INTERVISTA/ Mero Baze: Gërdeci i Edi Ramës nuk ka ndodhur ende

0
59

Berisha para Gërdecit ishte dikush që donte të ribënte historinë.
Pas Gërdecit, dikush që donte të blinte historinë.

Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, në një intervistë për gazetarin Çim Peka, rrëfen betejat e tij si gazetar opozitar, si e sheh qeverisjen e Ramës dhe komenton marrëdhëniet e Ramës me Metën.

Jeni botuesi që keni qëndruar më shumë në opozitë me qeveritë. ’97-2005 dhe 2007-20013. Për qeverinë “Berisha” filluat kritikat e me pas akuzat vetëm dy vite pasi e djathta erdhi ne pushtet edhe pse kishit qenë ndoshta zëri i vetëm mediatik në opozite pro tij. Sot Edi Rama ka dy vjet kryeministër, aq sa kishte Sali Berisha në kohen kur filluat ta kontestonit si gazetar dhe botues. Me kryeministrin Rama akoma nuk po e bëni të njëjtën gjë. Nuk po gabon Rama apo dhe ju ju kanë lodhur betejat me qeveritë? D.m.th keni vendosur të bëni paqe me qeveritë?

Nuk ka arsye të jesh i lumtur me çfarë po ndodh, por as ndonjë arsye të madhe për të shpallur luftë për rrëzimin e qeverisë. Ajo që ka ndodhur me Berishën dy vjet pas ardhjes në pushtet, nuk ka ndodhur ende me Edi Ramën. Dy vjet pas ardhjes në pushtet, Berisha dha shenja të qarta të kontrollit familjar të pushtetit. Vajza e tij u bë de facto shefe e çdo koncesioni apo kontrate ligjore me qeverinë, dhe sapo dilja nga zyra e kryeministrit duhet të shkoje tek zyra e saj. I biri u bë sekseri kryesor i çdo biznesi. Unë isha aq afër Berishës sa nuk mund të mos e shihja këtë dhe nuk mund të mos flisja. Kur demokratët qanin korridoreve të PD për humbjen e Sokol Olldashit në shkurt të 2007, Shkëlzeni bërtiste duke kërkuar ku i kishte humbur Ilir Rusmajli, se s’po i firmoste ende një letër për Gërdecin. Dhe unë isha dëshmitar në atë korridor, për të parë se çfarë prisnin demokratët nga pushteti dhe çfarë priste i biri i Sali Berishës. Dhe kur e bëra publike këtë disa muaj më vonë, në vjeshtë të 2007, gjashtë muaj para shpërthimit të kobshëm, dhe thashë se i biri i kryeministrit mund të shfaqet pas ndonjë afere armësh në Vorë, u sulmova prej Berishës me egërsi në mbledhje të Grupit parlamentar dhe në gazetën “RD”. Pra Berisha bëri zgjedhjen për luftë, duke mos pranuar të cenoj pushtetin e Familjes, që po hidhte rrënjë. Dhe unë u ndjeva i lehtësuar.

Nga pikëpamja e qeverisjes, Berisha deri atëherë po qeveriste mirë. Ai kishte bërë reforma gjurmëlënëse në sistemin e taksave dhe koncesioneve dhe po shfrytëzonte mirë situatën makroekonomike që kishte lënë qeveria paraardhëse e Fatos Nanos. Dhe nga pikëpamja politike ishte më fleksibël, deri sa mori gjithçka nën kontroll pas zgjedhjes së Presidentit. Berisha filloi të keqqeverisë pas Gërdecit, kur i kompleksuar nga përfshirja e të birit në atë histori, u bë paranojak dhe i shpalli luftë gjithë institucioneve të shtetit, Presidentit, kryeprokurorit, medies kritike etj. Gërdeci është një pikë kyçe në historinë e tij politike, që e ndanë atë në dy epoka, para dhe pas saj. Pas Gërdecit, Berisha është një kukull në duart e Familjes, që e sheh atë si shpëtimtar për atë çfarë ka bërë. Para Gërdecit ai ishte një njeri që donte të rishkruante mirë historinë e tij. Pas Gërdecit një njeri që donte të blinte historinë e tij. Gërdeci Edi Ramës nuk i ka ardhur akoma edhe pse kam qenë kritik i hidhur për qeverinë Rama në disa pika të ndjeshme të qeverisjes, sidomos në prototipin e reformave që po ndërmerr qeveria. Disa reforma të saj bazohen tek tregu dhe konkurrenca e lirë, siç janë reforma e pensioneve apo ligji i arsimit, disa bazohen tek etatizmi dhe kontrolli i dyshimtë administrativ mbi to, siç është situata në shëndetësi apo ecuria e reformës në paketën fiskale.

