INTERVISTA/ Mero Baze: Argita duhej të ishte gdhirë te burgu i grave!

0
47

TemA, 17 Janar 2013

Gazetari dhe botuesi i gazetës Tema, Mero Baze, flet për gazetën Dita

Zoti Baze, gazeta Tema ka botuar e para në vitin 2009, e-mail-et e këmbyera ndërmjet Zafar Ansar dhe studios konsulente “Malltezi”. Kohët e fundit mësuam edhe për implikimin e ish-ambasadorit Admirim Banaj në këtë histori, fakt të cilin ju jeni shprehur se e keni “fshehur” qëllimisht katër vite më parë. Do ishte me interes të dinim se çfarë ka ndodhur mes jush, zotit Ansar dhe zotit Banaj në javët kur ju botuat këto e-mail-e në mënyrë të pjesshme në vitin 2009. Mund të na ofroni një retrospektivë të detajuar të kësaj situate mes jush?

Nuk ka ndodhur asgjë. Unë nuk jam takuar me zotin Ansar, por kam pasur miqësi me ambasadorin tonë Admirim Banaj. Gjatë verës së vitit 2007, kur ai ishte në Shqipëri, thjesht jam njohur me interesin që ai kishte për të çuar tek kryeministri këtë biznesmen. Në qendër të skandalit është e bija e kryeministrit dhe modeli i shtetit të babait të saj. Të tjerët janë viktima, përfshi dhe ambasadorin. Kjo ka qenë arsyeja që pjesën e tij s’e kam botuar.

Është zoti Ansar që i ofroi vetë ato e-mail-e për publikim?

Nuk është zoti Ansar ai që më i ka dhënë e-mail-et, por unë u sigurova se mora aksesin origjinal të tyre. Nuk kam dëshirë të bëj publike burimin, pasi do të rrezikoja pa shkak.

Ua ka shprehur ambasadori Banaj “pakënaqësinë” e tij në lidhje me botimin e vitit 2009 të e-mail-eve?

Mua nuk më ka shprehur kurë pakënaqësi, pasi unë e kam redaktuar pjesën e tij. E kuptoja qartë hallin e tij. Në një shtet ku e bija e kryeministrit sillet në këtë mënyrë me pushtetin e babait, ambasadori është thjesht një i punësuar i saj, që paguhet nga shteti. Kam pasur komunikim të rrallë dhe më pas me të dhe nuk më është dukur se ka qenë i shqetësuar nga ajo që ka ndodhur. Ndoshta nuk e ka ditur që unë e kam ruajtur në publikimin e bërë dhe natyrisht nuk ka pasur si të jetë “mirënjohës” për këtë. Pse ka qenë as mirënjohës, pastaj është problem i tij.

Çfarë mendove kur Zafar Ansar deklaroi se Admirim Banaj i kishte kërkuar me këmbëngulje që të të hidhte ty në gjyq për botimin e këtyre e-mail-eve?

Nuk më dilte para syve fytyra timide e Admirimit, por fytyra e egërsuar e Argitës, që me siguri ia ka kërkuar këtë gjë orë e çast duke ia nxirë jetën. Turpi është që ne jetojmë në një shtet që gjunjëzon personalitetin e një njeriu dhe i thyen njerëzit, i detyrojnë të bëhen denoncues dhe bashkëpunëtorë në vepra kriminale për një vend pune. Portreti i tërbuar e kësaj femre, që nuk njeh pengesa dhe kode morale për para dhe pushtet, është fytyra reale e pushtetit në Shqipëri.

Në e-mail-e është i shkruar e zezë mbi të bardhë premtimi i studios për të miratuar projektin energjetik, madje duke e specifikuar edhe me termin “sukses i garantuar i investimit”. Shqipëria ka një ligj për parandalimin e konfliktit të interesit, si mundet që një studio legale, e drejtuar nga e bija e kryeministrit, të japë garanci të plota suksesi për një projekt që do e miratojë kryeministri? Kaq mjafton që prokuroria të nisë punën pa e kujtuar kush apo jo? Në editorialin e shkruar dje nga ju, keni shprehur hapur zero pritshmëri nga prokuroria apo institucionet e tjera ligjzbatuese si reagim ndaj intervistës së biznesmenit Ansar. Nga niseni për këtë pritshmëri negative?

