INTERVISTA/ Luan Pobrati: Për çfarë akuzoj Berishën

0
193

Specialisti i vjetër i shërbimeve sekrete zbulon për herë të parë një projekt zyrtar të komunizmit: mënyrën sesi do të transferohej formalisht pushteti tek njerëz që do të detyroheshin të bashkëpunonin me sigurimin e shtetit dhe nëpërmjet tyre, “nga prapavija”, komunistët të vazhdonin të mbanin pushtetin. Ai flet për një dosje agjenturore në ngarkim të Mehmet Shehut dhe që shumë nga kontributorët në krijimin e saj, sot janë ende të pranishëm në Kuvend, në qeverisje, në gjyqësor, media dhe në shoqërinë civile. Për më shumë, dëshmon sesi Berisha ka përdorur dosjet sekrete në funksion të luftës për pushtet

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA 5 Shkurt 2013

Eshtë personazh i vështirë. Eshtë e vështirë ta bindësh të flasë për çfarë detyrat që ka mbajtur ndër vite dhe mbi të gjitha, ta detyrosh të përmendësh emra. Luan Pobrati është specialist i njohur i shërbimeve sekrete. Për një periudhë, para viteve 90’, ai ka shërbyer si punëtor operativ që mbulonte inteligjencën universitare, ndërsa mbas vitit 1997, ishte Inspektor i Përgjithshëm i Kryeministrit për SHISH-in. Në një intervistë për revistën JAVA, ai tregon disa të vërteta historike të panjohura. E nis me dosjen ndaj Mehmet Shehut dhe përmend personazhe që mbi tragjedinë e tij ngritën karrierën e tyre. Që mbi të gjitha, ishin të pëlqyer te të dy sistemet dhe që sot i gjen në të katër pushtetet, në Kuvend, në qeverisje, në gjyqësor, në media, dhe madje, edhe në shoqërinë civile. Akuzatorë e denonciatorë të ish-kryeministrit të djeshëm dhe sot, një pjesë e tyre, shkrues të kujtimeve të trëndafilta për të. Që nuk kanë kërkuar kurrë ndjesë.

Një paralele e frikshme për të kuptuar Shqipërinë e sotme dhe rolin e disa individëve të veçantë në shoqëri: që në vitet 50’, Mehmet Shehu planifikonte “dorëzimin” e pushtetit nga komunistët tek ata që do të tërhiqeshin në bashkëpunim “me material shtrëngues”, ndërsa në fund të viteve 80’, Ramiz Alia përpilonte një listë me emra “kuadrosh që duhet të ngriheshin në detyrë”. A ndodhi një gjë e tillë në vitet 90’? A është ky një çelës për kuptuar pse dekomunistizimi i vendit është ende një mision i pakryer dhe pse politika në Shqipëri shpesh ngjan sikur udhëhiqet nga një parti e vetme, njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës? Pobrati nuk jep përgjigje të gatshme, gjithkush është i lirë ta komentojë këtë enigmë sipas bindjes së tij dhe sidomos enigmën e lidhjes së të shkuarës së këtij vendi me të tashmen e tij.

Ka një tendencë të theksuar të medias për t’ju rikthyer të shkuarës, kryesisht në personazhe që kanë dominuar jetën e vendit, udhëheqjen komuniste, një tendencë që duket sikur kërkon ta ribëjë historinë e diktaturës, e cila, në përgjithësi, është ende më shumë të panjohura. Ju si do ta komentonit një gjë të tillë?

Në gjykimin tim rikthimi përmes kujtimeve i nderimit të së shkuarës, flas për rastet kur kjo bëhet në vigjilje të ngjarjeve të mëdha apo për individë me ndikim në historinë e vendit, veç evokimit të së mirës dhe të së keqes së tyre, bën të respektohet thënia e mençur se “kush përçmon të kaluarën e tij, është ose i paditur, ose frikacak”. Ndryshe, brenda specifikimit që përmban pyetja juaj ku theksohet udhëheqja komuniste, teksa ndjek dhe lexoj shtypin, bën përshtypje prania e së njëjtës mënyrë të konceptuari dhe vepruari të qeveritarëve të sotëm me ata të djeshëm; dua të them se Shqipëria e sotme për nga përmbajtja e njerëzve që e drejtojnë atë, masa e korrupsionit dhe krimit, ngjasimin e gjen brenda përshkrimeve në kujtimet për Shqipërinë e kohës të Eqerem Bej Vlorës, ku personazhet kryesore të vendit, tek betoheshin në zot dhe faleshin në xhami, nuk e kursenin shpifjen, intrigën dhe deri plumbat ndaj kundërshtarëve.

Një nga personazhet më të përmendur në shtyp është ish-kryeministri Mehmet Shehu dhe kalvari i gjatë që pasoi historinë e tij dhe familjen e tij. Historiografia komuniste e Hoxhës e konsideroi atë armik dhe poliagjent të shërbimeve të huaja. A keni dijeni ju edhe për ekzistencën e një dosjeje agjenturore në ngarkim të tij, a ndodhet ajo në arkivat e SHISH-it?