Kur thashë pak më lartë se keni qenë ndër të vetmit zë mediatik për të mos thënë i vetmi nga ’97-2005 kundër qeverive të majta, kam parasysh faktin se gjatë asaj kohe jeni sulmuar individualisht fortë nga mediat e qeverisë dhe fizikisht nga të fortit e qeverisë. Mediat që sulmuan opozitën e kohës e zëvendësuan miqësinë tuaj me kryeministrin Berisha. E njëjta media sot ka zënë vend pranë kryeministrit Rama. Si e gjykoni sot raportin e kryeministrit Rama me mediat dhe a mendoni se opozita sot si asnjëherë nuk ka asnjë media ne krahun e saj? Po i rikthehem ’97-2005 kur opozita e kohës kishte një media të shkruar dhe një elektronike që ndiqej pa censure prej militanteve të saj.

E vërteta është se nuk zgjodha të jem i vetëm në opozitë por më lanë vetëm dy herë. Herën e parë pas vitit 1997 deri në vitin 2005 më lanë vetëm të gjithë ata që kishin qenë dikur me Berishën, dhe tentonin të më izolonin ata që ishin me pushtetin sidomos grupi i Klanit që ka dhe traditë serioze për të kapur pushtetet. Pas vitit 2007 ndodhi e njëjta gjë, por me një egërsi më të madhe. Berisha e bëri betejën kundër meje jo vetëm personale, por dhe të dhunshme në gjithë aspektet fizike dhe financiare, për të “më bërë shembull” që kush ngre kokën kundër tij, zhduket. Shkatërroi gjithë biznesin e sapo investuar, duke rrethuar me policë shtypshkronjën, e cila është sot një tufë hekurishtesh që po gjykohen nga drejtësia. Shoferi i familjes së tij punonjës garde, ndenji tre ditë rresht para shtëpisë sime, derisa u dogj makina dhe ai nuk u pa më. Për fat e denoncova ditën e dytë të shantazhit të tij, tek një prokuror, që e ka pranuar publikisht. Sot është në burg se i ka vënë gjobë dajës së vet, ndërkohë që kur ishte shofer i Familjes dhe mik i Shkëlzenit, qëllonte me pistoletë kamarierë dhe jo vetëm që nuk gjykohej, por Berisha i besonte dhe sigurinë e gruas, djalit e vajzës. Një natë pas 21 Janarit, i shkoi familjes së Hekuran Dedës për t’i blerë gjakun dhe heshtjen për vëllanë e vrarë në mes të Bulevardit, shenjë kjo që tregon se ishte “i forti” i besuar i familjes. Pati represion mbi gazetën me gjoba deri në 400 mijë dollar dhe kontroll financiar dhe tek një shoqatë gazetarësh që kam pas.