Ky është rasti më ilustrues ndoshta në botë se si veprojnë regjimet e korruptuara. Skema është klasike. Një investitor troket në zyrën e kryeministrit, ai e përcjell tek studioja e vajzës, ajo pastaj i ofron në rrugë “ligjore” pazarin për shërbimin. Ansar me siguri ka besuar parullën “Shqipëria 1 euro” dhe lehtësitë fiskale, por pastaj ka parë se asgjë nuk ishte 1 euro, por një 1 me shumë zero pas, dhe në vend të lehtësive fiskale, ka pasur përballë taksën e familjes që është më e rëndë se çdo taksë në botë. Ky është rast tipik ku në një vend perëndimor kryeministri sot duhet të ishte në shtëpi në pritje të hekurave, ndërsa e bija duhet të ishte gdhirë tek burgu i grave.

Unë e kam ndjekur këtë rast qysh në zanafillë, për ta verifikuar mekanizmin që përdorte e bija për të shitur pushtetin e babait. Më vjen keq ta them, por ja kam bërë këtë dhe në disa raste të tjera, asaj dhe të birit dhe ata janë sjellë gjithmonë njësoj. Si në këtë rast. Është thjesht çështje e rrezikut që kanë për jetën personazhet që kam përdorur në këtë histori për t’u bërë publike. Ajo familje vepron sikur Shqipëria është pronë e saj dhe çdokush që të trokas në këtë vend, duhet të takojë pronarin.

Nuk pres të bëj asgjë kryeprokurori, jo vetëm nga performanca e tij, por dhe sistemi në të cilin funksionon. Ai do të shkarkohej qysh të nesërmen, dhe ndoshta Bujar Nishani do të dëgjonte që ka firmosur pasi të kishte dalë nga ndonjë seancë hidromasazhi për hallet e tij shëndetësore. Tashmë nuk jemi në një sistem demokratik. Gjithçka është në dorë të Argita Berishës. Edhe Gjykata Administrative që po e kërkon kaq me ngulm dhe SHBA-ja, po lind dhe ndërtohet si gjykatë e Argitës. Partnerja e saj është emëruar të përzgjedhë gjyqtarët.

Ju keni shkruar gjithashtu që “Ansar nuk ka përballuar dot paturpësinë për ta parë jo si investitor, por si gjah i rënë në pritën e pushtetit të Familjes. Investitorë të tjerë, biles disa dhe shumë të mëdhenj dhe të respektuar në Perëndim, ranë në këtë grackë dhe ndonjë nuk ka dalë ende”. Cilët janë këta, mund të thoni diçka më shumë?

Janë disa kompani serioze perëndimore që po investojnë në energjetikë . Kam depërtuar në historinë e licencimit të tyre dhe është e frikshme. Nuk do të përmend emra pasi kuptohen lehtësisht kush janë, por mund t’u bëj vizatimin e disa skemave. Njëra prej tyre, që është bashkim kompanish perëndimore shumë serioze, për të paguar “fee sukses-in” e Familjes, u detyrua që brenda projektit t’i jepte një kompanie në Shqipëri një nënkontratë për marrëdhëniet me publikun dhe institucionet me një shumë rreth 3 milion dollarë dhe nga kjo kompani, “studioja” merrte pagesën mujore, gjoja për shërbime ndaj saj sipas “tarifave te mia”, siç thotë “zonja 3 milionëshe”. Po ashtu, studimi i mjedisit iu besua fillimisht pa shumë turp dhëndrit, dhe pastaj pas disa vërejtjeve nga stafi u bë dhe ai me link. E njëjta gjë ndodhi dhe me studimin e hidrocentraleve mbi Vjosë, kur një kompani shqiptare bëri studimin dhe ia dorëzoi kryeministrit, dhe pas një muaji ai bëri sikur nuk kish ndodhur gjë dhe thuajse ky studim pa asnjë ndryshim u paraqit si studim për llogari të kësaj kompanie perëndimore. Tani natyrisht që askush nuk flet siç pati guximin zoti Ansar, pasi ata janë duke punuar këtu. Por një ditë e vërteta do të ballafaqohet me publikun dhe drejtësinë dhe s’do ketë shans që këta njerëz t’i gëzojnë këto para të vëna nga kapja e shtetit.