Vonë, kam pasur rastin ta studioj atë dosje, e drejtë kjo që buronte nga detyra që kryeja. Flas kështu pasi ajo kategorizohej e tillë që jo çdo kush mund ta njihte dhe nga ana tjetër, ajo çfarë më shtynte mua ta studioja – parë nga këndvështrimi historik dhe logjika profesionale – pse të mos njihja dosjen agjenturore të ngritur vite të shkuara në ngarkim të një prej personazheve më të rëndësishëm të kohës, vetvrasja e të cilit u shoqërua me aq shumë akuza, arrestime, burgosje dhe pushkatime?

Dosja është një nga materialet më voluminoze që kam pasur nëpër duar.Ajo përbëhej nga 17 volume, me nga 700 deri në 800 faqe secili. Unë e konsideroj mrekulli që kjo dosje ruhet. Në thelbin e vet, ajo tërhiqte vëmendjen për shkakun se u krijua njëherazi me kohën kur politika zyrtare artikuloi akuzat ndaj Shehut.

Domethënë, fillimisht ai u shpall armik nga partia dhe më pas, formalisht, kjo gjë duhej të vërtetohej dhe në rrugë operative. Në të shumtën e rasteve në dosje gjenden kritika të bëra në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ka plot deklarata të mbushura me paragjykime dhe vlerësime politike, të shkruara dhe të dhëna nga njerëz nën trysni, pse jo, edhe nga “hallexhinj” politikë, që për të ruajtur dhe justifikuar veten, kishin gjetur momentin për të hedhur baltë mbi Mehmet Shehun.

Ndoshta është pikërisht kjo kategori denonciatorësh të djeshëm, e shpërndarë sot në të katërt pushtetet, në Kuvend, në qeverisje, në gjyqësor, në media, por edhe emra të spikatur të shoqërisë civile, të cilët janë të interesuar që kjo dosje të asgjesohet. Jo sepse ajo përmban ndonjë provë të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, por se në të ruhet pandershmëria e tyre.

Sidoqoftë gjithkush që do të mund të studiojë këtë dosje, brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, do të gjykojnë me ftohtësi dhe do të njohin më mirë kohën për të cilën flitet, personazhet e goditur, motivin e tragjedisë së tyre, sikundër, matrapazllëkun dhe dallaveret politike të disa të tjerëve, që gjithsesi mbeten të përlyer, ndonëse të pëlqyer në të gjitha pushtetet. Nuk dua të përmend emra, por ata që ndodhen në këto dosje, e dinë mirë për çfarë po flas.

Si do ta shpjegonit mbijetesën e këtyre personazheve që përmendni dhe mbi të gjitha, edhe faktin që thoni se janë të pëlqyerit e të gjithë pushteteve në Shqipëri?

Nuk mendoj se është këtu vendi të bëjmë një psikoanalizë të individëve në fjalë, por në shpjegim të pyetjes duke qëndruar brenda dosjes agjenturore të Mehmet Shehut, them se është ky momenti të kujtojmë se shohim të ndodhë shpesh në shtyp që flasin dhe shkruajnë kujtimet e tyre personazhe të njohur dhe të burgosur për “veprimtari të përbashkët me armikun Mehmet Shehu” duke na u paraqitur në ekranet televizive dhe faqet e gazetave krejt ndryshe nga çfarë i kemi parë të flasin në proceset e botuara gjyqësore. Afërmendsh që e gjithë kjo vlerësohet normale për sa kohë shoqëria ku jetojmë sot krijon mundësi të kundërshtohet dhe mohohet gjithçka e deponuar dje nën trysni e dhunë. Për më tepër kur gjatë proceseve gjyqësore të atëhershme, mohohej liria dhe e drejta e individit. Por problemi nuk mbyllet këtu. Kushdo e ka një moral dhe në emër të tij këta ish-të burgosur e të masakruar të djeshëm për të bilbilosur siç jua impononte “Maliqi” i proceseve politike, ndërsa flasin hapur dhe fare pa ndrojtje sot, të mos ngurojnë, por të kërkojnë dhe pak ndjesë. Së pari për pjesmarrjen në manipulim të procesit dhe implikim të të tjerëve në të, teksa i bënë të keqen edhe vetes.

Kështu e pikërisht këtu fillon ndershmëria për të besuar dhe gjykuar mbas kësaj të drejtën e tyre për të korrigjuar deponimet e dhëna dikur në implikim të të tjerëve, bërë domosdo nën dhunë e trysni.

Duke folur për “shtegtimin” e personazheve të pëlqyer nga të dy sistemet, mendoni se kjo është më shumë se një rastësi apo vërtetohet një teori konspirative se çfarë ndodhi në Shqipëri me përmbysjen e sistemit, ishte edhe pjesë e një skenari të parapërgatitur?

Unë nuk besoj shumë tek rastësitë.

Ekziston ende në arkiva, por nuk është publikuar kurrë, një listë e firmosur nga ish-Presidenti Ramiz Alia me titull: “Kuadro që duhet të ngrihen në përgjegjësi…”. Keni dijeni për një gjë të tillë, dini se cilët janë këta personazhe?