Prej Sali Berishës në atë kohë kam fituar vetëm diçka pozitive, që i jam mirënjohës. Kam njohur dhe kushërinjtë e mi të shtatë që si kisha njohur kurrë. I njoha, jo se ishin solidarë me mua, por se i gjente Flamur Noka ku ishin, dhe i hiqte nga puna si kushërinj të mi. E dija mirë si funksiononte. Dikush i vinte syrin një pune, gjente ndonjë lidhje të të të punësuarit me mua dhe e kishte lehtë ta eliminonte. Pas kësaj ata vinin e më prezantoheshin që ishin ndëshkuar se kishin një lidhje me mua. Një gjest edhe më i shëmtuar ndodhi me nënën e fëmijëve të mi, të cilën ministri Xhaferi e thirri në emër të Sali Berishës dhe i kërkoi ose të ndërronte mbiemrin ose të linte punën. Dhe ajo u detyrua të linte punën. Deri këtu as Enver Hoxha nuk ka pas shkuar kundër një gruaje të divorcuar. Sali Berisha e ka bërë dhe e ka bërë personalisht.

Për t’u kthyer dhe një herë tek media kritike dhe opozitare dua të them se ajo nuk varet vetëm nga gazetari por dhe nga kundërshtari. Të kesh kundërshtar Sali Berishën në pushtet, bëhesh më i famshëm se është më represiv, më hakmarrës, më vrasës për lirinë e shtypit se sa të tjerët. E ka bërë herën e parë me “Koha Jonë” dhe herën e dytë me Temën. Të jesh përball Edi Ramës, është sikur të jesh para një thesi me sfungjer, ku më shumë lodhesh nga përpjekja e tij për të të kapur, se sa nga lufta e tij për të të eleminuar.

Jeni gazetari që keni botuar akuzat më të rënda për katër kryeministra. Për Fatos Nanon, Ilir Meten, Sali Berishën dhe Edi Ramën si ish-kryebashkiak. Gjithsesi dy numra të gazetës “TemA” janë akoma sot hit në rrjetet sociale. Të paktën për faqen e parë. “Kartela mjekësore e Edi Ramës” dhe fotoja e Ilir Metës me diçiturë “Hajduti”. A jeni penduar sot që i keni botuar dhe a i besoni akoma sot si lajme?

Gazetat nuk botohen për t’u penduar, por për të besuar se po thua të vërtetën kur i boton. Unë kam besuar tek ajo që kam shkruar, dhe kur gazeta është përdorur. Në një gazetari politike të ashpër si kjo e jona që shpesh është gazetari llogoresh, gjëra të tilla janë të pashmangshme. Ajo që ju e quani p.sh. kartelë e Edi Ramës, është një copë letër e ofruar nga Sali Berisha në mes të fushatës elektorale në vitin 2000, duke m’u betuar si mjek që ishte e vërtetë dhe se ai vet ka ndihmuar disa herë me miqtë e tij. Shefja e kabinetit të tij ma solli në zyrë si porosi nga Doktori, dhe pak më vonë ai më “siguroi” për “vërtetësinë” e saj. Unë e kam besuar, jo vetëm pse kisha një distancë reale politike dhe personale me Edi Ramën, por dhe sepse e besoja Berishën më shumë si mjek se sa si politikan. Tani më vjen të qesh kur e kujtoj, por kjo është histori. Tani nëse më kërkoni të dija më duket i çmendur Edi Rama, duhet të më pyesni a më duket normal Sali Berisha. Në rastin e Ilir Metës ishte bindja ime për atë që pashë në video. Videoskandali Meta-Prifti nuk ishte zbulim gazetaresk, por luftë klanesh brenda pushtetit të Berishës. Ata vendosën të përdorin median dhe kaq. Nuk është histori gazetarie investigative, apo meritë gazetarësh. Është prodhim i qeverisë Sali Berishës, që mbyllet me darkën e tij tek shtëpi e Ilir Metës.

Si e gjykoni Edi Ramën në këto dy vite kryeministër? A keni një radhitje te sukseseve dhe dështimeve të qeverisë së tij?