Sa është pasuria e Berishajve sipas jush? Si dhe sa do ndikojë kjo pasuri në të ardhmen e tyre politike? Në konceptin e Bazes a mjaftojnë paratë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë përgjithmonë në një vend si Shqipëria?

As një institute kontabël nuk mund të llogarisë pasurinë e tyre. E kanë në monedhë, në aksione të fshehura, në pasuri të paluajtshme, në fonde investimi jashtë Shqipërisë, pra në të gjitha format. E sigurt është se me vete do të marrin 2 metra katror vend dhe turpin si njerëz që plaçkitën këtë vend.

I keni kërkuar rektorit Dhori Kule që të paktën “të ngrijë” Argitën si pedagoge, njësoj siç u veprua dhe me rastin Barjaba. Po dje mësuam se zoti Kule është në krye të një tjetër liste peticionesh drejtuar kreut të PS- Edi Rama. Mos vallë nuk ka më kujt t’i kërkojmë diçka, qoftë dhe simbolike në lidhje me këtë histori?

Janë ca njerëz që e kanë profesion tu lëpihen gjithë regjimeve dhe nuk kam shpresë që këta reagojnë ndaj parimeve, por u bëj thirrje thjesht që nesër të mos thonë, nuk e dinim. Vazhdimi i punës së Argita Berishës si pedagoge është një krim ndaj shoqërisë shqiptare. Pedagogu përveç se mësimdhënies, u imponohet studentëve dhe me figurën e tij morale dhe shembullin e tij. Argita mund t’i japë mësime mafies siciliane, por jo fëmijëve tanë. Ajo duhet ndaluar dhe me forcë të hyjë në auditorë. Unë do t’ua kërkoj këtë përditë gjithë forumeve rinore politike në Shqipëri, gjithë partive politike, gjithë shoqërisë civile. Është një ndëshkim që e kemi ne në dorë, dhe jo drejtësia, dhe këtë së paku duhet t’ia bëjmë. Ta mbajmë larg nga edukimi i fëmijëve tanë si hajdutë dhe sekserë.

Në shtypin e djeshëm ishin një numër shumë i vogël gazetash që kishin pasqyruar intervistën e Ansar. Gazetat më të mëdha nuk e kishin fare as si lajm qoftë në faqen e parë qoftë në brendësi. Si e shikoni këtë?

Aq sa mund të mbaj inat ambasadorin Banaj pse iu nënshtrua Argitës, aq mund të mbaj inat dhe shtypin shqiptar pse iu nënshtrua asaj. Është çështje e njerëzve të lirë dhe medies së lirë. Një fat i madh është që në këtë histori ka hyrë media më e madhe në vend, Top Channel dhe gazetarët e saj kurajozë. Kjo mjafton për ta mbajtur gjallë këtë histori të ndyrë të kapjes së shtetit. Media tjetër është pjesë e regjimit dhe partnere e tij. Është një ndryshim i madh nga viti 2009. Atëherë e dhanë shumë më pak se sot. Nuk është për tu ankuar.

Mbeten dhe pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare. Si e shikoni situatën aktuale dhe si i parashikoni këto muaj të fushatës?

