ata e quajtën djegie të afateve?
Ky ishte një budallallëk nga ato që urdhëron Saliu. Cilat afate janë djegur? Ne ishim përpara një vendimi gjyqësor, i cili kishte bërë nul vendimin e KQZ-së për rezultatin para këtij të fundit. Që nga ky moment, KQZ ka qenë e detyruar që të nxjerrë një tjetër rezultat, dhe ajo e nxori këtë para disa ditësh, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Pra, për faktin që KQZ nxori një rezultat të dytë, ky, domosdoshmërisht mbart me vete atakimin në Kolegjin Zgjedhor. Dhe afatet janë 48 orë, pasi është dhënë vendimi i fundit i KQZ. PS sot ka goditur si të padrejtë vendimin e fundit të KQZ, prandaj ai që flet për afate ka frikë nga aritmetika. Është për të qeshur, por a të kujtohet: nxënësit e dobët të klasës së katërt fillore, urinonin në pantallona nga aritmetika. Këtë bëri edhe KQZ, kur pati frikë që të merrej me aritmetikën dhe dëgjoi Saliun për afatet. Është qesharak ky lloj kontesti, dhe as që mund të mendohet se mund të konsiderohet nga Kolegji Zgjedhor; që realisht është gjykatë, dhe jo një grumbull njerëzish pa profesion.
Nga mënyra si Kolegji ka gjykuar deri tani të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 8 Majit, cili është perceptimi juaj për profesionalizmin e tyre dhe peshën e ndikimit politik mbi ta?
Vendimi i parë i Kolegjit Zgjedhor, ai që shkëlqeu me latinishten e Tomës, ishte një paçavure që historia juridike e këtij vendi duhet ta harrojë, pasi ta ketë ndëshkuar, sigurisht. Ai nuk ishte një vendim, por një abuzim, i cili e rëndoi çështjen, por që Kolegji i dytë Zgjedhor, ai që dha vendimin që është ende në proces, ndreqi sa mundi, dhe e futi çështjen në një shtrat juridik. Duke kërkuar hapjen e të gjitha kutive, ky Kolegj e solli çështjen në këtë pikë: pasi të këqyren të gjitha kutitë, ne do të konsiderojmë vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e rezultatit sepse vetëm atëherë ne mund të shprehemi që ky rezultat është ligjor ose jo. Ky ishte mendimi i vendimit të atij Kolegji. Dhe kjo është arsyeja që askush që është jurist, nuk mund të presë gjë tjetër veçse anulimin e rezultatit joligjor të zgjedhjeve të 8 majit për qytetin e Tiranës.
Nëse Kolegji deklaron pavlefshmëri zgjedhjesh për kryetarin, a mendoni se do të ketë të njëjtin angazhim politik nga të dyja palët si më 8 Maj?
Pala tjetër, domethënë partia e Bashës, do të jetë në një dekadencë të përditshme. Sepse nuk e ka më mundësinë që të sjellë mijëra e mijëra njerëz të votojnë në Tiranë. Nuk mund të abuzojnë më me fletët e Media Printit, kompanisë së PD-së, e cila na kishte marrë edhe tenderin e prodhimit të fletëve të votimit. Do këtë pamundësi manipuluese, dhe prandaj dekadenca e saj do të nisë menjëherë pas shpalljes së vendimit të Kolegjit.
Duket se Basha ka siguruar një sasi të madhe votash nga koalicioni dhe faktorë të tjerë jo politikë siç janë blerja e votës për disa kategori sociale dhe eksporti i trupës votuese drejt Tiranës. Sa shanse ka të përsëritet ky operacion në rast përsëritje zgjedhjesh?
Jua thashë më lart: mundësitë, tani i ka thuajse absolutisht të pamundura.
Një zë i ringjallur kritik brenda PS është bërë Arben Malaj. A keni ndonjë perceptim për vizionin e tij opozitar?
Ka disa dekada që ndjek zgjedhjet në botën perëndimore, qysh se kam qenë 17 vjeç. Deri tani kurrë nuk kam parë ndonjë person nga elitat politike të partive europiane që të mërzitet nga fitorja e rivalit brenda partisë, dhe këtë ta shpallë hapur në opinionin publik. Sepse ky është një pozicion qesharak. Fitorja e 8 majit ka qenë fitorja elektorale më e madhe që kë realizuar një parti politike në Shqipëri që nga viti 1991. Kjo ishte shume më e thellë nga ajo që korri PD më 1992 kur PS-ja e atëhershme gati u bashkua e gjitha me Partinë Demokratike. E pra, të dalësh përballë këtij rezultati, do të thotë të dalësh nga politika. Është naivitet apo kërkesë që i është bërë Malajt kjo, kjo nuk ka rëndësi: akti që po ndërmerr ai, është jashtë çdo standardi politik. Prandaj mendoj se për faktin që nuk ka brenda vetes një version politik, është interes që nuk ka lidhje me karrierën politike, por me konservimin e gjësë së fituar nga politika, e cila siç duket po i kërcënohet me rrezik nga ish kundërshtari politik.