Nga pikëpamja e qeverisjes ka bërë disa reforma që forcojnë shtetin, siç është kontrolli mbi territorin, beteja për evazionin në fushën e energjisë elektrike apo ujit, siç po paralajmëron, ka bërë një reformë të guximshme pensionesh që nuk ka guxuar asnjë qeveri ta bëjë për 25 vjet, ka bërë një ligj sfidues për Arsimin e Lartë, i cili në mos bëftë histori me cilësinë e Arsimit nuk ka ç’dëm të bëjë, se këtu Arsimi është bërë një varr i madh. Po ashtu ka disa iniciativa pozitive sa i përket investimeve në qytete të vogla apo zona turistike. Shumë qytete të Shqipërisë për herë të parë ndjenë një investim estetik, që ka shumë rëndësi për të mos e bërë jetën edhe më të mërzitshme siç e ke në provincë.

Por ka dhe dështime të frikshme. Fjala vjen në mjekësi, Rama është krejt i paqartë se çfarë po bën. Ndërsa nga një anë ka hyrë të bëj reforma tregu dhe konkurrence të lirë, në mjekësi po ecën në mënyrë kaotike, me koncesione të dyshimta, që bien ndesh me politikën etatiste, që ka vetë ministria që do të kontrolloj gjithçka. E mbaj mend në fushatë elektorale që suksesin në mjekësi e bazonte tek mirë menaxhimi i buxhetit të saj përmes luftës kundër korrupsionit dhe jo tek ndonjë reformë thelbësore tregu brenda saj. Kjo më është dukur atëherë shqetësuese. Tani është përvëluese, pasi shërbime po u besohen privatëve, ndërsa tregun po përpiqet ta mbaj nën kontroll qeveria. Është diçka e paqartë, konfuze dhe e frikshme nëse dështon. Ka dhe dështime administrative siç është administrata e Doganave apo tatim Taksave, tek të cilat duket se ka një të çarë korrupsioni, por nuk duhet konsideruar ky shkaku i vetëm i dështimeve. Është mbi të gjitha ekonomia e dobët ajo që I bën ato të jenë të kritikuara.

Nuk ka monopole korrupsioni siç ka pas Berisha, por e ka bërë korrupsionin një sport më popullor për administratën e tij, edhe për shkak të ngjizjes shpesh artificiale që kanë prurjet politike PS-LSI në administratë. Është e vërtet se nuk ke më një Shkëlzen për të shkuar për të bërë një punë, por ke një tufë shushunjash kudo që shkon që të shikojnë nga xhepat. Nuk është një qeveri autoritare dhe administrata nuk ka frikë askënd për të futur ndonjë lek në xhep. Dhe kjo betejë ka nevojë dhe për një drejtësi perfekte, por dhe për shembuj ndëshkimi të fortë, sidomos koka politike.

Në gjykimin tuaj, a ndjehet Edi Rama i shantazhuar nga Ilir Meta dhe a i ka ngrirë ndryshimet në qeveri pikërisht prej frikës se mos LSI do të luajë bllofin në Parlament?

Rama dhe Meta nuk janë më në muaj mjalti dhe kjo është normale, por nuk janë as në ndonjë proces divorci. Janë si një familje sherrxhinjsh, siç janë gjithnjë të majtët shqiptarë, kur nuk ka kush të vendos rregullin. Do të bashkëjetojnë me këtë stil deri në fund. Natyrisht që nuk kanë mëshirë ndaj njëri-tjetrit ti marrin ç’të mundin nga pjesët e pushtetit, dhe “as kanë turp të djegin për një plesht gjithë jorganin”. Por janë të mësuar ta mbajnë kështu pushtetin. Nuk besoj se Rama ka dëshirë të bëjë ndryshime në qeveri, pasi nuk ka nerva të hap lojë dhe orekse brenda PS. Nëse Meta do ta kërkojë këtë, kjo do të ndodhë, por më duket se dhe ai ka të njëjtin perceptim.