Shqiptarët janë në shumicë absolute kundër pushtetit. Berisha po përpiqet të deformojë këtë vullnet me shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Një bashkim i madh antiregjim, do t’i bënte pluhur e hi këto marifete mafioze. Kush është kundër regjimit, duhet të bashkohet në një koalicion. Berisha nuk ka turp të kërkojë dhe votat e komunistëve për të ndenjur në pushtet dhe mendon e komplekson forcat e reja politike t’i bashkohen opozitës. E gënjen mendja. Ai nuk e di se sa zemërim popullor ka ndaj tij. Do ta shikojë para 23 qershorit, por sidomos pas tij. Siç e kanë zakon shqiptarët kur bie nga pushteti.

Ju jeni oponent i fortë i Berishës, njëherazi njohës i mirë i asaj që ju vetë e keni etiketuar si Familja. Shpesh jeni një hap përpara edhe vetë opozitës. Çfarë qëndrimi duhet të mbajë sipas jush PS-ja në këtë fushatë? Është OK mënyra si kundërvepron deri tani? Duhet korrigjuar ndonjë gjë?

Mendoj se kemi një opozitë të ndryshme nga pushteti në konceptet perëndimore që ka, gjuhën civile dhe vizionin për qeverisje. Meqë pushteti është i pacipë, arrogant, vrasës, i pamëshirshëm për qëllimet e veta, shpesh njerëzit kërkojnë një opozitë analoge dhe mendojnë që ajo nuk është në lartësinë e duhur. Unë mendoj se na duhet një Shqipëri normale dhe një vizion i tillë si ky i opozitës. I vetmi ngërç është si ta heqim një të çmendur nga pushteti për të qenë nesër njerëz normal? Kjo do bashkim të fortë dhe energji të harxhuara kundër pushtetit dhe jo kundër opozitës. E vërtet është që jam më i ashpër dhe i egër ndaj Berishës, por unë jam individ, nuk kam përgjegjësi për vizionin e nesërm të qeverisjes së vendit. Unë jam gazetar kritik dhe ngre zërin për t’i vrarë frikën shoqërisë. Por Shqipëria nuk mund të qeveriset me kriterin e ngritjes së zërit, por mbi vizione të qarta dhe reforma serioze. Unë ngre zërin se një pjese e Shqipërisë se majtë ka frikë Sali Berishën. E dinë të fortë, të mençur, vizionar dhe trim, thjesht se ai u vjedh votat. Është thjesht një plak i rrjedhur, frikacak, pa asnjë ide dhe pa asnjeri nga pas. E patë kë dërgoi për të prishur shtëpinë e xhaxhait te gruas kundërshtarit? Kushërirën e vet dhe të gruas së tij, dushiste. Aty ku është fshehur në vitin 1997.

Shqipëria është në një situatë serioze të rritjes së borxheve të jashtme dhe të brendshme. Madje kemi “spostuar” dhe pragun ligjor me vendim politik, por që në fakt si veprim ekonomik është një hap qartësisht i dëmshëm. Mendoni se opozita mund të gjejë “tokë të djegur” pas zgjedhjeve të qershorit?

Situata është dramatike, por ndryshimi jep shpresë. Opozita do gjejë një tokë më shumë se të djegur, pro ajo duhet të jetë realiste dhe duhet t’u shpjegojë qytetarëve gropën e zezë ku ka zhytur Shqipërinë ky plak i rrjedhur. Vendi mund të ringrihet me një besim të ri tek ndryshimi politik, dhe sidomos tek ndëshkueshmëria e fortë ndaj përgjegjësve të kësaj situate. Kjo gropë e zezë e Sali Berishës kërkon doemos të çohen para drejtësisë disa fajtorë që njerëzit të kenë besim tek ndryshimi. Unë mendoj se një vendimmarrje e fortë, një zhdukje e pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe një komunikim i sinqertë me njerëzit, do ta ndryshojnë historinë pesimiste të këtij vendi.