Nuk di se në çfarë konteksti pyesni ju, pasi tjetër kund ishte fjala. Sidoqoftë, ajo çfarë di unë dhe që shkon në sinkron të drejtpërdrejtë me nëntekstin e pyetjes suaj, pavarësisht sa larg njëri-tjetrit kanë qenë në karaktere dhe veprimtari Ramiz Alia i cituar nga ju dhe Mehmet Shehu që i referohem unë, në fund rezulton përsëri e njëjta gjë. Dhe ja çfarë do t’ju thosha: ishte ndoshta viti i parë i punës sime dhe ndërsa gjendesha në Elbasan ku isha emëruar, më thërret në zyrë im atë, të shihja e njihja diçka që lidhej me kujtimet e shkruara të tij. Veç të tjerash ai më afroi një material të klasifikuar “Tepër sekret” që i përkiste fillimit të viteve 50’. Ky material ishte firmosur nga Mehmet Shehu, atë kohë ministër i brendshëm, që do të thoshte se materialin e kishte hartuar ai vetë. Tek e lexoja dhe shfletoja faqet, sytë më mbetën në disa rreshta të nënvizuara që në të shtypur, që siç duket, qenë përzgjedhur nga vetë autori. Të cilat siç ishin formuluar i ruaj në kujtesë edhe sot.

Thashë që atë kohë babai im shkruante kujtimet, një pjesë e të cilave i kushtohej angazhimit në luftën agjenturore kundër bandave diversioniste që kishin hyrë në Shqipëri nga deti, toka e ajri, ku arritja e suksesit në likuidimin e tyre i kushtohej edhe drejtimit me kompetencë të Mehmet Shehut.

Ja çfarë shkruhej në atë material “top secret” të viteve 50’: “Organet e sigurimit të shtetit, që sot, duhet të realizojnë tërheqjen e kategorisë agjent me material shtrëngues, zgjedhur nga rradhët e atyre kontigjenteve, që në një situatë oportune, lipset t’u lemë pushtetin, me synim që, nga prapavijat ku do të ndodhemi të imponuar, të kemi të uzurpuar frontin”. Nuk di në shihet këtu diçka e përafërt apo e ngjashme mes listës së Ramiz Alisë të vitit 1988 që pyesni ju, kohë kur komunizmi në vendin tonë po lëshohej si në ankand me këtë çfarë porosiste dhe udhëzonte Mehmet Shehu që në 1950…

Duke ju rikujtuar të pëlqyerit e të gjithë pushteteve, mendoni se jetojmë sërish nën të njëjtën “direktivë” të Mehmet Shehut?

Në dijeninë time në këto vite të demokracisë, siç nuk është bërë e mundur përjashtimi nga politika i personave me dosje apo të implikuar në veprimtari me zbulimet e huaja, pse të mos kujtojmë thëniet e çekut Fuçik për nazistët: “Popull, qëndro vigjilent!” Përndryshe, në Kuran thuhet: “Perëndia nuk e ndryshon gjendjen e vështirë të një populli, përderisa ai nuk ndryshon vetveten!”

Një pjesë e punës suaj në të shkuarën ka qenë e lidhur me pjesën akademike të universiteteve, çfarë kujtoni nga ta?

Në ka diçka që dua të theksoj brenda kësaj pyetjeje është e vërteta se në mjedisin ku ushtroja veprimtarinë time, mësova më shumë sesa dhashë. Nuk di nëse ishte kjo e qëllimshme tek unë apo një instikt që vinte nga dëshira për të qëndruar i heshtur përballë të diturve. Miqtë e mi më të mirë mbeten intelektualët e djeshëm dhe të sotëm ku ka rast të them se ndër ta bëjnë pjesë edhe mjaft të njohur të përbashkët. Eshtë tjetër gjë fakti që në fillesat e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, kohë kur personalisht kryeja një tjetër detyrë, një pjesë e mirë e miqve të mi u angazhuan në të dhe që fatkeqësisht, u goditën pikërisht atëherë kur i shpëtuan sigurimit të shtetit. Kjo nuk ndodhi për llogari të diktaturës, por në funksion të një tjetër loje, luftës brenda llojit ku fshihej lufta për pushtet.

Ndaj shumë prej tyre filluan akuzat për gjoja qenien në shërbim të sigurimit apo aludimet se angazhimi i tyre në Lëvizjen Demokratike, ishte bërë nën direktivën e sigurimit të shtetit. Gjë që teksa koha e vërtetoi si të pavërtetë, më jep të drejtën të akuzoj Sali Berishën si një ndër kryesorët e organizimit të këtij truku politik, me synimin e vetëm të përjashtimit të kundërshtarëve. Një gjë që për mua personalisht, u shoqërua me privim lirie. Opinioni është i njohur se në korrik të vitit 1992, nën akuza farsë jam arrestuar dhe hetuar nga ish-kryetari i SHIK-ut Gazidede, i cili më ka kërkuar të implikoj si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, politikanë të njohur të kohës, kundërshtarë të Sali Berishës.