TemA, 23 Maj 2013
Një intervistë e fortë e ambasadorit amerikan në ekranin pranë qeverisë. Arvizu pranon ftohjen e qeverisë me Uashingtonin, duke thënë se u provua e vërtetë deklarata e tij se Shqipëria po vendoset në kurs përplasje me SHBA. Sipas tij, ekziston rreziku i manipulimit nëse rezultati është i ngushtë. Një shuplakë edhe për Berishën për çështjen e vizave me SHBA. “Në Uashington nuk ka Stefan Fyle,” ironizon Arvizu
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dha të mërkurën në mbrëmje një intervistë pa dorashka në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Ambasadori amerikan, i pyetur nëse deklaratat e tij se heqja e anëtarit të LSI nga KQZ po e vendos Shqipërinë në një kurs përplasje me SHBA, tha se: “Mendoj se kam pasur të drejtë. Mendoj se është provuar se kisha të drejtë”.
“Mund të zgjidheshin diferencat. Në vend të kësaj ata u kthyen sërish ku ishin. Dhe ja ku jemi një muaj më vonë. Jemi thuajse në pikën e nisjes së zgjedhjeve dhe ne kemi një KQZ që nuk është e konstituuar plotësisht, nuk po vepron ashtu siç duhet”.
I pyetur se si mund të zgjidhej çështja e KQZ-së, kur palët nuk kanë rënë dakord për të miratuar tre ligjet, Arvizu tha kjo çështje ishte më e drejtpërdrejtë, kurse ajo e tre ligjeve është më komplekse.
Arvizu tha se nuk është në frymën e Kodit Zgjedhor dhe as në frymën e konsensusit politik që çdo çështje të shkojë në Kolegjin Zgjedhor pasi kjo KQZ nuk miraton dot vendim me shumicë të cilësuar.
Arvizu ka komentuar edhe çështjen e rrotacionit.
“Rrotacioni është një princip i mirë. Nëse zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, një parim si rrotacioni kujdeset vetë për veten,” tha Arvizu.
Ambasadori tha se do ishte e tmerrshme nëse nuk do ketë qeveri deri në gusht ose shtator. “Duhet të bëjmë diçka për këtë çështje,” tha ai.
Por problemi më i madh sipas ambasadorit do ishte nëse rezultati do ishte shumë i ngushtë. Arvizu shprehu frikën se rezultati mund të ndryshohej.
“Çfarë ndodh nëse një parti merr 70 mandate dhe një tjetër 68 dhe ka një numër vendesh që janë të pavendosura dhe gjithçka shkon në Kolegjin Zgjedhor? Ky do ishte një skenar i pafat. Shpresoj të mos ndodhë kështu”, tha Arvizu.
Por vazhdimisht moderatori Blendi Fevziu e ka pyetur atë nëse qëndrimet e tij janë personale, apo të Departamentit të Shtetit. Pasi i është përgjigjur disa herë duke thënë se qëndrimet e tij janë në përputhje me qëndrimet e Uashingtonit, Arvizu u tregua më i prerë.
Ambasadori tha se ky është një film që është parë edhe më parë, në rastin e paraardhësit të tij, Xhon Uidhers.
Arvizu tregoi një histori me një zyrtar të lartë të qeverisë amerikane.
“Ishte pak javë më parë, pasi zyrtarët amerikanë e bënë të qartë se unë kam besiminj e tyre dhe se flas në emër të Uashingtonit. Po flisnim për diçka që nuk ka lidhje me zgjedhjet. Më pas gjithçka rrodhi dhe nisëm të flasim për zgjedhjet dhe më specifikisht për shkarkimin e zotit Muho. Isha shumë i sinqertë dhe i ndershëm në deklaratat e mia dhe personi nga qeveria u kthye dhe më tha: A është ky pozicioni i Uashingtonit? Apo është qëndrimi yt personal. E di çfarë i thashë? Nuk e kam luksin për të pasur opinione personale. Të gjithë opinionet e mia janë zyrtare. Dhe ti nuk e ke luksin që të vendosësh se kush do jetë ambasadori amerikan. Këtë e vendos Presidenti i SHBA me këshillat dhe miratimin e Senatit të Shteteve të Bashkuara. Dhe ti nuk je as Presidenti dhe as Senati Amerikan”.
I ashpër ka qenë ambasadori amerikan edhe për deklaratat e kryeministrit Sali Berisha për heqjen e vizave me SHBA.
“Së pari, mendoj se të gjithë ne në qeverinë amerikane kemi mbetur pak të habitur kur e dëgjuam këtë,” tha ambasadori, duke përsëritur kushtet për heqjen e vizave.
Arvizu tha se refuzimi i vizave duhet të jetë 3 përqind, ndërkohë që Shqipëria e ka 40 përqind.
Por pasi i shpjegoi moderatorit Blendi Fevziu se ky është një proces krejt i ndryshëm nga ai në Europë, gazetari i TV Klan sërish e pyeti duke thënë se përse SHBA nuk deklaron se nëse qeveriset më mirë, do hiqen vizat.
“Blendi, nuk ka Stefan Fyle në SHBA, që të bëjë raporte për këtë gjë,” tha Arvizu, duke shtuar se rruga është e gjatë.
Duke komentuar çështjen e lobistëve të Podestas, Arvizu tha se e njeh mirë njërin prej vëllezërve, pasi ka punuar me të.
“E di që janë aktivë këtu. E di që dikush po e sheh këtë intervistë me shumë kujdes dhe se do të më vlerësojnë me notë, ndoshta edhe ty të vlerësojnë. Do të përgatitet një raport dhe do të qarkullojë nesër, ku vlerësohen përgjigjet dhe ndoshta pyetjet tua,” tha Arvizu, duke shtuar se: “Unë përfaqësoj qeverinë amerikane, ata përfaqësojnë qeverinë e Shqipërisë”./ep







